Rumania do të Rivendosë Lidhjet me Serbinë

Bukureshti po pret me padurim të ndërtojë urat me Serbinë e re.

Rumania do të Rivendosë Lidhjet me Serbinë

Bukureshti po pret me padurim të ndërtojë urat me Serbinë e re.

Tuesday, 6 September, 2005

Rënia e Sllobodan Millosheviqit ka shkaktuar një ndjenjë të madhe lehtësimi në Rumaninë fqinjë. Mbulimi euforik i medias për ngjarjet në Beograd ka kujtuar periudhën e rrëzimit të diktatorit komunist rumun Nikolae Çaushesku një dhjetëvjeçar më parë.


"Çdo regjim që konfrontohet me popullin e tij do të bjerë, siç ra edhe regjimi i Çausheskut," ka deklaruar presidenti rumun Emil Konstantinesku.


Ministri i jashtëm Petre Roman, i cili ka ndihmuar në rrëzimin e Çausheskut, vizitoi Beogradin më 12 tetor për të filluar procesin e riparimit të marrëdhënieve të dëmtuara, kur Rumania lejoi avionët bombardues të NATO-s të përdorin hapësirën e saj ajrore gjatë bombardimeve të vitit të kaluar mbi Jugosllavi.


"Ta lëmë të kaluarën pas shpine," tha ai. "Rumania dhe Jugosllavia kanë tani një bazë tepër solide për të rinisur marrëdhëniet politike dhe ekonomike."


Në një përgjigje të menjëhershme për vendimin e Bashkimit Europian për heqjen e sanksioneve, Rumania i ka dhënë fund embargos së saj të naftës ndaj Serbisë më 12 tetor gjatë një sesioni të jashtëzakonshëm të parlamentit.


I interesuar për rifillimin e tregtisë me fqinjin e saj ballkanik, ministri i industrisë Radu Berceanu e shoqëroi Romanin në Beograd. Berceanu tha se ai shpresonte që Rumania të ishte në gjendje të zëvendësonte humbjet e biznesit nëpërmjet përmirësimit të marrëdhënieve ekonomike me Jugosllavinë.


Autoritetet jugosllave kanë kërkuar ndihmë të menjëhershme për të kaluar krizën e karburantit gjatë dimrit. Berceanu ka premtuar se qeveria e tij do të bëjë gjithçka për të furnizuar me karburantin e nevojshëm dhe energji elektrike. "Ne duhet të diskutojmë ende sasitë dhe, më pas, mënyrën e pagesës për këto furnizime," ka thënë ai.


Serbia ka nevojë për rreth 50,000 tonë benzinë dhe rreth 60,000 tonë naftë në muaj, gjysma e së cilës duhet të importohet.


Drejtuesit e industrisë rumune e kanë mirëpritur afrimin ndërmjet Bukureshtit dhe Beogradit. Mihai Ionesku, president i Grupit të Veprimit për Rindërtimin e Ballkanit, ka thënë: "Biznesi vendas tani ka një shans të mirë për të rifituar paratë e humbura si rrjedhojë e luftës së vitit të kaluar dhe të embargove ndërkombëtare ndaj Serbisë."


Kompanitë pjestare të Grupit të Veprimit kanë gjetur tashmë mundësitë për biznes në ish-Jugosllavi në një shumë që llogaritet në rreth 100 milion dollarë.


Embargoja e karburantit ndaj Serbisë ka dëmtuar rëndë edhe zhvillimin ekonomik në tërësi. Eksportet rumune në Jugosllavi kanë qenë rreth 119 milion dollarë në vit përpara bombardimeve të NATO-s. Importet kanë qenë rreth 61 milion dollarë. Si rezultat i sanksioneve dhe dëmtimit të infrastrukturës, tregtia është ndërprerë praktikisht dhe si pasojë e kësaj ndërprerjeje industria rumune mendohet të ketë humbur të paktën 50 milion dollarë.


Bombat e NATO-s kanë shkatërruar urat mbi lumin Danub, të cilat kanë bllokuar trafikun përgjatë lumit. Kompania e transportit Navrom deklaron se magazinat e saj në portet e Danubit në Galati, Giurgiu dhe Turnu-Severin kanë patur humbje prej rreth 25 milionë dollarë. Pjesa më e madhe e punëtorëve të transportit në vend janë pushuar nga puna dhe planet për privatizimin e industrisë shtetërore të transportit janë rrezikuar.


Mbyllja e lumit ka vonuar edhe një projekt rehabilitimi prej 570,000 dollarë në një central elektrik në Portile de Fier pranë kufirit me Jugosllavinë.


Por ekspertët vendas pranojnë se trafiku mbi Danub mund të kthehet në nivelet normale brenda dhjetë javësh. Sipas zyrtarëve vendas, tregtia në mallrat e përgjithshme arrin për momentin në rreth 10 milion dollarë në muaj. Kjo shifër pritet të rrite dhjetë herë deri në fund të vitit.


Por, megjithatë, jo të gjithë kanë mirëpritur lajmet që vinin nga Beogradi. Stefan Radeanu i gazetës së përditshme Curierul National ka thënë se ai ka frikë se ndihma perëndimore, që fillimisht ka qenë planifikuar për Rumaninë, mund të shkojë tani për të mbështetur qeverinë e Koshtunicës në Jugosllavi.


Për sa i përket Millosheviqit, qeveria rumune ka mbajtur një qëndrim të zbutur. Së bashku me anëtarët e BE-së, Bukureshti vitin e kaluar e ka shpallur Millosheviqin si person të "padëshirueshëm" duke i ndaluar atij, bashkëpunëtorëve dhe familjarëve të tij të hyjnë në Rumani. Roman ka thënë se qeveria do të veprojë sipas dëshirave të "miqve tanë në Beograd".


Marian Kiriak është bashkëpuëntor i rregullt i IWPR-së.


Balkans, Serbia
Frontline Updates
Support local journalists