RUMANI: MEDIAT ANKOHEN PER KERCENIME

Sulmet ndaj gazetarëve mund të rrezikojnë përpjekjet e vendit për anëtarësim në BE.

RUMANI: MEDIAT ANKOHEN PER KERCENIME

Sulmet ndaj gazetarëve mund të rrezikojnë përpjekjet e vendit për anëtarësim në BE.

Zyrtarë të Bashkimit Europian kanë ngritur pikpyetje mbi kërkesën e Rumanisë për anëtarësim pas një sërë sulmesh ndaj gazetarëve të cilët kanë hetuar mbi lidhjet e politikës me korrupsionin.


Emma Nicholson, raportuesja britanike e Parlamentit Europian për Rumaninë, ka kërkuar këtë muaj që kërkesa e Bukureshtit për anëtarësim në BE të mos shqyrtohet. Një amendament për këtë qëllim është paraqitur në Parlamentin Europian në Strasburg nga Arie Oostlander, deputet nga Hollanda.


Komisioneri i BE për zgjerimin, Guenter Verheugen, i ka kërkuar zyrtarisht Rumanisë informacione mbi këto sulme.


Kritikat kanë shkaktuar tronditje në Bukuresht. Por ndërsa ankesat e të huajve për ngushtimin e lirisë së shtypit kanë vendosur në pozicion të vështirë politikanët, grupet e mediave në Rumani kanë shprehur mbështetjen e tyre.


Njëzet e dy shoqata të mediave kanë nënshkruar një letër të hapur më 8 shkurt në drejtim të komisionerit të BE për zgjerimin duke mbështetur kritikat e zyrtarëve të BE. Letra përmbante ankesa për sulme të dhunëshme ndaj gazetarëve, duke shtuar se presioni politik në rritje ka lidhje me zgjedhjet e ardhëshme.


Grupet e mediave kanë mirapritur përpjekjet për “të paralajmëruar autoritetet rumune se Europa është e vendosur të sigurojë lirinë e mediave në vendet të cilat synojnë anëtarësimin në strukturat e saj” dhe i ka kujtuar qeverise rumune se ajo është e detyruar të “marrë masa të forta kundër kërcënimeve dhe friksimit” ndaj shtypit.


Gjashtëmbëdhjetë gazetarë janë sulmuar fizikisht vitin e kaluar. Të gjithë kishin shkruajtur artikuj mbi korrupsionin e zyrtarëve, apo mbi mafian lokale. Shumë të tjerë kanë marrë kërcënime anonime për jetën.


Sulmi i cili ka tërhequr më tepër vëmendje ka qenë ai ndaj Ino Ardelean, një redaktor i gazetës së përditëshme Evenimentul Zilei, i cili është rrahur pasi ka shkruajtur artikuj të cilët bënin lidhje ndërmjet zyrtarëve të partisë social demokratike dhe praktikave të korrupsionit.


Njerëz të panjohur kanë rrahur Ardelean dhe e kanë lënë pa ndjenja në rrugë në qytetin perëndimor Timisoara në muajin dhjetor dhe ai i është nënshtruar disa ndërhyrjeve kirurgjikale dhe kujdesit shëndetësor në spital për dy muaj përpara se të lejohej të shkonte në shtëpi.


Ambasadori amerikan Michael Guest, ka dënuar ashpër këtë sulm, ndërsa ambasadori francez, Phillipe Etienne, ka vizituar Agjensinë për Monitorimin e Shtypit në Bukuresht ku ka kërkuar informacione mbi raste të tjera të ngjashme.


Etienne ka thënë për median rumune se zyrtarët francezë janë “shumë të interesuar” për rezultatin e hetimeve zyrtare mbi incidentet e ndodhura gjatë verës së kaluar, në të cilat janë sulmuar dy gazetarë të tjerë. Ambasadori ka shtuar se ishte “shqetësuese” që incidenti më i fundit kishte ndodhur në prag të zgjedhjeve dhe në një kohë kur Rumania po përgatitet për anëtarësim në BE.


Ndërsa sulmi ndaj Ardelean është komentuar gjerësisht, tre javë më parë kryeministri Adrian Nastase ka komentuar se ai kishte kërkuar ministrisë së brendëshme të hetonte për këtë rast.


Mendohet gjerësisht se kryeministri është nxitur të veprojë vetëm pasi organizatat perëndimore të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe diplomatët kanë shprehur publikisht shqetësim mbi lirinë e fjalës në Rumani.


Nastase u ka kërkuar autoriteteve të gjejnë fajtorët me qëllim që të provojnë se ky rast nuk ka të bëjë me partinë social demokrate, duke shtuar se ai do të ishte tepër “i habitur” nëse do të kishte ndonjë lidhje të tillë.


Florin Kovacs, avokati i Ardelean, ka thënë se mungesa e veprimit nga ana e policisë pas sulmit ndaj klientit të tij është pjesë e një modeli të ngjashëm sjelljesh. “Eshtë për të ardhur keq që asnjë hetim i policisë mbi rastet e sulmeve të dhunëshme mbi gazetarët vitin e kaluar nuk ka identifikuar shkaktarët e këtyre sulmeve,” ka thënë ai.


Kovacs ka shtuar se ai mendonte që rrjetet e tipit mafioz po paguheshin për të kryer këto veprime ndaj gazetarëve. “Për fat të keq të jesh gazetar në Rumani është një ndër profesionet më të rrezikëshme,” ka thënë ai për IWPR.


Silvia Vrinceanu, redaktore e Ziarul de Vrancea, në qytetin lindor të Focsani, është dakort me këtë vlerësim. “Hapja e një hetimi gazetaresk dhe të shkruash të vërtetën është bërë shumë e rrezikëshme,” thotë ajo. “Unë jam e tronditur nga ajo që ka ndodhur me disa gazetarë”.


Ajo është rrahur pak kohë më parë pranë shtëpisë së saj. “Policia nuk ka bërë asgjë,” thotë ajo. “Ata më kërkuan të shihja fotografitë e disa të dyshuarve në rajonin e policisë dhe me kaq puna e tyre mbaroi”.


Disa gazetarë kanë paguar me jetë për hetime e tyre. Iosif Costinas, është zhdukur në mënyrë misterioze nga qyteti në qershor 2002. Trupi i tij është gjetur pothuajse një vit më vonë në një pyll aty pranë.


Sulmet ndaj gazetarëve rumunë gjatë vitit 2003 janë përmendur në disa raporte të organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.


Gazetarët pa Kufi kanë përmendur “presionet në rritje nga autoritetet, të cilat pakësojnë mundësinë e shprehjes së kundërshtimeve politike apo kritikave të cilat mund të japin “një imazh të keq” për vendin në një kohë kur Rumani po bisedon për anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Europian”.


Organizata e Mediave të Europës Jug lindore, SEEMO, me qendër në Vienë, ndërkohë, ka shprehur “shqetësim të thellë” për Csondy Szoltan, një gazetar nga Miercurea Ciuc, në Rumaninë qendrore, i cili është sulmuar dy javë pas sulmit ndaj Ardelean.


Szoltan është plagosur rëndë pak ditë pas Krishtlindjeve kur një person i panjohur e ka rrahur atë në shkallët e apartamentit, duke e qëlluar në kokë me një tub metalik. Ai ishte sulmuar më parë në muajin shtator ndërsa hetonte mafian lokale në Miercurea Ciuc.


“SEEMO është informuar për raste të shumta në të cilat gazetarët janë sulmuar fizikisht në Rumani këtë vit,” ka thënë sekretari i përgjithëshëm i SEEMO, Oliver Vujoviq. “Ky zhvillim është shumë shqetësues, vecanërisht në prag të zgjedhjeve të ardhëshme në Rumani në vitin 2004”.


Përvec presioneve direkte, gazetarët në Rumani ankohen gjithnjë e më tepër edhe për një censurë të heshtur ndaj punës së tyre, të vendosur nga pronarët privatë të gazetave të tyre lokale.


Organizata e të drejtave të njeriut, Shtëpia e Lirisë, me qendër në SHBA, ka kritikuar kohët e fundit këtë censurë në një raport, duke folur për “mungesën e një pavarësie editoriale” në mediat private rumune, të cilat sipas saj, kanë tendencën për të “mbrojtur interesat personale, politike dhe të biznesit të pronarëve të tyre dhe jo të sigurojnë standartet më të lartë të gazetarisë”.


Gazetarja Mihaela Carstea nga qyteti i Brashov ka thënë për IWPR se ky problem paraqitet në qytetin e saj, ku ajo është ankuar se gazetarët vetëm kujdesen të shprehin pikpamjet e pronarëve të gazetave lokale. “Ata shkruajnë cfarë u kërkojnë drejtuesit e tyre ose përndryshe pushohen nga puna,” ka thënë ajo për IWPR.


Horea Badau, e cila ka përgatitur një program radiofonik në lidhje me lirinë e mediave, të transmetuar nga Delta Radio France International, thotë se shumë drejtues të mediave rumune kanë ndjekur atë që ai e quan “modeli Berlusconi”, duke iu referuar kryeministrit italian i cili ëshë gjithashtu edhe një pronar i madh mediash.


“Ata janë biznesmenë, politikanë dhe pronarë të mediave në të njëjtën kohë. Ata përdorin mediat për të ndihmuar rritjen e bizneseve të tyre dhe për të zhvilluar karrierat e tyre politike,” ka thënë ai.


Badau ka thënë se gazetarët lokal zakonisht veprojnë si zëdhënës të drejtuesve të tyre: “gazetari ose mund të vlerësojë biznesin dhe partnerët politik të pronarit të tij, ose të kalojë në opozitë”. Kjo sjell pastaj edhe rrezikun e kërcënimeve fizike.


Jo të gjithë gazetarët rumunë janë dakort që profesioni i tyre është vënë në shënjestër të krimit. Mihai Valentin Neagu, një gazetar i njohur në Bukuresht, shpreh dyshime mbi deklarimet e disa gazetarëve për kërcënime.


“Rumania nuk është as Ceceni dhe as Afganistan,” thotë ai. “Rumania ka një media të lirë dhe akuzat e ngritura nëpër gazeta në lidhje me skandalet më të mëdha të korrupsionit nuk kanë sjellë ndonjë pasojë negative për autorët e këtyre shkrimeve”.


Neagu thotë se pjesa më e madhe e sulmeve ndaj gazetarëve janë pjesë e “fenomenit të dhunë së rrugës: ndryshimi është se në rastin e gazetarëve ato njoftohen dhe flitet më tepër se për sulmet ndaj qytetarëve të thjeshtë”. Ai shton se “njerëzit gjithnjë fajësojnë për këto partinë në pushtet”.


Për sa i përket Ardelean, ai tani ka ngritur një padi ndaj qeverisë dhe policisë ku ka kërkuar dëmshpërblim prej 1.5 milion dollarë amerikan. “Pas më tepër se dy muaj, ata nuk kanë arritur të arrestojnë asnjë të dyshuar për këtë sulm,” thotë ai.


“Unë shpresoj që policia të gjejë sa më parë fajtorët në mënyrë që unë të tërheq ankesën time dhe drejtësia të vihet në vend”.


Daniela Tuchel punon për gazetën Libertatea në Bukuresht.


Chechnya, Afghanistan
Frontline Updates
Support local journalists