RUMANI: DËSHTIMI I REFORMAVE KËRCËNON PËRPJEKJET PËR ANËTARËSIM NË BE

Brukseli mund të vonojë hyrjen në Evropë nëse Bukureshti vonon miratimin e ligjeve të cilat sigurojnë pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

RUMANI: DËSHTIMI I REFORMAVE KËRCËNON PËRPJEKJET PËR ANËTARËSIM NË BE

Brukseli mund të vonojë hyrjen në Evropë nëse Bukureshti vonon miratimin e ligjeve të cilat sigurojnë pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

Rumania përballet me vështirësi në përfundimin e reformave në sistemin e drejtësisë të cilat janë të domosdoshme për bisedimet e pranimit të saj në BE, pasi nuk ka arritur të miratojë ligjet të cilat do të garantojnë pavarësinë e gjykatësve.

Brukseli i ka thënë Bukureshtit se ai duhet të përqëndrohet në reformat në drejtësi për të luftuar korrupsionin i cili po largon investimet e huaja dhe po dëmton besimin e publikut tek ligji.

Por kur parlamenti ka hapur javën e kaluar një debat për ligjin e Këshillit të Lartë të Magjistraturës – organizmi i ngarkuar për të siguruar pavarësinë e sistemit të drejtësisë – pak deputetë kanë marrë pjesë në seancë. Duke qenë se në sallë kanë qenë të pranishëm vetëm 40 nga 343 deputetët, projekt ligji nuk mund të miratohej.

Kjo fiasco është një dështim për qeverinë, e cila shpresonte të miratonte ligjet e reformës në drejtësi këtë muaj dhe të përfundonte kapitullin e Cështjeve të Drejtësisë dhe të Rendit në negociatat e saj me BE deri në fund të vitit. Bukureshti duhet të ketë miratuar këto ligje në mënyrë që të mund të shpresojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2007.

Analistët politik kanë fajësuar preokupimin e politikanëve për zgjedhjet e ardhëshme më 6 qershor për këtë dështim. “Pjesa më e madhe e deputetëve kanë qenë më të shqetësuar për zgjedhjet lokale se sa për të ardhmen e vendit,” thotë i nxehur Mircea Zamfir.

“Është e vështirë të kuptosh se përse ata nuk kanë marrë pjesë në votim për këtë ligj, sepse ata janë përgjegjës për zbatimin e programit të përcaktuar nga Komisioni Evropian dhe parlamenti”.

Legjislacioni i përgatitur kohët e fundit ka pasur si synim të heqë kontrollin e ministrisë së drejtësisë mbi gjykatësit duke krijuar një organizëm të pavarur, Këshillin e Lartë të Magjistraturës, i cili do të jetë përgjegjës për emrimet, shkarkimet dhe ngritjen në përgjegjësi të gjykatësve.

Jo të gjithë kritikët kanë qenë të kënaqur me këtë plan. Disa kanë thënë se pavarësia e gjykatave do të garantohet vetëm kur të jetë përcaktuar më qartë autonomia e tyre buxhetore. Ata gjithashtu kanë kërkuar edhe ligje më të forta për të parandaluar ndërhyrjet e mundëshme nga ministrat e drejtësisë.

Një gjykatës ka thënë për IWPR në mënyrë private se kultura e respektit për ministrinë e drejtësisë është e fortë në Rumani – një pasojë kjo e disa dekadave të sundimit komunist të një partie.

“Mentaliteti këtu është që ministri i drejtësisë është edhe drejtuesi i të gjithë sistemit të drejtësisë, me të drejtën për të vepruar si një administrator i gjykatave,” ka thënë ai. “Ligji i ri ende i lë gjykatësit të ekspozuar ndaj rrezikut të përballjes me presione politike”.

Dështimi për të reformuar sistemin gjyqësor është një problem i vjetër në Rumani. Njerëzit nuk kanë shumë besim në një sistem i cili shikohet pothuajse nga të gjithë njerëzit si inefficient, politikisht i njëanëshëm dhe i shqetësuar kryesisht për ruajtjen e gjendjes së tanishme.

Një raport i përgatitur vitin e kaluar nga Instituti i Shoqërisë së Hapur me qendër në Nju Jork, i titulluar Kapaciteti Gjyqësor në Rumani, ka kritikuar mënyrën se si ministria e drejtësisë “ushtron ende kontroll të madh mbi administratën e sistemit të drejtësisë”.

Dështimi i Bukureshtit për të shmangur këto kritika mund të ketë pasoja të rënda për përpjekjet e vendit për anëtarësim në BE. BBC ka njoftuar pak kohë më parë se data e anëtarësimit të Rumanisë dhe Bullgarisë mund të vonohet edhe për vite me rradhë nëse ato nuk arrijnë të përmbushin premtimet e bëra gjatë bisedimeve për anëtarësim në BE.

BBC ka thënë gjithashtu se Brukseli po mendon të fusë në përdorim një sistem të përforcuar monitorimi, për të vëzhguar nga pranë ritmin e reformave në të dyja vendet.

Ky sistem i ri monitorimi mund të shërbejë si një precedent për aplikantë të tjerë për BE, si Kroacia, e cila po shkon drejt njohjes zyrtare si kandidate, ka thënë BBC.

Bukureshti i ka hedhur poshtë zërat për një sistem të ri monitorimi, duke i quajtur ato spekullime. “Ne jemi të vendosur të përfundojmë bisedimet për anëtarësim në BE deri në fund të këtij viti,” thuhej në një deklaratë.

Disa analistë thonë se Rumania nuk ka arësye të frikësohet nga një regjim më i fortë monitorimi. Profesori i ekonomisë Daniel Daianu, një ish ministër i financave, thotë se problemi me të cilën përballet vendi nuk është “vonesa për anëtarësim në BE, por shpejtimi i ritmit të reformave ekonomike, gjyqësore, dhe administrative”.

Marian Chiriac është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR në Bukuresht.

Croatia
Frontline Updates
Support local journalists