Rritet Pakënaqësia e Ushtrisë

Keqësimi i kushteve në Ushtrinë Jugosllave ka detyruar disa nga ushtarakët më të aftë të largohen.

Rritet Pakënaqësia e Ushtrisë

Keqësimi i kushteve në Ushtrinë Jugosllave ka detyruar disa nga ushtarakët më të aftë të largohen.

Ushtria Jugosllave është përpjekur të shtypë zhgënjimin dhe zemërimin ndaj kushteve të këqia dhe pajisjeve të vjetëruara ushtarake.


Shefi i Shtabit Nebojsha Pavkoviq ka shpërndarë oficerë të lartë në përpjekje për të ndaluar kryengritjen dhe ka vënë gjeneralin Bozhidar Deliq në krye të Korpusit të Beogradit në përpjekje për të shtrënguar disiplinën në njësitë e vendosura në kryeqytet.


Ushtarët ankohen se pagesat dhe stërvitja është e pamjaftueshme, ndërsa pajisjet ushtarake janë ose të vjetëruara ose të pamjaftueshme.


Kritikat më të ashpra deri më tani kanë ardhur nga koloneli Sllobodan Periq, një pilot i forcave ajrore i rrëzuar nga raketat e NATO-s vitin e kaluar, sepse, sipas tij, avioni i tij MIG-29 ishte pajisur me pajisje radari të prishura. Avioni u rrëzua në Bosnje përpara se pilotët të kishin mundësi të bënin edhe një qitje të vetme.


Periq, i intervistuar nga revista Svedok, ka kritikuar edhe paaftësinë e bashkë-pilotit të tij. "Bashkëpiloti im nuk kishte fluturuar me një MIG që prej pesë apo gjashtë muajsh dhe ai ishte fluturimi i tij i parë natën që prej një viti."


Një burim i afërt me udhëheqjen e ushtrisë thotë se në intervistën e Periq "ka më shumë të vërteta se sa në të gjitha njoftimet ushtarake të deritanishme." Burimi shton: "kjo është hera e parë që dikush ka thënë hapur: Po, unë isha trim, unë u nisa të luftoj kundër një kundërshtari shumë më të fortë, pa stërvitjen e nevojshme dhe me një avion me defekt."


Anëtarë të Brigadës 63 të Parashutistëve, ekuivalenti jugosllav i SAS britanike, kanë shprehur gjithashtu pakënaqësi me komandantët e tyre të lartë. Një ushtar i brigadës ka deklaruar se Pavkoviq e ka shndërruar njësinë në një forcë sigurimi personale.


"Fillimisht ai na largoi nga struktura e forcave ajrore dhe na shkriu në Armatën e tij të 3-të. Na shndërroi në ushtarë këmbësorie," thotë ushtari. "Pastaj ai zgjodhi njerëzit më të mirë të njësisë si truproja të tij personale. Tani këta djem mund t'i shohësh duke shoqëruar gruan e tij nëpër dyqanet e veshjeve të Beogradit ndërsa ajo del për të blerë."


I njëjti ushtar thotë se pamundësia e ushtrisë për të investuar ka detyruar shumë pjestarë të saj të largohen. "Një nga njerëzit tanë më të mirë është larguar nga ushtria dhe tani punon si shofer taksie."


Një anëtar tjetër i forcave speciale thotë se pjesa më e madhe e trupave ushtarake më të afta janë larguar për shkak të keqësimit të kushteve. "Disa kanë shkuar jashtë vendit, të tjerë kanë ngritur agjenci sigurie private. Disa kanë kaluar në rradhët e policisë, të tjerë janë bërë sportistë," thotë ushtari. "Këta njerëz dëshironin të krijonin një institucion modern dhe serioz ushtarak, por nuk morën asgjë si shpërblim. Pa rroga, pa apartamente, pa terrene për stërvitje dhe pa pajisje".


Ky zhgënjim ka bërë që shumë ushtarakë të simpatizojnë kundërshtarët e presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq. Një ushtar nga Beogradi thotë se ushtarët e njësisë së tij janë "shumë entuziastë" kur shohin pamjet televizive të pjesëmarrjes së madhe në mitingun e fundit të opozitës.


"Vetëm dy ditë më parë," vazhdon ushtari, "unë pashë një grup oficerësh të cilët në fshehtësi po lexonin gazetën e përditshme të pavarur Blic të fshehur në fletët e së përditshmes proqeveritare Politika. Ishte për të qeshur, por edhe për të qarë."


Udhëheqja ushtarake natyrisht duket se është e informuar për klimën që ekziston në rangjet e ulta të ushtrisë dhe ka ndërmarrë hapa për të shtypur pakënaqësinë.


Thuhet se shtabi i ushtrisë ka dërguar oficerë madhorë në kazerma për të folur me ushtarët. Në një vizitë të tillë oficerët kanë kritikuar partitë politike të opozitës se po veprojnë kundër interesave kombëtare dhe po shkelin gatishmërinë e luftimit të ushtrisë.


"E gjithë kjo dukej si një njoftim për shtyp i Partisë Socialiste Serbe në pushtet apo i së Majtës së Bashkuar Jugosllave," thotë një ushtar.


Në një përpjekje tjetër për të shtrënguar disiplinën, Pavkoviq ka emëruar shokun e tij të luftës gjeneralin Bozhidar Deliq në postin e komandantit të Korpusit të Beogradit.


Ndërkohë oficerët e lartë të Ushtrisë Jugosllave (UJ) rivalizojnë me njëri tjetrin se kush e kush prej tyre të duket më besnik ndaj Millosheviqit. Millorad Obradoviq, komandant i Armatës së 2-të e cila është vendosur në Malin e Zi, ka mbajtur një fjalim në televizionin kombëtar, i cili ngjasonte shumë me një fjalim të kohëve të fundit të Millosheviqit.


Në muajin prill Pavkoviq ka njoftuar plane për modernizimin e mbrojtjes kundërajrore dhe përforcimin e forcave speciale të UJ-së. Gjenerali premtoi gjithashtu të ruajë me çdo çmim "rendin kushtetues", në fakt, kontrollin e Millosheviqit ndaj pushtetit.


Daniel Sunter është gazetar i agjencisë VIP në Beograd.


Frontline Updates
Support local journalists