Rrëzohet Kështjella e Millosheviqit

Dikur i konsideruar si simbol i pushtetit të regjimit, qyteti i Pozharevcit është sot më shumë se një simbol i dobësisë së tij.

Rrëzohet Kështjella e Millosheviqit

Dikur i konsideruar si simbol i pushtetit të regjimit, qyteti i Pozharevcit është sot më shumë se një simbol i dobësisë së tij.

Në shikim të parë qyteti i vogël i Pozharevcit nuk tregon asnjë shenjë të rrahjeve masive dhe arrestimeve të cilat kanë ndodhur këtu këto javët e fundit. Nuk ka ndonjë prezencë të dukshme policore dhe as forca të sigurimit.


Në fakt vetëm lajmërimet dhe reklamat e shumta të një kompanie të internetit dhe të një diskoteke të quajtur "Madona" - të dyja këto në pronësi të Marko Millosheviq, djalit të presidentit jugosllav - e dallojnë këtë qytet nga çdo qytet tjetër provincial në Serbi.


Një orë larg me makinë nga Beogradi, qyteti i lindjes së Sllobodan Millosheviqit, gruas së tij dhe një grupi të madh zyrtarësh serbë, ai është konsideruar prej kohësh si kryeqyteti i dytë jozyrtar i regjimit të tanishëm. Por javët e fundit gazetarë dhe aktivistë të opozitës e kanë shndërruar atë në një qendër të rezistencës.


Por një shikim më i kujdesshëm i këtij qyteti me 50,000 banorë tregon për kontrastet e mëdha dhe ndarjet e shumta që ekzistojnë këtu. Makina të shtrenjta të huaja kalojnë nëpër rrugët e mbushura me modele të vjetra të makinave vendase të prodhuara që prej njëzet vjetësh. Në tregun lokal një grua e vjetër shet mbulesa tavoline të punuara me dorë për 20 marka gjermane. Vetëm pak më larg një dyqan me mobilje luksoze sapo ka shitur një kolltuk në formën e një ylli me pesë cepa për 1,200 marka, 15 herë më shtrenjtë se rroga mesatare mujore.


"Ka akoma njerëz që kanë para," thotë buzagaz shitësi i dyqanit, i pyetur se kush mund të blejë mallra të tilla luksoze. Por kur e pyes nëse djali i presidentit Marko Millosheviq ka blerë një kolltuk këtu, atij i ngrin buzëqeshja në buzë.


Edhe gruaja e vjetër është po ashtu e gatshme të mbrojë djalin e Millosheviqit, pa dyshim njeriu më i fuqishëm në Pozharevc. "Ai e ka ndërtuar këtë qytet dhe e meriton të lavdërohet për këtë. Shih Bambiland, nuk ka asnjë të ngjashëm me të në Serbi, apo edhe në botë."


Me pak ironi, Mile Veljkoviq, gazetar i pavarur lokal pranon se si Pozharevci nuk ka asnjë qytet tjetër. Vëllai i tij më i ri Momçillo Veljkoviq është arrestuar më 2 maj së bashku me dy anëtarë të tjerë të lëvizjes kundër regjimit, Otpor. Fillimisht ata janë rrahur keq në qendër të qytetit nga rojet e trupit të Markos. Më pas, sipas disa njoftimeve, vetë Marko ka mbërritur aty duke i nxitur rojet e tij "t'i vrasin mutërit". Policia ka arrestuar Veljkoviqin dhe shokët e tij duke thënë se ata janë përpjekur të vrasin sulmuesit e tyre.


Opozita është përpjekur të organizojë një miting më 9 maj dhe policia është përgjigjur duke arrestuar dhe më pas dëbuar nga qyteti 29 gazetarë të gazetave kundërshtare të regjimit. Shtatë policë kanë shkuar në shtëpinë e Veljkoviqit, e cila ishte bërë një qendër kryesore e rezistencës, për të arrestuar Veljkoviqin e madh.


Mamaja e tij ka humbur ndjenjat ndërsa ka parë mbërritjen e policisë. "Një nga oficerët, të cilin ai e njihte nga qyteti, u përpoq të ndihmonte vjehrrën time dhe bërtiti: "të dhjefsha shtetin që bën këto gjëra," kujton gruaja e Veljkoviq, Nada. Familja Veljkoviq është shndërruar në një simbol të rezistencës në Pozharevc. Disa njerëz e ndalojnë Milen në rrugë për t'i ofruar mbështetje, por vetëm disa. "Ka edhe njerëz të tjerë, të cilit i konsideronim si miq, dhe tani bëjnë sikur nuk na shohin," thotë Nada.


Një miting i planifikuar nga opozita në Pozharevc është anulluar kur partia në pushtet ka organizuar një anti-miting në të njëjtij vend, por Dragan Curcija, president i komitetit lokal të Partisë Demokratike të opozitës, është i inkurajuar nga pjesëmarrja e gjerë në mitingun e opozitës. "Regjimi kërkonte me çdo kusht një përplasje, megjithëse ata kishin vetëm dyqind vetë. Njerëzit tanë ishin rreth 2,000," thotë ai.


Megjithatë në parlamentin lokal raportet janë ndryshe. Koalicioni qeveritar ka 58 anëtarë, ndaj tetë të opozitës dhe një të pavaruri. Nebojsha Lekiq, kryetari i këshillit lokal të Lëvizjes Serbe për Rimëkëmbje të opozitës dhe anëtar i parlamentit federal, insiston se këto shifra janë rezultat i mashtrimeve të bërë në zgjedhjet lokale të vitit 1996. "Ata na vodhën ne. Në një qendër votimi letrat e votimit ishin më shumë se emrat e personave të regjistruar në lista dhe ishin disa qindra më shumë," thotë ai.


Por edhe ai është i kënaqur me ngjarjet e fundit duke theksuar se që prej 9 majit nëntë të rinj të tjerë në Pozharevc janë anëtarësuar në partinë e tij: "Gjëja më e rëndësishme është se njerëzit e kanë vrarë frikën."


Si çdokush tjetër, figurat e opozitës nuk kanë dëshirë të komentojnë rreth banorit më të rëndësishëm të qytetit. Ata janë dakort se Marko Millosheviq kontrollon si sektorin privat ashtu edhe atë shtetëror, duke filluar nga firma më e madhe lokale Bambi deri te zyrat dhe tregu i zi. "Ai kontrollon çdo gjë në Pozharevc, edhe avokatët," thotë Ruza Lekiq, gruaja avokate e Nebojsha Rekiq.


Përveç "Madonna" dhe parkun e Bambiland, i cili është ndërtuar gjatë bombardimeve të vitit të kaluar, një simbol më personal mund të shihet në qendër të qytetit në formën e një shtëpie të re të rrethuar nga një mur i lartë ku banon familja e gruas së Markos, Milica Gajiq. Familja Gajiq ka pasur një banesë shumë më modeste në të njëjtin vend, por kur Milica i lindi një djalë Markos, shtëpia e tyre është rindërtuar.


Me shpërthimin e luftës në mafien e Beogradit, Millosheviqi i ri nuk ka shumë dëshirë të largohet nga Pozharevci dhe ato pak herë që shfaqet në publik në qendër të qytetit, ai shoqërohet nga gjashtë apo shtatë roje. Prindërit e tij vijnë shpesh për vizitë dhe qëndrojnë në shtëpinë e tyre të familjes, të cilën e kanë rinovuar dhe rrethuar edhe atë me një mur të lartë.


Megjithëse i riu Millosheviq duket se është qetësuar disi, ai njihet për shpërthimet e tij nervoze si në rastin e incidentit në muajin mars, kur ai dhe roja e tij kanë rrahur Zoran Milovanoviqin, një kamarjer i diskos së tij Madonna i cili ishte anëtarësuar në Otpor. Ata e kanë kërcënuar atë me një sharrë me korent dhe i kanë futur tytën e armës në gojë. Pak pas kësaj ngjarjeje Milanoviq dhe familja e tij u larguan nga Pozharevci.


Por në mes të kësaj atmosfere dhunë dhe kërcënimesh ka edhe disa lajme të mira. Tre gjyqtarët më të lartë të qytetit, të cilët deri më tani kanë qenë besnik të regjimit, kanë hedhur poshtë akuzat për tentativë vrasjeje të ngritura ndaj Mile Veljkoviq dhe dy shokëve të tij.


Disa shpresojnë se ky ndryshim i sistemit juridik do të shkaktojë të njëjtin largim edhe në rradhët e policisë, ndërsa shumë njerëz po kundërshtojnë dhunën që dominon në qytet. Mile Veljkoviq është i kujdesshëm, "Njerëzit janë akoma të frikësuar. Gjërat sapo kanë filluar të ndryshojnë". Por është një fillim i rëndësishëm."


Dikur i konsideruar si simbol i pushtetit të regjimit, sot Pozharevci është më tepër një simbol i dobësisë së tij.


Zheljko Cvijanoviq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists