Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Romët Këndojnë për Hallet e Tyre

Perëndimi duket se i kushton më shumë vëmendje dhe energji vlerësimit të kulturës romët se sa mbrojtjes së të drejtave të kësaj pakice gjithnjë e më të persekutuar.
By Goran Gocic

Një orkestër përshkon një kopësht e ndjekur nga admirimi dhe entusiazmi i shumë të pranishmëve. Vajzat qytetare janë shndërruar në valltare orientale, një turmë ngrihet në këmbë duke përshëndetur këtë shfaqje.


Dhjetë vjet më parë skena si këto kanë qenë të mundura të shiheshin vetëm në martesat e disa vendeve ballkanike, në panairet e kafshëve, apo në ndonjë mbrëmje me të dehur në restorante dhe në ndonjë vend tjetër europian ishte pothuajse e sigurtë që këta njerëz do të arrestoheshin.


Këto ditë kjo shfaqje bëhet në qendrën e njohur Barbican në Londër, ku një sezon shfaqjesh e quajtur "Udhëtimi 1000 Vjeçar", i quajtur edhe si festimi më i madh i muzikës dhe artit rom në Mbretërinë e Bashkuar, është zhvilluar në ato skena ku zakonisht luan Kompania Mbretërore Shekspir dhe Orkestra Simfonike e Londrës.


Muzika rome ka patur gjithnjë një publik ndërkombëtar - duke patur edhe suksese të mëdha si disa nga muzikantët më të njohur romë Xhango Reinard apo Flamenko, nga Pako de Lusia deri në yjet e vlerësuar edhe nga MTV, si Xhipsi Kings. Megjithatë sot fshati Global po e kthen shkëlqimin e tij drejt Europës lindore.


Pothuajse çdo vend në rajon ka yjet e tij të muzikës rome - më të mëdhenjtë janë ata nga Ballkani. Taraf de Haidouks në Rumani dhe Goran Bregoviq në Jugosllavi kanë mbajtur shfaqje shumë të ndjekura gjatë sezonit të fundit në Barbican. Taraf de Haidouks ka nxjerrë edhe albumin e tij të parë në Amerikë dhe tani është në turne në të gjithë botën.


Goran Bregoviq është bërë i famshëm në sajë të muzikës së filmave si, për shembull, Koha e Romëve e Emir Kusturicës, por ai është edhe një yll i madh i muzikës europiane në sajë të vetes së tij.


Por cilat janë arsyet e suksesit kaq të madh të artit të romëve? Një përgjigje e mundshme është se rënia e perdes së hekurt ka hapur një pamje të re për producentët, të ashtuquajturit të apasionuar pas "Muzikës Botërore" që tanimë kanë patur mundësinë të zbulojnë artistët romë. Por ndërsa disa romë bëhen gjithnjë e më të njohur në skenën ndërkombëtare të muzikës apo të kinemasë, jeta e përditshme për komunitetet e tyre bëhet gjithnjë e më e vështirë.


Rënia e standartit të jetesës dhe rritja e papunësisë që ka pasuar rënien e komunizmit ka goditur veçanërisht ashpër komunitetin rom, ndërsa fundi i autoritarizmit ka ofruar një fushë të lirë për paragjykimet të cilat më parë ishin mbajtur nën kontroll.


Në Ballkan ku jetojnë edhe gjysma e tetë milionë romëve të Europës kushtet janë veçanërisht të këqia. Institucionet e riedukimit dhe burgjet në Bullgari e Rumani janë të mbushura plot me fëmijë romë të mbledhur në rrugë nga policia. Në Rumani ka patur shumë raste të sulmeve ndaj fshatrave romë. Romët në Kosovë janë etiketuar si bashkëpunëtorë të serbëve dhe po përballen me persekutim. Edhe në Maqedoni tradicionalisht tolerante dhe në Mal të Zi refugjatët romë nga Kosova kanë marrë vetëm viza qendrimi me leje afatshkurtër - megjithëse nuk kanë vend tjetër se ku të shkojnë.


Pjesa më e madhe e vendeve europiane u refuzojnë vizat romëve. Në Kanada ekstremistët e djathtë kanë organizuar demonstrata kundër refugjatëve romë. Edhe në Britani ata janë bërë një shënjestër e pëlqyeshme, ndërsa tabloidet japin shumë histori rreth pushtimit të ushtrisë së lypësve.


Është për të ardhur keq që moda e tanishme për muzikën rome, interesi për folklorin rom dhe paraqitja dramatike e shpirtit të romëve nuk është shndërruar në ndonjë formë shqetësimi për vuajtjet e tyre. Përveç duartrokitjeve për muzikantët e tyre, romët kanë nevojë për një ndihmë të madhe nga perëndimi. Ata nuk kanë pothuajse asgjë duke filluar nga shkollimi, strehimi dhe të drejtat bazë të njeriut.


Natyrisht "arti i të shtypurve" nuk është një diçka e re. Adhurimi kulturor dhe diskriminimi politik kanë bashkëjetuar shpesh me njëri tjetrin dhe shembulli më i dukshëm i kësaj është popullariteti i muzikës bluz në kohën e vuajtjeve më të mëdha të popullsisë me ngjyrë në Amerikë. Nuk është për t'u habitur që disa e kanë quajtur muzikën rome nga Ballkani si "bluzin europian".


Ndërsa kulturat e botës së tretë po zhduken, arti i botës së tretë, muzika dhe kinematografia po gëzojnë një kujdes të madh. Interesi për kulturën e disa grupeve etnike shpesh do të thotë se ky grup është në vështirësi të madhe.


Ndërsa romët janë bërë një aksesor në modë për yje të tillë si Xhoni Dep, i cili thuhet t'i ketë paguar një shumë me gjashtë shifra Taraf de Haidouks për të kënduar në një mbrëmje në Los Anxhelos, asnjë nga artistët që fitojnë para nga kjo kulturë dhe muzikë nuk kanë përmendur gjendjen e përgjithshme të romëve. As vetë artistët romë nuk e kanë bërë një gjë të tillë - sepse përkrahja e një kauze tashmë të humbur nuk është gjëja më e mirë për një karrierë.


Romët në Ballkan kanë nevojë për një personazh të njohur që të përkrahë kauzën e tyre dhe të përmirësojë shanset e tyre për mbijetesë - ndoshta edhe më shumë se Tibetianët për Riçard Gir apo indianët e Amazonës për Stingun. Por për fat të keq askush nuk ka dalë akoma vullnetar për një detyrë kaq të papëlqyeshme.


Goran Goçiq është bashkëpunëtor i IWPR-së.