Ringrihen Nacionalistët Rumunë

Qindra pensionistë të pakënaqur kanë marrë pjesë në përkujtimin e drejtuesit Rumun të kohës së luftës dhe aleat i Nazizmit.

Ringrihen Nacionalistët Rumunë

Qindra pensionistë të pakënaqur kanë marrë pjesë në përkujtimin e drejtuesit Rumun të kohës së luftës dhe aleat i Nazizmit.

"Unë vërtetë e admiroj patriotizmin dhe qëndrimin nacionalist të Antoneskut," thotë Ilarion Stanesku për ish komandantin e tij dhe drejtuesin e kohës së luftës, Marshallin Ion Antonesku.


Duke qëndruar përpara kishës së Shën Konstandinit dhe Elenës në Bukuresht, veterani i Luftës së Dytë Botërore ka vlerësuar Antoneskun për qëndrimin e tij ndaj komunizmit, duke e përshkruar atë si "një nga njerëzit më kurajoz në historinë e Rumanisë".


Stanesku ishte një ndër disa qindra njerëz, kryesisht të moshuar, të cilët kanë përkujtuar përvjetorin e 55 të ekzekutimit të Antoneskut nga qeveria komuniste e pas luftës. Ngjarja është shoqëruar me përurimin e një busti të gjeneralit në një kishë të Bukureshtit.


Shumë njerëz janë të mërzitur që një ceremoni e tillë është organizuar për drejtuesin pro Nazist i cili është përgjegjës për vdekjen e disa dhjetra mijëra civilë. Por ka disa grupe politike të djathta të cilët mendojnë të rehabilitojnë atë.


"Unë do të përuroj një bust të Marshallit Ion Antoneskut në çdo qytet të madh të Rumanisë," ka thënë Korneliu Vadim Tudor, drejtues i Partisë së Rumanisë së Madhe, ekstremiste dhe nacionaliste, PRM. Kjo është një mënyrë e mirë për të nderuar një nga burrat "më të mëdhenj" të vendit, sipas Tudor.


Tudor, partia e të cilit ka pasur një rezultat të mirë në zgjedhjet e përgjithëshme të vitit të kaluar, është në krye të një grupi nacionalist të cilët të pakënaqur dhe të zhgënjyer me dështimin e qeverisë për reforma dhe për shkallën e lartë të korrupsionit, shohin në disa figura autoritare të së kaluarës modelet e tyre.


Dhe vështirë se mund të gjehet një figurë më autoritare se Marshalli Antonesku, i cili ka deportuar qindra mijëra Hebrenj dhe ciganë gjatë Luftës së Dytë Botërore - tetëdhjetë mijë prej të cilëve kanë humbur jetën.


Kanë qenë përpjekjet e Antoneskut për të dëbuar ata që i konsideronte jo Rumunë, si edhe përpjekjet e tyre për të marrë tokat e humbura si pasojë e paktit Ribentrop-Molotov, të cilat e afrojnë kaq shumë atë tek Tudor dhe politikanë të tjerë të krahut të djathtë.


Gjatë fushatës së tij elektorale, Tudor ka premtuar të spastrojë vendin nga kriminelët dhe pakicat dhe të kryejë "ekzekutimin në masë" të zyrtarëve të korruptuar.


Ngjarja e inaugurimit të bustit ka shkaktuar edhe më tepër zhurmë kur ish shefi i shtabit të përgjithëshëm të ushtrisë Rumune ka qenë ndër rradhët e veteranëve. Anëtarët e kabinetit kanë dënuar gjeneralin për sjelljen e tij të gabuar, duke i kujtuar atij se anëtarët e ushtrisë duhet të jenë të pavarur politikisht.


Ministri i mbrojtjes Mircea Pasku e ka quajtur prezencën e Gjeneralit Celaru "për të ardhur keq" në një njoftim për shtyp ku thuhej se veprimet e tij mund të dëmtojnë përpjekjet e vendit për tu anëtarësuar në NATO. Dhe kjo nuk është hera e parë që Celaru e ka vënë në pozicion të vështirë qeverinë.


Ai është shkarkuar vitin e kaluar pasi kishte lënë të kuptohej se qeveria po përpiqej të përdorte ushtrinë për të ushtruar sundimin autoritar në kuadër të strukturimit të ushtrisë sipas rregullave të NATO-s. Celaru më pas ka thënë se ai nuk kishte në plan të pakësonte shanset e Rumanisë për integrim në NATO.


Ka pasur edhe raste të tjera të rikthimit të së kaluarës Naziste të Rumanisë gjatë muajve të fundit. Në Maj, Gjykata e Lartë e Rumanisë i ka kërkuar prokurorëve të nisin një hetim për të dhënat se materiale Naziste dhe anti semite janë shpërndarë në një panair libri në muajin Maj.


Kjo ka ardhur pas faljes së kërkuar nga Tudor për një libër me "shaka" nga një anëtar i partisë së tij i cili ofendonte hebrenjtë lokal. Ai është tërhequr nga qarkullimi, por vetëm pas shitjes së 20,000 kopjeve.


"Është e sigurtë, se drejtues autoritar si Marshalli Ion Antonesku nuk duhet të përfaqësojnë një model për brezin e ri të Rumanisë së sotme," ka thënë historiani Adrian Cioroianu, i cili sheh "situatën shumë të vështirë sociale dhe ekonomike" të vendit si një kontribut që njerëzit kanë filluar të besojnë në këto grupe.


Marian Ciriak është një gazetar i pavarur në Bukuresht.


Support our journalists