Rindërtimi i Gjakovës

Me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar shqiptarët e Gjakovës kanë filluar rindërtimin e qytetit të tyre të shkatërruar.

Rindërtimi i Gjakovës

Me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar shqiptarët e Gjakovës kanë filluar rindërtimin e qytetit të tyre të shkatërruar.

"Kur pashë se çfarë kishte ndodhur mendova se do të kishte qenë më mirë sikur të isha vrarë. Prona ime, tradita ime, gjithë mënyrë ime e jetesës, çdo gjë ishte para syve të mi e shkatërruar," thotë një rrobaqepës i vjetër nga Gjakova duke kujtuar shkatërrimin e pjesës së vjetër të qytetit vitin e kaluar.


Kur filloi bombardimi i NATO-s ndaj Jugosllavisë forcat serbe shkatërruan Gjakovën duke vrarë shumë njerëz dhe duke djegur qindra shtëpi dhe dyqane, xhami, kisha katolike dhe vende të tjera historike. Gjakova pësoi kaq shumë barbari serbe sa u quajt "zemra e errësirës".


Njësitë e ushtrisë jugosllave thuhet të kenë bombarduar rrugët, ndërsa policia paraushtarake serbe sulmonte nga njëra lagje në tjetrën duke dëbuar familjet dhe ekzekutuar në vend burrat. Rreth 1,500 njerëz janë akoma të zhdukur - shumë prej tyre mendohet se dergjen në burgjet serbe.


Shqiptarët e Gjakovës mendojnë se kryetari serb i bashkisë ka drejtuar sulmin ndaj komunitetit të tyre. Në kulmin e sulmeve serbe ai ka kërkuar falje me cinizëm për këtë gjakderdhje duke deklaruar se kjo ishte rezultati i bombardimeve të NATO-s.


Dikur një nga qytetet më piktoreske të Kosovës, Gjakova është shndërruar në një nga më të shkatërruarat nga lufta. Por të nxitur nga nevoja për të fituar jetesën, shumë banorë vendas kanë filluar të rindërtojnë dyqanet dhe bizneset e tyre, që përpara ndihmës së komunitetit ndërkombëtar. "E dija se askush nuk do të më ndihmonte mua, megjithëse më duhet të mbajë një familje me shtatë anëtarë," thotë një burrë i moshuar shqiptar që shet qeleshe tradicionale shqiptare. Aty pranë disa të tjerë kanë ngritur një dyqan mbi gërmadhat e pazarit të vjetër të dëmtuar.


Gjakova me ngadalë po rifiton pak nga bukuria e saj e dikurshme. Njerëzit kanë mbledhur gurë nga kodrat aty pranë dhe kanë shtruar disa nga rrugët e vjetra. Zhurma e punimeve dëgjohet në të gjithë qytetin. Por dëmtimet e shumta të luftës kanë shkatërruar ekonominë e qytetit. Banorët presin me padurim përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të rigjallëruar qytetin.


"Ne mirëpresim çdo ndihmë nga bota. Jeta është e vështirë, por ne duhet të bëjmë gjithçka për të vënë gjërat në lëvizje përsëri," thotë një këpucar i vjetër në moshë, i ulur midis flamurit shqiptar dhe atij amerikan në derën e dyqanit të tij.


Menjëherë pas mbërritjes së trupave të NATO-s, zyrtarët e UNESCO-s dhe agjencive të tjera ndërkombëtare kanë mbërritur në Gjakovë për të vlerësuar përmasat e dëmeve. UNESCO ka premtuar të punojë së bashku me Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, për të riparuar shtëpitë tradicionale, urat dhe vendet historike për një shumë të përgjithëshme prej 3.8 milion dollarësh amerikanë.


Kristina Molegan e USAID-it ka ftuar pronarët e 39 dyqaneve të shkatërruara në pazarin e vjetër të qytetit për të diskutuar rreth koordinimit të ndihmës - dhe ka ofruar deri tani 428,000 dollarë amerikanë për riparimin e çative dhe dritareve.


Një pjesë e këtyre fondeve është dhënë për fabrikën e prodhimit të tullave të qytetit për të prodhuar tjegulla për çatitë. Një fabrikë tjetër, Model, është porositur për të prodhuar tavanet dhe kasat e dritareve. Kompani të tjera lokale do të furnizojnë materialet e ndërtimit.


Një numër organizatash të huaja, si Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar, MCIC, po koordinojnë projektet e rindërtimit në qytet. MCIC-ja nëpërmjet partneritetit të saj me organizata fetare nga Danimarka, Finlanda dhe vendet balltike po furnizon materiale dhe ndihmë teknike për rindërtimin e shtëpive. Një fabrikë në Estoni, për shembull, po furnizon shtëpi gjysëm të gatëshme, të cilat autoritetet lokale do t'i shpërndajnë fillimisht për njerëzit më nevojtarë.


Ndërkohë shqiptarët vendas dhe Trupat Mbrojtëse të Kosovës, TMK, kanë filluar të pastrojnë rrugët nga mbeturinat e ndërtesave të shembura. Riparimi i dëmeve të qendrës historike të Gjakovës ka një rëndësi të madhe për banorët vendas. "Një ditë, kur çdo gjë të jetë riparuar dhe të ketë shkëlqimin e mëparshëm, ne do të harrojmë atë që na kanë bërë serbët dhe do t'i themi një 'Falemindërit' të madh komunitetit ndërkombëtar", thotë një nga pronarët e vjetër të dyqaneve.


Zeki Vehapi është një gazetar në Gjakovë.


Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists