RILINDJA E HERZEG-BOSNJES

Përfaqësuesit e linjës së ashpër Kroatë të Bosnjes janë të vendosur të ringrenë mini shtetin e tyre të kohës së luftës, në kundërshtim me komunitetin ndërkombëtar.

RILINDJA E HERZEG-BOSNJES

Përfaqësuesit e linjës së ashpër Kroatë të Bosnjes janë të vendosur të ringrenë mini shtetin e tyre të kohës së luftës, në kundërshtim me komunitetin ndërkombëtar.

Wednesday, 7 March, 2001

Kroatët e linjës së ashpër në Bosnje po kërcënojnë se do të krijojnë një mini-shtet të pavarur Kroat nëse administrata ndërkombëtare e vendit nuk anulon ndryshimet e diskutueshme të ligjit elektoral.


Në një sesion të Asamblesë Kombëtare Kroate, NHS, të Shtunën e kaluar, më 3 Mars në Mostar, delegatët kanë mbështetur thirrjet e drejtuesit të HDZ-së, Ante Jelaviq për krijimin e një entiteti Kroat të vetë qeverisur.


Ky vendim do të thotë që dy kantonet e dominuara nga Kroatët të dalin nga Federata, e krijuar nën kushtet e marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995, për të krijuar një mini-shtet.


"Nëse ata [administrata ndërkombëtare] i plotësojnë kërkesat tona, në nuk do të shkojmë drejt vetëqeverisjes," ka shtuar Jelaviq.


Kërkesa kryesore e NHS-së është që administrata ndërkombëtare të anulojë një ligj "antikushtetues" për zgjedhjen e deputetëve në Dhomën e Popullit të Federatës ose ndryshe në dhomën e lartë të parlamentit.


NHS gjithashtu kërkon që Boshnjakët (Muslimanët e Bosnjes) dhe Serbët të njohin Kroatët si një komb me të drejta të barabarta dhe të pranojnë principin e barazisë, rotacionit dhe konsensusit në të gjitha institucionet e përbashkëta.


Takimi i Mostarit ka paralajmëruar se entiteti i ri Kroat do të hyjë në fuqi brenda 15 ditëve nëse nuk plotësohen të gjitha këto kërkesa.


Përpara zgjedhjeve të përgjithëshme të 11 Nëntorit, 2000, ligjet elektorale janë ndryshuar duke u lejuar votuesve të votojnë për kandidatët për në Dhomën e Popullit të Federatës pa marrë parasysh kombësinë e kandidatëve.


Ky ndryshim i ligjit ka dëmtuar krysimin e HDZ-së në zonat Kroate. Ligji i ri u jep më shumë mundësi politikanëve Kroatë jo të HDZ-së të marrin votat e popullsisë jo Kroate të këtyre zonave.


Që prej zgjedhjeve të 11 Nëntorit, HDZ-ja ka bojkotuar të gjitha institucionet, ndërsa partitë e moderuara politike, të ndihmuara nga komuniteti ndërkombëtar, kanë arritur të zgjedhin politikanë Kroat në institucionet e përbashkëta.


Këto zhvillime kanë zemëruar HDZ-në, partia më popullore në rradhët e Kroatëve të Bosnjes.


HDZ-ja e konsideron veten e saj si mbrojtëse të interesave Kroate në Bosnje-Herzegovinë. Vendimet e komunitetit ndërkombëtar konsiderohen si një kërcënim direkt për këto interesa.


"Kombi Kroat nuk është i barabartë me dy kombësitë e tjera në Bosnje-Herzegovinë," ka thënë Jelaviq në takimin e Mostarit. "Ne nuk kemi të drejtë të pranojmë një pozicion të tillë dhe nuk do të bëjmë kurrë një gjë të tillë, pavarësisht nga kërcënimet e hapura për sanksione që po na bëhen nga një pjesë e komunitetit ndërkombëtar".


Deklarata e Mostarit vjen menjëherë pas inagurimit të një qeverie shtetërore të moderuar, të krijuar nga Aleanca për Ndryshim e përbërë nga dhjetë parti.


Dy anëtarë të Aleancës janë zgjedhur gjithashtu në postet e presidentit dhe zëvendës presidentit të Federatës. Të dyja dhomat e parlamentit të Federatës janë krijuar pa pjesëmarrjen e HDZ-së, një hap ky i aprovuar nga administrata ndërkombëtare. Kroatët nga partitë e tjera përveç HDZ-së përbëjnë pjesëmarrjen e Kroatëve të Bosnjes në të dyja dhomat e parlamentit.


Plani për krijimin e entitetit Kroat është menduar shumë mirë. Entiteti i ri do të ketë një qeveri, një këshill legjislativ dhe financa të pavarura.


Territori i këtij entiteti do të përfshijë Herceg-Bosnjen e periudhës së luftës, e cila u fshi si pasojë e marrëveshjes së Dejtonit - një lëvizje me të cilën drejtuesit e HDZ-së në Bosnje nuk kanë qenë kurrë dakort.


Zëvendës presidenti i HDZ-së në Bosnje marko Tokiq është zgjedhur president i entitetit të ri Kroat. Ivo Andriq-Luzanski, edhe ai nga HDZ-ja dhe deri pak kohë më parë zëvendës president i Federatës Boshnjake-Kroate, është emëruar në postin e zëvendës presidentit të këshillit legjislativ.


Këshilli legjislativ do të jetë përgjegjës për buxhetin e entitetit dhe rregullat e tjera të nëvojëshme për financat. Mini shteti i ri planifikon të realizojë të ardhura nga detyrimet doganore, taksat, dhe kontributet. Janë vendosur tashmë edhe flamuri, stema dhe simbole të tjera të shtetit. Gjuha zyrtare do të jetë Kroatishtja dhe alfabeti Latin.


Radikalizimi i HDZ-së në një shkallë të madhe është përgjigje ndaj rënies së popullaritetit të saj gjatë viteve të fundit.


Megjithëse ajo ka fituar shumicën absolute në zgjedhjet e nëntorit, HDZ-ja ka humbur më shumë se gjysmën e votave. Dhe me vdekjen e Franjo Tugjmanit dhe rrëzimin e qeverisë së tij nacionaliste, qëndrimi protektiv i Kroacisë ndaj HDZ-së ka marrë fund.


Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar ka ndërmarrë hapa për të forcuar institucionet qendrore shtetërore të Bosnjes, gjë e cila është në kundërshtim me interesat e HDZ-së. Në Shkurt, Bordi Drejtues i këshillit të Zbatimit të Paqes ka aprovuar krijimin e këshillit të ministrave në nivel shtetëror dhe një shërbim kufitar shtetëror.


Bojkoti tre mujor i HDZ-së ndaj institucioneve të qeverisë dhe deklarata e Mostarit janë një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj komunitetit ndërkombëtar. Boshnjakët kanë pritur nga komuniteti ndërkombëtar që ai të dënojë HDZ-në për këto veprime, por asgjë nuk ka ndodhur.


Zyrtarët perëndimorë janë munduar të shmangin konfrontimin dhe konfliktin me HDZ-në, duke mos dashur të kontribuojnë në popullaritetin e partisë duke i shndërruar në martirë përfaqësuesit e ndaluar të HDZ-së.


Përfaqësuesi i Lartë Volfgang Petriç është mjaftuar ta paralajmërojë HDZ-në në prag të takimit të Mostarit me disa kërcënime për sanksione të papërcaktuara nëse partia do të përpiqet të krijojë institucione paralele.


Pas shpalljes së 3 Marsit, Zyra e Përfaqësuesit të Lartë, OHR, ka lëshuar një deklaratë ku thuhej se ajo konsideronte Jelaviqin si personin përgjegjës direkt.


Zëdhënësi i OHR-së Kris Bërd ka thënë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të toleronte këto kërcënime, por ai nuk ka thënë qartë se çfarë do të ndodhte nëse mini shteti do të bëhej realitet.


Zëdhënësi i OSBE-së Luk Zahner tha se nuk do të bëheshin ndryshime ligjit elektoral për Dhomën e Popullit. Ai ka thënë se OSBE-ja e konsideron afatin 15 ditor të parëndësishëm sepse "organizmat e paligjshëm nuk mund të përcaktojnë afate".


Qarqet diplomatike në Sarajevo po planifikojnë veprime ndëshkuese ndaj udhëheqjes së HDZ-së dhe zyrtarëve të lartë të cilët ajo ka emëruar në administratën Kroate. Në këtë kuadër mund të përfshihet një ndalim i udhëtimeve ndërkombëtare dhe një kërkesë Zagrebit për të konfiskuar pasaportat e tyre Kroate.


Veçernji List, një gazetë Kroate, ka njoftuar se një zyrtar ndërkombëtar në Sarajevo ka thënë se kanë filluar përgatitjet për ndalimin e investimeve të huaja në entitetin e propozuar, mbylljen e degëve të kompanive të huaja të vendosura atje dhe bllokimin e llogarive të kompanive të kontrolluara nga HDZ-ja.


Por ekziston një ndjenjë e përgjithëshme se të gjitha këto hapa janë të vonuar dhe nuk do të kenë shumë efekt. Nuk ekziston hapësirë për marrjen e masave më të ashpra, spese tashmë është tepër vonë. Ka mundësi që komuniteti ndërkombëtar të gjendet me duar të lidhura.


Amra Kebo është një bashkëpunëtore e rregullt e IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists