Rikthehet HDZ-ja?
HDZ ka triumfuar në zgjedhjet e fundit lokale por kjo mund të jetë një fitore si ajo e Pirros.
Rikthehet HDZ-ja?
HDZ ka triumfuar në zgjedhjet e fundit lokale por kjo mund të jetë një fitore si ajo e Pirros.
Fytyrat qeshura të drejtuesve të Bashkimit Demokratik Kroat, HDZ, kanë zënë faqet e para të mediave Kroate, të cilat kanë njoftuar për rikthimin e partisë nacionaliste dikur e drejtuar nga ish presidenti Franjo Tugjman.
Pas 10 vjetësh në pushtet, një koalicion i përbërë prej gjashtë partish ka mundur thellë HDZ-në në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar. Por, tani, HDZ-ja duket se e ka rimarrë veten, pasi ka dalë si partia më e madhe nga zgjedhjet lokale të fundit në 14 nga 21 zonat elektorale. Megjithatë, kjo mund të jetë një fitore si e Pirros.
HDZ-ja mund të jetë partia më e madhe, por ka pak mundësi që ajo të jetë në gjendje të krijojë administratat lokale në ndonjë nga këto zona, sepse ajo nuk ka asnjë aleat tjetër. Pra, në pjesën më të madhe të zonave, koalicioni qeveritar do të drejtojë edhe qeverisjen lokale. Rezultati i këtyre zgjedhjeve, e shton presionin ndaj koalicionit qeveritar për ti dhënë fund mosmarrëveshjeve të brendëshme dhe për tu bashkuar në mënyrë që të kundërshtojë HDZ-në e fuqizuar.
Disa analistë e minimizojnë shkallën e fitores së HDZ-së. Nëse rezultatet e fundit elektorale krahasohen me faktin që HDZ-ja më parë kontrollonte dy të tretat e pushtetit lokal në rrethe, HDZ-ja duket se është në rënie.
Por nëse krahasohen këto rezultate me votat e fituara nga partia në zgjedhjet e fundit parlamentare, atëherë HDZ-ja duket se e ka ruajtur pozicionin e saj.
Spekulimet rreth një suksesi elektoral të HDZ-së duhen parë në dritën e një mendimi që ka ekzistuar gjatë vitit të kaluar se partia nuk do të ishte në gjendje të mbijetonte si forcë politike.
Megjithëse e majta e koalicionit të qendrës së drejtuar nga partia Social Demokrate e Kryeministrit Ivica Raçan ka marrë kontrollin e shumë zonave elektorale, zgjedhjet padyshim përbëjnë një humbje për të.
Koalicioni qeveritar nuk ka arritur të motivojë përkrahësit e tij që ata të marrin pjesë në votime, në ndryshim të dukshëm nga HDZ-ja dhe partitë e tjera të krahut të djathtë, të cilat kanë mobilizuar përkrahësit e tyre për të votuar.
Një arësye për pjesëmarrjen e ulët të përkrahësve të koalicionit është zhgënjimi i tyre me arritjet e qeverisë së re deri më tani. Ekonomia ka vazhduar të keqësohet, duke e bërë jetën e gjithnjë e më tepër njerëzve thuajse të padurueshme. Ekziston një ndjenjë e përhapur shumë se rënia ekonomike as nuk është ndaluar.
Në të njëjtën kohë, zënka fëminore ndërmjet gjashtë partive në pushtet kanë pakësuar mbështetjen për koalicionin. Demoralizimi dhe apatia kanë arritur atë pikë sa që mbi 50 përqind e elektoratit nuk morri pjesë në votime.
Koalicioni qeveritar ka pjesën më të madhe të përgjegjësisë për rezultatin e dobët të arritur. Gjatë një viti e gjysëm të fundit që prej ardhjes së tij në pushtet, ai ka lejuar që e kaluara e vjetër e keqe e HDZ-së të harrohet. Megjithëse autoritetet ankohen publikisht për gjendjen tepër të keqe që kanë trashëguar nga HDZ-ja, asnjë nga zyrtarët e mëparshëm të qeverisë nuk është nxjerrë përpara drejtësisë, edhe kur bëhet fjalë për vjedhje dhe korrupsion të drejtpërdrejt.
Koalicioni nuk ka bërë sa duhet për të shkatërruar trashëgiminë e HDZ-së. Përkundrazi, partia në fakt është falur për të gjitha të këqiat që ka bërë. Në fakt, qeveria, ka ndihmuar rikthimin e HDZ-së në skenën publike, duke e lejuar atë të marrë në dorë inisiativën politike duke nxitur debate publike për pikën se kush ka tradhëtuar 'kauzën kombëtare'. Një debat i tillë në një vend i cili sapo ka dalë nga pasojat e një lufte, i jep avantazh emocioneve nacionaliste.
HDZ-ja dhe grupimet e tjera të djathta, shumë prej të cilave së fundi kanë organizuar marshime publike në Kroaci, natyrisht duan të ngrenë dyshimet rreth vendosmërisë së autoriteteve të reja për 'kauzën kombëtarë', duke i paraqitur ata si tradhëtarë.
Ata janë përpjekur të ngushtojnë debatin në një konflikt të drejtpërdrejtë ndërmjet 'Kroatëve' dhe 'të Kuqve' siç thirren ish komunistët, pra ata që janë në favor të shtetit kombëtar Kroat dhe ata të cilëve nuk mund tu besohet në këtë drejtim.
Krahu i djathtë mbështetet në zërat rreth kërcënimit ndaj shtetit për të izoluar Social Demokratët. Autoritetet nuk kanë arritur të rezistojnë një vale histerie nacionaliste që ka përfshirë vendin. Përkundrazi, duke u përpjekur të provojnë dedikimin e tyre ndaj kauzës kombëtare, ata thjesht kanë inkurajuar këtë tendencë. Qeveria nuk e ka kuptuar se e vetmja mundësi e saj është të normalizojë gjendjen në Kroaci.
Në përgjithësi, qeveria është shfaqur si e paaftë për të zgjidhur problemet. Mungesa e dukëshme e fuqisë nga ana e partive demokratike i ka hapur rrugën rikthimit në pushtet të politikanëve të krahut të djathtë në vende të tjera që po kalojnë tranzicionin nga socializmi drejt një ekonomie tregu. Gjendja në Kroaci nuk ka arritur këtë pikë kritike, por një rezultat i tillë nuk mund të përjashtohet.
Jelena Lovriq është një komentatore e njohur në Kroaci, e cila boton shkrime të saj rregullisht në Novi Rijecki List.