Revolta e Medias Shtetërore

Gazetarët besnikë të regjimit të Millosheviqit po ngrenë krye pas fitores së opozitës në zgjedhje.

Revolta e Medias Shtetërore

Gazetarët besnikë të regjimit të Millosheviqit po ngrenë krye pas fitores së opozitës në zgjedhje.

Tuesday, 6 September, 2005

Makina e frikshme e propagandës serbe duket se ka filluar të tronditet, ndërsa qindra gazetarë të mediave shtetërore po bëjnë thirrje për një gazetari të pavarur.


Media e pavarur e ka hedhur poshtë këtë protestë të paprecedent duke e konsideruar si një oportunizëm cinik të gazetarëve të regjimit, të cilët tani kanë frikë nga hakmarrja e opozitës nëse Millosheviqi humbet.


Vëzhgues politikë në Beograd mendojnë se megjithëse vetë revolta nuk përbën ndonjë kërcënim për Millosheviqin, kjo është një shenjë se regjimi i tij ka filluar të dobësohet.


Në revoltën më të madhe të deritanishme, 300 punonjës të radio-televizionit shtetëror të Serbisë, RTS, thuhet të kenë filluar një grevë të enjten në Beograd duke kërkuar një rishikim të politikës editoriale të stacionit.


"Programet informative të Radio Beogradit ofrojnë një pamje të njëanshme dhe jo të vërtetë të ngjarjeve dhe për këtë arësye nuk janë korrekte," thuhet të kenë deklaruar protestuesit.


Thirrje të ngjashme kanë ardhur edhe nga punonjësit e RTS në Novi Sad. Protestuesit atje kanë organizuar një komitet greve dhe kanë bërë thirrje që edhe kolegët e tyre të kundërshtojnë prodhimin e përditshëm të "informacioneve të pavërteta". Anëtarë të komitetit u pushuan nga puna javën e kaluar pasi kishin kërkuar dorëheqjen e redaktorëve të tyre.


Një grup i vogël demonstruesish mundën të futen të hënën në ndërtesën e RTS-së në Novi Sad duke ndërprerë përkohësisht transmetimet. Më pas ata u dëbuan nga një grup prej rreth 20 policësh.


Fundjavën e kaluar 50 gazetarë nga Veçernje Novosti, një gazetë pro-regjimit, kërkuan që bordi drejtues të bëhet më objektiv. Gazetarët bënë thirrje për një "kthim në parimet elementare etike dhe profesionale të gazetarisë," njoftoi Radio B92 e Lirë.


Nëse kërkesat e tyre, të përcaktuara në një letër drejtuar kryeredaktorit Çukiq, nuk pranohen, ata do të ngulin këmbë që ai së bashku me zëvendësin dhe ndihmësit e tij të japin dorëheqjen. Në këtë letër ata thonë se nuk ishin "të përgatitur të gënjenin publikun ende dhe t'i paraqisnin gjërat krejtësisht në kundërshtim me realitetin në Serbi."


Gazetarë të së përditshmes pro-regjimit Politika dhe TV Kraljevo kanë bërë thirrje për një informim të paanshëm. Gazetarët e Politikas po u kërkojnë kolegëve të tyre të bashkohen me ta në grevë. Në një zhvillim tjetër, tetë stacione lokale radioje në të gjithë vendin nuk po transmetojnë më emisionet e lajmeve të RTS-së.


Gazetaria serbe ka qenë prej kohësh e ndarë në gazeta pro-regjimit dhe të pavarura. Millosheviq ka larguar nga RTS-ja rreth 1,500 gazetarë dissidentë në vitin 1991. Që prej asaj kohe ai ka vazhduar të sulmojë kritikët e regjimit në shtyp.


Pasi vuri nën kontroll stacionin TV Studio B në maj të këtij viti, aparati i Millosheviqit shtoi presionin ndaj mediave të pavarura duke dënuar stacionet dhe arrestuar gazetarë, siç është rasti i gazetarit që punonte për IWPR-në Miroslav Filipoviq.


Revolta e medias shtetërore duket të jetë një surprizë për shkak të mbështetjes që i ka dhënë regjimit gjatë fushatës elektorale. Stacionet e radios dhe televizioneve pro-qeveritare kanë rezervuar mbi 90 përqind të kohës së tyre për fushatën elektorale për koalicionin qeveritar.


Megjithatë këto protesta nuk do ta dobësojnë seriozisht regjimin e Millosheviqit. Numri i gazetarëve të përfshirë në to është ende relativisht i vogël dhe regjimi vazhdon të kontrollojë totalisht krahun e tij të propagandës.


Media shtetërore kryesore vazhdon të transmetojë lajme pro-regjimit, ndërsa regjimi vazhdon të ruajë kontrollin e tij ndaj infromacionit në Beograd. I vetmi transmetues i pavarur në kryeqytet, Radio Index, pothuajse nuk dëgjohet fare, sepse mesa duket autoritetet përdorin zhurmues për valët e tij.


Shumë gazetarë të pavarur janë skeptikë rreth motiveve të demonstruesve në rradhët e medias shtetërore. Burime të IWPR-së thonë se ndërmjet protestuesve ka vetëm pak gazetarë të rëndësishëm - dhe se pjesa më e madhe e tyre janë thjesht punonjës të pakënaqur me pagat e ulta dhe gjendjen e tyre.


Ekziston gjithashtu edhe mendimi se ata po përkrahin në mënyrë cinike opozitën, sepse e kuptojnë tanimë që padroni i tyre, Sllobodan Millosheviq, po shkon drejt largimit. "Nëse Koshtunica fiton, këta protestues do të vetëquhen heronj," thotë Mihajlo Ramac, redaktori i gazetës Vojvodina.


Sipas komentatorit politik nga Beogradi Petar Lukoviq, protestuesit ose janë të frikësuar, ose e kanë koshiencën jo të pastër. "Ata kanë frikë se do të humbasin vendin e punës nëse në pushtet vjen opozita ose duan të shfajësohen për të kaluarën - por për këtë mund të jetë tepër vonë."


Megjithatë disa gazetarë të pavarur thonë se kjo revoltë është e vërtetë. Gordana Susa, presidente e Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur në Serbi, thotë se punonjësit e mediave shtetërore nuk mund të duronin më pasi panë vjedhjen e hapur të votave nga ana e qeverisë në zgjedhjet e fundit.


"Natyrisht ata janë duke u përpjekur të shpëtojnë krenarinë e tyre duke protestuar," thotë ajo. "Fitorja e opozitës është tepër pranë, nëse jo sot, atëherë nesër, apo pas një muaji, dhe këta njerëz më në fund e ndjejnë se nuk kanë më frikë të protestojnë."


Mirna Jançiq është anëtare e stafit të IWPR-së.


Serbia
Frontline Updates
Support local journalists