Rebelimi i Ushtarakëve Kroat

Rritet tensioni në Bosnje ndërsa oficerët Kroatë largohen nga ushtria e Federatës

Rebelimi i Ushtarakëve Kroat

Rritet tensioni në Bosnje ndërsa oficerët Kroatë largohen nga ushtria e Federatës

Friday, 23 March, 2001

Nacionalistët Kroatë në Bosnje kanë përforcuar fushatën e tyre për të krijuar një mini shtet të veçantë në Bosnje këtë javë.


Oficerë nga korpusi i Parë i Rojeve, një njësi krejtësisht Kroate në forcat ushtarake të Federatës, VF, me qendër në Mostar, nuk ka pranuar të njohë komandën e përbashkët të ushtrisë dhe ministrinë e mbrojtjes së Bosnjes.


Ky hap paralajmëron krijimin e një ushtrie të veçantë të Kroatëve të Bosnjes pas kërcënimit të datës 3 Mars për krijimin e një mini shteti nga Asambleja Kombëtare Kroate.


Forca e re ushtarake mendohet të numërojë rreth 7,000 deri 11,000 ushtarë. Dokumentat e ministrisë së mbrojtjes, të cilat mund të jepnin të dhëna më të sakta, janë zhdukur ditën që ish ministri i mbrojtjes i Federatës, Miroslav Prce, ka lënë detyrën.


Krijimi i një ushtrie të pavarur të Kroatëve të Bosnjes ka koninciduar me pakësimin e prezencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vend. Uashingtoni do të tërheqë 800 trupa të tij nga Bosnja brenda pak kohësh.


Pavarësisht rritjes së tensionit, Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit, SFOR, nuk ka ndërmarrë ndonjë hap deri më tani për të kundërshtuar këtë lëvizje të Kroatëve.


Asambleja Kombëtare Kroate po përpiqet të vendosë vetëadministrimin në dy kantone të dominuara nga popullsia Kroate në Herzegovinë dhe tre kantone të tjera me popullsi në shumicë Kroate në pjesë të tjera të Bosnjes. Asambleja ka kërkuar që të ardhurat nga doganat të shkojnë në arkën e mini shtetit për ta financuar atë.


Përfaqësuesi i Lartë, Volfgang Petriq, i është përgjigjur deklaratës së 3 Marsit duke shkarkuar Ante Jelaviqin nga drejtimi i Bashkimit Demokratik Kroat nacionalist, HDZ, dhe nga presidenca trepalëshe. Ai dhe tre zyrtarë të tjerë të HDZ-së janë ndaluar të marrin pjesë në çdo aktivitet politik në të ardhmen.


HDZ-ja është e zemëruar nga zgjedhja e një qeverie të moderuar në Federatë dhe në nivel shtetëror të Bosnjes. Qeveria e re e Federatës ka filluar punë më 13 Mars, pavarësisht një bojkoti prej katër muajsh nga ana e HDZ-së.


E përbërë nga dhjetë parti të Aleancës për Ndryshim, në administratën e re nuk është përfshirë asnjë përfaqësues i HDZ-së apo Partisë nacionaliste Boshnjake të Veprimit Demokratik.


Më 5 Mars, Jelaviq ka paralajmëruar se: "Unë nuk do të lejoj kurrë që HVO [Forca Mbrojtëse Kroate] të vihet nën komandën e Aleancës". Po atë ditë, ministri i atëhershëm i mbrojtjes së federatës, Miroslav Prce, ka njoftuar se njësitë e HVO-së do të shpërbëheshin, duke i dhënë fund kështu varësisë së tyre nga komanda e përbashkët ushtarake. Prce i ka urdhëruar njësitë të hiqnin shenjat dalluese të Federatës nga uniformat e tyre.


Pasi morri postin e ministrit të mbrojtjes, Aniq menjëherë ka anulluar urdhërin e dhënë nga Prce dhe i ka kërkuar ushtarëve të qëndrojnë në njësitë e tyre. Zëvendës komandanti i forcave të SFOR-it, Gjeneral Majori Britanik Robert Danat, ka uruar Aniqin dhe ka premtuar se forca ndërkombëtare do të parandalojë "çdo përpjekje nga ana e Asamblesë Kombëtare Kroate për të tërhequr komponentin Kroat nga Ushtria e Federatës në arenën politike".


Megjithatë, zëvendës komandantii VF Dragan Qurqiq dhe shtatë oficerë të tjerë Kroat kanë dhënë dorëheqjen. Qurqiq është zëvendësuar nga Ivo Lozanqiq, zëvendës president i partisë Inisiativa e Re Kroate dhe një anëtar i Koalicionit Aleanca për Ndryshim. Kjo ka shkaktuar reagimin e 15 oficerëve të tjerë Kroatë të cilët kanë deklaruar se ata nuk do të njohin Lozanqiq si komandant të tyre. Të nesërmen Korpusi i Parë i Rojeve është rebeluar.


Duket se HDZ-ja i ka planifikuar mirë të gjitha zhvillimet. Deri më tani ajo ka qenë gjithnjë një hap përpara komunitetit ndërkombëtar dhe autoriteteve të Federatës.


Korpusi i Parë i Rojeve i ka të gjitha komponentet e një ushtrie. Ai përbëhet nga katër brigada profesioniste - me bazë në Drvar, Jasenica, Vitez dhe Orasje. Secila brigadë ka rezervistë të ushtrisë dhe koordinon aktivitetet jashtë VF-së.


Më 20 Mars, komandanti i Korpusit të Parë të Rojeve, Zlatan Mijo Jeliq, ka thënë se e gjithë forca mbështet Asamblenë Kombëtare Kroate dhe nuk do ti bindet më urdhërave të komandës së përbashkët të VF-së. Jeliq ka paraqitur edhe firmat mbështetëse të 51 oficerëve të korpusit.


"Deri më tani 80 deri 90 përqind e oficerëve Kroatë janë larguar nga komanda e përbashkët e VF-së dhe ministria e mbrojtjes, dhe unë u bëj thirrje edhe të tjerëve të ndërmarrin një veprim të tillë," ka thënë Jeliq.


Megjithatë, Jeliq ka shtuar se forca do të vazhdojë të bashkëpunojë me organizmat ndërkombëtare dhe SFOR-in, megjithëse ai nuk ka dhënë shpjegime se si do të bëhej e mundur kjo gjë duke qenë se oficerët e tij po shkelnin marrëveshjen e Dejtonit, për zbatimin e së cilës është vendosur në Bosnje SFOR-i.


Më 22 Mars, Danat ka thënë: "Marrëveshja e Dejtonit ndalon ekzistencën e një force të armatosur të Kroatëve të Bosnjes jashtë strukturave të Federatës. Unë u bëj thirrje me forcë të gjithë atyre që mendojnë të kryejnë ndonjë veprim të armatosur kundër Dejtonit, të heqin dotë menjëherë".


Lozanqiq ka pranuar më 20 Mars se ai kishte humbur kontrollin mbi trupat në jug të vendit. Aniq ka lëshuar një paralajmërim që oficerët brenda pesë ditësh të rikthehen në vendet e tyre të punës ose do të humbasin ato. Të Enjten, Aniq ka thënë se gjendja është duke u përmirësuar dhe se disa oficerë janë rikthyer në punë.


Në një përpjekje për të parandaluar përpjekje të ngjashme edhe në rradhët e policisë, ministri i ri i brendëshëm i Federatës, Muhamet Besiq, dhe shefi i forcës ndërkombëtare policore, UN-IPTF, Vincent Kuderua, i kanë dërguar letra shefave të policisë kantonale më 15 Mars duke u dhënë instruksione të qarta për veprimet që duhet të ndërmerren kundër aktiviteteve anti kushtetuese.


Oficerëve të policisë u është kujtuar se ata kanë bërë një betim dhe çdo provë që ata kryejnë ndonjë aktivitet politik do të çojë në shkarkimin e mënjëhershëm të tyre.


Megjithatë, më 21 Mars, oficerë të policisë Kraote në bashkitë me shumicë Kroate kanë marrë letra ku u bëhej thirrje të largohen nga detyra e tyre. Besiq ka thënë se kësaj thirrjeje i është përgjigjur një numër i vogël oficerësh të policisë dhe se policia po vazhdon punën normalisht.


Por burime jozyrtare thonë se zyrtarë të lartë Kroatë të ministrisë së brendëshme të Federatës do të jenë të parët që do të largohen dhe se ka filluar krijimi i një force paralele policore.


Më 16 Mars, në Sarajevo, një forcë e vogël prej 50 rojesh me uniforma të zeza, të armatosur me armë të lehta, kanë shoqëruar Jelaviqin dhe zyrtarë të tjerë të HDZ-së gjatë një ceremonie përkujtimore për nder të Jozo Leutar, ish ministër i brendëshëm i Federatës i vrarë vitin e kaluar. Disa "roje" kishin ardhur edhe nga Herzegovina.


Një kontigjent i madh oficerësh të policisë së Sarajevos janë dërguar në kishë, por ngjarja ka kaluar pa ndonjë incident.


Megjithatë, dalja në publik e një force "policore" të armatosur jozyrtare dhe mosbindja e Korpusit të Parë të Rojeve të kujton të kaluarën shqetësuese të vitit 1991, kur Partia Demokratike Serbe organizoi një përçarje të forcave të sigurimit të vendit sipas përkatësisë etnike. Menjëherë pas kësaj shpërtheu lufta.


Kur kanë kaluar dhjetë vjet, dhe gjendja ndryshon në një aspekt të rëndësishëm - janë rreth 22,000 trupa të SFOR-it të vendosura në Bosnje. Danat ka thënë se forca ndërkombëtare po ndjek me kujdes zhvillimet, veçanërisht në disa depo armatimi të VF-së.


"Të gjithë e dinë se nëse dikush do të ndërmarrë ndonjë hap të paautorizuar drejt këtyre depove, ne do të reagojmë shumë shpejt," ka thënë Danat.


Këshilli i Zbatimit të Paqes, i ka dhënë mbështetjen e tij të plotë Petriqit për veprime të shpejta kundër zyrtarëve dhe oficerëve të ushtrisë Kroate. Këshilli ka dënuar të gjitha përpjekjet për krijimin e një vetë-administrimi Kroat.


Por duhet të ndërmerren hapa konkrete menjëherë për të parandaluar keqësimin e gjendjes. Petriq ka mundësi të bllokojë një llogari bankare të HDZ-së në Hercegovacka Banka në Mostar. Mendohet se në këtë llogari janë depozituar rreth 54 milion marka Gjermane.


Petriq ka deklaruar në një revistë se ai mendon se këto hapa janë menduar nga Kroatët që prej disa muajsh - dhe se paratë ishin depozituar në llogari për të paguar pagat e zyrtarëve, oficerëve të ushtrisë dhe policisë gjatë muajve të parë të "entitetit" të ri.


Ngjarjet po zhvillohen me shpejtësi dhe tensioni është rritur. Bosnja nuk ka qenë kurrë kaq e tronditur pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit. Tani e gjithë vëmendja është përqëndruar mbi komunitetin ndërkombëtar.


Amra Kebo është një bashkëpunëtore e rregullt e IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists