Radikalët në Zagreb Nxisin Rebelimin në Bosnje

Ekstremistët në Kroaci po ushqejnë flakët e rebelimit në Bosnje në një përpjekje për të shtuar shanset e tyre politike

Radikalët në Zagreb Nxisin Rebelimin në Bosnje

Ekstremistët në Kroaci po ushqejnë flakët e rebelimit në Bosnje në një përpjekje për të shtuar shanset e tyre politike

Thursday, 12 April, 2001

Nacionalistët e linjës së ashpër në Kroaci po shpresojnë të shmangin zhdukjen e tyre politike duke ushqyer trazirat në Bosnje.


Deri më tani Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ, i së djathtës ekstreme, nuk ka arritur të dëmtojë qeverinë e Kryeministrit të moderuar Ivica Raçan e cila ka ardhur në pushtet në Kroaci pas vdekjes së presidentit Franjo Tugjman.


Tani HDZ-ja, e papajtuar asnjëherë me rrëzimin e saj të menjëhershëm nga pushteti, mund te fshihet nga harta politike në zgjedhjet lokale në Kroaci të planifikuara për më 20 Maj. Për të shmangur këtë gjë, analistët mendojnë se elementë ekstremistë brenda partisë nxisin Kroatët e Bosnjes për të organizuar rebelimin ndaj qeverisë së Sarajevës.


Anëtarët e krahut të djathtë të HDZ-së, lobi i Herzegovinës, të drejtuar nga Ivica Pasaliq, dikur një këshilltar i rëndësishëm i Tugjmanit, thuhet se kanë nxitur partinë e tyre simotër në Bosnje për të vazhduar me planet e saj për të vendosur vetë administrimin në Herzeg-Bosnje, një rajon i banuar kryesisht nga Kroatët në vend.


Synimi përfundimtar i ekstremistëve të HDZ-së në Bosnje është të krijojnë Herzeg-Bosnjen, e cila është krijuar fillimisht gjatë luftës në Bosnje dhe është mbështetur fortë nga Tugjmani, si një entitet i pavarur i cili në një të ardhme mund të bashkohet me Kroacinë.


Përfaqësuesit e linjës së ashpër shpresonin se trupat e SFOR-it do të ndërhynin për të shtypur rebelimin Kroat dhe, duke bërë një gjë të tillë, do të rrisnin përkrahjen për veten e tyre në Kroaci. Ata kanë llogaritur se një ndërhyrje ushtarake e Perëndimit do të bënte që njerëzit të cilët simpatizojnë me vëllezërit e tyre të një gjaku në Bosnje të fajësojnë qeverinë se nuk po bëjnë sa duhet për të mbrojtur të drejtat e tyre.


Një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri tani. Por radikalët e HDZ-së duket se ende nuk kanë hequr dorë nga synimet e tyre. Përfaqësuesi i linjës së ashpër në HDZ, Mirko Condiq, i cili mendohet të jetë organizatori i një numri demonstrimesh anti qeveritare më herët këtë vit, mendohet se mund të ketë organizuar një protestë nacionaliste të veteranëve të luftës përpara një baze të NATO-s në Split këtë javë, në shenjë proteste ndaj përpjekjeve ndërkombëtare për të shkatërruar planet e Kroatëve të Bosnjes për vetë-administrim. Radioja shtetërore ka njoftuar se demonstruesit kanë shprehur zemërimin e tyre ndaj "sjelljes me mendjemadhësi të forcave ndërkombëtare, të cilat e konsiderojnë Bosnjen si protektorat të tyre".


Zyrtarë Perëndimorë dhe ata lokalë në Bosnje kanë mbyllur të Premten e kaluar degët e Bankës Hercegovacka me qendër në Mostar, e cila dyshohet se financon përpjekjet e Kroatëve të Bosnjes për të krijuar institucione paralele në Herzeg-Bosnje. Mendohet se në këtë bankë janë depozituar rreth 54 milion Marka Gjermane në llogari sekrete të cilat mendohet se do të përdoren për financimin e kandidatëve të HDZ-së në zgjedhjet lokale në Kroaci.


Meqënëse financimi për HDZ-në ka rënë në nivele shumë të ulta në Kroaci, mendohet se partia e ka konsideruar bankën e Mostarit si burimin e saj kryesor për fonde për garën e zgjedhjeve të 20 Majit. Humbja e këtyre parave do të dëmtojë rëndë fushatën zgjedhore të HDZ-së.


Përveç HDZ-së, shumë pak parti në Kroaci kanë shprehur përkrahjen e tyre për ekstremistët Kroatë të Bosnjes. Në fakt, Presidenti Stipe Mesiq ka mbështetur haptazi hapin e ndërmarrë nga SFOR ndaj Bankës Herzegovacka. Ai dhe Raçan kanë refuzuar gjithashtu të mbështesin rebelët Kroatë të cilët kanë marrë nën kontroll një kazermë të ushtrisë Busovaca këtë javë.


Nëse HDZ-ja humbet në zgjedhjet e Majit, kjo mund të shënonte edhe fundin e një force politike dikur shumë të fuqishme. Partia ka humbur vazhdimisht mbështetjen gjatë viteve të fundit. Ajo ka pësuar një goditje të ashpër së fundi pas vendimit për të përjashtuar nga mundësia për të votuar diaporën Kroate. Shumë Kroatë të cilët jetojnë jashtë vendit kanë votuar për HDZ-në në të kaluarën.


Humbja në zgjedhjet e ardhëshme do të shkaktonte një përçarje të thellë në gjirin e HDZ-së. Partia, e cila prej vitesh është përbërë nga grupe me interesa të ndryshme, mund të nisë të shpërbëhet në fraksione të ndryshme të cilat mund të krijojnë parti të reja.


Nëse do të ndodhë një gjë e tillë lobi i Herzegovinës do të duket gjithnjë e më i izoluar dhe i pafuqishëm dhe aftësia e tij për të mbështetur ekstremistët në Bosnje do të pakësohet ndjeshëm. Kjo do të jetë një goditje e ashpër ndaj planeve të Kroatëve të Bosnjes për vetë administrim dhe mund të detyrojë drejtuesit radikalë të komunitetit Kroat të zbusin radikalizmin e tyre.


Dragutin Hedl është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists