Qyteti i Fshehtë i Millosheviqit
Thellë në pyjet e malit Crni Vrh një vilë e përdorur nga presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviq qëndron mbi një kompleks misterioz të nëndheshëm.
Qyteti i Fshehtë i Millosheviqit
Thellë në pyjet e malit Crni Vrh një vilë e përdorur nga presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviq qëndron mbi një kompleks misterioz të nëndheshëm.
Vetëm pak larg fshatit Dubishnica në malin Crni Vrh, në Serbinë lindore, një projekt i madh ndërtimesh nëntokësore ka kohë që ka filluar. Nën një vilë e cila dikur përdorej nga aktivistët komunistë kompleksi nëntokësor po ndërtohet me urdhër të presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq. Hyrja në këtë zonë është rreptësisht e ndaluar dhe patrulla policore patrullojnë zonën 24 orë në ditë.
Kjo është shndërruar në temën e ditës për banorët e Bor, Zagubica dhe qytetit të lindjes së Millosheviqit, Pozharevc. Tani kompleksi ka filluar të thirret me emrin Qyteti i Fshehtë.
Ka zëra se ky projekt është pjesë e politikës së Millosheviqit për sigurimin e tij - një vend i fshehtë i sigurtë nëse ai humbet zgjedhjet e ardhshme presidenciale, apo arrin një farë marrëveshjeje me komunitetin ndërkombëtar në shkëmbim të dorëheqjes së tij nga posti i presidentit.
Lajmi për këtë projekt fillimisht ka dalë në Pozharevc pasi disa miq të djalit të Millosheviqit, Marko u kthyen nga një vizitë në vilë. Një punonjës i klubit të natës Madona në pronësi të Markos, i cili dëshiron të mbetet anonim, ka thënë se miqtë u dërguan në vilë në kohën kur në Pozharevc, më 9 maj, organizohej një miting i opozitës.
"Marko mendoi se mund të shpërthenin trazira," thotë burimi. "Unë pashë me sytë e mi se po bëheshin shumë punime në mal. Disa punime ishin të nëndheshme. Ne qëndruam në vilën e vjetër dhe bëmë shëtitje në pyll."
Vila është rreth 50 kilometra nga Bor, e fshehur thellë në pyll. Kalimtarët mund të shohin çatinë e ndërtesës vetëm në stinën e vjeshtës, kur pemët zhvishen nga gjethet. Por disa drita të fuqishme ndriçojnë zonën gjatë natës.
S.J, një druvar nga zona e Zagubicas, thotë: "Unë nuk e di se çfarë ka atje, sepse nuk lejohet të hyjë asnjë njeri. Vila ruhet me policë."
"Ndonjëherë dëgjohen zhurma helikopterësh që ulen pranë vilës," shton S.J. "Ndoshta mund të ketë një pistë për uljen e tyre. Disa barinj vendas më kanë thënë se Millosheviq vjen shpesh për vizitë dhe ndonjëherë së bashku me familjen. Zyrtarë të lartë e vizitojnë atë aty dhe djali i tij Marko ndonjëherë vjen për të qëndruar."
Një oficer policie nga Zagubica thotë se Millosheviq ka kaluar pjesën më të madhe të kohës në vilë gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s. Një raketë ka qëlluar dhomën e gjumit të Millosheviqit në rezidencën e tij të Shtëpisë së Bardhë në Beograd.
Banorë të tjerë të Zagubicas kanë thënë se Nikola Sainoviq, zëdhënësi Partisë Socialiste të Millosheviqit, dhe Vlajko Stojiljkoviq, ministri jugosllav i policisë, shpesh ndalojnë në qytet gjatë rrugës për në vilë. Ashtu si Millosheviqi, të dy këta janë akuzuar nga Gjykata e Hagës për krime lufte në Kosovë.
Një revistë e përjavëshme, Ekstra, nga Bijeljina në Republikën Srpska ka botuar kohët e fundit një shkrim ekskluziv për vilën. Gazetarja Danica Zivkoviq ka deklaruar se vila ka kinemanë e saj, dhomë bilardoje dhe pishinë të mbushur me ujë termal. Artikulli i botuar në Ekstra ka përmendur edhe punime ndërtimesh nëntokësore duke hedhur idenë e ndërtimit të bunkerëve. Revista ka thënë se Millosheviq zakonisht udhëton për tek vila me helikopter dhe shumë policë nga Bor, Pozharevc dhe Zagunica shërbejnë si roje rreth këtij kompleksi.
Sipas Ekstra, një nga vizitorët e pakët të huaj që ka qëndruar në vilë ka qenë ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Butros Butros Gali, i cili, sipas revistës, ka qëndruar në këtë vilë si mik i Millosheviqit në vitin 1995.
Megjithëse Ekstra shitet edhe në Serbi, deri më sot nuk ka pasur asnjë përgënjeshtrim zyrtar për këtë artikull.
Dragan Vitomiroviq, një gazetar nga Zajecar, është përpjekur të shkruajë një artikull për punimet e rinovimit në vilë tre vjetë më parë për gazetën e përditshme, e cila nuk ekziston më, Nasha Borba. Vitomiroviq ka thënë se ai është ndeshur me një mur heshtjeje. Asnjë nga firmat zbatuese nuk ka treguar se çfarë punimesh ka kryer në vilë ose arësyen e këtyre punimeve.
Shtëpia është ndërtuar fillimisht në vitet 1950 për t'u përdorur nga forcat policore të Borit. Por zyrtarë komunistë serbë dhe jugosllavë filluan ta pëlqenin këtë ndërtesë dhe ta përdornin për pushime dhe takime.
Spekullimet se Millosheviq po ndërton një vend të sigurtë për të qëndruar janë shtuar pasi New York Times botoi artikuj ku thuhej se presidenti jugosllav po bisedonte në mënyrë sekrete për të arritur një marrëveshje me Uashingtonin, sipas të cilës ai do të jepte dorëheqjen në këmbim të imunitetit nga Gjykata e Hagës.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka hedhur poshtë me forcë këto zëra dhe Gjykata e Hagës ka përjashtuar çdo mundësi që Millosheviqit mund t'i jepet ndonjëherë imunitet.
Eksperienca e ish-liderit kilen Augusto Pinoçet, i arrestuar për disa muaj në Britani në pritje të procedurave të ekstradimit për akuza për shkelje të të drejtave të njeriut, ka përforcuar besimin se Millosheviq nuk do të pranojë të largohet ndonjëherë nga Serbia nëse nuk qëndron më në postin e presidentit.
Por deklaratat e bëra nga të arrestuarit prej Gjykatës së Hagës, Stevan Todoroviq dhe Dragan Nikoliq, se persona të cilët rendin pas shpërblimeve të vëna për kapjen e tyre veprojnë në Serbi dhe i kanë rrëmbyer e transportuar ata nëpërmjet kufirit për në Bosnje, tregojnë se edhe qendrimi në Serbi mund të mos jetë krejtësisht i sigurtë për t'i shpëtuar kapjes nga Gjykata e Hagës.
Kjo është arsyeja që ka bërë që të vazhdojnë punimet për të ndërtuar një fortesë nëntokësore në Crni Vrh, ku Millosheviq mund të ndjehet i sigurtë nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm - dhe veçanërisht nga gjahtarët e çmimeve të vëna për kokën e tij.
Marko Ruziq është pseudonimi i një gazetari nga Beogradi.