QEVERIA E RACAN NUK KA MBAJTUR PREMTIMET

Koalicioni qeveritar mund të paguajë një cmim të lartë politik për mos përmbushjen e premtimeve që ka bërë gjatë fushatës që e ka sjellë në pushtet.

QEVERIA E RACAN NUK KA MBAJTUR PREMTIMET

Koalicioni qeveritar mund të paguajë një cmim të lartë politik për mos përmbushjen e premtimeve që ka bërë gjatë fushatës që e ka sjellë në pushtet.

Tuesday, 6 September, 2005

Analistët thonë se premtimet e pambajtura dhe lufta e brendëshme politike janë shkaqet kryesore për humbjen e mbështetjes nga publiku për koalicionin e majtë qeveritar në Kroaci, i cili do të jetë përballë testit më të vështirë në zgjedhjet e përgjithëshme të së djelës.


Koalicioni i së majtës i cili ka ardhur në pushtet në vitin 2000, i drejtuar nga Partia Social Demokrate, SDP, e Ivica Racan, ka premtuar të reformonte sistemin e drejtësisë në vend, të ndiqte penalisht njerëzit e biznesit të përfshirë në korrupsion, të bashkëpunonte plotësisht me gjykatën e Hagës dhe të zgjidhte procesin e shumë kritikuar të privatizimit.


Por duke mos mbajtur këto premtime, me një papunësi dhe nivel të borxhit të jashtëm ende shumë të madhe dhe një koalicion i cili ka pasur mosmarrëveshje të thella në gjirin e tij, vëzhguesit thonë se zgjedhjet e 23 nëntorit do të jenë tepër të vështira për koalicionin qeveritar.


Anketimet tregojnë se koalicioni i majtë ka një avantazh me vetëm 2.5 përqind më shumë ndaj opozitës, ndërsa SDP e partia më e madhe e krahut të djathtë, Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ, kanë respektivisht 22.4 dhe 24.3 përqind të votave.


Ndërsa SDP duket se e ka të vështirë të sigurojë më tepër vota dhe HDZ vazhdon përpjekjet e saj për tu shndërruar në një parti moderne të qendrës së djathtë, shumë vëzhgues mendojnë se platformat e tyre politike po afrohen shumë dhe së shpejti ato do të jenë shumë të ngjashme, duke cuar kështu në një koalicion të mundëshëm ndërmjet dy rivalëve.


Reformat në sistemin e drejtësisë dhe dënimi i atyre të cilët në të kaluarën kanë siguruar përfitime në kurriz të shtetit janë një prej ankesave kryesore që kanë njerëzit ndaj koalicionit të SDP-së.


Media kroate ka botuar një sërë njoftimesh në lidhje me nivelin e lartë të korrupsionit në sistemin e drejtësisë dhe qeveria e Racan ka bërë disa përpjekje për të zgjidhur këtë cështje. Por shkarkimi dhe arrestimi i një numri gjykatësisht dhe procedurat penale të filluara ndaj prokurorit të shtetit Slavko Canjuga konsiderohen nga shumë njerëz si një përgjigje e pamjaftueshme.


Ndërsa disa kërkesa të Bashkimit Europian për reforma në sistemin e drejtësisë në Kroaci janë përmbushur gjatë viteve të fundit, analistët thonë se ende nuk janë ndërmarrë ndryshime të rëndësishme.


Vëzhguesit pranojnë se hapi më i rëndësishëm do të jetë ndryshimi i personelit i cili drejton sistemin, por Racan dhe qeveria e tij nuk kanë ndërmarrë një reformë të personelit, duke pasur frikë se mos akuzohen se po marrin hap ndaj njerëzve të emëruar nga HDZ në vitet 1990.


Ndërkohë, aparati ligjor i Kroacisë mbetet shumë i dobët. Menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2000, disa figura të rëndësishme të biznesit në Kroaci janë ndaluar si të përfshirë në praktika të dyshimta në biznes. Gjyqet vazhdojnë ende, por duket se asnjë prej të dyshuarve nuk do të mund të dënohet.


Shumë votues, vecanërisht të majtë, janë të zhgënjyer me dështimin e qeverisë për të përmbushur premtimet e saj për bashkëpunim të plotë me gjykatën e Hagës, një parakusht për anëtarësimin e Kroacisë në BE.


Kritikat ndaj refuzimit të Zagrebit për të dorëzuar të dyshuarin për krime lufte, gjeneral Janko Bobetko janë pakësuar vetëm pas vdekjes së tij në fund të muajit prill të këtij viti. Kroacia gjithashtu nuk ka ekstraduar gjeneralin e akuzuar Ante Gotovina. Zyrtarët thonë se nuk munden të zbulojnë vendndodhjen e tij.


Koalicioni qeveritar është kritikuar gjithashtu edhe për vonesat në ndërmarrjen e reformave në ligjin e privatizimit dhe se nuk ka përmbushur premtimin për të rishikuar privatizimin e disa kompanive të mëdha, të përfolura për parregullsi.


Qeveria e HDZ kishte miratuar një ligj i cili u lejonte njerëzve të afërt të partisë të përdornin kredi bankare për të blerë kompani shtetërore, të cilat më pas ata i kanë shitur.


Autoritetet e tanishme kanë vazhduar të përdornin këtë legjislacion për privatizimin, duke bërë disa ndryshime vetëm pak kohë më parë.


Gjendja ekonomike në vend është një tjetër cështje e rëndësishme në këto zgjedhje. Kur koalicioni ka ardhur në pushtet në vitin 2000, rreth 400,000 kroatë ishin të papunë dhe borxhi i jashtëm i vendist ishte 12 miliard dollarë amerikan. Kur kanë kaluar tre vjet, 350,000 njerëz janë ende pa punë dhe borxhi i jashtëm pothuajse është dyfishuar.


"Nën qeverisjen e Racan, shumë kompani kanë falimetuar duke lënë shumë njerëz të papunë. Pothuajse të gjitha bankat u janë shitur të huajve. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me mediat, kompaninë kroate të naftës dhe shërbimet postare. Stanjacioni ekonomik dhe shkatërrimi i industrive kryesore nuk është ndalur, ndërsa të rinjtë ende nuk kanë mundësi për punësim dhe për strehim," ka thënë për IWPR, Stipe Suvar, kryetar i Partisë Sociliste të Punëtorëve.


Përvec këtyre problemeve të vazhdueshme dhe premtimeve të pambajtura, koalicioni është përfshirë vazhdimisht në një luftë të brendëshme gjatë gjithë kohës që ka qenë në pushtet, vecanërisht në lidhje me cështje të rëndësishme si mosmarrëveshjet territoriale me Slloveninë fqinjë dhe bashkëpunimin me gjykatën e Hagës.


Në vitin 2001, një partner i vogël i koalicionit, Bashkimi Demokratik i Istrias, IDS, i cili kishte katër deputetë në parlament, është larguar nga qeveria. Më pas, një pjestare shumë më e rëndësishme e koalicionit, Partia Social Liberale Kroate, HSLS, e cila kishte 23 vende në parlament, është larguar nga qeveria.


Qeveria ka qenë në prag të rrëzimit dhe është shpëtuar vetëm kur një numër deputetësh dhe ish ministrash të HSLS krijuan një parti të re, Libra, e cila iu bashkua Racan dhe aleatëve të tij.


Ndërsa SDP po përpiqet të ruajë mbështetjen popullore dhe HDZ vazhdon të transformohet në një parti moderne të qendrës së djathtë, shumë analistë pranojnë se kohët e fundit është bërë e vështirë të shihen dallime të mëdha ndërmjet platformave politike të partive të majta dhe të djathta në Kroaci.


Si pjesë e përpjekjeve të tij për fituar përkrahje nga votues të cilët nuk votojnë zakonisht për të majtën, Racan ka bërë disa hapa drejt afrimit me kishën - por në këtë mënyrë ka larguar shumë nga mbështetësit e tij. Ai ka lejuar edukimin fetar në shkolla dhe ka ndaluar dyqanet të qëndrojnë hapur të djelën, një veprim i cili do të cojë në humbjen e rreth 15,000 vendeve të punës.


"Unë do të votoj për SDP ose HDZ. Ende nuk e kam vendosur. Mund të duket e habitëshme por nëse i sheh me kujdes këto parti, do të vësh re se pothuajse nuk ka fare ndryshime ne programet e tyre politike dhe premtimet zgjedhore," ka thënë Mojmir Jadrijeviq, një student në Shkollën e Historisë dhe Sociologjisë në Zagreb, duke reflektuar në këtë mënyrë një pikpamje shumë të përhapur.


SDP është kaq shumë e shqetësuar për këto zgjedhje saqë ka përdorur disa taktika të pazakonta zgjedhore, të ngjashme me fushatat e HDZ në të kaluarën.


Racan ka future në listën zgjedhore të partisë së tij atletin Mirko Filipoviq. Përfshirja e Filipoviq, i cili nuk është anëtar i SDP, duke të jetë një përpjekje për të tërhequr votuesit konservatorë, sepse Filipoviq ka mendime krejtësisht të kundërta me vlerat e partisë.


Ky sportist ka thënë në intervista se femrat nuk janë të afta sa burrat, se homoseksualët "kanë probleme mendore" dhe se marrëdhëniet homoseksuale "nuk janë të natyrshme". Megjithatë, ai është i treti në listën e SDP, pas ministrit të kulturës Antun Vujiq dhe vetë Racan.


SDP ka rekrutuar gjithashtu edhe yllin kroat të muzikës turbo-folk, Severina, e cila më parë vishte bluza me fytyrën e ish kryetarit të HDZ, Franjo Tugjman.


Po të kemi parasysh afrimin e vazhdueshëm të politikave të SDP dhe HDZ, zërat që kanë qarkulluar rreth mundësisë së një aleance pas zgjedhore ndërmjet dy partive mund të mos jenë aq të pamundura sa mund të jenë dukur vetëm disa muaj më parë.


Presidenti kroat, Stjepan Mesiq, ka folur për këtë cështje gjatë një interviste me revistën Feral Tribune me qendër në Split. "Asnjë parti nuk do të mund të sigurojë votat e mjaftueshme për të krijuar e vetme qeverinë e saj," ka thënë ai. "Kjo është edhe arësyeja që SDP dhe HDZ mund të krijojnë një koalicion, duke shmangur kështu kërcënimet e partive të vogla. Gjërat që i ndajnë këto dy parti nuk janë aq të shumta tanimë, dhe për këtë arësye një marrëveshje e tillë është një mundësi reale".


Mesiq ka theksuar se krijimi i një aleance të tillë do të rriste stabilitetin politik në Kroaci, dicka që nuk do të kishte mundësi ta siguronte një qeveri me një shumicë të vogël parlamentare. Ai gjithashtu ka theksuar se BE do të mirëpriste një zgjidhje të tillë, duke rritur shanset e Kroacisë për anëtarësim në BE deri në vitin 2007, i cili është objektivi kryesor i SDP dhe HDZ.


Pavarësisht se sa të bazuara mund të jenë këto zëra, vëzhguesit janë në një mendje për një gjë - koalicioni i drejtuar nga SDP nuk gëzon më të njëjtën mbështetje që ka pasur kur ka fituar në vitin 2000.


Një anëtar i bordit kryesor të SDP-së, i cili është i zhgënjyer me politikat e kryesisë së partisë së tij, ka thënë për IWPR se "Racan e ka kuptuar se e ka humbur mundësinë që i është dhënë. Ai nuk mund të presë të sigurojë të njëjtën mbështetje dhe të njëjtën gadishmëri nga njerëzit për të mbështetur ndryshimet e thella, gjë të cilën ai e ka pasur menjëherë pas fitores në zgjedhjet e kaluara, edhe nëse partitë e majta arrijnë të fitojnë në zgjedhje".


Drago Hedl është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR.


Croatia
Frontline Updates
Support local journalists