Prostitucioni i Organizuar në Maqedoni

Autoritetet maqedonase duken të pafuqishme për të ndaluar shtrirjen e tregtisë ilegale, ndërsa prostitucioni dhe trafiku i vajzave ka marrë përmasa të mëdha.

Prostitucioni i Organizuar në Maqedoni

Autoritetet maqedonase duken të pafuqishme për të ndaluar shtrirjen e tregtisë ilegale, ndërsa prostitucioni dhe trafiku i vajzave ka marrë përmasa të mëdha.

Tuesday, 22 August, 2000

Rrjetet e prostitucionit të organizuar kanë vepruar aktivisht në Maqedoni që prej të paktën një dhjetëvjeçari. Numri i prostitutave që punojnë tani në këtë vend mendohet të jetë rreth 1,500 deri 2,000. Kjo tregti mendohet se krijon fitime prej rreth 325 deri 430 milion marka gjermane në vit për organizatorët e saj.


Një pronar i një bari apo klubi nate me pesë prostituta mund të fitojë lehtësisht rreth 40,000 deri 50,000 marka në muaj. Potenciali i këtij biznesi kaq të fuqishëm për të korruptuar punonjësit e administratës shtetërore, policinë apo edhe të ndihmojë në zgjedhjen e deputetëve për në parlamentin e vendit është real.


Fitimet ekonomike nga prostitucioni i organizuar janë tepër të mëdha dhe kjo gjë ka bërë që një numër gjithnjë e më i madh njerëzish të përfshihen në këtë biznes. Rrjetet ilegale që mundësojnë trafikimin e vajzave janë ngritur në të gjithë vendin. Ato verpojnë në bazë të kërkesë ofertës dhe kontrollojnë edhe shpërndarjen e prostitutave në vende të tjera, përfshirë Europën perëndimore dhe vetë Maqedoninë.


Policia austriake përllogarit se rreth 3,000 prostituta nga vendet e Europës Lindore ushtrojnë aktivitetin e tyre në Vjenë. Në prill 1998 një aksion i policisë në kryeqytetin austriak ka liruar 20 vajza hungareze dhe sllovake të cilat ishin detyruar të prostituonin. Ky biznes kontrollohej nga banda kriminale jugosllave dhe turke. Në shkurt të po atij viti policia gjermane në landin e North Rhine-Westphalia ka kryer një aksion në 20 bordelle, klube nate dhe apartamente duke liruar 24 vajza. Ato ishin shitur për një shumë mesatare 1,700 dollarë secila.


Shumë prostituta të sjella në Maqedoni vijnë nga vendet e Europës lindore, veçanërisht Bullgaria, Ukraina, Rumania, Moldavia dhe Rusia. Por Serbia po bëhet gjithashtu një burim në rritje i këtyre prostitutave. Këto vajza shpesh mashtrohen duke kujtuar se po shkojnë në perëndim për të punuar si kërcimtare, kamariere, apo edhe artiste striptize. Por edhe ato që e kuptojnë që do të punojnë si prostituta nuk arrijnë të kuptojnë kushtet skllavëruese që i duhet të durojnë.


Rreth 1,000 vajza të trafikuara mendohet të kenë hyrë në Maqedoni vitin e kaluar.


Për të shmangur zbulimin nga ana e autoriteteve vajzat shpesh hyjnë në vend si turiste në grupe të vogla me nga pesë ose më pak njerëz. Të ardhurat shoqërohen nga 'agjentët' e tyre, të cilët pranojnë 'kërkesa' nga bordellet ilegale. Këta 'agjentë' ua dorëzojnë vajzat 'pronarëve' të rinj për një çmim prej rreth 3,000 markash gjermane për person.


Më vonë, ose me dëshirë ose me dhunë, këto vajza detyrohen të prostituojnë. Hapi i parë në këtë proces është që pronari i barit apo i klubit të natës të konfiskojë pasaportat me pretekstin se do të plotësojë dokumentacionin e kërkuar prej stacioneve të policisë. Vajzat më pas gjenden të burgosura në vend pa dokumenta zyrtare. Për më tepër, disa zyrtarë të policisë duket se bashkëpunojnë me pronarët e këtyre rrjeteve dhe marrin rryshfete në shkëmbim për mosluftimin e këtij aktiviteti të paligjshëm.


Duke lënë mënjanë korrupsionin, policia po përpiqet të merret me këtë problem duke i fokusuar hetimet në organizatorët dhe ndërmjetësit e rrjeteve të prostitucionit. Vitin e kaluar ministria e brendshme maqedonase ka akuzuar 50 persona në 19 raste të lidhura me prostitucionin. Njëmbëdhjetë prostituta janë arrestuar gjatë aksioneve të policisë nëpër bordelle. Krahasuar me vitin e kaluar, kjo përbën një përmirësim. Në vitin 1998 policia ka arrestuar vetëm 21 persona me akuzën për përfshirje në prostitucion.


Megjithatë këto shifra zyrtare tregojnë edhe rritjen e madhe të prostitucionit në Maqedoni gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Metodat dhe veprimet e policisë duket se janë të pafuqishme për të luftuar këtë problem në rritje. Mungesa e profesionalizmit nga ana e disa oficerëve dhe përfshirja e vetë policisë në biznesin e prostitucionit janë dy nga shkaqet kryesore për këtë dështim.


Problemi rëndohet edhe më shumë po të kihet parasysh rritja e kërkesës për prostituta, kryesisht për shkak të pranisë në Maqedoni të trupave të NATO-s dhe organizmave të tjera joqeveritare gjatë dhe pas krizës në Kosovë. Por duhet të theksohet se vetëm kjo nuk mund të shërbejë si shkak për shtimin e trafikut. Prostitucioni ka lulëzuar në Maqedoni edhe përpara mbërritjes së këtij komuniteti të madh ndërkombëtar.


Fillimet e prostitucionit dhe trafikut të vajzave shkojnë në fund të viteve 1980-të kur filluan të shfaqen grupet e 'kërcimtareve ekzotike' nga Bullgaria, Ukraina dhe Rusia në ato pak diskoteka, klube nate dhe bare në zonën e Shkupit.


Por tregtia ka lulëzuar që prej asaj kohe dhe është shtrirë në të gjithë vendin. Dy vjetë më parë një sulm i policisë ndaj një klubi nate në fshatin Veleshtë pranë Strugës në Maqedoninë jugperëndimore ka zbuluar pesë prostituta me shtetësi të huaj. Policia llogarit se pronarët e këtij klubi nate kishin fituar rreth 300,000 marka gjermane nga prostitucioni.


Shumë bordelle jane të vendosura në hotele, bare dhe klube nate në zonat jashtë qyteteve për të shmangur kështu praninë në rritje të forcave policore në qytete. Policia kohët e fundit ka sulmuar një bordell në fshatin Dabila pranë Strumicas në juglindje të Maqedonisë duke arrestuar shumë persona.


Megjithëse nuk ekzistojnë shifra zyrtare për numrin e këtyre bordelleve, shifra mendohet të jetë e lartë, veçanërisht nëse kihet parasysh se Maqedonia është një vend relativisht i vogël. Regjistrimi i fundit i popullsisë në vitin 1996 ka rezultuar në një popullsi prej rreth 1.9 milion banorë.


Në Tetovë, një qytet i banuar kryesisht nga shqiptarë në Maqedoninë veriperëndimore, mendohet se ekzistojnë rreth 30 vende ku ushtrohet prostitucion. Gjendja është e ngjashme edhe në zonat me popullsi kryesisht maqedonase. Qyteti turistik i Ohrit duket se ka një rrjet të gjerë prostitucioni, i cili ushqehet edhe nga industria e turizmit.


Në Shkup, kryeqyteti i vendosur në veri të vendit, rrjeti i prostitucionit duket se është më i sofistikuar. Mendohet se në trafik janë të përfshirë edhe shoferë taksie, të cilët marrin kërkesat me telefon dhe dërgojnë prostitutat tek klientët. Këtë vit policia ka zbuluar disa bordelle që vepronin në qytet. Në ndryshim nga zonat e tjera të vendit, pjesa më e madhe e prostitutave që janë arrestuar në Shkup vijnë nga Serbia.


Hetimet e policisë këtë vit kanë çuar në arrestimin dhe largimin nga vendi të vetëm 20 prostitutave të huaja, nga të cilat 15 ishin nga Bullgaria, katër nga Rumania dhe një nga Moldavia.


Kërkesa në rritje, fitimet e mëdha dhe përmirësimi i organizimit të rrjeteve të prostitucionit janë shenja se ky biznes do të vazhdojë të lulëzojë në Maqedoni. Vështirësitë e mëdha të policisë, përfshirë edhe korrupsionin e saj, janë një përfitim për protektorët dhe trafikantët.


Veton Latifi është gazetar i pavarur nga Maqedonia.


Macedonia, Serbia, Russia
Frontline Updates
Support local journalists