Prokurorët Përfundojnë pa Shumë Zhurmë Paraqitjen e Akuzave ndaj Millosheviq
Ndërsa prokurorët i kanë dhënë fund paraqitjes së akuzave, dyshime të reja kanë lindur në lidhje me të ardhmen e procesit gjyqësor.
Prokurorët Përfundojnë pa Shumë Zhurmë Paraqitjen e Akuzave ndaj Millosheviq
Ndërsa prokurorët i kanë dhënë fund paraqitjes së akuzave, dyshime të reja kanë lindur në lidhje me të ardhmen e procesit gjyqësor.
Dy javë më parë, kur prokurorët e Hagës kanë njoftuar se ata do të përfundonin paraqitjen e akuzave ndaj Sllobodan Millosheviq, pjesa më e madhe e vëzhguesve në gjykatë mendonin se seancat e fundit do të sillnin ndonjë zhvillim të papritur.
Në fund të fundit, ky është përfundimi i paraqitjes së akuzave ndaj të parit president të një vendi i cili akuzohet për genocid.
Por ata që prisnin ndonjë zhvillim të papritur kanë mbetur të zhgënjyer, dhe në ditët e mbylljes së paraqitjes së akuzave nuk ka ndodhur asgjë për tu shënuar.
Përkundrazi, Millosheviq dhe kryetari i trupit gjykues, Richard May, kanë qenë të sëmurë, duke shkaktuar një tjetër vonesë në një proces gjyqësor i cili është shtyrë mbi 60 herë për shkak të problemeve të të pandehurit me gripin dhe tensionin e lartë të gjakut.
Prokurorët, duke pasur frikë se një tjetër vonesë mund të dëmtojë rëndë përpjekjet e tyre për të dënuar të pandehurin, kanë vendosur që më 25 shkurt të përfundojnë paraqitjen e akuzave duke dorëzuar një dokument prej 14 faqesh, i cili nuk përmbante ndonjë informacion të ri, dhe duke vendosur të mos përdornin dy ditët e tjera që kanë pasur në dispozicion të paraqitjes së akuzave. Duke bërë këtë ata kanë vendosur të mos thërrasin pesë dëshmitarë të tjerë, prej të cilëve të paktën njëri do të kishte dëshmuar mbi rolin e ushtrisë jugosllave në masakrën e vitit 1995 në Srebrenica dhe për rrjedhim do të kishte përforcuar akuzat e ngritura ndaj tij për genocid.
Në vend të paraqitjes së dëshmitarëve, prokurorët kanë kërkuar të paraqesin si provë shtesë, një intervistë të dhënë nga Millosheviq për TV Palma në dhjetor të vitit 2000 gjatë së cilës ai ka deklaruar se “bllokada” serbe ndaj Republikës Srpska ishte thjesht “një manovër e zgjuar politike” me qëllim për të pakësuar sanksionet e vendosura ndaj Jugosllavisë. Prokurorët gjithashtu kanë kërkuar leje të paraqisnin intervista me drejtues të lartë jugosllavë të dhëna gazetarëve të BBC gjatë realizimit të dokumentarit “Vdekja e Jugosllavisë”.
Vetëm pak orë pasi prokurorët kishin paraqitur këto kërkesa, trupi gjykues i ka pranuar ato – në atë që ndoshta ka qenë vendimi më i shpejtë i trupit gjykues në këtë proces.
Në këtë mënyrë u mbyll edhe procesi 2 vjecar i paraqitjes së akuzave ku janë përfshirë rreth 300 dëshmitarë, disa prej të cilëve njerëz të brendëshëm të cilët kanë dëshmuar kundër ish drejtuesit të tyre, dhe të mbijetuar nga krimet për të cilat Millosheviq akuzohet se ka organizuar.
“Ky ka qenë një vendim i vështirë,” ka thënë zëdhënësja e prokurorisë Florence Hartmann, duke shtuar se disa prej dëshmitarëve kanë qenë të rëndësishëm për akuzën.
Prokurorët e kanë marrë këtë vendim për shkak se trupi gjykues kishte vendosur që menjëherë pasi prokurorët të përfundonin paraqitjen e akuzave, procesi do të ndërpritej dhe Millosheviq do të kishte tre muaj kohë për të përgatitur mbrojtjen e tij. Megjithatë, periudha kohore prej tre muajsh nuk mund të niste përpara se prokurorët të përfundonin paraqitjen e akuzave, dhe prokurorët kanë qenë të shqetësuar se vonesa të mëtejshme do të dëmtonin besueshmërinë e gjykatës dhe do të shtonin mundësinë që Millosheviq mund të vdesë përpara përfundimit të procesit gjyqësor.
Duke përfunduar paraqitjen e akuzave përpara prokurorët kanë shpejtuar fillimin e periudhës tre mujore në dispozicion të Millosheviqit. Gjykata ka vendosur që Millosheviq duhet të nisë mbrojtjen e tij më 8 qershor.
Por ndërsa prokurorët arritën të shmangin vonesat për shkak të sëmundjes së Millosheviqit, shëndeti i rënduar i gjykatësit May mund të shkaktojë vonesa të tjera.
Gjykata nuk ka thënë se ng se vuan gjykatësi 65 vjecar, por sëmundja e tij është konsideruar aq e rëndë sa të justifikojë dorëheqjen e tij, duke filluar nga 31 maj.
Kryetari i gjykatës Theodor Meron ka shprehur keqardhjen e tij që May duhet të largohet nga gjykata, por ka thënë se ai nuk mendon që ky largim do të ndikojë mbi procesin gjyqësor ndaj Millosheviq.
Në rregulloren e gjykatës është përcaktuar fillimisht se nëse një gjykatës sëmuret, një tjetër mund ta zëvendësojë dhe pasi ai apo ajo të jetë njohur me provat dhe materialet e tjera, procesi mund të vazhdojë, me kusht që i pandehuri të pranojë. Nëse i pandehuri nuk pranon, gjyqi do të duhet të shtyhet deri sa gjykatësi i sëmurë të kthehet,apo edhe mund të konsiderohet i pavlefshëm.
Megjithatë, pak pasi Meron është zgjedhur kryetar në muajin mars të vitit te kaluar, gjykata ka ndryshuar rregulloren duke thënë që i pandehuri mund të apelojë në këto rrethana ndaj ndryshimit të gjykatësit, por procesi mund të vazhdojë i pandërprere ndërsa dhoma e apelit shqyrton kërkesën.
Ky ndryshim është bërë pikërisht për raste të tilla. Korrikun e kaluar, në një intervistë me IWPR, Meron ka thënë se gjykata nuk mund të jetë “krejtësisht e varur nga pranimi i të pandehurit për ndryshimin ose jo të një gjykatësi pjesëmarrës në trupin gjykues”.
Por disa ekspertë ligjor shqetësohen se kjo mund të mos mjaftojë për të shmangur vonesat e tjera.
Në rradhë të parë shtrohet pyetja se sa kohë do ti duhet një gjykatësi të njihet me këtë cështje. Trupi gjykues ka pranuar si prova mbi 30,000 faqe të shkruajtura me deklarimet e dëshmitarëve, pothuajse 600,000 faqe prova shkresore, dhe disa qindra videokaseta dhe biseda telefonike të regjistruara.
Njohja me një sasi kaq të madhe informacioni mund të kërkojë shumë më tepër se tre muaj, sipas ekspertëve të shumtë ligjor të pyetur nga IWPR.
Pastaj duhet parë edhe veprimet e Millosheviq për të komplikuar më tepër cështjen. Meqënëse ai ka shumë mundësi që të dënohet me burgim të përjetëshëm, ish presidenti i Jugosllavisë duket se po përpiqet të zgjasë sa më tepër procesin gjyqësor – dhe kjo do të thotë që ai ka shumë mundësi që të kundërshtojë emërimin e një gjykatësi të ri.
Asnjë nga këshilltarët e caktuar nga gjykata të quajtur “miq të gjykatës” për të ndihmuar të pandehurin në mungesë të një avokati mbrojtës, nuk ka pranuar të japë komente këtë javë, por avokatët e Komitetit Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Sllobodan Millosheviq, ICDSM, kanë thënë se ata mendojnë që dorëheqja e May përbën një arësye të fortë për të kërkuar përsëritjen e procesit gjyqësor.
“Megjithëse duket se ICTY [gjykata e Hagës] do të përpiqet të vazhdojë procesin pavarësisht dorëheqjes së Richard May, është e rëndësishme të theksohet se në procedurat zakonëshme ligjore, kjo situatë do të përbënte arësye të fortë për përsëritjen e gjyqit,” ka thënë Maitre Dickson, një avokat i ICDSM, në një intervistë me gazetën e përditëshme gjermane Junge Ëelt.
Stacy Sullivan është drejtuese e projektit të IWPR në Hagë.