Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

PROKURORËT MENDOJNË TË HEDHIN POSHTË MBROJTJEN E LEGIJAS

Legija mund të mos ketë shumë rrugë dalje nëse ai nuk do të mundet të provojë deklarimet sensacionale rreth përfshirjes së zyrtarëve të lartë në kontrabandën e drogës.
By IWPR staff

Sipas burimeve të IWPR pranë zyrës së prokurorisë së Serbisë, dëshmia fillestare e Milorad “Legija” Ulemek në gjyqin për vrasjen e Zoran Gjingjiq, në të cilën ka implikuar disa anëtarë të lartë të Partisë Demokratike të ish kryeministrit, DS, në trafik droge, mund të dalë e rreme, duke forcuar në këtë mënyrë akuzën ndaj tij.


Policia dhe sistemi i drejtësisë në Serbi po hetojnë një rast të trafikut të drogës pasi ish shefi i një njësie speciale të policisë, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e kryeministrit serb në vitin 2003, ka thënë në paraqitjen e tij të parë në gjykatë se ai kishte transportuar mbi 600 kilogramë heroin në Rumani, Kroaci dhe Bosnje me urdhër të katër aleatëve të ngushtë të Gjingjiq: Cedomir Jovanoviq, ish zëvendës kryeministër, Vladimir “Beba” Popoviq, ish shefi i Zyrës Qeveritare të Komunikimit, Drgoljub Markoviq, një tregtar i afërt me DS, dhe Dushan Spasojeviq, drejtuesi i bandës së Zemun, i vrarë vitin e kaluar gjatë një përplasjeje me armë me policinë.


Një burim i IWPR nga ministria e brendëshme e Serbisë, MUP, ka thënë se droga ka qenë heroinë e bllokuar nga policia serbe në tre raste në fundin e vitit 1996 dhe 1997 në kufirin me Bullgarinë.


Heroina është gjetur më 8 mars, 2001, në kasafortën e një banke në Beograd, ku ishte fshehur mesa duket nga shërbimet sekrete dhe departamenti i policisë kriminale në prag të bombardimeve të vitit 1999 të NATO-s mbi Jugosllavinë, kur Sllobodan Millosheviq ishte ende në pushtet.


Sipas versionit zyrtar të ngjarjes, droga nga kasaforta e bankës është djegur një ditë më pas në furrat e një termocentrali pranë Beogradit.


Dy burime të IWPR nga Zyra e Prokurorisë Speciale kanë thënë se policia ka paraqitur dokumenta të cilat kundërshtojnë deklarimet e Legijas. “Këto dokumenta natyrisht që nuk do të jenë në favor të deklarimeve të Legijas,” ka thënë njëri prej tyre, megjithëse ku burim nuk ka pranuar që IWPR të shohë këto dokumenta.


Një tjetër burim gjyqësor ka thënë se Legija ka bërë një gabim kur ka bërë këtë deklaratë, duke i dhënë kështu mundësinë Prokurorit Special ta paraqesë personin e tij si një njeri i cili shpik dhe fabrikon prova të rreme – duke dëmtuar kështu rëndë edhe procesin e mbrojtjes së tij në gjyq.


“Nuk mjafton natyrisht që Legija të thotë vetëm se shteti ka qenë i përfshirë në tregtinë e paligjëshme të drogës,” ka thënë ky burim gjyqësor. “Ai duhe të paraqesë prova për këtë dhe dikush tjetër duhet gjithashtu të konfirmojë këtë histori.


“Zyra e prokurorit ka prova se Legija nuk ka thënë të vërtetën. Prokurori ka një letër me firmën e ish ministrit të brendëshëm, Dushan Mihajloviq, ku urdhërohej që e gjithë droga të digjej”.


I njëjti burim ka thënë se prokurorët kanë përgatitur një listë të gjatë me pyetje të vështira për Legijan. “Ata po përgatiten ta pyesin me hollësi atë. Kur të tregojnë se Legija po gënjen, e gjithë strategjia e tij e mbrojtjes do të bjerë poshtë,” ka thënë burimi.


Ekspertët e sistemit gjyqësor parashikojnë se nëse kjo pjesë e mbrojtjes së Legijas bie poshtë, do të ndihmojë prokurorët të provojnë se ai nuk ka thënë të vërtetën gjatë gjithë dëshmisë së tij.


Dragan Karleusa, i cili ka drejtuar komisionin e policisë i ngarkuar për të shkatërruar drogën në vitin 2001, ka ngulur këmbë për revistën e përjavëshme Evropa se sasia e paketuar e drogës është djegur, ashtu sic edhe thuhet në raport.


Karleusa ka thënë se drejtuesit e policisë në atë kohë kanë dashur të tregonin para publikut vendas dhe atij të huaj se autoritetet e reja demokratike nuk kishin të bënin me tregtinë e drogës. Kjo, ka thënë ai, ka qenë arësyeja që droga e zbuluar prej tyre është shkatërruar menjëherë një ditë pas zbulimit.


Ish aleatët e Gjingjiq kanë kundërshtuar të gjithë me forcë përfshirjen e tyre në trafikun e drogës.


Duket se gabime, të qëllimshme apo jo, të kryera nga qeveritë e Millosheviq dhe ajo e Opozitës Demokratike Serbe, DOS, i kanë lejuar Legijas të ngrejë këto akuza.


Sipas ligjit, pas bllokimit të drogës në kufirin bullgar, ajo duhet ti ishte dorëzuar gjykatës për ruajtje deri në përfundimin e procedurave të nevojëshme ligjore.


Pas dhënies së vendimit, heroina duhet të ishte shkatërruar në sytë e disa dëshmitarëve: një komision i gjykatës dhe një ekspert kriminalist apo i drogave.


Zyrtarët e Millosheviq nuk kanë zbatuar asnjë prej këtyre procedurave ligjore dhe e kanë dorëzuar sasinë e drogës shërbimeve të sigurimit të shtetit për “ta ruajtur”. “Ky ka qenë një veprim i paligjshëm, dhe i dënueshëm me ligj,” ka thënë burimi i IWPR nga gjyqësori.


Milos Vasiq, komentator për të përjavëshmen Vreme të Beogradit, ka fajësuar autoritetet e DOS për pakujdesinë e treguar edhe prej tyre.


“Nëse heroina do të ishte shkatërruar duke zbatuar rregulloren në prezencën e komisionit të gjykatës dhe ekspertëve kriminal, dhe fajtorët për këtë cështje do të ishin ndjekur penalisht, Legija nuk do të mund të fliste rreth kësaj ngjarjeje në gjykatë,” ka thënë Vasiq.


Karleusa ka thënë se fakti që zyrtarët e gjykatës nuk kanë qenë prezent, sic e kërkon ligji, nuk do të thotë se droga nuk është shkatërruar.


Dorëzimi i Legijas në fillim të muajit maj dhe dëshmia e tij e parë më 14 qershor kanë nxitur një interes të madh në median e Beogradit.


Shumë vëzhgues kanë shprehur shpresën se ai do të hidhte dritë mbi rrethanat e vrasjes së Gjingjiq – vrasje e cila ka shkaktuar një përplasje të fuqishme ndërmjet DS dhe rivales së saj kryesore, Partia Demokratike e Serbisë, DSS, mbi fajtorin i cili ka planifikuar këtë vrasje.


Jovan Ciriq, nga Instituti i Krahasimit të Ligjshmërisë në Beograd, ka thënë se ishte e paqartë në këtë moment nëse Lukoviq ka prova për të mbështetur historinë e tij.


“Ai ka eksperiencë në këto punë. Askush nuk duhet të përjashtojë mundësinë që ai vërtetë të ketë prova për akuzat e tij, ndoshta edhe ndonjë dokument të shkruajtur,” ka thënë Ciriq. “Cështja shtrohet se sa e besueshme mund të jetë kjo provë dhe sa bindëse do të jetë për gjykatën”.


Ciriq ka thënë se historia e Legijas nuk është krejtësisht e pabesueshme: “Gjëra të tilla ndodhin dhe nuk janë edhe aq të rralla sa mund të mendojë dikush. Dihet mirë se CIA dhe organizata të fuqishme si ajo dhe shërbimet sekrete përfitojnë nga tregtia e paligjëshme e drogave për të siguruar fonde për veprimet e tyre të errta”.


Akuzat e Legijas janë publikuar shumë në publikun serb por askush nuk e di me siguri se përse ai i ka përdorur ato si pjesë e mbrojtjes së tij, sepse ato nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me akuzat ndaj tij për vrasjen e Gjingjiq – të cilat ai i ka hedhur poshtë.


Vasiq ka thënë se Legija ka zgjedhur një strategji të gabuar, pasi ai duket se ka menduar se do të përmorësonte pozicionin e tij në dëm të DS dhe njerëzve të afërt të Gjingjiq.


Profesori Dobrivoje Radovanoviq, i Institutit për Kërkime Sociologjike dhe të Krimit, ka thënë se i akuzuari po përpiqet të paraqesë Gjingjiq si dikush i përfshirë në tregtinë e paligjëshme të drogave, ndërsa veten e tij si një lojtar shumë më pak të rëndësishëm.


Publiku thellësisht i ndarë politikisht në Serbi tani është në pritje të hapit të ardhëshëm të Zyrës së Prokurorisë Speciale. “Ne do të hetojmë cdo gjë – duke filluar me transferimin e heroinës nga kasaforta deri në djegien e saj,” ka thënë për IWPR një burim i afërt me Zyrën e Prokurorisë Speciale.


IWPR është përpjekur në mënyrë të përsëritur të kontaktojë me avokatët mbrojtës të Legijas deri në momentin që ky artikull është botuar, por pa sukses.