Politikanët Kosovarë Luftojnë për Pushtet

Parti të reja politike po mbijnë si kërpudhat pas shiut në Kosovë në prag të zgjedhjeve lokale.

Politikanët Kosovarë Luftojnë për Pushtet

Parti të reja politike po mbijnë si kërpudhat pas shiut në Kosovë në prag të zgjedhjeve lokale.

Drejtuesit politikë në Kosovë po luftojnë për pozicionet e tyre në prag të zgjedhjeve lokale të planifikuara për t'u mbajtur këtë vit.


Dy anëtarë të rëndësishëm të Partisë për Prosperitet Demokratik të Hashim Thaçit, PPDK, Ramush Haradinaj dhe Naim Maloku, që të dy komandantë të UÇK-së, janë larguar për të krijuar partitë e tyre të reja.


Haradinaj ka krijuar Aleancën për të Ardhmen e Kosovës, AAK, një alternativë më radikale e PPDK-së.


Aleanca e tij përbëhet nga disa parti të vogla radikale përfshirë edhe Lëvizjen Popullore të Kosovës, LPK, Partinë e Bashkuar të Kombit Shqiptar, UNIKOMB, Partinë Parlamentare të Kosovës, PPK, dhe Lëvizjen për Çlirimin Kombëtar.


Partia e re e Malokut, Partia Liberale e Qendrës së Kosovës, PQLK, ofron një alternativë më të moderuar ndaj platformës së AAK-së. Maloku, një ish-anëtar i LDK-së së Ibrahim Rugovës, pritet të tërheqë përkrahjen e atyre anëtarëve të vjetër të partisë të pakënaqur me politikat e Rugovës.


Fadil Hysaj, bashkëthemelues i LDK-së, dhe Milazim Krasniqi, ish-zëdhënës i LDK-së, kanë kritikuar publikisht taktikat e Rugovës gjatë muajve të fundit dhe priten të kalojnë në kampin e Malokut. Një ndarje e tillë do të ishte prishja e parë domethënëse në rradhët e LDK-së që prej krijimit të saj dhjetë vjetë më parë.


Gjatë luftës Maloku ka qenë i lidhur ngushtë me përpjekjet për të bashkuar UÇK-në me luftëtarët besnikë ndaj një ish-drejtuesi tjetër të LDK-së dhe kryeministrit të Kosovës në mërgim, Bujar Bukoshi, i cili ka krijuar së fundi një fondacion me synim ngritjen e institucioneve sociale të provincës.


Gjatë kohës që ka qenë në mërgim Bukoshi ka qenë përgjegjës për grumbullimin e fondeve nga diaspora e shqiptarëve të Kosovës për të financuar strukturat politike paralele të provincës.


Me intensifikimin e luftimeve në Kosovë paratë e mbledhura nga diaspora janë drejtuar nga fondi i UÇK-së, Vendlindja Thërret. Ndërkohë UÇK-ja është ankuar se Bukoshi ka përdorur fondet e tij për të financuar një ushtri rivale.


Shuma e saktë e mbetur në fondin e Bukoshit - që mendohet të jetë nga 30 milion në 300 milion dollarë - dhe vendndodhja e tij kanë qenë burimi i debateve të ashpra ndërmjet drejtuesve politikë të Kosovës që prej përfundimit të luftës.


Lëvizja e Thaçit është dëmtuar nga largimet e shumta për shkak të nënshkrimit të marrëveshjes së Rambujesë në vitin 1999, marrëveshjes së tij me OKB-në për çarmatimin e UÇK-së dhe vendimin e tij për të prishur qeverinë e përkohshme.


Largimi i Haradinajt ka qenë goditja më e rëndë deri më tani, por në fakt largimi i tij mund të jetë një avantazh për Thaçin.


"Nëse Thaçi është i zgjuar ai duhet të drejtojë gjithë publicitetin e keq që rrethon UÇK-në tek Haradinaj, i cili konsiderohet nga të huajt si radikal," thotë një burim i mire-informuar në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.


Thaçi ka ndërmarrë tanimë hapa për të ndryshuar platformën e partisë së tij duke e larguar atë nga çështja e pavarësisë tek ndërtimi i institucioneve lokale. Kjo linjë pragmatike do të sigurojë natyrisht mbështetjen e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.


Në ndryshim, Rugova vazhdon të luajë me statusin e tij "mitik" dhe është bërë përkrahësi më i flaktë i pavarësisë së Kosovës. Megjithatë partia e tij duket se po përgatitet për zgjedhjet e ardhshme me politika të forta ekonomike.


Për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të gjitha partitë politike duhet të regjistrohen pranë UNMIK-ut. Pjesë e këtij procesi është edhe mbledhja e minimumit prej 4,000 firmash të përkrahësve. Disa parti më të vogla do të eleminohen ndoshta nga kjo kërkesë - për shembull, Social Demokratët dhe Kristian Demokratët - dhe do të kërkojnë të krijojnë koalicione.


Me përjashtim ndoshta të Rugovës, publiku i gjerë ka pak dijeni apo edhe kontakte me drejtuesit politikë të Kosovës. Shumë nga lojtarët janë të rinj në lojën politike. Ajo që mund t'i ofrojnë ata elektoratit do të varet kryesisht në ndihmën financiare që do të ofrojë Perëndimi për Kosovë.


Fron Nazi është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists