Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

POLICIA E SANXHAKUT DËSHTON TË NDALOJ HEROINËN

Policia vendore duket më e brengosur me drejtimin e komunikacionit se sa luftimin e problemit të drogës në qytet.
By IWPR Balkans

Çdo pasdite vere, 20 vjeçari Albin shkon në parkun në qendër të Novi Pazarit, kryeqytetit të rajonit të Sanxhakut në Serbi.


I ulur në gërmadhat e qendrës së papërfunduar të sportit, ky narkoman konsumon drogë para syve të stacionit kryesor policor dhe rezidencës së kryetarit të komunës.


Ai i injoron kalimtarët e befasuar.


“Nuk më intereson për këta njerëz, ata mund të më lajmërojnë në polici, por policët më lëshojnë të njëjtën ditë!” ai tha.


“Çka ndodh? Asgjë! Askush nuk brengoset për një narkoman?”


Statistika të qëndrueshme për narkomaninë në Novi Pazar është vështirë të sigurohen.


Sanxhakut, një rajon i varfër i Serbisë i anashkaluar nga autoritetet republikane ne Beograd, ka rreth 100,000 banorë. Institucionet lokale dhe grupet të cilat vëzhgojnë abuzimin e dropës pohojnë se në këtë qytet ka rreth 1000 deri 7000 narkomanë.


Zyrtarët e tanishëm dhe të mëparshëm të policisë i thanë BCR, e ata besojnë se shifra e vërtetë të jetë rreth 3000.


“Megjithatë, vet fakti se asnjë studim i rregullt nuk është përpiluar tregon për indiferencën e autoriteteve,” tha Seadetin Mujezinovic, organizatori i Së Bashku Kundër Drogës, grupit qytetar i cili së voni u mbështet nga komuna.


Një trend brengosës në muajt e fundit është krijimi i një kulture të drogave të “rrugës” ku përdoruesit hapur përdorin drogat në vende publike dhe blejnë narkotikë në kafene.


Blerësit paguajnë në mes të 5 dhe 20 euro për një mbështjellës celofani në përbërje të një përzierje të heroinës aziatike me paracetamol.


“Heroina e pastër arrin në Novi Pazar përmes kamionëve dhe autobusëve të cilët kanë vende posaçërisht të dizajnuara për të ndaluar zbulimin nga qenët në dogana apo mjetet e tjera zbuluese,” tha ish shefi i policisë në Novi Pazar Sead Bulic.


“Këto vende të ndara ndërtohen në qytetin turk të Bursës dhe mund të adaptohen për të gjithë kamionët dhe autobusët.


“Ato kushtojnë rreth 10,000 euro dhe mund të mbajnë deri 200 kilogram heroinë.”


Policët të cilët hetojnë tregtinë me narkotikë akuzojnë rrjetet mirë të organizuara të dilerëve lokal – me lidhje në Turqi, Kosovë, Sarajevë, Beograd dhe Evropë Perëndimorë – dhe zyrtarët e korruptuar të kohës së Millosheviqit të cilët mbyllën sytë ndaj kontrabandimit.


Në të kaluarën, shumica e heroinës e procesuar në Novi Pazar do të trafikohej në vendet e tjera të rajonit dhe më tutje, por tani droga ka filluar të shitet në qytet.


Resad Hazirovic, psikiatër në qendrën lokale të shëndetësisë, thotë se rreth 190 narkomanë ishin në trajtim të kësaj qendre. “Të gjithë janë duke përdorur heroin,” ai tha.


Fikret Niksic, udhëheqës i kabinetit të kryetarit të komunës Sulejman Ugljanin, thotë se autoritetet janë të përkushtuara të luftojnë përdorimin e drogës. “Komuna do të bëjë çdo tentim për të zgjidhur këtë problem,” ai tha.


Mirëpo, Mujezinovic mendon se autoritetet nuk po bëjnë mjaftë. “Mund të shihni në rrugë se çfarë janë problemet,” tha ai për BCR. “Përdoruesit e drogës dhe shitësit mendojnë se ata mund të vazhdojnë veprimin pa u maltretuar.”


Disa prindër i janë bashkangjitur fushatës kundër drogës së Mujezinovic, duke folur publikisht për varshmërinë e fëmijëve të tyre.


Njëri nga ata është Senad Sadovic, baba i dy ish narkotikëve. “Unë kam vendosur të flasë publikisht për problemin sepse mendoj se kjo mund të ndihmoj prindërit e tjerë të kuptojnë se fëmijët e tyre janë në ferr dhe se ata duhet të bëjnë diçka rreth kësaj, të ballafaqohen me të keqen.”


Edhe pse përdorimi i heroinës duket se është në rritje në rrugët e Novi Pazarit, shefi i policisë së qytetit, Muamer Nicovic, i tha BCR se ai nuk konsideronte narkotikët si problem i madh për policinë e qytetit.


“Ky nuk është problem i madh, njerëzit stërmadhojnë gjërat,” ai tha.


Nikolic fajëson gjyqësinë për perceptimin e popullatës së dilerët e drogës mbesin të padënuar.


“Kohëve të fundit patëm një rast ku një mësues i muzikës ishte kapur me sasi të madhe të heroinës, por gjykata morri një dënim të lehtë,” tha ai për BCR.


Gjykatësi i rajonit të Novi Pazarit Camil Hubic pranon se nuk ka pasur akuza penale kundër dilerëve kryesor të drogës, por ai fajëson policinë për mungesën e dënimeve. “Policët janë të përgjegjshëm për hetimin dhe arrestimin e dilerëve të drogës në rend të parë,” ai tha.


Zyrtarët e lartë të cilët dëshiruan të mbesin anonim thanë se ata janë të vetëdijshëm për identitetin e disa dilerëve kryesor në Novi Pazar dhe i ofruan BCR emrat e tyre, veturat që ata vozisin si dhe tabelat e regjistrimit.


“Arsyeja pse nuk ka më shumë arrestime është sepse policët e thjeshtë nuk besojnë se do të kenë mbështetjen e duhur nga shefat e tyre nëse ata arrestojnë dilerët kryesorë,” tha një ish zyrtar i lartë.


“Ka një problem serioz me narkotik në Novi Pazar,’ konfirmoj Dr. James Lyon, drejtori i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, ICG, i cili në raportin e fundit, Sanxhaku i Serbisë: Ende i Harruar, theksoj një rënie në gatishmërinë e autoriteteve për të luftuar kontrabandimin e drogave.


“Policia lokale i përgjigjet autoriteteve republikane në Beograd dhe derisa Beogradi të mos urdhëroj policinë e Novi Pazarit të marrë hapa të vendosur mos prisni se do të ndryshoj diçka,” tha ai për BCR.


“Situata në Novi Pazar është shumë transparente,” tha Mujezinovic.


“Të gjithë e dinë kush janë dilerët e drogës – policia, politikanët dhe qytetarët,” ai tha.


“Por çdo mbrëmje, sikur mund të shihni, njerëzit që punojnë me narkotik kryejnë biznesin e tyre pa pengesën e policisë të cilët duken më të brengosur për drejtimin e komunikacionit se sa zgjidhjen e problemeve më të mëdha në këtë qytet.”


Amela Bajrovic dhe Sladjana Novosel janë nxënëse me projektin vendor të IWPR Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese, BIRN. Hugh Griffiths është koordinator i hetimeve në BIRN.