Policia e Millosheviqit dhe Masakrat

Të dhëna të reja kanë dalë në dritë rreth përfshirjes së policisë Serbe në operacionin në Srebrenica.

Policia e Millosheviqit dhe Masakrat

Të dhëna të reja kanë dalë në dritë rreth përfshirjes së policisë Serbe në operacionin në Srebrenica.

Saturday, 30 April, 2005

Dokumenta të policisë Serbe të Bosnjes të siguruara nga IWPR në Hagë japin hollësi të reja mbi mënyrën se si policia e Sllobodan Millosheviq ka marrë pjesë në masakrën e kryer në “Zonën e Sigurtë” të Kombeve të Bashkuara në Srebrenica në Korrik të vitit 1995.


Përfshirja e Beogradit në këtë masakër është paraqitur dy javë më parë kur IWPR fillimisht siguroi nga gjykata një kopje të urdhërit të ministrit të brendëshëm të Serbëve të Bosnjes Tomislav Kovac me anë të së cilit urdhëroheshin njësi të policisë të cilat përfshinin edhe anëtarë të ministrisë së brendëshme të Serbisë, MUP, të transferoheshin nga Sarajevo për në Srebrenica më 10 Korrik, 1995.


Ai urdhër, prova e parë që lidh Millosheviqin – si komandant suprem i MUP të Serbisë – me krimin më të rëndë të luftës në Bosnje, i ka dhënë një goditje të rëndë boshtit kryesor të mbrojtjes së ish presidentit Serb – se as ai dhe as forcat nën urdhërat e tij nuk kanë qenë të përfshira në krimet e kryera në Bosnje.


Dokumentat e IWPR-së janë raporte të përditëshme nga terreni të shkruajtura nga Kolonel Ljubomir Borovcanin, komandanti i policisë Serbe të Bosnjes në operacionin në Srebrenica. Ato japin më tepër hollësi mbi njësitë e MUP të Serbisë të cilat kanë qenë përfshirë, dhe ofrojnë një pamje e cila na paraqet një përfshirje të vazhdueshme të policisë Serbe në të gjithë luftën në Bosnje.


Borovcanin është akuzuar nga gjykata e Hagës për rolin që ai dhe policia e drejtuar prej tij thuhet të kenë luajtur në vrasjen e më tepër se 7,000 burrave dhe djemve nga Srebrenica.


Megjithëse këto dokumente nuk janë prova të mirëfillta – shumë dokumente të tjera do të duhet të zbulohen dhe shumë dëshmitarë do të duhet të dëgjohen në lidhje me cështjen e përfshirjes së Beogradit në masakra – ato përbëjnë një goditje ndaj deklarimeve të Millosheviq i cili gjithnjë ka deklaruar të kundërtën.


Raportet e Borovcanin tregojnë se të paktën tre njësi të mëdha të policisë Serbe kanë luftuar nën urdhërat e tij rreth Sarajevos përpara se ai të transferohej në Srebrenica. Në atë kohë, ai ka qenë zëvendës komandant i Brigadës së Policisë Speciale të Serbëve të Bosnjes.


Ai dhe trupat e tij luftonin për të ruajtur kontrollin mbi Trnovo, një qytet strategjik pak jashtë kryeqytetit të Bosnjes gjatë pjesës më të madhe të Qershorit dhe fillimit të muajit Korrik. Përvec njësive të policisë së Serbëve të Bosnjes, ai flet edhe për tre njësi të MUP të Serbisë të quajtur “Kajman”, “Plavi” dhe Skorpija”. Nuk është e qartë se sa njerëz kanë pasur këto njësi – por ato kanë qenë të paktën në nivelin e kompanive, sepse kanë qenë aq të mëdha sa të ndaheshin në skuadra.


Në një raport për ministrinë e brendëshme të Serbëve të Bosnjes të datës 30 Qershor, 1995, Borovcanin ka shkruajtur se trupat nën komandën e tij përfshirë edhe njësinë Kajman, kanë sulmuar pozicionet e ushtrisë së Bosnjes në rrugën ndërmjet Sarajevos dhe Trnovo. Në raportin e tij, ai është ankuar se mos pasja e informacioneve të mira kishte dëmtuar operacionin dhe se dy nga njerëzit e tij ishin plagosur si rezultat.


Një ditë më pas, më 1 Korrik 1995, ai ka dërguar një tjetër raport ku thuhet se ai ka përsëritur sulmet dhe se këtë herë kanë marrë pjesë edhe dy skuadra nga secila prej tre njësive të MUP të Serbisë të cilat ishin nën urdhërat e tij. Këtë herë, ka thënë ai, operacioni ka qenë më i suksesëshëm dhe trupat e tij kishin marrë pozicionet e ushtrisë Boshnjake duke arritur të kapnin edhe një sasi armësh dhe “shumë dokumenta të rëndësishme”.


Nëntë ditë më pas, Borovcanin ka marrë urdhërin nga ministry i brendëshëm i Serbëve të Bosnjes për të krijuar një forcë speciale të policisë dhe për tu transferuar në Srebrenica. Urdhëri nuk thoshte se sa njerëz nga MUP e Serbisë duhet të përfshiheshin, por tregonte se ata përbënin një pjesë të një kompanie. Deri më tani nuk ka qenë e qartë se kujt formacioneve u përkisnin këto trupa, por dokumentat e siguruara nga IWPR tregojnë se ato janë marrë nga dy prej njësive të vendosura në Trnovo – Kajman dhe Plavi.


Kjo bazohet në një raport të përgatitur më 24 Korrik, 1995 nga komandanti i policisë Savo Cvijetinoviq, i cili ka marrë në dorë drejtimin e operacionit në Trnovo pas largimit të Borovcanin. Raporti i tij për lëvizjen e trupave tregon se vetëm një njësi e MUP të Serbisë, Skorpija, mbetej nën urdhërat e tij.


Dokumente të tjera në dosje tregojnë se pjesëmarrja e policisë Serbe në operacionet në të gjithë Bosnjen nuk ka qenë e rastësishme por dicka e zakonëshme, dhe se ata dhe policia e Serbëve të Bosnjes kanë bashkëpunuar ngushtësisht dhe kanë marrë urdhëra nga njëra tjetra.


Ndër dokumentat më të rëndësishme është një teleks i datës 13 Prill, 1994, i nënshkruar nga shefi i policisë kufitare të Serbëve të Bosnjes në Bikeljina, Predrag Jesuriq, i cili transmetonte një kërkesë të policisë Serbe që ministria e mbrojtjes e Sebëve të Bosnjes tu jepte atyre njoftim 24 orë më parë se të sillte armë, municione, eksploziv dhe pajisje të tjera ushtarake nga Serbia.


Një tjetër dokument i rëndësishëm është një letër e datës 26 Gusht, 1995, e policisë së Serbëve të Bosnjes në Bijeljina për MUP e Serbisë dhe Malit të Zi ku u kërkohej atyre kthimi i disa kamionëve dhe autobusëve të cilat ishin vjedhur në Srebrenica dhe mendohej se ishin regjistruar në Serbi me dokumenta false.


Emir Suljagiq është një gazetar i IWPR në Hagë.


Frontline Updates
Support local journalists