Skip to main content

PLAGËT DUAN KOHË TË SHËROHEN

Minoritetet në Kosovë janë në burg, të rrethuar në enklava të ruajtura dhe jetojnë në frikë, por mund të merren hapa për të prishur ciklin e hakmarrjes.

PLAGËT DUAN KOHË TË SHËROHEN

Minoritetet në Kosovë janë në burg, të rrethuar në enklava të ruajtura dhe jetojnë në frikë, por mund të merren hapa për të prishur ciklin e hakmarrjes.

Si rezultat i bombardimeve të NATO-s dhe ngjarjeve që pasuan ato Kosova është spastruar nga minoritetet e saj. Një fushatë hakmarrëse ka zëvendësuar tjetrën, dhe sfida me të cilën po përballet Kosova tani është shkatërrimi i këtij cikli.


Nga rreth 200,000 serbë përpara luftës, tani kanë mbetur vetëm 90,000, sipas burimeve zyrtare. Më shumë se gjysma e tyre jetojnë në Mitrovicën veriore dhe zonat përreth, çka do të thotë se vetëm rreth 40,000 serbë të tjerë janë të shpërndarë në pjesën tjetër të provincës. Shumica e shqiptarëve mendojnë se edhe serbët e tjerë duhet të largohen - pra, që Kosova të bëhet edhe më e pastër.


Në Prishtinë, kryeqyteti i provincës, ndodhen më pak se 400 serbë, që jetojnë në tre blloqe apartamentesh të ruajtura nga trupa ushtarake. KFOR-i është përpjekur ti ndihmojë ata, sepse ata nuk munden as edhe të dalin për të blerë bukë, ilaçe apo edhe të shkojnë në spital. Ata e dinë se mund të goditen.


Një fëmijë i vogël dy apo tre vjeçar mund të drejtojë gishtin ndaj jush, dhe t'i mund të vritesh pa asnjë shpjegim.


Situata është veçanërisht e keqe për pleqtë të cilët nuk flasin as edhe anglisht; megjithëse nëse flasin shqip, ata e dinë se aksenti i tyre do t'i tradhëtojë. Edhe fshatrat janë në të njëjtën gjendje: enklava të ruajtura.


Pra serbët në Kosovë jetojnë praktikisht në një burg. Pa asnjë mundësi për të punuar, udhëtuar apo imagjinuar një të ardhme, ata jetojnë në frikë, dhe radikalizohen gjithnjë e më shumë. Edhe të rinjtë me mendje të hapur dhe shpirtra të pastër janë të dëshpëruar.


Situata është pjekur për tu shfryttëzuar për qëllime politike radikale - dhe jo vetëm nga ana serbe. Edhe ekstremistët shqiptarë përfitojnë, duke shfrytëzuar ekzistencën e radikalëve serb për të justifikuar pozicionet dhe aktivitetin e tyre.


Kjo është arësyeja që unë jam kundër enklavave, dhe veçanërisht politikës në Mitrovicë. Pasi NATO-ja e ndau qytetin, radikalët shqiptarë dhe serb spastruan pjesët e tyre respektive të qytetit nga anëtarët e komunitetit "tjetër". Përballja me njëri tjetrin në tehun e thikës është një mënyrë e mirë për të siguruar pozicionet e tyre të pushtetit. Por nuk është kjo mënyra për të prishur rrethin vicioz të radikalizmit dhe hakmarrjes.


Vetë lufta, dhe situata në të cilën gjendemi tani, nuk ishte e pashmangëshme. Unë besoj se mund të kishte pasur rrugë të tjera që të dy komunitetet të kishin biseduar dhe të arrinin një bashkëjetesë. Unë akoma besoj se kjo gjë mund të arrihet. Por kjo do të kërkonte që të dyja palët të pranonin elementët e tyre radikalë dhe të punonin së bashku për të gjetur zgjidhje.


Së pari, kjo do të thoshte të pranohej e keqja që u është bërë njëri tjetrit. Shqiptarët kanë vuajtur shumë të këqija gjatë dhjetë vjetëve të kaluara. Gjëra të tmerrshme kanë ndodhur gjatë fushatës së bombardimeve, më të tmerrshmet që mund të mendohen. Disa nga ne u përpoqën të ndihmonin shqiptarët gjatë atyre ditëve të vështira, duke i fshehur dhe mbrojtur.


Por serbët kanë vuajtur në dhjetë vjetët parardhëse, kur Kosova kishte autonominë dhe shqiptarët kontrollonin pushtetin këtu. Nuk ishte e njëjta gjë që u bënë serbët, por ne duhet të flasim për këtë. Dhe tani shqiptarët po marrin përsëri hak.


Polarizimi i të dyja palëve duhet të ndërpritet: shqiptarët si viktima dhe kështu të gjithë të pafajshëm, dhe serbët si nxitës dhe kështu të gjithë fajtorë.


Serbët duhet të pranojnë përgjegjësitë e tyre dhe të identifikojnë personat fajtorë për krime. Por edhe Shqiptarët duhet të bëjnë të njëjtën gjë: të pranojnë se edhe ata kanë përgjegjsi për atë që ndodhi, se disa anëtarë të komunitetit të tyre kanë kryer krime, dhe se jo të gjithë Serbët janë fajtorë. Ata duhet të kenë dëshirën të pranojnë ekzistencën e minoriteteve.


Kjo ka pak mundësi të ndodhë nëse komuniteti ndërkombëtar nuk shtyp seriozisht radikalët Shqiptarë, dhe ndalojë dhunën dhe kërcënimet. Kjo nuk është thjesht çështje policore, por duhet të bëhet edhe në nivel politik: pjesa më e madhe e sulmeve dhe akuzave nuk janë të rastësishme apo të izoluara por pjesë e një procesi të organizuar.


Nga ana e saj, OKB-ja mund të bëjë më tepër për të siguruar Serbët se ata trajtohen një lloj, fillimisht vetëm duke folur me ta. Duhet të sigurohet një përfaqësim adekuat i Serbëve dhe minoriteteve të tjera në të gjitha organet institucionale, një ndihmë e veçantë duhet të jepet për minoritetet në fshatra, dhe kur ta lejojnë kushtet duhet të ndërmerret një përpjekje serioze për të inkurajuar rikthimin e atyre që janë larguar.


Edhe OKB-ja mund të luajë një rol të rëndësishëm në detyrën delikate të të ndihmuarit të Serbëve të Kosovës të strukturojnë një marrëdhënnie legjitime dhe normale me Serbinë, ndoshta në bashkëpunim me organizmat jo qeveritare.


Sa për zgjidhjen politike dhe çështjen e sovranitetit, ajo nuk mund të detyrohet me forcë por duhet të bihet dakort ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve këtu, dhe ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Beograd, në një mënyrë të hapur dhe demokratike.


Kjo do të thotë se një zgjidhje për Kosovën kërkon një ndryshim demokratik në Beograd dhe është në interesin e shqiptarëve të Kosovës të kuptojnë dhe mbështesin këtë. Ne duhet të përqëndrohemi në pjesën më të madhe të problemeve për të cilat ne mund të biem dakort, të drejtat e njeriut, shoqëria e hapur dhe jeta normale, përpara se të ngecim tek ato çështje për të cilat nuk jemi dakort.


Shumica e Kosovës ka nevojë për më shumë kohë. Komuniteti ndërkombëtar do të duhet të qëndrojë këtu, me trupa, për një kohë të gjatë. Ne na duhet kohë të pastrojmë shpirtrat e fëmijëve, dhe të krijojmë një ambjent ku njerëzit të mund të punojnë dhe të lëvizin lirisht. Më pas mund të fillojmë të diskutojmë për të jetuar së bashku.


Sonja Nikoliq është drejtore e Shtëpisë Civile në Prishtinë dhe drejtore ekzekutive e Radio Kontakt dhe e vetmja anëtare serbe në Këshillin Tranzitor të Kosovës, një organizëm konsultativ brenda strukturave të OKB-së në Kosovë.


Frontline Updates
Support local journalists