Përpjekje e re për të Zgjidhur Problemin e Pronave të Jugosllavisë

Mosmarrëveshja e vjetër për ndarjen e pronave të ish Jugosllavisë duket se mund të zgjidhet së shpejti

Përpjekje e re për të Zgjidhur Problemin e Pronave të Jugosllavisë

Mosmarrëveshja e vjetër për ndarjen e pronave të ish Jugosllavisë duket se mund të zgjidhet së shpejti

Pas nëntë vjet bisedime me ndërprerje të shpeshta dhe pa asnjë frut mbi ndarjen e pronave dhe pasurive të Republikës Federale Socialiste Jugosllave të Titos, RFSJ, pesë shtetet pasardhëse kanë nisur atë që mund të jetë xhiroja e fundit e maratonës për të zgjidhur këtë mosmarrëveshje të gjatë.


Humbja e regjimit të Millosheviqit në zgjedhjet e fundit Jugosllave dhe ato Serbe ka larguar pengesën kryesore për një marrëveshje mbi ndarjen e pronave dhe pasurive të RFSJ-së e cila u shpërbë në vitin 1991-92.


Gjatë kohës që Millosheviqi ishte në pushtet, Beogradi ka ngulur këmbë që Republika Federale e Jugosllavisë (RFJ, e përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi) është e vetmja pasuese ligjore e RFSJ-së, dhe si e tillë, është edhe trashëgimtarja me të drejta të plota e pronave të lëna nga shteti i shkatërruar i cili dikur përbëhej nga gjashtë republika.


Por Vojisllav Koshtunica, presidenti i ri i RFJ-së, ka pranuar se katër republikat e tjera ish Jugosllave, Bosnje-Herzegovina, Kroacia, Maqedonia dhe Sllovenia, duhet të përfitojnë një pjesë të pronave.


Ndryshimet në Beograd kanë krijuar një ndjenjë optimizmi për mundësinë e një marrëveshjeje. Bozho Marendiq, kryenegociatori i Kroacisë, thotë: "Nëse krahasojmë qëndrimin Jugosllav në kohën e rregjimit të Millosheviqit me atë të regjimit të ri, menndoj dhe shpresoj se brenda një farë kohe ne do të arrijmë një zgjidhje."


Pas largimit nga pozita politike e Millosheviqit - një i akuzuar për krime lufte dhe i papranueshëm për komunitetin ndërkombëtar - pranimi i Beogradit për status të njëjtë për të gjitha ish republikat Jugosllave ka çuar në rifillimin e shpejtë të bisedimeve të cilat ishin ndërprerë pothuajse dy vjet më parë - përpara konfkliktit të NATO-s me RFJ-në për problemin e Kosovës.


Brenda gjashtë javësh nga ardhja në pushtet e Presidentit Koshtunica në fillim të muajit Tetor, guvernatorët e bankave qendrore të pesë shteteve janë takuar në Sarajevo për të diskutuar se si do të ndahen llogaritë e ish-Jugosllavisë në bankat e huaja. Bisedimet e plota me pjesëmarrjen e krye negociatorëve nga të pesë vendet kanë rifilluar në Bruksel më 18-19 Dhjetor nën drejtimin e Sër Artur Uats, një ekspert Britanik i ligjit ndërkombëtar.


Takimi i Brukselit - i organizuar për ti dhënë një shtytje të re procesit - nuk ka pasur në qendër të tij çështjet kryesore por përcaktimin apo deklarimin edhe një herë të pozicionit të secilit shtet. Detajet e hollësishme do të diskutohen në takimin e ardhëshëm, i cili mendohet të mbahet në pjesën e dytë të muajit Shkurt në Ljubljanë.


Megjithëse zgjedhja e Koshtunicës përbën një sinjal për një ndryshim të madh të qëndrimit të Beogradit, përsëri mbeten mosmarrëveshje serioze për shumë çështje të cilat duhet të tejkalohen në muajt e ardhëshëm.


Një problem i rëndësishëm që deri tani ka përbërë pengesë serioze për ndarjen e pasurisë së RFSJ-së është se shtetet e krijuara pas shpërbërjes kanë mendime të ndryshme për atë që quhet pronë shtetërore. Beogradi gjatë këtyre viteve ka argumentuar se të gjitha ndërmarrjet që kanë vepruar në sistemin e vetë administrimit të Titos duhet të konsiderohen si pjesë e pronës shtetërore. Sipas kësaj llogaritjeje pronat e RFSJ-së duhet të jenë rreth 220 miliard dollarë Amerikanë.


Katër vendet e tjera mendojnë se vetëm pronat shtetërore federale - ndërtesat qeveritare, instalimet ushtarake dhe kështu me rradhë - duhet të përfshihen në përllogaritjen e pasurive. Kjo do të thotë që vlera e përgjithëshme e pronave të ulet në 90-100 miliard dollarë.


Pas shpërbërjes së RFSJ-së, secila republikë morri në kontroll pronat të cilat ishin në territorin e saj. RFJ morri një pjesë të konsiderueshme të këtyre pronave sepse administrata e mëparëshme federale ishte vendosur në Beograd dhe sepse RFJ ruajti kontrollin mbi pjesën më të madhe të forcave të armatosura.


Për më tepër Beogradi mundi të ruajë kontrollin mbi pronat e RSFJ-së të vendosura jashtë vendit. Pothuajse të gjitha ambasadat dhe ndërtesat e tjera në mbi 100 vende - me një vlerë prej rreth 500 milion dollarë Amerikan - mbetën në duart e tij.


Në pronat jashtë vendit përfshihen edhe llogaritë bankare të ngrira të RFSJ-së nga Banka Ndërkombëtare, BIS, në Bazel. Sasia prej 46 ton ar dhe një rezervë në valutë të huaj të cilat ndodhen në Bazel vlejnë momentalisht rreth 477 milion dollarë - shumë më pak sesa 10 vjet më parë për shkak të rënies së çmimeve të arit me rreth 50 përqind.


Pronat e tjera jashtë vendit nuk mund të vlerësohen me të njëjtën saktësi. RFSJ ka pasur llogari në monedhë të fortë në bankat e huaja tregëtare me vlerë rreth 5 miliard dollarë në vitin 1990. Dhjetë vjet më pas, llogaritjet e shërbimeve sekrete thonë se ndoshta vetëm rreth 1 miliard dollarë kanë mbetur ende në këto llogari. Por meqënëse autoritetet e Beogradit - të cilat kanë pasur nën kontroll dhe kanë harxhur me siguri pjesën më të madhe të tyre - nuk kanë pranuar të bëjnë publike asnjë hollësi, këto shifra janë ende të pakonfirmuara.


E njëjta gjë mund të thuhet edhe për borxhin e jashtëm, i cili fillimisht ka qenë rreth 5 miliard dollarë Amerikan, të cilat kanë qenë borxhe ndaj Beogradit kryesisht nga ish Bashkimi Sovjetik dhe Iraku. Vetëm pak njerëz të afërt të administratës së Millosheviqit mund ta dinë me saktësi sesa prej këtyre borxheve janë shlyer RFJ-së nga Rusia dhe Iraku nëpërmjet furnizimeve me gaz dhe naftë.


Por çështja e ndarjes së pasurive vështirësohet shumë nga kompleksiteti i pronave të brendëshme të RFJ-së - përfshirë edhe faktin se një pjesë e madhe e tyre janë shkatërruar gjatë luftërave.


Si rezultat, disa vëzhgues janë shprehur se do të ishte më mirë të përqëndrohej vëmendja në pronat jashtë vendit, apo të paktën në atë pjesë të tyre të cilat mund të vlerësohen dhe identifikohen me saktësi. Për sa i përket pronave në territoret e shteteve që janë krijuar pas shpërbërjes së RFSJ-së, do të ishte më e lehtë të mos llogariteshin humbjet, të harroheshin kërkesat e së kaluarës dhe të lejohen të pesë shtetet të kenë në pronësi ato prona që ndodhen në territoret e tyre.


Pasi e ka bërë të qartë se u takon pesë shteteve bashkëbiseduese të arrijnë një marrëveshje, Artur Uots pranon se ky qëndrim mund të ketë sukses. "Mund të jetë e mundur të ndahen pronat jashtë vendit në mënyrë të tillë që secili nga pesë shtetet të marrë një pjesë prej tyre - dhe kjo është një mundësi - edhe nëse zgjidhja për pronat brenda vendit të jetë harrimi i tyre, dhe kthimi i një flete të re në historinë e tyre."


Një problem tjetër që vështirëson, ndarjen e pronave është mënyra e përllogaritjes së tyre, e cila duhet të jetë e pranueshme nga të gjitha palët. Të pesë shtetet duhet të bien dakort për pjesën që u takon nga torta e madhe e pronave.


Formula e cila deri tani duket si më e pranueshme, është përcaktuar në vitin 1992 nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe ka pasur fuqi vetëm për kreditë e FMN-së. Sipas kësaj formule, RFJ merrte 36.52 përqind; Kroacia 28.49 përqind; Sllovenia 16.39 përqind; Bosnja 13.2 përqind; dhe Maqedonia 5.4 përqind.


Kjo formulë e FMN-së është bazuar në kontributin e secilës prej republikave në buxhetin federal. Kjo formulë nuk ka qenë e kënaqëshme për Bosnjen dhe Maqedoninë, dy republikat më të varfra, të cilat thonë se përveç kritereve financiare, në përllogaritjen e përqindjeve duhet të merren parasysh edhe faktorë të tjerë si për shembull numri i popullsisë.


Pavarësisht problemeve të shumta që mbeten për tu zgjidhur, zyrtarë të cilët kanë dijeni për bisedimet mendojnë se nëse të gjitha palët janë të përgatitura për të arritur një zgjidhje të shpejtë, kjo marrëveshje mund të arrihet brenda gjashtë muajve.


Ekzistojnë dy arësye të forta për të arritur një zgjidhje sa më të shpejtë të këtij problemi. Secili nga shtetet pasuese të RFSJ-së dëshiron të ketë në dispozicion sa më shpejt pjesën e tij të llogarive të ngrira në BIS dhe në banka të tjera të huaja.


Përveç kësaj, ndërsa Mali i Zi po përgatitet për një referendum në mesin e vitit 2001 i cili mund të përfundojë partneritetin e tij me Serbinë, mundësia e shpërbërjes edeh të RFJ-së do të shtonte edhe një faktor tjetër komplikues. Kjo gjë mund të shtynte edhe për shumë kohë arritjen e një zgjidhjeje tepër të dëshiruar.


çdo marrëveshje e arritur duhet të arrihet me anë të negociatave tepër të thjeshta. Praktikisht, shtetet pasuese do të mbajnë ato prona të cilat kanë qenë në territoret e tyre në fillim të viteve 1990; pronat që janë shkatërruar apo shpenzuar gjatë këtyre viteve nuk do të llogariten; dhe ndarja do të përfshinte edhe pronat jashtë vendit të cilat mund të identifikohen lehtësisht, vlera e të cilave nuk është ndoshta më e madhe se 2.5 miliard dollarë Amerikan.


Këto prona të shpërndara do të jenë një pjesë e vogël e trashëgimisë së vërtetë të RFSJ-së. Por përndryshe do të nevojiteshin vite bisedimesh të pakuptimta.


Gabriel Partosh është Analist për Europën Jug-Lindore i Shërbimit Botëror të BBC-së.


Support our journalists