Përgatitjet Për Dislokim

Shtohet frika dhe zërat ndërsa dy komunitetet në Maqedoni e shohin misionin e NATO-s në mënyrë të ndryshme.

Përgatitjet Për Dislokim

Shtohet frika dhe zërat ndërsa dy komunitetet në Maqedoni e shohin misionin e NATO-s në mënyrë të ndryshme.

"Kaq ishte. Ne e kemi humbur përfundimisht Maqedoninë perëndimore, dhe është thjesht çështje kohe përpara se ajo të bashkohet me vëllezërit e saj në Kosovë dhe Shqipëri," thotë një Maqedonas 45 vjeçar nga Shkupi me zë të trishtuar.


Kështu e shikojnë Maqedonasit e thjeshtë misionin e NATO-s Korrja Thelbësore. Vendimi përfundimtar për dislokimin e trupave të NATO-s pritet të merret së shpejti, dhe nuk ka dyshime se 3,500 trupat do të dërgohen për të mbledhur armët e luftëtarëve Shqiptarë.


Në ndryshim nga Maqedonasit, Shqiptarët etnik po festojnë.


Shqiptarët e thjeshtë mendojnë se vetëm NATO mund të vendosë paqen; drejtuesit e tyre politik I konsiderojnë trupat e NATO-s si garancinë e vetme për zbatimin marrëveshjes së paqes dhe për përmirësimin e të drejtave të njeriut.


Drejtuesit e Ushtrisë Clirimtare Kombëtare, UCK, presin që NATO të garantojë edhe amnistinë e premtuar nga Presidenti Maqedonas Boris Trajkovski.


Pavarësisht deklaratave të përsëritura të NATO-s ku theksohet se misioni nuk do të fillojë deri sa të arrihet një armëpushim i qëndrueshëm, është e qartë se NATO tashmë është futur aq thellë saqë nuk mund të heqë dorë nga dislokimi.


Megjithëse është me rrezik për NATO-n të përfshihet nëse armëpushimi i paqëndrueshëm prishet, në lojë është besueshmëria e saj, dhesiç thotë një burim i NATO-s, "Ne do të duhet të përfundojmë atë që kemi filluar".


Për momentin, armëpushimi duket ende i brishtë. Të Hënën natën, luftëtarët Shqiptarë kanë djegur manastirin Ortodoks në fshatin Lesak.


Shumë Maqedonas janë të bindur se trupat e NATO-s do të dislokohen përgjatë linjave të frontit në një pjesë të territorit në veri dhe perëndim të vendit, për të parandaluar policinë dhe ushtrinë Maqedonase që të rimarrin territoret e mbajtura nga UCK-ja.


Frika e Maqedonasve është shtuar edhe nga media vendase e cila po bëhet gjithnjë e më shumë nacionaliste, e cila i konsideron trupat e NATO-s si "një fillim i ndarjes" të republikës dhjetë vjeçare.


Teori të ndryshme për një komplot po qarkullojnë në media Maqedonase, por më e zakonëshmja është ajo që Shqiptarët kanë qenë partnerë të Amerikanëve, dhe si rrjedhim edhe të NATO-s gjatë luftës në Kosovë. Sipas kësaj teorie e gjithë "loja" me Maqedoninë tani nuk ka lidhje me luftën për të drejtat e njeriut, por është rezultat i interesave politike Amerikane në rajon, sipas të cilave Maqedonia duhet të ndahet.


Ky qëndrim është përforcuar edhe më tepër tre ditë më parë, kur Ali Ahmeti, drejtuesi i UCK-së, ka mbajtur një konferencë për shtyp në fshatin Shipkovicë të kontrolluar nga luftëtarët Shqiptarë, pranë Tetovës. Pas tij ishte vendosur një flamur i NATO-s, dhe gazetarët Maqedonas kanë bërë komente cinike dhe të ashpra rreth lidhjeve të ngushta ndërmjet UCK-së dhe NATO-s.


Konferenca për shtyp, e para e Ahmetit që prej fillimit të konfliktit, konsiderohet nga pjesa më e madhe e mediave Maqedonase si një përpjekje e tij për të konvertuar drejtimin e tij të kryengritjes në një rol të ardhëshëm politik.


Rreth 400 trupa Britanike janë tashmë në terren si një pararojë për dislokimin e plotë. Ende nuk është e qartë se kur do të hyjë në ved kontigjenti kryesor i forcave të NATO-s, por çështja kryesore në këtë moment është nëse forcat e NATO-s do të jenë në gjendje të mbledhin sasinë e duhur të armëve nga luftëtarët e UCK-së dhe të përfundojnë misionin e tyre brenda afatit të përcaktuar prej 30 ditësh.


Sipas planit të Presidentit Trajkovski, si procesi i çarmatimit ashtu edhe ai i ratifikimit nga parlamenti të një marrëveshjeje për reformat për dhënien pakicës Shqiptare të drejta më të mëdha duhet të përfundojnë brenda 45 ditësh nga nënshkrimi i marrëveshjes.


Por ndërsa marrëveshja është nënshkruar më 13 Gusht, duket se jo realiste të pritet që i gjithë procesi të përfundojë brenda këtij afati.


Ahmeti ka thënë se UCK do të respektojë marrëveshjen dhe do të dorëzojë armët. "Lufta ka mbaruar," ka thënë ai gjatë konferencës për shtyp, duke shtuar se UCK nuk dëshironte të shndërrohej në një forcë paralele ushtarake apo policore.


"Maqedonia e ka një ushtri dhe një forcë policore, dhe Shqiptarët do të jenë pjesë e tyre," ka thënë ai.


Por parlamentarët Maqedonas dëshirojnë të shohin më parë rezultatet e çarmatimit dhe pastaj të zbatojnë ndryshimet kushtetuese të cilat do t'u japin Shqiptarëve një pjesë të vendeve të punës në institucionet shtetërore në mënyrë proporcionale me përqindjen e popullsisë së tyre. Ata planifikojnë të zbatojnë ndryshimet në tre sesione të ndryshme të parlamentit: i pari, ku të pranohet zyrtarisht inisiativa; në të dytin të diskutohet ajo; dhe më në fund të votohet për miratimin e saj.


Sesioni i tyre i parë është caktuar për më 31 Gusht, por ai do të fillojë vetëm nëse parlamenti deri në atë moment ka marrë informacione për dorëzimin nga ana e luftëtarëve e të paktën një të tretës së armëve të tyre.


Problemi është se askush nuk mund të jetë i sigurtë se sa armë kanë në duar luftëtarët Shqiptarë. Ndërsa UCK-ja ka thënë se ajo është e gatëshme të dorëzoje rreth 2,000 armë, ushtria Maqedonase thotë se ata kanë në përdorim mbi 8,000 armë.


NATO ende nuk ka dhënë ndonjë shifër të sajën.


Si politikanët Maqedonas ashtu edhe ata Shqiptarë këto ditë u janë shmangur konferencave për shtyp dhe deklarimeve publike, sepse ata po presin për vendimin përfundimtar të NATO-s, i cili pritet të merret më 22 Gusht.


Të gjitha palët e shohin afatin ambicioz për çarmatimin dhe ratifikimin e marrëveshjes si jo realist. Burime të qeverisë lënë të kuptohet se një farë zgjatje mund të lejojet për mandatin e trupave të NATO-s për të mbledhur armët por insistojnë se termat e tjerë të misionit duhet të mbeten të pandryshuar.


Politikanët Maqedonas të linjës së ashpër nuk e kundërshtojnë misionin e NATO-s haptazi në publik, duke menduar se UCK-ja do të shkatërrojë të gjitha shanset për suksesin e NATO-s. Ata mendojnë, se kur një gjë e tillë të ndodhë, komuniteti ndërkombëtar nuk do të mund të fajësojë Maqedonasit. Ata presin që UCK-ja të vështirësojë misionin e NATO-s, duke i lënë Maqedonasve një pretekst të mirë për një zgjidhje ushtarake.


Nga ana tjetër, luftëtarët Shqiptarë, dëshirojnë që NATO të qëndrojë në Maqedoni për një kohë shumë më të gjatë dhe me një mandat më të gjerë paqeruajtës se sa ai që është parashikuar tani. Ata nuk besojnë që pala Maqedonase do të ratifikojë marrëveshjen, apo edhe nëse e bëjnë një gjë të tillë, nuk do ta zbatojnë atë.


Për më tepër, luftëtarët janë të shqetësuar për amnistinë që do t'u jepet luftëtarëve që çarmatosen. Trajkovski ka njoftuar për këtë amnisti, por ajo do të bëhet ligj vetëm pas ratifikimit nga ana e parlamentit Maqedonas. Komandantët e UCK-së kanë frikë se nëse NATO largohet nga vendi aq shpejt sa mendohet, askush nuk do të mund të garantojë sigurinë e ish luftëtarëve, të cilët duhet të reintegrohen në shoqëri.


Megjithatë, për disa prej tyre, nuk bëhet fjalë për një amnisti për gjykimin në të ardhmen por për dhënien fund të hetimeve të tanishme. Autoritetet Maqedonase kanë filluar procedurat ligjore ndaj 13 prej luftëtarëve më të njohur, përfshirë edhe drejtuesin e tyre Ali Ahmeti, dhe megjithëse ndalimi i këtyre hetimeve dhe procedurave nuk është i pamundur, kjo gjë do të kërkojë një raund të ri bisedimesh.


Zyrtarët e NATO-s kanë hedhur poshtë zërat e Maqedonasve sipas të cilave ata janë këtu për të krijuar një linjë demarkacioni e cila do të çonte në ndarjen e vendit. Në përpjekje për të siguruar Maqedonasit, Fransua Leotar, i dërguari i Bashkimit Europian për paqen në Maqedoni, ka thënë së fundi se "Gjendja këtu është shumë e ndryshme nga Bosnja apo Kosova". Të tjerë njerëz në rradhët e NATO-s theksojnë se qeveria Maqedonase nuk do të japë kurrë një mandat të tillë për NATO-n, sepse kjo do të përbënte një shkelje të drejtpërdrejtë të sovranitetit të saj.


Ana Petruseva është një gazetare e revistës Forum në Shkup.


Frontline Updates
Support local journalists