Perëndimi Duhet të Ndryshojë Politikën në Ballkan

Një dekadë pas shpërthimit të krizës në Jugosllavi, Perëndimi ende nuk ka arritur të formulojë një politikë efektivë në rajon.

Perëndimi Duhet të Ndryshojë Politikën në Ballkan

Një dekadë pas shpërthimit të krizës në Jugosllavi, Perëndimi ende nuk ka arritur të formulojë një politikë efektivë në rajon.

Thursday, 12 July, 2001

Pas pak më tepër se dhjetë vjet investimi të vazhdueshëm ekonomik, politik dhe ushtarak në Ballkanin e jugut, komuniteti ndërkombëtar ka arritur në rastin më të mirë të identifikojë zgjidhjen - stabiliteti rajonal. Por ai ende nuk ka gjetur ndonjë zgjidhje për problemet specifike me të cilat përballen vendet e ish Jugosllavisë.


Një nga problemet më të mëdha është se një koncept që dikur e mbante të bashkuar Jugosllavinë - Bashkim Vëllazërimi - tani po e kuptojmë se ka domethënie të ndryshme për njerëz të ndryshëm.


Kjo është veçanërisht evidente në Jugosllavi dhe Maqedoni. Serbia tani kërkon një formë të re të bashkim vëllazërimit. Mali i Zi kërkon vetëm vëllazërim. Kosova nuk është e interesuar as për vëllazërim dhe as për bashkim. Shqiptarët etnik në Maqedoni po luftojnë për bashkimin e Maqedonisë, ndërsa Sllavët Maqedonas kërkojnë unitetin por jo vëllazërimin.


Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar, nuk ka mundur të kuptojë këto kërkesa dhe aspirata të ndryshme dhe të kundërta. Kosova është shndërruar në një studim se si mund të krijohet dhe të mbahet në këmbë një shtet pa shtet. Së fundi është miratuar kuadri kushtetues i provincës për vetëadministrim. Sipas sistemit të ri administrativ, përfaqësusi special i sekretarit të përgjithëshëm të OKB-së, PSSP, ka autoritet të plotë në Kosovë, ndërsa Kosovarët do të marrin pjesë në një asamble të diskutueshme.


Kuadri kushtetues është si një biçikletë e cila është e detyruar të ecë vetëm në një rrugë të përcaktuar. Sa herë që asambleja do të ndryshojë rrugën e vendosur nga komuniteti ndërkombëtar, PSSP do të jetë aty për të rivendosur biçikletën në rrugën e paracaktuar.


Me formulën e vetë qeverisjes së përkohëshme që tani është vendosur, zgjedhjet janë përcaktuar për në fund të vjeshtës. Lidhja Demokratike e Kosovës e Ibrahim Rugovës pritet të fitojë bindshëm në këto zgjedhje. Vota do të jetë kryesisht në favor të mitit që rrethon figurën e Rugovës, dhe më pak një mbështetje për partinë që ai drejton.


Kuadri ligjor dhe një asamble e kontrolluar nga Rugova bëjnë që status kuoja të vazhdojë edhe për disa kohë në Kosovë.


Ndërkohë, Serbia ka drejtuesin e saj të ri mitik - presidentin Jugosllav Vojisllav Koshtunica. I konsideruar si "babai i ri i kombit" Koshtunica, - një njeri pa ndonjë njollë në të kaluarën e tij dhe me një dashuri për macet - konsiderohet si shpëtimtari i vendit. Ndokush mund të vërë pikpyetje mbi kompetencën e makinës politike të LDK-së së Rugovës, por të paktën ai e ka një farë kompetence. Koshtunica nuk ka asnjë lloj baze politike për të zbatuar vizionin e tij për një Jugosllavi të re.


Opozita Demokratike në Serbi, e cila katapultoi Koshtunicën në postin e presidentit, është po aq e sajuar sa edhe ëndërra e presidentit Jugosllav se 600,000 Malazezët do të vazhdojnë të ndajnë pushtetin me 10 milion Serbë.


Në Maqedoni, po bëhemi dëshmitarë të një ngjarjeje të pazakontë për Ballkanin. Natyrsiht, nuk bëhet fjalë për luftimet, por për arësyet për të cilat thuhet se Shqiptarët luftojnë. Ushtria Clirimtare Kombëtare thotë se ajo kërkon të njëjtin status ligjor me shumciën Sllave Maqedonase - praktikisht ata po luftojnë për nënshtetësinë Maqedonase.


Maqedonia është mishërimi i besimit të drejtuesve Perëndimor dhe udhëheqësve politik vendas se është e mundur në Ballkan të krijohen shtete demokratike bazuar në zgjedhjet. Në mënyrë që ky propozim të merret seriozisht - duhet të zgjidhen fillimisht problemet e rëndësishme të Shqiptarëve - si të drejtat politike dhe civile të komunitetit Shqiptar. Për fat të keq, komuniteti ndërkombëtar dhe autoritetet në Shkup nuk janë treguar krejtësisht të vendosura të zgjidhin këto probleme.


Përndryshe, meqenëse Maqedonia arriti të shmangë konfliktin, Perëndimi mendoi pa bërë një analizë të thellë se Maqedonia ishte një shtet demokratik funksional. Perëndimi nuk ndërmorri ndonjë hap për të shpejtuar procesin e qeverisje demokratike. Për këtë arësye, lindja e UCK-së në Maqedoni, nuk përbën ndonjë surprizë të madhe për shumë vëzhgues të Ballkanit.


Si komuniteti ndërkombëtar ashtu edhe autoritetet e Shkupit kanë deklaruar pa humbur kohë se ata nuk do të bisedojnë me luftëtarët. Por kur e kuptoi se Maqedonia nuk ishte në gjendje të shtypte UCK-në, Perëndimi ndryshoi taktikën dhe i kërkoi udhëheqjes politike të vendit të pranojë dialogun.


Por presioni i huaj vetëm sa e ka rënduar gjendjen. Kërcënimi i ndërprerjes së ndihmës së huaj nëse Shkupi nuk pranon të bisedojë me luftëtarët Shqiptarë dhe të ruajë armëpushimin ka bërë që të nisin protestat publike anti-Perëndimit dhe anti-Shqiptarëve. Ky është një zhvillim tepër shqetësues, sepse këto protesta mund të shkallëzohen lehtësisht në makthin më të tmerrshëm të qeverisë Maqedonase dhe të komunitetit ndërkombëtar, atë të një lufte civile në qendrat urbane të vendit.


Perëndimi dhe Shkupi e kanë kuptuar shumë vonë se do të kishte qenë shumë më e lehtë të bisedohej me një grup prej 1,000 apo më pak luftëtarësh të bashkuar nën një sigël politike sesa me një turmë huliganësh të dehur nga nacionalizmi dhe urrejtja për çdo gjë Shqiptare.


Fron Nazi është një specialist i çështjeve të Ballkanit.


Support our journalists