PARTITË E REJA PËRPIQEN TË TËRHEQIN VOTUESIT E ZHGËNJYER
Pavarësisht zhgënjimit të madh më partitë e vjetra, ato të rejat mund ta kenë të vështirë të tërheqin vota.
PARTITË E REJA PËRPIQEN TË TËRHEQIN VOTUESIT E ZHGËNJYER
Pavarësisht zhgënjimit të madh më partitë e vjetra, ato të rejat mund ta kenë të vështirë të tërheqin vota.
Në hapjen e fushatës zgjedhore, një gomar i vogël me emrin Polly ka shëtitur në rrugën kryesore të Prishtinës Nënë Tereza, i mbështjellë me një parrullë të madhe ku shkruhej “Votoni për mua, Ju siguroj pavarësinë”.
Gomari, i paraqitur me tallje si një kandidat, në një moment ka kaluar përpara një posteri zgjedhor të partisë më të madhe në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, e cila ka bërë fushatë me parrullën Liri, Pavarësi, Demokraci.
Krenar Gashi, 20 vjeçar, një prej themeluesve të shoqatës Lëvizja, një lëvizje rinore e cila kërkon ndryshime sociale, ka thënë se ideja e nxjerrjes në rrugë të gomarit ka dashur të japë mesazhin se pjesa më e madhe e premtimeve të politikanëve janë krejtësisht jo serioze.
“Njerëzit janë lodhur dhe ngopur duke votuar për premtime boshe nga politikanë të cilët mendojnë se mund të bëjnë fushatë vetëm me çështjen e pavarësisë,” thotë Gashi.
Ai është aq i zhgënjyer me institucionet lokale sa mendon se nuk ia vlen as të votojë.
Megjithë zemërimin e madh për mungesën e arritjeve të qeverisë së Kosovës, pak njerëz mendojnë se përgjigja më e mirë ndaj partive është të mos votojnë.
Florim Beqiri, një librashitës 32 vjeçar, thotë se ai do të shkojë për të votuar, megjithëse është shumë i zhgënjyer me atë që ka bërë qeveria gjatë tre vjetëve të fundit.
“Shumë politikanë kanë bërë premtime bazuar në kërkesat e pakta të njerëzve,” thotë Beqiri. “Ata shfrytëzojnë faktin që njerëzit nuk janë shumë të arsimuar dhe nuk i njohin të drejtat dhe shërbimet publike që u takojnë”.
Beqiri mendon se shumë probleme institucionale të shoqërisë kosovare i kanë rrënjët në strukturat e korruptuara të partive. “Partitë janë shndërruar në një biznes,” shton ai. “Ato punojnë vetëm për interesat e tyre”.
Shumë njerëz mendojnë se institucionet në Kosovë vuajnë nga dobësia strukturore dhe kjo pasqyrohet edhe në zemrën e qeverisë. Kryeministri i Kosovës ka pak pushtet mbi 10 ministritë e qeverisë së koalicionit që ai drejton, të cilat janë shpërndarë ndërmjet pesë partive.
Eli Krasniqi, 25 vjeç, një studente e sociologjisë, thotë se fushata elektorale është një fyerje për votuesit. “Ata nuk janë shqetësuar për ato që kanë ndodhur gjatë tre vjetëve të fundit, dhe pastaj papritur fillojnë të ndërtojnë dhe shtrojnë rrugët, pak përpara zgjedhjeve,” thotë ajo. “Politikanët po përpiqen të na hedhin hi syve”.
Në fakt thëniet e Krasniqit janë të vërteta. Javët e fundit është vënë re një aktivitet i madh në rrugët e Kosovës, ku shumë rrugë me gropa dhe trotuarë të dëmtuar po riparohen. Edhe riparimi i pak kohëve më parë i ujësjellësit të Prishtinës shihet si pjesë e fushatës zgjedhore dhe e përpjekjeve të partisë e cila drejton qeverinë lokale për të fituar vota.
Por jo të gjithë ankohen për këtë fushatë të papritur shpenzimesh parazgjedhore. Drejtori i një teatri ka thënë për IWPR se “Ne nuk kemi organizuar asnjë festival ndërkombëtar teatror në Kosovë, por paprimtas janë gjetur fondet për të organizuar një të tillë – vetëm tre javë përpara zgjedhjeve”.
“Unë uroj të kishim zgjedhje çdo vit,” ka shtuar ai.
Bexhet Brajshori, ministër i kulturës, nga rradhët e LDK-së, u ka kujtuar spektatorëve të festivalit se ata duhet ti jenë mirënjohës kryetarit të partisë së tij, sepse kjo ngjarje artistike është organizuar “nën kujdesin e Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova”.
Partitë po përpiqen me mënyra të ndryshme për të bindur njerëzit të votojnë, edhe për shkak të një raporti të publikuar në shtator nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, PNUD, sipas të cilit pjesëmarrja e votuesve pritet të jetë tepër e ulët.
Ndërsa në zgjedhjet e para të pasluftës në Kosovë në vitin 2000 kanë marrë pjesë 79 përqind e votuesve, kjo përqindje ka rënë në 64 në vitin 2001 dhe vetëm 54 përqind në zgjedhjet e fundit në vitin 2002.
“Pjesëmarrja e votuesve është ulur vazhdimisht nga zgjedhjet e para, ndoshta pjesërisht sepse njerëzit nuk shikojnë asnjë përfitim nga marrja pjesë në zgjedhje,” thuhet në raportin e PNUD.
Melihate Termkolli, drejtuese e qendrës zgjedhore të LDK-së, parti e cila kontrollon 48 nga 120 vendet në parlament, është e bindur se zhgënjimi popullor nuk do të sjellë më pak vota për LDK.
“Ka pasur progres në disa drejtime dhe ne kemi bërë sa kemi pasur mundësi për të përmirësuar gjendjen,” thotë ajo. “Njerëzit e dinë këtë – mbështetja për ne është rritur”.
Pavarësia mbetet çështja më e rëndësishme për LDK-në, ku ajo ka bazuar të gjitha fushatat e saj që prej vitit 1989, kur partia ka nisur të shprehë kundërshtimin e shqiptarëve etnik ndaj regjimit serb të Sllobodan Millosheviq.
Megjithatë, pavarësia dhe krijimi i shtetit është pjesë e programeve të pothuajse të gjitha 31 partive të tjera të cilat konkurrojnë në këto zgjedhje, megjithëse po bëhet më e vështirë të bindësh kosovarët që pavarësia është zgjidhja e të gjitha problemeve të tyre.
“Jam lodhur nga premtimet e tyre të mëdha si pavarësia,” thotë Eli Krasniqi. “Nëse pavarësia vjen me mungesë energjie elektrike, pa ujë, pa punë – ajo nuk është ajo pavarësi që dua”.
Nita Luci, një antropologe 27 vjeçare, thotë se partitë në pushtet nuk merren me çështjet sociale si barazia gjinore, problemet shëndetësore, apo rritjen e rasteve të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme dhe shtimin e shtatzanive të padëshiruara.
“Edhe partitë e reja si ORA [e drejtuar nga publicisti i njohur Veton Surroi] të cilat premtojnë një reformim të sistemit shëndetësor, nuk përcaktojnë se çfarë reformash do të bëjnë, apo se si do ti arrijnë ato,” thotë ajo.
Megjithatë, Labinot Salihu, një kandidat i ORA, thotë se partia e tij e re është më e afërt me nevojat e vërteta të qytetarëve se sa shumë prej partive të tjera.
“Shumë nga ne në ORA kanë qenë aktivistë civil prej kohësh dhe jemi të afërt me problemet e përditëshme sociale të qytetarëve,” thotë Salihu. “Ne nuk do të qëndrojmë pranë qytetarëve vetëm në kohë zgjedhjesh, apo kur duam diçka prej tyre”.
Megjithë fjalët e bukura, partitë e reja si ORA përballen me një sfidë të madhe për të bindur votuesit të ndryshojnë zakonet e vjetra të votimit dhe të heqin dorë nga partitë tradicionale, si LDK, Partia Demokratike e Kosovës, PDK, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK.
Duke shprehur ndoshta mendimin e shumë njerëzve të tjerë, Fetije Krasniqi, një studente 20 vjeçare në degën e gjuhë dhe letërsisë shqipe, thotë: “Shumë njerëz e kanë të vështirë tu besojnë politikanëve të cilët i njohin mirë, dhe akoma më të vështirë tu besojnë atyre të cilët sapo kanë hyrë në politikë”.
Zana Limani është një bashkëpunëtore e rregullt e IWPR.