Paqja e Paqendrueshme në Preshevë

Ka ende shumë frikë dhe dyshime ndërsa forcat Jugosllave dislokohen në zonën e sigurisë në Preshevë.

Paqja e Paqendrueshme në Preshevë

Ka ende shumë frikë dhe dyshime ndërsa forcat Jugosllave dislokohen në zonën e sigurisë në Preshevë.

"Kam frikë se nuk do të jetojmë kurrë normalisht këtu - nuk na pëlqen ushtria Serbe, ata na kanë bërë shumë të këqia," thotë Moamer Aljimi, një Shqiptar nga Rajinca në luginën e Preshevës në jug të Serbisë.


Rajinca nuk është prekur nga luftimet e kohëve të fundit ndërmjet luftëtarëve Shqiptarë dhe forcave Serbe të sigurimit. Këtu nuk ka as shenja plumbash nëpër mure dhe as xhama të thyera.


4,000 banorët e këtij fshati, të gjithë Shqiptarë, kanë qëndruar pavarësisht vendimit të NATO-s muajin e kaluar për të lejuar kthimin e trupave Jugosllave në pjesën e fundit të sektorit të kontrolluar nga Shqiptarët, të një zone sigurie të administruar nga komuniteti ndërkombëtar në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.


Pas tërheqjes së UCPMB-së, Ushtria Clirimtare e Preshevës, Medvegjës, dhe Bujanovcit të cilat janë bashki me popullsi kryesisht Shqiptare në Serbinë e jugut - në rajon është vendosur një paqe e pasigurtë.


Gornja Susaja, një fshat malor në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, jo shumë larg nga Bujanovci, është i boshatisur. Ndërtesat kanë shenjat e luftimeve të zhvilluara. Ai është një ndër rreth dymbëdhjetë fshatrat Shqiptare të cilat janë zbrazur gjatë konfliktit. Disa janë larguar nga frika e luftimeve ndërmjet UCPMB-së dhe policisë Serbe, të tjerë për shkak të frikës nga hakmarrja e trupave Jugosllave që po futeshin në zonë.


Ata që kanë vendosur të qëndrojnë ankohen për periudhën e Millosheviqit, por nuk dinë se çfarë të thonë për qeverinë e re Serbe. Shumica mendojnë se lufta nuk ka mbaruar ende dhe se armëpushimi i kohëve të fundit ndërmjet Beogradit dhe luftëtarëve Shqiptarë nuk do të ketë jetë të gjatë.


"Ne jemi të gjithë fermerë, por edhe ushtarë kur na kërkohet të mbrojmë fshatin tonë, gratë dhe fëmijët. Mua më kanë larguar nga ushtria vetëm se isha Shqiptar. Unë nuk do të kthehem kurrë atje. Ata kanë bërë shumë të këqia këtu," thotë një ish luftëtar i UCPMB-së.


Por jo vetëm Shqiptarët janë skeptikë. Trupat Jugosllave të vendosura në një kodër mbi Rajincë thonë se do të duhet ende një kohë e gjatë përpara se ata të kenë mundësi të shkojnë pa frikë në një dyqan të fshatit.


"Dikush do të më priste fytin sapo të hyja në fshat," thotë Jovan Spasiq, një ushtar profesionist, i cili është vendosur në zonën rreth Bujanovcit që në Janar.


"Nuk je asnjëherë i sigurtë nëse do të zgjohesh gjallë mëngjesin tjetër," thotë ai. "Kur bie nata, të gjithë banorët vendas veshin uniformat, dhe fillon lufta. Ka pasur luftime të ashpra trup më trup. Ekziston ende një urrejtje e madhe ndërmjet nesh".


Një nga shokët e Spasiqit thotë se armëpushimi nuk do të zgjasë shumë. "Ata do të na sulmojnë përsëri," thotë ai. "Ky është vetëm një armëpushim, dhe jo fundi i luftës".


Trupa të ushtrisë Jugosllave, policisë dhe forcave speciale të policisë kanë ardhur në këtë zonë më 24 Maj, duke përfunduar dislokimin e tyre në zonën e sigurisë së administruar nga KFOR-i, e cila ishte krijuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së në Qershor të vitit 1999.


Zona është bërë shumë shpejt një qendër e disa grupeve të luftëtarëve Shqiptarë, secili me synimet e tij - disa kërkonin bashkimin me Kosovën, të tjerë kërkonin përmirësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut për Shqiptarët vendas.


Presioni diplomatik i Perëndimit ndaj luftëtarëve për tu çarmatosur dhe larguar nga territoret e kontrolluara prej tyre ka qenë tepër i madh. Bisedime të zgjatura me zyrtarët ndërkombëtarë dhe zyrtarë Serbë më në fund përfunduan me dorëzimin e armëve nga shumica e tyre.


Kur forcat Jugosllave hynë muajin e kaluar në këtë zonë, ka pasur vetëm një përleshje me armë, e cila përfundoi me vdekjen e Rizvan Qazimit, të njohur me emrin komandant Lleshi. Ai ka qenë një figurë qendrore e UCPMB-së.


Pas vdekjes së Qazimit ka ndodhur diçka e pazakontë. Zëvendës kryeministri Serb Nebojsha Coviq, drejtuesi i ekipit të bisedimeve, ka shprehur keqardhjen e sinqertë për vdekjen e tij.


Megjithatë, kjo nuk ka ndaluar largimin e 1,300 banorëve të Tërnovës së Madhe, ku Qazimi kishte ngritur shtabin e tij ushtarak, të largoheshin nga qyteti, duke e çuar numrin e përgjithëshëm të Shqiptarëve të larguar nga kjo zonë në drejtim të Kosovës në 5,000.


Përveç atij incidenti, kthimi i trupave Jugosllave në zonë ka shkuar pa ndonjë problem, nën mbikqyrjen e kujdesëshme të KFOR-it.


Forcat Jugosllave kanë kryer operacione spastrimi në fshatra për të larguar prej tyre edhe luftëtarët e fundit.


KFOR ka ndërmarrë një operacion paralelel të kontrollit dhe lirimit të njerëzve të dyshuar si luftëtarë që kanë kaluar në Kosovë. Vetëm ata që mendohet të kenë kryer krime serioze mund të mbahen të arrestuar.


Deri më tani 500 luftëtarë janë dorëzuar, ndërmjet tyre edhe Kapiten Haxhija, një krijues i UCPMB-së. Të gjithë më pas janë liruar.


Zyrtarët Serbë po premtojnë një përmirësim të marrëdhënieve me Shqiptarët e rajonit. Kthimi i trupave Jugosllave është paraprirë nga shpërndarja e materialeve propagandistike të cilat bënin thirrje për "pajtim".


"Ne do të fillojmë të përmirësojmë infrastrukturën lokale dhe ekonominë në mënyrë që njerëzit të kenë një jetesë më të mirë," ka thënë Coviq.


Dhe ka disa shenja se interesat e përbashkëta ekonomike mund të ndikojnë në afrimin e dy komuniteteve. Gjatë luftës, tregtia zyrtare ndërmjet dy komuniteteve mund të jetë ndërprerë, por biznesi i tregut të zi ka lulëzuar.


Provë e këtij aktiviteti është edhe një sasi e madhe materialesh të lëna pas nga luftëtarët. Një tufë bluzash ngjyrë kaki të prodhuara në fabrikën e tekstilit Serbe të Yumco janë gjetur së bashku me kuti mishi të konservuar në fabrikën e përpunimit të mishit Neoplanta në Vojvodinë.


Trupat Jugosllave nuk kanë pranuar të komentojnë se si luftëtarët Shqiptarë kanë pasur mundësi të marrin prodhime Serbe. Por fshatarët Shqiptarë thotë se "rrugët e tregtisë" kanë qenë të hapura ndërmjet Shqiptarëve dhe Serbëve gjatë gjithë periudhës së luftimeve.


"Ne u jepnim para ata na jepnin mallra - ne duhet të mbijetonim me diçka," thotë Shefki Ragjipshi, një Shqiptar vendas.


Disa Shqiptarë mendojnë se konflikti mund të ishte shmangur nëse Serbia do të kishte treguar më tepër vëmendje për problemet ekonomike të kësaj zone.


"Nëse ata do të kishin ndërtuar një ujësjellës të mirë dhe rrjet telefonik, lufta mund të mos kishte filluar kurrë," thotë ragjipshi. "Askush nuk është kujdesur për ne. Ne gjithnjë kemi qenë njerëzit më pak të rëndësishëm në Serbi".


Beogradi natyrisht përballet me një sfidë. Një administratë e re mund të jetë në pushtet në Beograd, por Shqiptarët në jug të Serbisë duan të shohin disa prova se ajo është më e mirë se paraardhësja e saj.


Marina Grihoviq është një gazetare e së përditëshmes "Blic" që botohet në Beograd.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists