Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

PALËT RIVALE NË MALIN E ZI FESTOJNË FITORE NË LIDHJE ME BE-në

Ndryshimi i politikës së Brukselit ka kënaqur përkrahësit dhe kundërshtarët e pavarësisë në Malin e Zi.
By Marijana Buljan

Mbështetësit e pavarësisë së Malit të Zi dhe përkrahësit e bashkimit me Serbinë thonë se politika e re e Bashkimit Evropian ndaj shtetit të bashkuar është në favor të politikave të tyre respektive.


Në një ndryshim të politikës të vendosur më 4 shtator, Brukseli nuk do të këmbëngulë më për harmonizimin ekonomik të Serbisë dhe Malit të Zi, por do të kërkojë të integrojë ekonomitë e tyre të ndara në një proces të dyfishtë, si pjesë e procesit të pranimit në BE të shtetit të bashkuar.


Mbështetësit e bashkimit me Serbinë e shohin këtë vendim – të arritur nga ministrat e jashtëm të BE-së në një takim në Maastricht – si një përpjekje të Brukselit për të tejkaluar problemet ekonomike dhe teknike të cilat kanë bllokuar forcimin e shtetit të bashkuar dhe në të njëjtën kohë si një përpjekje për forcimin e tij nëpërmjet krijimit të një qeverie federale të zgjedhur me vota direkte nga populli.


Nga ana tjetër, mbështetësit e pavarësisë së Malit të Zi, thonë se Brukseli po mban anën e tyre duke pranuar se bashkimi i të dy republikave është i pamundur.


Megjithatë, vëzhguesit e pavarur, dyshojnë se BE po përpiqet vetëm të fitojë kohë deri në zgjidhjen e çështjes së mprehtë të statusit përfundimtar të Kosovës, e cila është momentalisht pjesë e shtetit të bashkuar.


Bashkimi i Serbisë dhe Malit të Zi, një komunitet i dy shteteve pothuajse të pavarura i krijuar dy vjet më parë nën presionin e fuqishëm të BE-së, dhe veçanërisht të përfaqësuesit të politikës së jashtëme dhe të sigurisë për BE, Javier Solana, konsiderohet si një kompromis i pakënaqshëm në Beograd dhe Podgoricë, dhe disa kritikë e kanë mbiquajtur këtë krijesë si “Solania”.


Mali i Zi është thellësisht i përçarë në lidhje me shtetin e bashkuar.


Koalicioni qeveritar i Partisë së Socialistëve Demokratik, i drejtuar nga kryeministri Millo Gjukanoviq, dhe Partia Social Demokrate, në pushtet që prej janarit 2003, po kërkon pavarësinë e Malit të Zi dhe dëshiron mbajtjen e një referendumi për këtë çështje sa më parë.


Opozita, ndërkohë, është e dominuar nga partitë të cilat kërkojnë ruajtjen e shtetit të bashkuar: Partia Socialiste Popullore, Partia Popullore Serbe dhe Partia Popullore, të cilat së bashku kontrollojnë rreth 40 përqind të vendeve në parlamentin e republikës.


Sipas një anketimi të kryer nga Qendra për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, një shumicë e vogël e qytetarëve të Malit të Zi janë në favor të shkëputjes nga Serbia.


Në Serbi, pjesa më e madhe e partive politike mbështesin një formë bashkimi me Malin e Zi. Nacionalistët nuk kanë besim tek formula e ofruar nga BE ndërsa demokratët thonë se ajo ka nevojë për ndryshime, dhe kanë shprehur mbështetjen e tyre për ndryshimin më të fundit të politikës.


“Gjatë dy vjetëve të fundit, Serbia dhe Mali i Zi kanë pasur dy monedha të ndryshme dhe nuk kanë siguruar lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve dhe kapitaleve. Tani është bërë e qartë se ka pak mundësi të arrihet krijimi i një shteti të bashkuar në këtë mënyrë,” ka thënë Miroljub Labus, drejtuesi i G17 Plus dhe zëvendës kryeministër i Serbisë (shih komentet e Labus në këtë numër).


Fakti që as Beogradi dhe as Podgorica nuk kanë qenë të kënaqur me shtetin e bashkuar ka qenë i dukshëm që në fillim. Është dashur rreth një vit për miratimin e kartës kushtetuese dhe ka pasur pak progres në harmonizimin e ekonomive të të dyja republikave, pavarësisht paralajmërimeve të hapura nga Brukseli.


Qëndrimi i ri i BE-së për afrimin e veçantë të të dyja republikave çuditërisht është mirëpritur nga të dyja palët në Malin e Zi, të cilët kanë vendosur ta interpretojnë atë në mënyra tepër të ndryshme.


Mbështetësit e bashkimit thonë se rivalët e tyre nuk mund të thonë se shteti i bashkuar nuk mund të funksionojë dhe do të vendosen nën presionin e Brukselit për të mbështetur forcimin e tij nëpërmjet krijimit të një parlamenti federal të zgjedhur direkt nga populli, siç parashikohet në Marrëveshjen e Beogradit.


Mbështetësit e bashkimit mendojnë se do të fitojnë një shumicë në këto zgjedhje – dhe në këtë mënyrë do të konsolidojnë bashkimin – sepse përkrahësit e pavarësisë ka shumë mundësi që të bojkotojnë këto zgjedhje.


Mbështetësit e pavarësisë, mendojnë se ndarja e ekonomive të Serbisë dhe Malit të Zi nga BE është fillimi i një procesi i cili ndoshta do të çojë në një ndarje politike.


“Pranimi i këtij realiteti nga BE konfirmon idenë time se transformimi i shtetit të bashkuar në një bashkim shtetesh të pavarura është modeli më i mirë për marrëdhëniet ndërmjet nesh,” ka thënë Filip Vujanoviq, president i Malit të Zi. (shih komentet e Vujanoviq në këtë numër).


Vëzhguesit e pavarur thonë se është në interes të Brukselit që fraksionet pro dhe kundër bashkimit në Malin e Zi ta intepretojnë politikën e tij të re si më afër synimeve të tyre, sepse BE dëshiron ti qetësojë të dyja palët deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së statusit të Kosovës. “Be kërkon të fitojë kohë deri sa të gjejë një zgjidhje për Kosovën duke shmangur mungesën e stabilitetit politik,” ka thënë Svetozar Joviceviq, i shoqatës jo qeveritare Grupi për Ndryshim.


Kjo ide është mbështetur edhe nga botimi në shtypin malazez të një letre të Chris Patten, zëdhënësi i BE-së për çështjet e politikës së jashtëme, për kolegët e tij, në të cilën ai justifikon ndryshimin e strategjisë me nevojën për të ruajtur bashkimin e Serbisë dhe Malit të Zi deri në mars 2006 në mënyrë që të “mos shqetësohet afati i komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës,” (letër e botuar në këtë numër).


Marijana Buljan është drejtuese e projektit të IWPR në Podgoricë.