Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

PAGANËT GREK ZEMËROJNË KISHËN

Mbrojtësit tradicional të shoqërisë greke shohin me dyshim festimet moderne në Malin Olimp.
By Albena Shkodrova

Në një lëndinë të gjelbëruar në rrëzë të Malit Olimp, i njohur në literaturën e mitologjisë si vendlindja e Zeusit dhe perëndive greke, një grup burrash dhe grash të veshur me rroba të gjata qëndrojnë në formë rrethi, me kurora gjethesh në kokë, dhe me duar të ngritura lart ndërsa përsërisin fjalë në gjuhën e vjetër greke.


Ata po kryejnë një rit pagëzimi, në përfundim të të cilit rreth dymbëdhjetë anëtarë të grupit do të shkëputen nga besimi i tyre i krishterë dhe do të pranojnë emrat e rinj paganë Helen.


Rreth një mijë pasues të “Lëvizjes së Rikthimit të Helenevë” janë mbledhur më 27 qershor për të festuar në Malin Olimp, për të dëgjuar fjalimet e mbajtura në gjuhën e vjetër greke, muzikën e tambureve dhe për të ripërsëritur ritet që mendojnë se janë kryer nga parardhësit e tyre.


Njeriu që drejton ceremoninë, 59 vjecari Tryphon Olympios, ka dhënë mësim filozofie në Universitetin e Stokholmit për 25 vjet përpara se të heqë dorë nga besimi krishter dhe të nisë një fushatë për rimëkëmbjen e kultit pagan që ka dominuar jetën në Greqi disa mijëra vjet më parë.


Pasi ka ndryshuar mbiemrin nga Kostopoulos në Olympios, ai ka nisur të besojë në panteonin e vjetër grek të perëndive me lutje të përditëshme dhe duke ofruar lule dhe fruta në një altar në shtëpi.


Që prej nëntë vjetësh, ai është përpjekur të bindë bashkëkohësit e tij se krishtërimi është i huaj për kulturën greke dhe i paaftë të përmbushë nevojat e botës moderne.


Olympios e përcakton besimin e tij helenik si një “ideologji”, jo “besim fetar” dhe shumë nga pasuersit e tij nuk kanë një model të përcaktuar lutjesh.


Ata marrin pjesë në grupe diskutimesh dhe në festime vjetore në Malin Olimp, ku vishen me rroba të gjata, pinë verë të kuqe, dëgjojnë muzikë, flasin gjuhën e vjetër greke – dhe nëse dëshirojnë – ripagëzohen me emra të vjetër grek.


Megjithëse Lëvizja Helenike duket e parrezikëshme, Olympos përballet me një punë të vështirë në një vend ku prej shumë shekujsh identiteti kombëtar dhe progesioni i krishtërimit ortodoks janë konsideruar si një i vetëm.


Pavarësisht ndarjes së shtetit nga feja gjatë dekadave të fundit, 98 përqind e popullsisë greke mbetet të paktën zyrtarisht anëtare e Kishës Ortodokse Greke dhe shumë prej tyre ndjekin me entusiazëm kishën.


Megjithatë numri i paganëve në Greqi po shtohet vazhdimisht – të paktën sipas Lëvizjes së Rikthimit të Helenizmit, megjithëse struktura e lirë e anëtarësisë së saj nuk lejon përcaktimin e saktë të numrit të anëtarëve.


“Unë jam anëtarësuar sepse më pëlqen liria e mendimit që promovojnë këta njerëz,” thotë Litho, 15 vjec, një vajzë nga Selaniku e cila është veshur për ceremoninë në Malin Olimp me një veshje të gjatë të kuqe.


Litho ka marrë emrin e saj helenik gjatë një ceremonie ripagëzimi një vit më parë dhe këtë rradhë ka ardhur për të marrë pjesë në ceremoninë e ripagëzimit të vëllait të saj. Ajo pranon se me raste shkon edhe në kishë, kryesisht nga frika se shoqet e shkollës mund të mendojnë keq nëse marrin vesh se ajo është bashkuar me paganët.


Shumica e njerëzve që lëvizin në lëndinë në malin Olimp pranojnë se shoqëria greke nuk e respekton shumë besimin e tyre. Ata fajësojnë kishën për këtë lloj armiqësie ndaj tyre, duke thënë se ajo ka zhvilluar një fushatë armiqësore ndaj tyre në media.


“Këta njerëz nuk merren seriozisht nga shtypi grek kryesisht sepse ata janë vetëm rreth 3,000 anëtarë,” thotë Nina Pashalidu, një gazetare e gazetës To Vima.


Pashalidu admiron vlerësimin e paganëve për letërsinë e vjetër greke, megjithëse ajo mendon se ceremonitë dhe veshjet e tyre janë pak të ekzagjeruara: “Ne jetojmë në një botë të lirë dhe unë nuk jam kundër që atyre tu jepet hapësirë për të ushtruar besimin e tyre fetar, apo të ngjiten sipër dhe ti falen Zeusit”.


Por toleranca e Pashalidu nuk është dicka e zakonëshme dhe pjesa më e madhe e paganëve në festivalin e Malit Olimp thonë se ata nuk kanë dëshirë të shprehin haptazi besimin e tyre.


Një grua me emrin Iliovithi nga Selaniku thotë se fëmijët e saj kanë pasur probleme në shkollë pasi është mësuar besimi pagan i familjes së tyre.


Edhe djali i Triphon Olympios, Athanasios, një mbështetës i fuqishëm i lëvizjes së babait të tij, pranon se shkon në kishë me raste, për të kënaqur familjen e nënës së tij e cila nuk e pranon orientimin e tij fetar.


Mosaprovimi i shoqërisë greke ndaj atyre të cilët i largohen mësimeve të kishës shihet edhe gjatë festivalit të këtij viti në malin Olimp.


Në të njëjtën kohë me festivalin mbahet edhe një ceremony martese në një kishë të vogël në fund të lëndinës. Ndërsa pjesëmarrësit në dasëm kalojnë pranë paganëve me veshje të gjata, shumica e tyre shohin me zemërim. Një prej tyre edhe pëshpërit “Të pafe”.


Prifti në kishën aty pranë ka përdorur të njëjtën fjalë në të kaluarën për festimet e paganëve të cilat kryhen kaq pranë kishës së tij, megjithëse këtë vit ai nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment.


Paganët në malin Olimp ende kujtojnë zhurmën e madhe të shkaktuar dy vjet më parë, kur peshkopi lokal ka instaluar një altoparlant të fuqishëm pranë vendit ku kryenin ata ceremoninë, duke i mbytur këngët e tyre pagane me himnet e krishtera.


Ata thonë ai ka përdorur një megafon dhe i ka ofenduar, dhe se kur ka mbërritur policia, ata në vend që të qortonin atë, u kanë kërkuar paganëve të largoheshin nga ai vend.


Armiqësia e kishës ndaj Triphon Olympus ka nisur vite më parë. Shtatëmbëshjetë vjet më parë ai ka tërhequr vëmendjen e mediave kur ka vendosur të martohet me gruan e dytë në një ceremony pagane.


“Ne kemi qenë të parët njerëz në Greqi të cilët kemi ngritur dyshime serioze mbi autoritetin e kishës dhe ata kanë kryer një fushatë të ashpër kundër nesh në media,” thotë Triphon.


Një tjetër organizatë, Komiteti për Njohjen e Fesë Greke Dodecathon, i drejtuar nga Panaghiotis Marinis, është bashkuar me fushatën për të rikthyer vlerat pagane.


Dyshimet e njerëzve ndaj paganëve vështirë se mund të zhduken së shpejti në një vend ku deri katër vjet më parë përkatësia fetare e qytetarëve të tij ishte e shkruajtur në kartat e identitetit.


Qeveria e ka ndryshuar këtë vetëm pas presioneve të mëdha nga BE dhe duke u përballur me një kundërshtim të fuqishëm të kishës.


“Unë mendoj se të dyja palët – paganët dhe të krishterët – po shkojnë shumë larg,” thotë Elisabeth, një grua skoceze e cila ka ndjekur bashkëshortin e saj grek në këtë festim.


“Ndoshta ky paganizëm është përgjigje ndaj faktit që jeta e vendit është ndikuar ndjeshëm për shumë vjet me rradhë nga kisha”.


Albena Shkodrova është një bashkëpunëtore e IWPR.