Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Opozita e Pakuptimtë

Ndërsa Millosheviqi kontrollon me saktësi dhe efikasitet situatën, opozita është krejtësisht e paqartë, duke u sjellë vërdallë si pula e trullosur.
By IWPR

Pas disa muajsh lajmërimi me shumë zhurmë të mitingut më madhështor, vendimtar, shumë demokratik, domethënës, historik, bashkues ... të Opozitës së Bashkuar Serbe (cilës?!), ai më në fund u mbajt.


Mitingu, i zhvilluar më herët këtë muaj, thuhet të ketë qenë një sukses. Të mbledhësh 200,000 njerëz në rrugët e Beogradit (rreth 20,000 nëse i beson medias shtetërore e cila me sa duket nuk njeh arithmetikën), t'i grumbullosh ata në një shesh dhe të kesh vëmendjen e tyre për dy orë nuk është një arritje e vogël.


Veçanërisht për më shumë se njëzet fraksionet e vogla të cilat përbëjnë Opozitën e Bashkuar Serbe.


Këta janë njerëzit të cilët nuk mund të bien dakort për asgjë - as edhe teorikisht. Vetëm ambizja e tyre fantastike për t'u bërë një Millosheviq i ri i mban ata të bashkuar.


Dhe tani ka ndodhur më e keqja që mund të mendohej për Opozitën e Bashkuar Serbe. Mitingu ishte një sukses. Po pastaj?


Duke gjykuar nga fjalimet e kota të Vuk Drashkoviq, Vojislav Kostunica dhe të tjerëve, tashmë shpresa të mëdha janë hedhur tek mbajtja e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike. Vetëm një idiot mund të besojë se Millosheviqi do të lejonte mbajtjen e zgjedhjeve të "ndershme".


Në një kohë kur ai është i izoluar nga bota, ai gëzon lirinë të bëjë atë që dëshiron në kampin e përqëndrimit në Serbi - duke mbyllur stacionet televizive, duke falimentuar gazetat me gjobat e tij të tmerrshme, duke arrestuar, dënuar dhe vrarë cilindo që dëshiron.


Ndërsa Millosheviqi kontrollon me saktësi dhe efikasitet situatën, opozita është krejtësisht e paqartë duke u sjellë vërdallë si pula e trullosur.


Mjafton të shohësh takimet e princit të kurorës Aleksandër dhe këshillit të tij mbretëror, një trupë komedie nacionalistësh të pafuqishëm dhe, jo më pak, të përfaqësuesve të diasporës serbe, të cilët shpallin moton e tyre - "Serbia është e dështuar pa një kurorë".


Këto takime janë veprimet e njerëzve të dëshpëruar, apo në rastin më të mirë një propagandë e drejtuar ndaj budallenjve mbretërorë në Serbi.


Vetë Opozita e Bashkuar Serbe, siç tregohet edhe në fjalimet e Vojislav Kostunicas, është zemëruar shumë nga i vetmi fjalim kuptimplot në mitingun e Beogradit. Nenad Canak guxoi të paralajmëronte se regjimi i Millosheviqit nuk do t'i shpëtonte dënimit për shkak të futjes së Serbisë nëpër luftra pa fund.


Pjesa më e madhe e drejtuesve të opozitës serbe fajësojnë Millosheviqin vetëm për një gjë - ai ka humbur luftërat. Nëse ai do ta kishte çuar vendin në fitore, atëherë nuk do të kishte pasur asnjë problem!


Kjo logjikë fashiste çon natyrisht edhe në një rezistencë ndaj Gjykatës së Hagës. Çudi, çudi - ajo është anti-serbe, një vegël e NATO-s, nuk ka legjitimitet, është pro-amerikane dhe anti-ortodokse. Regjimi dhe opozita janë dakort se asnjë serb i vetëm nuk është fajtor për krime lufte, nuk ka pasur krime lufte dhe, nëse ka pasur ndonjë, ato nuk i kanë kryer serbët. Serbët janë gjithmonë viktima, asnjëherë vrasës!


Kriminelët e luftës shëtisin lirisht në Beograd - ata që kërkohen nga Haga dhe ata që as në banjo nuk do të guxonin të shkonin pa qenë të shoqëruar me truproje. Por ka edhe të tjerë. Ata që punojnë si gazetarë dhe redaktorë në Radio Televizionin e Serbisë, në Borba, Politika. Pastaj janë ministrat e qeverisë dhe zëvendës kryeministrat.


Opozita, pavarësisht nëse është e bashkuar apo e ndarë, duhet të ndërmarrë disa hapa vendimtarëeciziv dhe të dhimbshëm: duhet të përkrahë Gjykatën e Hagës dhe të premtojë ekstradimin e të gjithë të akuzuarve; të bashkëpunojë sa më tepër të jetë e mundur me vendet perëndimore; të lërë mënjanë çështjen e Kosovës për të paktën njëzet vjetë dhe të pranojë publikisht se nuk ekziston as mundësia më e vogël që në të ardhmen të rikthehen në provincë ushtarë apo policë serbë; të përkrahë njohjen diplomatike të të gjitha shteteve fqinje dhe veçanërisht të Bosnie-Herzegovinës dhe Kroacisë.


Ne më së fundi duhet të vendosim marrëdhënie normale me Slloveninë; të flasim publikisht për krimet e luftës në Srebrenica dhe të tregojmë natyrën e vërtetë të heroit të madh të luftës - Ratko Mlladiq; ne duhet të shkatërrojmë steriotipet, sipas të cilave shqiptarët janë një popull i një race inferiore; dhe udhëheqësit e opozitës duhet të kundërshtojnë gjyqet politike të okestruara kundër shqiptarëve.


Pa këto zhvillime serbët përballen me një zgjedhje të keqe - Sllobodan Millosheviqi apo Princi Aleksandër.


Por çfarë ndodh ndërkohë?


Asgjë. Opozita do të vazhdojë të përgatisë një milion deklarata të cilat ne do t'i dëgjojmë nga televizionet apo lexojmë në gazeta. Ata do të vazhdojnë të "protestojnë ashpër", "kerkojnë" dhe "dënojnë"... Ndërkohë jeta në Serbi shkon sipas avazit të Millosheviqit, një popull i izoluar dhe i detyruar të gërmojë nëpër kazanët e plehrave për t'u ushqyer.


Petar Lukoviq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.