Nuk Ka Kthim Në Shtëpi
Në pamundësi për t'u kthyer, refugjatët Serbë nga Kroacia po përballen për herë të dytë me mungesën e shtëpive.
Nuk Ka Kthim Në Shtëpi
Në pamundësi për t'u kthyer, refugjatët Serbë nga Kroacia po përballen për herë të dytë me mungesën e shtëpive.
Ata festojnë, por unë do ta kujtoj gjithnjë 4 Gushtin si ditën kur humba atdheun tim, rrënjët e mia, shtëpinë time," thotë Janko Velimiroviq, një refugjat nga Karlovac në Kroaci, i cili tani jeton në Banja Luka. "Unë nuk mund të kthehem atje, dhe këtu në Republika Srpska, RS, jam i huaj'. Së shpejti ai mund të mbetet edhe pa strehë.
4 Gushti është Dita e Falënderimit patriotik të Kroacisë. Atë ditë në vitin 1995, forcat Kroate kanë përfunduar operacionin Stuhia, i cili ka rezultuar në dëbimin e rreth 200,000 Serbëve nga territori Kroat.
Nga këta, rreth 24,000 jetojnë në RS, sipas një regjistrimi të kryer në Dhjetor të vitit 2000 nga Komisariati i Lartë për Refugjatët, UNHCR, dhe ministria e refugjatëve të RS. Burime të tjera thonë se kjo shifër është rreth 40,000, ndërsa petar Dzodan, kryetar i Shoqatës së Serbëve nga Kroacia dhe Karjina thotë se pas kaq vjetësh rreth 15,000 prej tyre thjesht janë lodhur duke u regjistruar.
"Pas çdo regjistrimi, njerëzit shpresojnë që gjendja e tyre të përmirësohet, dhe çdo herë ata janë zhgënjyer," shpjegon Dzodan. "Nuk është për t'u habitur që shumë prej tyre as nuk kanë marrë mundimin për t'u regjistruar".
Gjashtë vjet pas luftës, statusi i tyre ende nuk është zgjidhur. Ata nuk mund të gjejnë një punë, sepse edhe vetë RS përballet me vështirësi ekonomike.
Ata as nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre në Kroaci. Shumë prej shtëpive të tyre tani janë zënë nga Kroatët e dëbuar nga Banja Luka. Në verën e vitit 1995, Serbët e zemëruar të dëbuar nga Kroacia, detyruan Boshnjakët dhe Kroatët e Banja Lukës të largoheshin nga shtëpitë e tyre, duke bërë që Kroatët të shkonin në shtëpitë e boshatisura të Serbëve në rajonin e Krajinas në Kroaci.
Shumë prej tyre as nuk mund të qëndrojnë atje. Në Nëntor të vitit 2000, pasi Ëolfgang petriç, përfaqësuesi i lartë për Bosnjen, kaloi dekretin që lejonte banorët e shtëpive të ktheheshin në pronat e tyre në Bosnje, janë shtuar edhe urdhërat për largimin e banorëve të paligjshëm nga shtëpitë e zaptuara. Kjo do të thotë që Boshnjakët dhe Kroatët nga Banja Luka mund të kthehen në shtëpitë e tyre, por Serbët që dëbohen për t'u'liruar shtëpitë atyre nuk kanë ku të shkojnë.
Historia e Janko Velimiroviqit është tipike. Ai ka humbur punën e tij në Karlovac, ndërsa lufta po përfshinte Kroacinë në verën e vitit 1991.
"Unë punoja në ministrinë e mbrojtjes të Jugosllavisë, dhe mendoja se të gjitha konfliktet ndërmjet Serbëve dhe Kroatëve do të zgjidheshin shpejt dhe pa luftë," thotë 40 vjeçari i diplomuar për shkenca politike.
Lufta që shpërtheu nuk i la shumë zgjidhje. "Unë jam një Serb dhe ishte e natyrëshme që do të qëndroja me vëllezërit e mi etnik," shpjegon ai.
Ai ka marrë pjesë në luftë, dhe kjo është arësyeja që nuk mund të kthehet më në shtëpinë e tij.
Ministria për Refugjatë e RS i ka dhënë Velimiroviqit leje të përkohëshme banimi në një shtëpi e cila ka qenë e një Kroati, i cili është dëbuar nga Banja Luka në vjeshtën e vitit 1995. Pronari ka kërkuar rikthimin e pronës, dhe dëbimi i Jankos është caktuar për këtë fund javë, 27 Gusht.
"Nëse autoritetet lokale nuk më gjejnë një banesë tjetër, unë nuk di se çfarë do të bëj së bashku me gruan dhe vajzën time," thotë Velimiroviq. Askush nga të afërmit nuk punon, dhe ata marrin një pagesë prej 30 markash në muaj për fëmijën. "Pasi të na nxjerrin nga shtëpia nuk do të kemi as edhe një krevat ku të shtrihemi," thotë ai.
Dzodan thotë se që prej vitit 1995, asnjë hap konkret nuk është ndërmarrë për të ndihmuar në integrimin e refugjatëve që dëshirojnë të qëndrojnë në RS, në jetën e këtij entiteti. Asnjë zgjidhje përfundimtare për akomodimin e tyre nuk është menduar.
"Shumica prej nesh nuk sheh të ardhme për ne apo për fëmijët e tyre," thotë ai.
Sipas Dzodan, ata që kanë marrë dokumenta në RS tani nuk e dinë edhe nëse këto dokumenta do të jenë të vlefshme. Përgjegjësia për refugjatët tani shihet në nivel shtetëror të Bosnje Herzegovinës, dhe jo në atë të entitetit, dhe ende nuk është marrë një vendim se çfarë kushtesh duhet të plotësojë një refugjat Serb nga Kroacia për të normalizuar statusin e tij në Bosnje.
Ata që kthehen në Kroaci janë kryesisht të vjetër në moshë. Milica Romiq është kthyer më 10 Prill në fshatin e saj Lasinjski Sjenicak, në ish territorin e Krajinas, pas një mungese prej gjashtë vjetësh.
"Unë jam pesëdhjetë vjeç dhe jam më e reja në moshë," thotë ajo. Të rinjtë shkojnë gjithnjë e më shumë në Amerikë, Europë dhe Australi. Por Serbët e vjetërm thotë ajo, "nuk kanë frikë nga hakmarrja e fqinjëve Kroatë dhe duan të kthehen atje ku kanë lindur, janë rritur, ku kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës".
Petar Kuniq, gjithashtu nga Karlovac, thotë se edhe kur refugjatët fitojnë të drejtat ligjore për të marrë shtëpitë e tyre, ata mund të mos jenë në gjendje të kthehen. Shtëpia e tij i është dhënë një oficeri të ushtrisë Kroate në pension. "Pas një sërë vendimesh gjyqësore, prona më është kthyer, por unë nuk munda të hyja. Thjesht sepse, autoritetet në Karlovac nuk pranojnë të dëbojnë nga shtëpia një ish luftëtar," thotë ai.
Që prej asaj kohe, Kuniq është ktheyr në Banja Luka, ku ka qëndruar në shtëpinë e një Boshnjaku. Por ai është dëbuar në Janarin e kaluar dhe tani jeton ne një dhomë me disa të afërm.
Të tjerët janë përpjekur të gjejnë një zgjidhje të problemit duke shitur pronat e tyre në Kroaci, por thonë se atyre u jepen oferta me çmime tepër të ulta.
Mihajlo Mareniq, 70 vjeç, ka pasur një shtëpi në afërsi të Sisak që i është kthyer në vitin 1999. Duke mos dashur të kthehej në Kroaci, ai është përpjekur disa herë ta shesë shtëpinë.
"Ajo është një shtëpi e madhe me një copë tokë të madhe bujqësore, për të cilën na kanë afruar 15,000 Marka Gjermane. Unë nuk mund ta pranoj këtë gjë,' thotë ai.
Shumë refugjatë fajësojnë për gjendjen e tanishme dështimin e qeverisë Kroate dhe Kryeministrit Ivica Raçan, për të mundësuar kthimin e refugjatëve Serb në pronat e tyre.
Gjuro Millosheviq, një aktivist i Komitetit për të Drejtat e Njeriut në Karlovac, ka thënë se autoritetet Kroate, deri më tani, kanë riparuar vetëm një shtëpi të një Serbi. Edhe kjo shtëpi e riparuar në vitin 1996, ka qenë ndoshta "një gabim", thotë ai, sepse ajo i përkiste një gruaje në një martesë të përzier.
Dzodan thotë se kur qeveria e Raçanit erdhi në pushtet 18 muaj më parë, refugjatët Serb shpresuan që ajo do të kryente procedurat për kthimin e njerëzve dhe pronave të tyre.
Megjithëse rreth 25 përqind e refugjatëve, kryesisht të vjetër në moshë, tani kanë marrë dokumenta identiteti Kroate, pothuajse nuk është bërë asgjë tjetër. Dzodan insiston se pa certifikatën e nënshtetësisë, një kartë identiteti dhe një pasaportë, procedura për kthimin e pronave nuk mund të fillojë.
Gordana Katana është korrespondente në Banja Luka për të përditëshmen e Sarajevos Oslobodjene.