NJERIU I PAQES NE MAQEDONI

Ish presidenti Trajkovski e nxorri vendin nga një konflikt i rrezikshëm duke zgjedhur dialogun ndaj nacionalizmit përcarës.

NJERIU I PAQES NE MAQEDONI

Ish presidenti Trajkovski e nxorri vendin nga një konflikt i rrezikshëm duke zgjedhur dialogun ndaj nacionalizmit përcarës.

Monday, 21 February, 2005

Presidenti Boris Trajkovski, së bashku me tetë anëtarë të stafit të tij, ka humbur jetën të enjten në mëngjes kur avioni me të cilin udhëtonte është rrëzuar për shkak të motit në keq në Bosnje.


Në një koincidencë tragjike, aksidenti i 26 shkurtit ka ndodhur pikërisht disa orë përpara se qeveria e tij të paraqiste kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Europian, BE, në një ceremoni në Dublin.


Delegacioni i qeverisë është kthyer menjëherë në Shkup për një takim urgjent në masa të larta sigurie, ndërsa policia është vendosur në shkallë të lartë gadishmërie në kryeqytet.


Sipas kushtetutës, kryetari i parlamentit, Ljupco Jordanovski, merr përkohësisht detyrën e presidentit.


Trajkovski, arkitekti i marrëveshjes së paqes së Ohrit në vitin 2001 e cila ka shmangur një luftë të përgjithëshme civile, ka gëzuar mbështetje të gjerë politike nga të dyja grupimet më të mëdha etnike në vend. Një aleat i fuqishëm i komunitetit ndërkombëtar dhe i respektuar për besimin në tolerancë dhe dialog, ai ëshë parë si shembull i stabilitetit dhe përfshirjes në një rajon të paqëndrueshëm.


Maqedonasit kanë ndezur qirinj dhe kanë qendruar në heshtje nën një shi të dendur përpara ndërtesës së parlamentit për të shprehur respektin për presidentin e tyre. Televizionet lokale dhe radio kanë ndërprerë programet e tyre për të transmetuar lajmin direkt, ndërsa mesazhe të shumta ngushëllimi kanë mbërritur nga e gjithë bota.


Javier Solana, shefi i politikës së jashtëme të BE, tepër i tronditur, i cili ka punuar ngushtësisht me Trajkovski për marrëveshjen e Ohrit, ka thënë se "Ai ka qenë një njeri me shumë pasion dhe vizion të gjerë. Unë kam qenë me të në momente të vështira, shumë ditë dhe shumë netë. Ne do të bëjmë cfarë është e mundur për të ruajtur ëndërrën e tij për të afruar Maqedoninë me BE".


Ish sekretari i përgjithëshëm i NATO-s George Robertson ka thënë se "Kjo është një tragjedi e vërtetë për Maqedoninë dhe Europën. Unë i them lamtumirë një burri shtetit kurajoz i cili ka luftuar për vlerat demokratike në vend".


Flamujt janë valëvitur në gjysëm shtizë përpara ndërtesës së zyrave qendrore të NATO-s në Bruksel.


Në Maqedoni, Trajkovski është vlerësuar shumë për qëndrimet dhe sjelljen e tij si njeri i zakonshëm. Ai konsiderohej si një njeri me vizion dhe besim të fortë fetar, e kaluara e të cilit, ndryshe nga shumë politikanë të tjerë maqedonas, nuk ka pasur asnjë njollë dhe nuk është përfolur në skandale financiare.


Avokati 47 vjecar ka hyrë në politikë në fund të vitit 1998 si zëvendës ministër i jashtëm, duke u bërë shumë shpejt i njohur për rolin e tij aktiv në një kohë kur disa qindra mijëra shqiptarë vinin në Maqedoni nga Kosova.


Në vitin 1999, ai është zgjedhur si president i dytë i Maqedonisë që prej shkëputjes së saj nga Jugosllavia. Megjithëse ai ka qenë kandidat i partisë nacionaliste të djathtë, VMRO-DPMNE, ka fituar mbështetje të madhe nga votuesit shqiptarë të cilët rrallë votojnë për kandidatë maqedonas etnik.


Në fillim të mandatit të tij, ai ka arritur të distancojë veten nga partia e tij gjithnjë e më tepër nacionaliste dhe është konsideruar gjerësisht si i vetmi politikan i cili mund të gëzojë mbështetje në rradhët e të dy komuniteteve më të mëdha etnike në vend.


Megjithëse roli i tij si president ka qenë kryesisht ceremonial, Trajkovski - një anglisht folës i mirë i cili ka krijuar lidhje të mira me Brukselin dhe Uashingtonin - ka luajtur një rol të madh në vendosjen e Maqedonisë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Ai ka qenë një mbështetës i fuqishëm i integrimit të vendit në NATO dhe BE.


Vetëm një ditë përpara aksidentit, pamje televizive e kanë treguar atë duke qeshur dhe folur me gazetarët dhe duke u thënë atyre se kërkesa e vendit për anëtarësim në BE, e cila mbante firmën e tij, ishte një projekt i cili gëzon një consensus të gjerë dhe do të bashkonte të gjithë qytetarët pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike.


Roli i tij i pajtues, shpesh edhe ndërmjetësues në mes komunitetit ndërkombëtar dhe nacionalistëve të linjës së ashpër, ka qenë tepër i rëndësishëm gjatë bisedimeve të vitit 2001. Në mes thirrjeve nga pjestarë të qeverisë së VMRO për vendosjen e një gjendjeje të jashtëzakonëshme dhe një sulmi të gjerë ndaj luftëtarëve shqiptare, Trajkovski i uli të dyja palët në tavolinën e bisedimeve, dhe arriti ti bindë ato për rëndësinë e tyre.


Këmbëngulja e tij se marrëveshja e paqes ishte e vetmja alternativë ndaj shpërbërjes së vendit, dhe një zgjidhje e mundëshme për një shtet modern, shumë etnik, e ka vecuar atë si një prej liberalëve të paktë të cilët kanë dalë nga rrënojat e ish Jugosllavisë.


Megjithëse Trajkovski është përshëndetur për mënyrën e zgjidhjes së krizës, ai fillimisht është kritikuar se u ka kërkuar votën shqiptarëve gjatë zgjedhjeve të vitit 1999.


Kundërshtarët nga partia Social Demokrate janë zemëruar nga bashkëpunimi i tij me Partinë Demokratike të Shqiptarëve, PDSH, duke e quajtur fitoren e tij "të gënjeshtërt" dhe duke akuzuar për mashtrime elektorale në zonat e banuara kryesisht nga shqiptarët në perëndim të vendit. Ata fillimisht nuk kanë pranuar të njohin atë si president, duke e quajtur atë "qytetari Trajkovski".


Trajkovski pa humbur kohë ka filluar të ndërmjetësojë për zgjidhjen e krizës duke treguar një pragmatizëm të theksuar dhe duke bërë që ai të shihej nga njerëzit si një president mbi palët. Në një fjalim të fuqishëm përpara parlamentit menjëherë pas zgjedhjes së tij, ai ka premtuar se do të jetë "presidenti i të gjithëve".


Mënyrat shpesh të drejtpërdrejta të Trajkovskit kanë përfshirë edhe një aftësi të madhe për të bërë marrëveshje politike, gjë e cila e ka bërë atë të vecantë nga politikanët e tjerë maqedonas të cilët njihen më tepër për kokëfortësi dhe dëshirën për të qenë të parët.


Duke i mbyllur shpesh fjalimet e tij me frazën "Zoti e bekoftë Maqedoninë", ai ka qenë një anëtar aktiv i kishës metodiste. Besimi i tij shihet si një nga pikat më të rëndësishme në vizionin e tij politik të tolerancës dhe pajtimit në një vend dhe rajon i cili njihet si thellësisht i përcarë.


Në Bosnje, autoritetet e aviacionit kanë konfirmuar se asnjë njeri nuk i ka mbijetuar aksidentit, dhe kanë thënë se kanë gjetur të gjithë trupat e njerëzve të cilët kanë qenë në avion.


Në Shkup, qeveria është mbledhur për të diskutuar hapat e mëtejshëm, dhe ka shpallur tre ditë zi zyrtare.


"Në këtë ditë të trishtueshme ne duhet të mbajmë zi, por nuk duhet të kemi frikë," ka thënë kryeministri Branko Crvenkovski. Duke bërë thirrje për tu bashkuar pas kësaj tragjedie, ai ka shtuar se "Maqedonia është e fortë dhe e qëndrueshme dhe do të vazhdojë në këtë rrugë".


Trajkovski lë pas bashkëshorten e tij Vilma, djalin Stefan dhe vajzën Sara.


Ana Petruseva është drejtuese e projektit të IWPR në Maqedoni.


Frontline Updates
Support local journalists