NJË KTHIM I PARAKOHSHËM
Pa vende pune, shtëpi dhe siguri, jo-shqiptarët e Kosovës pohojnë se ata nuk mund të kthehen në vendlinje.
NJË KTHIM I PARAKOHSHËM
Pa vende pune, shtëpi dhe siguri, jo-shqiptarët e Kosovës pohojnë se ata nuk mund të kthehen në vendlinje.
Hamid Zymberi, një ashkali rreth pesëdhjetë vjeçar, u kthye këtë javë në shtëpinë e tij të posa ndërtuar në Vushtrri, një qytet i vogël 20 kilometra në veri të Prishtinës.
"Janë disa probleme rreth adaptimit, si mungesa e ujit dhe rrymë elektrike," thotë Hamidi, por brenga e tij kryesore është siguria. "Ne ndihemi të sigurtë për momentin, por frika se diçka mund të ndodhë është gjithmonë prezente." Shtëpia e Zymberit është djegur gjatë trazirave të marsit, ku turma të shqiptarëve sulmuan serbet dhe minoritetet tjera përfshirë ashkalitë, romët dhe egjiptianët.
Qindra shtëpi u dogjën, duke lënë rreth 4000 njerëz të zhvendosur dhe 19 të vrarë.
Nga 69 familje të ashkalive të cilat mbetën pa shtëpi në Vushtri gjatë trazirave, vetëm 10 janë bindur të kthehen në shtëpitë e posa ndërtuara nga qeveria e Kosovës.
Qazim Demaçi, i cili u strehua në hotelin Vicianum në Vushtrri pas trazirave të marsit tha, "Mendojmë se ende nuk është sigurtë që të kthehemi."
Trazirat ndodhën para më shumë se nje viti, por siguria e dobët dhe mungesa e vendeve të punës dhe shtëpive për tu kthyer do të thotë se minoritetet e Kosovës mbeten në një situatë të vështirë.
Shumë jetojnë në kampe refugjatësh si në Zitkovac dhe Cesmin Lug në veri të Mitrovicës, dhe Plemetin afër Prishtinës, ku kushtet janë posaqërisht të vështira. Me 24 mars, në fjalimin e tij të parë para parlamentit të Kosovës si kryeministër, Bajram Kosumi konfirmoj se do të mbante premtimin për mbylljen e Plemetinit deri në qershor.
"Pata rastin të shoh nga afër se si disa nga këta njerëz jetojnë në kampin e Plemetinit," tha Kosumi gjatë fjalimit. "Më duhet të pranoj se ekzistenca e këtij kampi është imazhi më i keq i Kosovës."
Për t'u siguruar se çdo i kthyer ka ku të kthehet, çdo komunë duhet të sigurohet se shtëpitë janë rindërtuar për këta të kthyer. Por procesi nuk ka shkuar si duhet.
Haxhi Zylfi Merxha, udhëheqës i Partisë Rome të Bashkuar të Kosovës, dhe anëtar parlamenti, tha se disa standarde duhej të përmbusheshin para kërkesës që romët të kthehen në shtëpitë e tyre.
"Nuk jam i kënaqur me procesin e kthimit," thotë Merxha. "Kosova duhet të krijoj kushte themelore të sigurisë për të mundësuar kthimin e romëve, si rindërtimi i shtëpive të tyre dhe ofrimi i vendeve të punës dhe shkollimit.
Sipas regjistrimit të vitit 1991, në Kosovë jetonin rreth 150,000 romë, ashkali dhe egjiptian. Merxha thotë se vetëm rreth 50,000 kanë mbetur sot. Rreth 20,000 besohet të jenë vendosur në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni, derisa të tjerët janë larguar në drejtim të Evropës perëndimore.
Haziri, së bashku me mijëra romë, u largua për në Gjermani pas dhunës e cila pasoj pas mbarimit të bombardimeve të NATO-s në qershor të vitit 1999.
Shumë nga ata janë kthyer me forcë në një rreth të pasigurtë. Haziri dhe familja e tij katër anëtarëshe jetojnë në një hangar në rrethinë të Gjakovës.
"Autoritetet gjermane nuk kanë dashur të konsiderojnë se a kemi ne shtëpi apo punë pas kthimit në Kosovë, dhe tani pasi jemi kthyer nuk e kemi asnjërën," thotë Haziri.
Liderët e partive politike të romëve, ashkalive dhe egjiptianëve janë takuar në Prishtinë me anëtarin e parlamentit gjerman, Christoph Strasser, gjithashtu anëtar i komisionit për drejta të njeriut në Gjermani, për të diskutuar kthimin me forcë.
Sabit Rrahmani, përfaqësues i bashkësisë së ashkalive, tha se të tre përfaqësuesit u munduan të bindin zyrtarin gjerman se kushtet në Kosovë nuk ishin të përshtatshmë për kthimin e minoriteteve nga Gjermania.
"Argumenti se trupat gjermane janë këtu për të ofruar sigurinë nuk mjafton për kthimin e këtyre refugjatëve nga Gjermania," thotë Rrahmani. "Nëse këta njerëz nuk kanë shtëpi dhe vende pune për tu kthyer, si mund të jetë i sigurtë kthimi i tyreë"
Papunësia është posaqërisht problem serioz për romët dhe minoritetet e tjera jo-shqiptare.
Merxha tha se rallë sheh ndonjë romë të punësuar në institucionet publike si Shërbimi Policor i Kosovës, SHPK, apo parlamentin e Kosovës.
Sipas raporit të Kombeve të Bashkuara të publikuar në shkurt, nga 3,024 anëtarë aktiv të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), vetëm dy janë romë, 33 ashkali dhe 8 egjiptian, derisa në SHPK, nga 6,254 anëtarë aktiv, vetëm 379 janë nga minoritetet jo-serbe.
Qerim Gara, përfaqësues i bashkësisë së ashkalive në Fushë Kosovë, thotë se në një komunitet prej 4,000 banorëve, vetëm 22 ashkali dhe romë janë të punësuar në institucionet lokale.
Dia Krasniqi dhe Sanela Memet janë nxënëse të Kursit të Nivelit të Parë të IWPR, i cili organizohet me mbështetjen e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.