NJË FILM BOSHNJAK SFIDON STEREOTIPET PËR HOMOSEKSUALËT

"Drejt Perëndimit" ka shkaktuar debate të ashpra me paraqitjen e paprecedent që i ka bërë një historie dashurie homoseksuale në vitet e luftës në Bosnje.

NJË FILM BOSHNJAK SFIDON STEREOTIPET PËR HOMOSEKSUALËT

"Drejt Perëndimit" ka shkaktuar debate të ashpra me paraqitjen e paprecedent që i ka bërë një historie dashurie homoseksuale në vitet e luftës në Bosnje.

Monday, 21 February, 2005

Sasha nuk duket aspak ndryshe nga të rinjtë e tjerë boshnjak njëzetvjeçar. Ai është i gjatë dhe i veshur mirë. Por vetëm gjatë pesë muajve të fundit, ai është rrahur katër herë. Arësyeja? Ai është homoseksual. Ai ka denoncuar sulmet e para në polici por të katërtin nuk është shqetësuar më sepse mendon se policia nuk do ta ndihmojë.


"Unë nuk mund të jetoj në Bosnje kështu siç jam," thotë Sasha, i cili ka kaluar disa kohë në Gjermani ku thotë se ka bërë jë jetë normale. Por tani frika për sigurinë e tij ka bërë që ai të filloj të mendojë për tu larguar nga vendi. Policia më ka thënë se duhet të kisha qëndruar në Gjermani, kur kam shkuar të ankohem," thotë ai me një buzëqeshje të hidhur në fytyrë.


Eksperienca e Sashës është një pasqyrim i saktë i trajtimit të homoseksualëve nga shoqëria në Bosnje. Mesazhi i një 18 vjeçari për këtë temë ka qenë i qartë dhe i fuqishëm. "Unë do ti rreshtoja të gjithë para një muri dhe do të vrisja, zoti më ndihmoftë," ka thënë ai për IWPR.


Fakti që homoseksualiteti ka mbetur një çështje tabu në Bosnje nuk ka penguar regjisorin Ahmed Imamoviq të merret me këtë temë.


Filmi i Imamoviq, "Drejt Perëndimit", rreth një historie dashurie ndërmjet dy burrave gjatë luftës së viteve nëntëdhjetë në Bosnje, ka shkaktuar tensione dhe debate edhe ndër ata të cilët përndryshe dinë pak apo aspak për këtë temë.


Shumë kritikë janë të pakënaqur. Redaktori i revistës boshnjake Ëalter e ka dënuar "Drejt Perëndimit" si një "blasfemi".


Të tjerët janë thjesht të habitur. "Unë nuk dua që djali im të mendojë gjëra të çuditëshme kur të shikojë këtë film dhe të më pyesë nëse njerëzit kanë bërë vërtetë ashtu gjatë luftës," ka thënë një baba i cili nuk e ka parë ende filmin.


Të tjerë e kanë mbështetur këtë film. Senad Avdiq, redaktor i revistës Bosnja e Lirë, një prej të paktëve i cili e ka parë filmin e papërfunduar, e ka quajtur atë një kryevepër. "Është një histori dashurie me një pamje të qartë të mungesës së tolerancës gjatë rrethanave të tmerrshme të luftës," ka thënë Avdiq.


Imamoviq ka thënë për median se filmi i tij synon ti tregojë shoqërisë se homoseksualët janë njerëz si gjithë të tjerët, të cilët kanë vuajtur po aq shumë gjatë luftës.


Debati publik reflekton realitetin e ashpër të homoseksualëve në një shoqëri e cila ka mbetur prapa ekonomikisht dhe nga ana kulturore në krahasim me fqinjët e saj perëndimorë.


"Drejt Perëndimit ka paraqitur plotësisht se sa të papjekura janë disa media," ka thënë Svetlana Djurkoviq, kryetare e Shoqatës Q, e cila mbështet të drejtat e homoseksualëve. Ajo thotë se debati ka treguar një fakt të qartë "se shoqëria jonë mbështetet kryesisht në komunikimin agresiv".


Sipas një raporti nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Bosnje, homoseksualët kanë frikë të shprehin seksualitetin e tyre dhe mënyrën se si trajtohen nga shoqëria. Komiteti ka theksuar se ligjet nuk përbëjnë ndonjë problem të madh ën krahasim me sterotipet kryesore kulturore të bazuara në paragjykime dhe padije.


"Askush, pavarësisht se sa i ndryshëm, nuk duhet të diskriminohet apo urrehet si homoseksualët në Bosnje," thotë Asimi, një i ri homseskual në Sarajevë.


Komiteti i Helsinkit dhe Shoqata Q kanë dijeni për raste të shumta dhune ndaj homoseksualëve, si edhe kërcënime dhe përjashtime nga puna.


As vetë organizata nuk ka një numër të saktë të rasteve, për arësye se pak prej tyre njoftohen. Megjithatë, shoqata Q, ka informacion për të paktën tre të rinj homoseksualë të cilët kanë kërkuar azil politik në vende të huaja, duke përmendur si arësye diskriminimin në vend.


Madeleine Rees, drejtuese e Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Bosnje, ka dijeni për rastin e Sashas. "Ai është ankuar tek policia por mendon se ata nuk e kanë trajtuar si duhet çështjen e tij," thotë Rees.


Kushtetuta e Bosnje garanton një nivel të lartë të të drejtave të njeriut të njohura dhe pranuara dhe liri personale, duke vendosur theksin tek liria personale dhe çdo lloj diskriminimi.


Por ligjet për rendin publik në Federatë dhe Republika Srpska, RS, përmbajnë nene të cilat mund të përdoren kundër homoseksualëve.


Në Federatë, "kërcënimi i moralit publik" dhe "ofendimi i ndjenjave patriotike, kombëtare, fetare dhe morale të qytetarëve" shihen si shkelje të rendit publik dhe gjykatësit kanë dorë të lirë për atë që mund të quhet ofendim i moralit publik.


Tre grupimet më të mëdha fetare në Bosnje - Komuniteti Islamik, dhe Kishat Ortodokse e katolike - janë në një mendje kur e dënojnë homoseksualitetin si një mëkat.


"Komuniteti Islamik ndjek parimet e besimit, dhe ne nuk do të mbështesim asgjë e cila bie në kundërshtim me këto vlera, siç është homoseksualiteti," thotë për IWPR, Muhamet Lugaviq, një imam nga Tuzla.


Pjesa më e madhe e njerëzve shprehin ndjenja urrejtjeje për homoseksualët. "Është një sëmundje hormonale," ka thënë për IWPR një kalimtar në Sarajevë. Një tjetër ka thënë se homoseksualët mund të bëjnë çfarë të duan "sa kohë që rrinë larg meje".


Natyrisht, ata të cilët i përkasin kësaj pakice nuk mendojnë kështu. "Dashuria nuk mund të jetë kurrë gabim. Dashuria është pikërisht ajo që për fat të keq i mungon shoqërisë," thotë Djurkoviq.


Asimi sheh pak shpresë për të ardhmen. "Është një process i cili do kohë dhe edukim, sepse disa njerëz kanë frikë nga homoseksualët sikur nga të ardhurit nga ndonjë planet tjetër, megjithëse ata komunikojnë me ta çdo ditë," thotë ai.


Asimi ka theksuar se shumë njerëz në Bosnje i shohin homoseksualët si të sëmurë, njerëz pervers të cilët nuk janë ndryshe nga pedofilët. Ata shpesh shihen si njerëz të sëmurë me SIDA.


Ndërkohë, Sasha u ka kërkuar organizatave ndërkombëtare ta ndihmojnë të largohet për në Kanada si emigrant. "Shpresoj të mos zgjasë shumë," thotë ai, "në mënyrë që të filloj të jetoj një jetë normale".


Aida Sunje dhe Mirna Mekiq janë trajnuar nga IWPR në Bosnje.


Frontline Updates
Support local journalists