Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Ndarja e Fundit e Sarajevos

Mosmarrëveshja e fundit territoriale që nga koha e luftës në Bosnje zgjidhet nga një arbitrim ndërkombëtar
By Antonio Prlenda

Pirgje me plehra, mbeturinat e një zjarri dhe disa banka dhe karrige të djegura kanë mbetur ende në rrugën ku rreth 500 demonstrues Serbë kanë dalë muajin e kaluar për të kundërshtuar një vendim ndërkombëtar i cili i jep kontrollin e një pjese deri tani të kontrolluar nga Serbët në lagjen Dobrinja Federatës Boshnjako-Kroate.


E njohur si Dobrinja 1 dhe 4 - zona e fundit ende e papërcaktuar e Sarajevos - ka qenë shkak i mosmarrëveshjeve të vazhdueshme administrative për shkak të ndarjes së saj pas luftës.


Mbi dy mijë Boshnjak të dëbuar nga kjo zonë gjatë konfliktit kanë kërkuar të kthehen që pas përfundimit të luftimeve. Më 24 Prill, ish gjykatësi i gjykatës së lartë të Irlandës, Diarmuid Sheridan ka marrë një vendim në favor të tyre.


Vendimi e ndan lagjen ndërmjet dy entiteteve të Bosnjes, ku rreth tre të katërtat i jepen Federatës. Menjëherë pas luftës, kjo lagje e diskutueshme në fakt ka qenë pjesë e Sarajevos Serbe, të quajtur "Srpsko Sarajevo".


Republika Srpska dhe Federata kanë dështuar vazhdimisht të arrijnë një marrëveshje në këtë pikë. Si rezultat, ndërmjetësi i lartë ndërkombëtar Volfgang Petriç, muajin e kaluar ka emëruar Sheridan si një arbitër të paanshëm për të zgjidhur këtë çështje një herë e mirë.


Drejtuesi i delegacionit të Republika Srpska, RS, Vladimir Lukiq, e ka quajtur këtë vendim si "vendimin më të keq të mundëshëm për Serbët e asaj zone".


Serbët thonë se një gjë e tillë është në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit e cila ka përcaktuar se RS duhet të përbëjë 49 përqind të territorit të Bosnje Herzegovinës. Megjithatë, Dobrinja, nuk është përfshirë në atë marrëveshje.


Zyrtarët e RS-së kanë thënë se pas Dobrinjes dhe dorëzimit të mëparëshëm të Brçkos, ata kontrollojnë 4 përqind më pak - 258 kilometra katror - sesa parashikohej në marrëveshje.


Mosmarrëveshja për Dobrinjen është e ngjashme me një problem tjetër të pasluftës. Në Mars dhe Prill të vitit 1996, një kufi i kohës së luftës ndërmjet Serbëve të Bosnjes dhe Boshnjakëve e Kroatëve të Bosnjes është zhvendosur sipas marrëveshjes së Dejtonit. Si rezultat, shumë familje Serbë të Bosnjes u detyruan të largohen nga disa lagje të Sarajevos dhe zona të tjera në vend, të cilat i janë dhënë Federatës.


Disa nga këto familje u larguan të frikësuara nga mundësia e hakmarrjes nga Boshnjakët dhe Kroatët. Të tjerë janë detyruar të largohen nga përkrahësit e linjës së ashpër Serbe të cilët përpiqeshin ti tregonin botës se tre grupet etnike në Bosnje nuk mund të jetonin së bashku.


Një numër prej këtyre familjeve janë kthyer në shtëpitë e tyre, të tjerët kanë hyrë në apartamentet dhe shtëpitë e boshatisura nga Boshnjakët dhe Kroatët në zonën Serbe. Disa kanë gjetur shtëpi në Dobrinje 1 dhe 4 duke menduar se ato do të mbeteshin nën kontrollin Serb.


Dhe tani ata duhet të lëvizin përsëri - dhe nuk kanë vend ku të shkojnë.


Çështja e Dobrinjes, thonë disa zyrtarë të OKB-së dhe zyrtarë të tjerë Perëndimorë, është një tregues i mirë i problemeve të lidhura me rivendosjen e njerëzve të zhvendosur brenda vendit.


Në një përpjekje për të zbutur mosmarrëveshjet ndërmjet dy komuniteteve, zyrtarët e Federatës kanë rënë dakort për një proces hap pas hapi i cili duhet të lejojë pjesën më të madhe të Serbëve të qëndrojnë në Dobrinja 1 dhe 4 deri sa të gjejnë mundësi tjetër strehimi.


Ndërkohë, ish banorët e dikurshëm të kësaj zone mezi presin të kthehen. Dragija Smajiq, një anëtare e Shoqatës për Rikthim në Dobrinje, thotë: "Ne kemi pritur prej gjashtë vjetësh një gjë të tillë. Nuk më zinte gjumi nga lumturia".


Por ata nuk mund të kthehen deri sa të largohen Serbët, dhe shumë prej tyre nuk kanë asnjë vend ku të shkojnë.


"Disa prej nesh kanë lëvizur disa herë - dhe ne nuk duam të lëvizim përsëri," thotë një Serbe e cila nuk mund ta imagjinojë idenë e të jetuarit nën kontrollin Boshnjako-Musliman.


Disa mijëra Serbë, Kroatë dhe Boshnjak të zhvendosur janë ngopur me këto lëvizje të herëpasherëshme nëpër vend.


Boshko Siljegoviq, një deputet në asamblenë Serbë në Sarajevo, thotë se dislokimi i policisë së Federatës në pjesën Serbe të Dobrinjes nuk duhet të ishte lejuar deri sa Serbët të cilët duhet të largohen prej andej të kishin mundësi të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Federatë.


Edhe nëse njerëzit kanë një vend ku të shkojnë, procesi nuk është gjithnjë kaq i lehtë - si në rastin e Dushan Tesanoviq, dilema e të cilit është botuar edhe në të përjavëshmen e Sarajevos Slobodan Bosna.


Pas luftës, Tesanoviq - me origjinë nga rrethinat e Sarajevos në Hrasnica - u strehua në bodrumin e një blloku apartamentesh në nnjë pjesë të Dobrinjes e cila tani do ti kthehet Federatës. "Unë jam mësuar - tani nuk e di se çfarë do të bëj," ka thënë ai.


Tesanoviq as nuk mendon të kthehet në Hrasnica. Vëllai i tij është kthyer vitin e kaluar. Dhe megjithëse ka pasur disa fërkime me fqinjët e tij, ka mundur të jetojë edhe me mbrojtjen e paqeruajtësve.


Kjo ka zgjatur deri kur një granatë dore është hedhur nëpër dritaren e tij. Tesanoviq thotë se ai do ta shesë apartamentin e tij në Hrasnica dhe do të shkojë të bashkohet me gruan dhe fëmijët e tij që jetojnë në Slloveni.


Serbët në Dobrinje janë në të njëjtën situatë të vështirë si Boshnjakët që presin të kthehen aty. Boshnjakët nuk mund të largohen nga shtëpitë ku jetojnë deri sa shtëpitë e tyre të lirohen.


Duke e pranuar këtë fakt, përfaqësesit e autoriteteve lokale nga të dyja palët kanë pranuar që Serbëve duhet tu lihet më tepër kohë.


"Qytetarëve u janë dhënë garanci se ata nuk do të mbeten pa një strehë," ka thënë Damir Haxhiq, një këshilltar në një bashki të Federatës e cila është përgjegjëse tani për Dobrinjen.


"Nëse ata paraqesin një kërkesë për rikthim të pronës së tyre në Federatë, ata nuk do të hidhen jashtë deri sa të kenë mundësi të marrin përsëi apartamentet apo shtëpitë e para luftës".


Për momentin, duket sikur zonës po i kthehet normaliteti. Duket se banorët vendas janë të lodhur nga lufta e përditëshme për mbijetesë dhe nuk kanë më forca për demonstrata të tjera. megjithatë, mjetet e blinduara Italiane dhe Gjermane vazhdojnë të qëndrojnë në gatishmëri.


Antonio Prlenda është një gazetar dhe komentator i çështjeve ushtarake nga Sarajevo.