NATO NUK LEJON ZYRTARËT E LARTË USHTARAK BULLGARË TË SHOHIN SEKRETET E SAJ

Vendimi për të mos u dhënë të drejtën për të parë sekretet e aleancës drejtuesve ushtarakë të vendit ka rindezur mosmarrëveshjet për lidhjet me aleancën perëndimore.

NATO NUK LEJON ZYRTARËT E LARTË USHTARAK BULLGARË TË SHOHIN SEKRETET E SAJ

Vendimi për të mos u dhënë të drejtën për të parë sekretet e aleancës drejtuesve ushtarakë të vendit ka rindezur mosmarrëveshjet për lidhjet me aleancën perëndimore.

Kontrollet e sigurisë të NATO-s u kanë mohuar drejtuesve të ushtrisë bullgare të drejtën për të parë informacione sekrete të NATO-s. Vetoja, e cila është vendosur vetëm pak muaj pas anëtarësimit të vendit në aleancën perëndimore, ka shkaktuar një krizë në rradhët e ushtarakëve bullgarë dhe është shndërruar në një çështje të fushatës së tanishme parazgjedhore.


Gjeneralit Dimitur Georgiev, komandant i Forcës Ajrore të Bullgarisë i është refuzuar e drejta për të parë sekretet e NATO-s pasi nuk ka kaluar sistemin e kontrollit të krijuar nga Bullgaria dhe Komanda e Aleancës.


Kontrolli është kryer nga një organizëm i përbërë vetëm nga nënshtetas bullgarë, i njohur si Komisioni Shtetëror për Mbrojtjen e Informacioneve të Klasifikuara. Komisioni nuk ka dhënë asnjë arësye për vendimin e tij, por ka pranuar përgjegjësinë e plotë.


Bullgaria është anëtarësuar në NATO në muajin prill dhe merr pjesë aktivisht në të gjitha aktivitetet e saj. Vendi po ristrukturon ushtrinë, duke shkurtuar numrin e saj nga rreth 100,000 në 45,000, dhe duke vendosur standarded e NATO-s në komunikim, infrastrukturë dhe armatim.


Ndryshe nga Hungaria dhe Republika Ceke, ushtria bullgare nuk i është nënshtruar procesit të kontrollit të personelit të saj të periudhës së komunizmit apo atyre të cilët konsiderohen si bashkëpunëtor me rregjimin e kaluar. Gjeneralët e periudhës sovjetike ose kanë dalë në pension, ose janë ende pjesë e drejtuesve të lartë të ushtrisë.


Tani, disa prej tyre mesa duket nuk përmbushin kriteret e reja të sigurisë që kërkon anëtarësimi në NATO. Si pjesë e integrimit të Bullgarisë në aleancë, komiteti i informacionit të klasifikuar është krijuar për të kryer kontrollin paraprak dhe aprovuar ata zyrtarë të cilët kanë mundësi të shohin dokumenta sekrete të aleancës.


Gjenerali Georgiev është oficeri i tretë emri i të cilit është bërë publik si një ndër ata të cilët nuk plotësojnë kushtet.


Më parë, Emil Vulev, një ndër diplomatët më të lartë të Bullgarisë, nuk është pranuar si ambasador në NATO pasi nuk ka kaluar kontrollin e sigurisë. Gjenerali Pavlomir Kunchev është rrëzuar gjithashtu për postin e përfaqësuesit ushtarak të Bullgarisë në shtabin e përgjithëshëm të NATO-s në Evropë, në Mons të Belgjikës, për të njëjtën arësye.


Të treja këto raste kanë shkaktuar një debat kombëtar, siç ka thënë edhe kryetari i komitetit të sigurisë, Tsveta Markova për IWPR, shumë raste të tjera nuk janë bërë të njohura për publikun.


Megjithëse ky organizëm nuk është i detyruar të shpjegojë vendimet e tij, ai është i detyruar të zbatojë disa kritere strikte. Faqja zyrtare e komitetit në internet përmban një sërë arësyesh të mundëshme të cilat mund të çojnë në skualifikimin e kandidatëve. Ato përfshijnë probleme të stilit të jetesës, si përdorimi i alkoholit apo drogave, dhe diferenca ndërmjet të ardhurave të deklaruara dhe standardid të jetesës.


Megjithatë, Markova ka qenë e qartë se çështja kryesore është më tepër politike, dhe pikërisht “mungesa e besnikërisë ndaj Bullgarisë në kontekstin e anëtarësimit të vendit në NATO”.


Ndërsa media bullgare ka spekuluar rreth lidhjeve të gjeneralit Georgiev me organizmat e sigurimit të shtetit në periudhën e komunizmit, vetë gjenerali nuk ka pranuar të komentojë në lidhje me refuzimin e kandidaturës së tij. Eprori i tij, gjeneral Nikola Kolev, shefi i shtabit të përgjithëshëm, nuk ka pranuar një kërkesë të IWPR për të intervistuar gjeneralin.


Kjo çështje mund të ketë dëmtuar imazhin e Bullgarisë si një partner i NATO-s.


BBC ka cituar analistin ushtarak britanik, Paul Beaver, të ketë thënë se aleanca “sheh një problem të vërtetë në mungesën e dëshirës së Bullgarisë për të nxjerrë në pension ushtarakët e lartë të periudhës së komunizmit, siç kanë bërë vendet e tjera ish komuniste si Republika Ceke, Polonia, Rumania, Slovakia, Sllovenia dhe Kroacia”.


Zëvendës kryetari i parlamentit bullgar, Asen Agov, një anëtar i komitetit të politikës së jashtëme, mbrojtjes dhe sigurisë, e mbështet këtë vlerësim. Ai ka thënë se ajo që ai e ka quajtur një “zgjedhje jo e mirë” e komandantëve të lartë të ushtrisë ka “diskredituar Bullgarinë si aleate”.


Vëzhgues të tjerë janë më pak të shqetësuar, duke e përshkruar kundërshtimin e kandidaturës së gjeneralit si një problem të mungesës së eksperiencës. Valeri Rachev, një analist dhe zëvendës kryetar i akademisë ushtarake të Bullgarisë, ka thënë se ngjarjet më të fundit janë të ngjashme me ato që kanë ndodhur në Poloni pas anëtarësimit të vendit në NATO. “Nuk ekziston një problem i madh për sa i përket besnikërisë së ushtrisë,” ka thënë ai. “Kohët e fundit janë vendosur kritere të reja dhe jo të gjithë zyrtarët mund ti plotësojnë ato”.


Markova është edhe më optimiste, kur thotë se mos pranimi i kandidaturave për arësye sigurie është diçka e zakonëshme dhe ka ndodhur edhe në vende anëtare të NATO-s prej shumë kohësh. I vetmi ndryshim me Bullgarinë është publiciteti që kanë shkaktuar këto raste, ka thënë ajo.


Megjithatë, rasti i gjeneralit ka mundësi të shkaktojë probleme në rradhët e hierarkisë së ushtrisë bullgare. Gjenerali mban një pozicion të rëndësishëm dhe analistët thonë se ai nuk mund të vazhdojë të kryejë detyrën e tij pa pasur akses në informacionet e klasifikuara të NATO-s.


Sipas Agov, e vetmja mundësi është spostimi i tij në një post të ngjashëm – apo krejtësisht jashtë ushtrisë. “Gjenerali Georgiev nuk mund të drejtojë Forcën Ajrore të Bullgarisë në kuadër të mbrojtjes kolektive të aleancës,” ka thënë agov. “Është e paimagjinueshme që ai të vazhdojë të mbajë postin e tij”.


Markova, megjithëse më e kujdesëshme, është e të njëjtit mendim, duke thënë se praktika ndërkombëtare tregon se në rastet kur zyrtarë janë përballur me probleme të tilla, ata nuk kanë qëndruar për një kohë të gjatë në postet e tyre.


Gjenerali Kolev është përpjekur shumë të mbajë Georgiev në postin e tij. Ai është cituar nga agjensia e lajmeve bullgare Mediapol të ketë thënë se ai mund të vazhdojë të kryejë detyrat e tij sepse ai nuk mund të ketë akses vetëm në sekretet më të rëndësishme, duke lënë të kuptohet se ai ka mundësi të shohë informacionet më pak të rëndësishme.


Markova e ka kundërshtuar këtë thënie, duke thënë se megjithë ekzistencën e disa niveleve të sekretit në strukturën e NATO-s, gjenerali Georgiev nuk ka mundësi të shohë asnjë prej tyre.


Presidenti Georgi Purvanov, anëtar i partisë socialiste tradicionalisht pro ruse, i cili është edhe komandant i përgjithëshëm i forcave të armatosura, ka dalë gjithashtu në mbështetje të gjeneralit Georgiev.


Ndërhyrja publike e presidentit, duke shfaqur një mungesë besimi ndaj procedurave të sigurisë të krijuara nga të dyja palët, ka shtuar edhe më tepër debatin në media përsa i përket lidhjeve të reja të vendit me NATO-n. Shtypi e ka përmendur këtë rast si provë që presidenti dhe shefi i shtabit të përgjithëshëm janë të gatshëm të sakrifikojnë marrëdhëniet e vendit me NATO-n me qëllim që të mbajnë zyrtarët e lartë ushtarak në postet e tyre.


Albena Shkodrova është një bashkëpunëtore e IWPR në Sofje.


Frontline Updates
Support local journalists