MQEDONI: NDALET ZHVILLIMI

Zgjedhjet e përgjithëshme të këtij viti janë një pengesë më tepër në rrugën e vështirë drejt anëtarësimit në BE.

MQEDONI: NDALET ZHVILLIMI

Zgjedhjet e përgjithëshme të këtij viti janë një pengesë më tepër në rrugën e vështirë drejt anëtarësimit në BE.

Monday, 21 February, 2005

Një sërë zgjedhjesh të caktuara për këtë vit në Maqedoni mund të vonojnë reformat jetike për shpresat e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.


Kërkesa e Maqedonisë për anëtarësim në BE, e paraqitur në Dublin në muajin mars, përmban edhe premtimin e Maqedonisë për të vazhduar reformat aq të rëndësishme dhe të nevojëshme.


Me një qeveri tejet të centralizuar, një sistem drejtësie të ngadaltë dhe jo të efektshëm, nivel të lartë korrupsioni, një nga ekonomitë më të varfra në Evropë dhe një administratë shtetërore të tejmbushur, Maqedonia duhet të tejkalojë shumë pengesa përpara se ajo të mund të mendojë për integrim në Evropë.


Por viti 2004 është shndërruar në një vit zgjedhor të rëndësishëm për Maqedoninë, dhe vëmendja tani është përqëndruar në zgjedhjet e ardhëshme.


Me katër procese zgjedhore kombëtare të cilat do të zhvillohen brenda këtij viti, maqedonasit po përballen me një valë të madhe fushate nga kandidatët presidencialë dhe lokal.


Ndërsa politikanët e përfshirë në këtë luftë zgjedhore janë kryesisht të bashkuar në entuziasmin e tyre për anëtarësim në BE, ekspertët paralajmërojnë se reformat e nevojëshme për të realizuar këtë ëndërr mund të bllokohen ndërsa ata përgatiten për zgjedhje.


PËRPJEKJA PËR ANËTARËSIM


Paraqitja e kërkesës së Maqedonisë për anëtarësim në BE është vetëm hapi i parë i vogël drejt anëtarësisë. Këshilli i Ministrave do të shqyrtojë kërkesën dhe - nëse jep dritën jeshile - Komisioni Evropian, KE, më pas do të vlerësojë mundësitë e Maqedonisë për të siguruar statusin e kandidatit. Këto procedura mund të zgjasin nga një vit deri në 18 muaj.


"KE do të bëjë shumë pyetje Maqedonisë. Autoritetet do të duhet të përgjigjen dhe Komisioni do të vendosë nëse ti japë Maqedonisë një përgjigje pozitive apo negative," ka thënë për IWPR, Sorej Jessen Petersen, i dërguari special i BE-së në Maqedoni.


"Përgjigja varet shumë nga puna e qeverisë në këtë periudhë. Reformat duhet të vazhdojnë," shton Petersen. "Shumë gjëra duhen bërë".


Shumë vëzhgues mendojnë se Maqedonia i ka të gjitha mundësitë të bëhet anëtare me të drejta të plota e BE-së.


Vendi ka arritur shumë suksese që prej konfliktit etnik të vitit 2001 - dhe për ironi të fatit shumë shpejt pas kësaj u bë vendi i parë në rajon që ka nënshkruar një Marrëveshje Asocimi dhe Stabilizimi me BE-në.


Përleshjet etnike kanë përfunduar në muajin gusht të vitit 2001 me një marrëveshje të mbështetur nga perëndimi të nënshkruar në Ohër, e cila u dha shqiptarëve më tepër të drejta. Ish drejtuesit e luftëtarëve shqiptarë më pas u futën në politikë, duke siguruar vende në parlament në zgjedhjet e vitit 2002.


Që prej asaj kohe parlamenti ka miratuar pjesën më të madhe të pikave të marrëveshjes së paqes, gjendja e sigurisë është përmirësuar ndjeshëm dhe paqeruajtësit ndërkombëtarë janë larguar nga vendi. Ky stabilitet nuk është kërcënuar edhe nga përleshjet e fundit etnike në Kosovën fqinje.


Mbështetësit e kërkesës së Maqedonisë thonë se vendi nuk është në gjendje shumë më të keqe se kanë qenë shumë nga vendet e tjera të cilat janë pranuar këtë vit në BE kur ato kanë nisur fillimisht procesin e pranimit dhe, megjithëse pranojnë nevojën për reforma të tjera, thonë se mundësitë e zbatimit të këtyre reformave do të jenë më të mëdha nën kontrollin e rreptë të Evropës.


Kryeministri i tanishëm Branko Crvenkovski - i cili ka fituar më tepër vota në turin e parë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 14 prill - thotë se kërkesa e Maqedonisë për anëtarësim në BE mund të ndihmojë në sheshimin e ndarjeve etnike dhe fetare.


"Projekti i BE-së gëzon një mbështetje të gjerë. Maqedonia është shumë më përpara në këtë proces se vendet e tjera të rajonit. Dhe për këtë arësye ne kemi vendosur të jemi vendi i dytë nga rajoni pas Kroacisë për të kërkuar antarësimin".


Crvenkovski ngul këmbë se maqedonasit janë të përgatitur për vështirësitë që i presin. "Ne jemi të vetëdijshëm për to," ka thënë ai. "Kjo është mundësia jonë dhe na takon ne ta shfrytëzojmë".


NGA OHRI NË BRUKSEL?


Por nëse qeveria maqedonase vërtetë shpreson të ketë sukses në përpjekjet e saj për anëtarësim në BE, ajo duhet të punojë shumë.


Një problem i madh është centralizimi i pushtetit, i cili e bën qeverisjen lokale të pafuqishme dhe i lë njerëzit e thjeshtë të ndjehen të lënë pas dore nga burokracia.


Si komponenti i rëndësishëm i marrëveshjes së paqes së Ohrit, progresi i decentralizimit mund të ketë pasoja të dukëshme mbi kërkesën e Maqedonisë për anëtarësim në BE. Diplomatët perëndimorë kanë paralajmëruar se zbatimi i pikave të përfshira në marrëveshjen e Ohrit do të jetë shumë i rëndësishëm kur të vijë momenti i vlerësimit të kërkesës së Maqedonisë.


"Decentralizimi duhet të vazhdojë, sepse është shumë i rëndësishëm për pranimin e kërkesës së Maqedonisë për anëtarësim në strukturat evropiane," ka thënë një diplomat për IWPR. "Paketa e decentralizimi është shumë e rëndësishme dhe ajo duhet të realizohet sa më parë".


REFORMAT LIGJORE TË NGADALËSHME


Maqedonia gjithashtu ka shumë për të bërë në fushën e vendosjes dhe zbatimit të ligjit, përpara se të përmbushë kriteret e BE-së për anëtarësim.


Përpjekje të mëdha janë bërë për të harmonizuar shumë nga ligjet e vendit me ato të Brukselit. Por megjithëse ligjet mund të jenë ndryshuar, zbatimi i ligjeve të reja nga burokracia e vjetër shtetërore dhe ligjore ka qenë një sfidë më e vështirë.


Raporti i progresit të Komisionit të BE-së i muajit prill për Maqedoninë ka qenë kritik në këtë pikë: "Maqedonia nuk ka arritur progres në forcimin e zbatimit të ligjit, kryesisht për shkak të dobësisë strukturore të institucioneve të zbatimit të ligjit dhe atyre të drejtësisë, administratës publike të papërgatitur dhe të politizuar, korrupsionit dhe krimit të organizuar".


Sistemi i drejtësisë së Maqedonisë ka mungesa të shumta, një infrastrukturë të dobët dhe i mungon stafi i specializuar, dhe si rezultat, shumë raste zgjaten vite me rradhë pa një zgjidhje. Procesi i emërimit të gjykatësve është i politizuar, dhe gjykatësit nuk shihen aspak si figura të pavarura. Ekziston një mungesë besimi e kuptueshme nga ana e publikut për sistemin e drejtësisë.


Vlado Kambovski, ish ministër i drejtësisë i cili tani ëshë një professor i drejtësisë, thotë se janë përgatitur reformat të cilat duhet të zgjidhin problemin e ndërhyrjeve të qarta politike në procedurat e gjykatave.


"Reformat do të vendosin sistemin e drejtësisë në një pozicion të pavarur dhe me pushtet autoritar, në mënyrë që të mos jenë më si tani, një dorë e ekzekutivit," ka thënë ai.


Qeveria thotë se po punon për marrjen e masave për të shtuar pavarësinë e gjykatave duke hequr kompetencat e kontrollit të buxhetit nga ministria e drejtësisë dhe duke ia dhënë ato gjykatës së lartë dhe Këshillit Gjyqësor, një organizëm i përbërë nga gjykatës.


Sipas zëvendës ministres së drejtësisë Meri Mladenovska, ky ndryshim do të ndihmojë në pavarësinë ekonomike të gjykatave, dhe si rezultat "sistemi i drejtësisë do të ketë mundësinë të krijojë edhe një pozicion të pavarur në lidhje me ekzekutivin".


Por Victor Ullom, drejtues i zyrës ligjore të OSBE-së në Shkup, e cila mbikqyr procedurat gjyqësore dhe mbështet reformat në sistemin e drejtësisë, thotë se ende mbetet shumë për të bërë.


"Është vështirë të përcaktohen afate kohore, për shkak të preokupimeve të legjislaturës me cështje të tjera," ka thënë ai.


Profesori Kambovski ka shprehur skepticizëm në lidhje me rritmin e ndryshimeve dhe thotë se komuniteti ndërkombëtar duhet të ushtrojë presion më të madh mbi qeverinë maqedonase dhe të vendosë afate më strikte për reformën gjyqësore. "Unë nuk jam optimist," ka thënë ai.


Një tjetër cështje e vështirë për Maqedoninë, për sa i përket zbatimit të ligjit, është problemi i korrupsionit.


"Niveli i lartë i korrupsionit dhe mungesa e besimit ndaj institucioneve që shkakton ai mbeten një faktor i cili pengon investimet, dhe përvec kësaj, pengon edhe suksesin e shumë reformave të cilat kanë nisur me qëllim shpejtimin e tranzicionit të vendit drejt një demokracie dhe ekonomie moderne," thuhet në raportin e fundit të Komisionit Evropian.


Qeveria ka ndërmarrë disa hapa në këtë drejtim - duke krijuar, për shembull, një "Komision Anti Korrupsion" në vitin 2002 si pjesë e një plani për luftën ndaj krimit të organizuar.


Por deri më tani nuk ka pasur shumë shenja përmirësimi. Disa dhjetra raste të korrupsionit në nivele të larta ku janë përfshirë ish zyrtarë të lartë dhe ministra të qeverisë mbeten të bllokuara në gjykata, ndërsa avokatët mbrojtës gjejnë mënyra të reja për të penguar procedurat. Që prej zgjedhjes së koalicionit të tanishëm qeveritar të drejtuar nga Aleanca Social Demokrate e Maqedonisë, SDSM, në fund të vitit 2002, asnjë prej rasteve të shumta të korrupsionit të zyrtarëve të cilat kanë përfunduar në gjykata, nuk ka përfunduar me dënimin e ndonjë ish zyrtari.


Slagana Taseva, ish kryetare e Komisionit Anti Korrupsion dhe tani drejtuese e akademisë së policisë së vendit, thotë se problemi qëndron në mungesën e koordinimit ndërmjet agjensive të ndryshme të cilat marrin pjesë në shqyrtimin e këtyre cështjeve ligjore.


"Në shumë raste policia e kryen pjesën e saj të detyrës, e cila më pas pengohet nga prokuroria apo gjykatat, zakonisht për shkak të ndërhyrjeve politike," thotë ajo.


"Ne kemi nevojë për reforma të cilat të përfshijnë sanksione ndaj atyre të cilët ndikojnë politikisht në proceset gjyqësore".


ENDE NJË NDËR VENDET MË TË VARFËRA TË EVROPËS


Sistemi i kalbur i drejtësisë në Maqedoni është pjesërisht përgjegjës për një mungesë investimesh të huaja qëkur vendi ka shpallur pavarësinë në vitin 1991.


Maqedonia mbetet një ndër vendet më të varfëra të Evropës, dhe papunësia është në nivelin e 37 përqind.


Ndërsa shtetet fqinje si Bullgaria kanë siguruar investime të huaja prej disa qindra milionë, Maqedonia në fund të vitit 2003 ka pasur vetëm më pak se 100 milion dollarë të investuara nga jashtë.


Raporti më i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Maqedoninë, i botuar në nëntor të vitit 2003, ka qenë i ashpër në vlerësimin e potencialit të vendit për të tërhequr investime të huaja. "Maqedonia nuk paraqet një ambjent të mirë për tërheqjen e investimeve, të huaja apo të vendit," thuhet në raport. "si rezultat, ekonomia maqedonase është vetëm në mes të rrugës drejt një ekonomie tregu të stabilizuar.


Pikpamja e Shkupit është se një dritë jeshile nga Brukseli do të mjaftonte për nxitjen e investimeve.


"Një përgjigje positive nga BE për kërkesën tonë do të jetë një mesazh pozitiv për investitoret se këtu nuk ekziston rrezik politik," ka thënë profesori i ekonomisë Ljubomir Kekenovski. Ai ka dhënë shembullin e Bullgarisë, e cila ka pasur një bum të madh në investimet e huaja pasi BE ka njoftuar planet për pranimin e saj.


Por disa të tjerë thonë se gjendja e ekonomisë së Maqedonisë varet nga reformat që do të ndërmerren.


"Investimet nuk do të vijnë në Maqedoni nëse investitorët mendojnë se sistemi ligjor nuk do ti mbrojë apo nuk mund ti mbrojë investimet e tyre," ka thënë një diplomat perëndimor për IWPR.


Ljupco Zivkov, redaktor i së përjavëshmes me drejtim financiar, Kapital, pranon se investitorët do të qëndrojnë larg derisa të shohin se po bëhen ndryshime në procedurat e gjata dhe të lodhëshme të nevojëshme për të regjistruar një kompani, dhe një sistem ligjor që të garantojë mbrojtjen e investimeve.


Ekonomia e Maqedonisë dëmtohet edhe nga administrata tejet e fryrë në sektorin publik - nga rreth 270,000 punonjës të regjistruar në Maqedoni, mbi 120,000 prej tyre punojnë në sektorin shtetëror.


Zikov thekson se vendi ka një burokraci të theksuar, e cila punëson shumë njerëz pa qenë nevoja.


"Ne kemi një administratë tepër të fryrë e cila nuk është reformuar që prej 15 vjetësh, pavarësisht një premtimi të qeverisë për ta shkurtuar atë deri në 60,000 punonjës dhe për ta bërë më të efektëshme," ka thënë ai.


Ndërsa qeveria ka premtuar të pakësojë punonjësit e sektorit shtetëror me katër përqind cdo vit, në fakt numri i tyre duket se do të rritet kur do të punësohen edhe 600 punonjës të rinj nga grupet e pakicave kombëtare, në përputhje me marrëveshjen e paqes së Ohrit.


POLITIKA MUND TË PENGOJË PROGRESIN


Pak njerëz do të kundërshtonin nevojën për reforma të gjera nëse Maqedonia do të kishte vërtetë mundësi për sukses në përpjekjet e saj për integrim. Por vëzhguesit paralajmërojnë se një sërë zgjedhjesh të cilat do të zhvillohen këtë vit mund të bëjnë që reformat e domosdoshme të vonohen për momentin. Pas përfundimit të turit të parë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtur më 14 prill, turi i dytë do të mbahet më 28 prill, ndërsa në vjeshtë do të mbahen dy ture të zgjedhjeve lokale. Politikanët duket se do të jenë tepër të zënë me zgjedhjet për ti kushtuar vëmendjen e duhur reformave.


Kritikët theksojnë faktin se gjashtë ministra të qeverisë, përfshirë ata të mbrojtjes, financave dhe punëve të jashtëme, por punojnë tani për ekipin e fushatës zgjedhore të Crvenkovskit. Ata kanë thënë se mund ti bëjnë të dyja detyrat në të njëjtën kohë pavarësisht një rekomandimi nga Komisioni Anti Korrupsion që ata të ndërpresin aktivitetin e tyre ministror gjatë kohëzgjatjes së fushatës zgjedhore.


"Përfshirja politike e ministrave të qeverisë në fushatën e Crvenkovskit do të bllokojë reformat," thotë Vlatko Gjorcev, zëdhënës i partisë së opozitës, VMRO.


Edhe anëtarë të SDSM kanë shprehur pakënaqësinë e tyre. "Jo vetëm që po hyjmë në një sezon zgjedhor... por pothuajse gjysma e qeverisë po punon për zgjedhjen e kryeministrit," është ankuar një zyrtar i partisë. "Kjo do të thotë që shumë aktivitete të rëndësishme si edhe reformat të ndalojnë".


Analistët kanë shprehur gjithashtu shqetësim rreth pasojave të fitores së Crvenkovskit në turin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Nëse ai fiton edhe në turin e dytë, Crvenkovski duhet të japë dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe kryetarit të SDSM, veprim i cili do të mund të conte në vonesa disa mujore për marrjen e vendimeve të rëndësishme.


"Qeveria dhe SDSM do të jenë pa kryetar. Kjo do të thotë që e gjithë qeveria do të japë dorëheqjen dhe partia do të duhet të zgjedhë një kryetar të ri," ka thënë një analist politik i cili ka kërkuar të mos përmendet me emër. "Këtu po flasim për disa muaj mosmarrëveshje politike përpara emërimit të një kryeministri të ri dhe miratimit të tij nga parlamenti. Ndërkohë, parlamenti do të jetë i bllokuar dhe nuk do të mund të shqyrtojë probleme të rëndësishme, si decentralizimi".


Reformat në sistemin e drejtësisë mund të kërkojnë edhe më tepër kohë se sa ato për decentralizimin. Ekspertët thonë se marrëveshja e Ohrit, me vëmendjen e saj tek decentralizimi dhe krijimi i një shërbimi civil shumë etnik, i ka lënë jashtë vëmendjes disa cështje të tjera të rëndësishme si ajo e reformës së sistemit të drejtësië.


"Unë mendoj se pas përfundimit të procesit të decentralizimit, këto reforma do të vazhdojnë," ka thënë për IWPR një ekspert ligjor i përfshirë në këtë proces. "Por duket se kjo do të ndodhë vetëm pas pushimeve të verës, kur do të kemi përsëri zgjedhje".


Zgjedhjet e këtij viti ka mundësi gjithashtu të vonojnë edhe reformat e nevojëshme në sektorin publik dhe fuqizimin e ekonomisë. Analistët thonë se qeveria nuk është e gatëshme të pakësojë vendet e punës të financuara nga ajo, një lëvizje e cila në planin afatshkurtër do të shtonte edhe më tepër nivelin e lartë të papunësisë, gjatë sezonit të zgjedhjeve.


Duke përmendur këto shqetësime rreth pasojave që mund të kenë zgjedhjet në procesin e reformave, ish ministri i jashtëm dhe profesori i drejtësisë, Denko Maleski ka thënë për IWPR se ai shpreson se do të bëhet cfarë është e mundur për të shmangur vonesa të mëtejëshme.


"Gjatë 10 vjetëve të fundit kemi humbur shumë kohë në këtë fushë. Unë shpresoj se muajt e ardhëshëm të mbushur me zgjedhje nuk do të ndikojnë mbi procesin e reformave. Shpresoj të kemi nxjerrë mësime nga gabimet e së kaluarës," ka thënë ai.


Vëzhgues të tjerë thonë se pavarësisht problemeve, nëse zgjedhjet zhvillohen të rregullta dhe të qeta, ato do ti japin Maqedonisë një mundësi të paraqesë veten para botës.


Vdekja e presidentit Boris Trajkovski dhe vala e dhunës që goditi Kosovën në mars kanë qenë prova serioze për rrugën që ka bërë Maqedonia. Vendi i ka kaluar me sukses të dyja këto prova, duke lëvizur shpejt për zgjedhjen e një presidenti të ri dhe duke u izoluar nga problemet përtej kufirit.


"Unë mendoj se zgjedhjet e ardhëshme janë një tjetër provë. Nëse cdo gjë shkon mirë, dhe janë i sigurtë se do të jetë kështu, këto zgjedhje do të jenë një hap përpara drejt familjes evropiane," ka thënë Petersen.


Deri më tani shenjat janë të mira. Fushata në turin e parë të zgjedhjeve presidenciale në muajin prill ka kaluar e qetë, pa shpërthime dhune të cilat kanë njollosur zgjedhjet e mëparëshme, dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë vlerësuar autoritetet të cilat kanë zhvilluar një proces të hapur dhe të qetë zgjedhor.


Por një analist ndërkombëtar i kontaktuar nga IWPR ka theksuar se niveli në rritje i stabilitetit nuk përbën arësye për vetëkënaqësi në lidhje me reformat.


"Për Maqedoninë nuk bëhet më fjalë për mbijetesë por për zhvillim, ajo duhet të largohet nga gjendja e një shteti të sapokrijuar dhe të shkojë drejt një vendi të konsoliduar evropian, pavarësisht nga problemet që ekzistojnë në vende të tjera të rajonit," ka thënë analisti, i cili ka kërkuar të mos përmendet me emër.


"Stabilizimi post konfliktit në Maqedoni duket se ka përfunduar. Puna e gjatë dhe e vështirë e ndërtimit të institucioneve sapo ka filluar".


Ana Petruseva është drejtuese e projektit të IWPR-së në Maqedoni. Nevena Angelovska është një gazetare e revistës Forum në Shkup.


Africa
Frontline Updates
Support local journalists