MOSMARRËVESHJA BËRTHAMORE KËRCËNON PLANET E BULLGARISË PËR ANËTARËSIM NË BE

Premtimi i Sofjes për të mbyllur reaktorët e saj të vjetër po përballet me kundërshtime të fuqishme brenda vendit.

MOSMARRËVESHJA BËRTHAMORE KËRCËNON PLANET E BULLGARISË PËR ANËTARËSIM NË BE

Premtimi i Sofjes për të mbyllur reaktorët e saj të vjetër po përballet me kundërshtime të fuqishme brenda vendit.

Po shtohet frika se një luftë politike në Bullgari mbi mbylljen e reaktorëve të vjetër bërthamor në uzinën e Kozloduy mbi lumin Danub mund të vonojë përpjekjet e Bullgarisë për anëtarëim në Bashkimin Evropian.

Gjatë vitit të kaluar, Partia Socialiste Bullgare, BSP, një grup civil i cili thotë se ka mbledhur 518,000 firma për të protestuar ndaj mbylljes dhe një lobi i fuqishëm inxhinierësh bërthamorë janë bashkuar duke bërë presion mbi qeverinë për të hequr dorë nga premtimi i dhënë BE-së për mbylljen e katër reaktorëve.

Ndërsa grupet pro-bërthamore thonë se premtimi për të mbyllur reaktorët është dhënë nën presion, pak analistë dyshojnë se përpjekjet për të ndryshuar marrëveshjen do të dëmtojnë bisedimet e Sofies për anëtarëim.

Në një anketim të opinionit publik në shkurt 2004, 46 përqind e të pyeturve kanë thënë se mbajtja e reaktorëve është më e rëndësishme se sa anëtarësimi në Evropë, ndërsa vetëm 30 përqind kanë pasur mendim të kundërt.

Në të njëjtën kohë, kryetari i BSP Georgi Purvanov (një ish drejtues i BSP), Komiteti Civil në Mbrojtje të Centralit Bërthamor të Kozloduy dhe lobi pro bërthamor kanë vazhduar një fushatë kundër asaj që është rënë dakord me Brukselin.

Centrali bërthamor i ndërtuar në kohën e Bashkimit Sovietik ka gjashtë reaktorë. Dy më të vjetrit VYER-440 kanë hyrë në veprim ndërmjet viteve 1974 dhe 1982. Dy më të rinjtë, VYER-1000, kanë hyrë në veprim në fund të viteve 1980.

Konflikti mbi të ardhmen e tyre ka nisur mbi 10 vjet më parë, kur në vitin 1992, G7 ka shpallur katër prej tyre si “të parinovueshëm me një kosto të arësyeshme” për shkak të defekteve strukturore dhe ka rekomanduar mbylljen e tyre. BE ka bërë të tijin këtë pozicion.

Bullgaria ka kundërshtuar mbylljen deri në vitin 1999 kur është detyruar të ndryshojë qëndrim për të nisur bisedimet e anëtarësimit me Brukselin. Dy qeveritë e fundit kanë pranuar të mbyllin katër reaktorët dy në vitin 2002 dhe dy në vitin 2006.

Por vendimi ka qenë gjithnjë jo popullor. Një grup pro bërthamor ka identifikuar me sukses interesat e tyre me interesat kombëtar, dhe rezistenca ndaj mbylljes së reaktorëve është shndërruar në një mjet për partitë e opozitës në luftën e tyre ndaj qeverisë.

BSP – pasuesja e Partisë së vjetër Komuniste, e cila ka drejtuar Bullgarinë për më tepër se katër dekada pas Luftës së Dytë Botërore – mbetet partia më e madhe politike në vend dhe mund të fitojë zgjedhjet e përgjithëshme të vitit 2005, pjesërisht falë cështjes bërthamore.

Centrali bërthamor është ndërtuar në periudhën e komunizmit si një simbol i marrëdhënieve “vllazërore” me Bashkimin Sovjetik.

Gjatë muajve të fundit, socialistët kanë shtuar përpjekjet e tyre për të detyruar qeverinë të heqë dorë nga premtimi i dhënë BE-së, duke kërcënuar protesta masive për të detyruar mbajtjen në punë të reaktorëve të vjetër.

Sipas gazetës së përditëshme Sega të 18 maj, kryetari i BSP Sergey Stanishev ka thënë se partia e tij do të rrisë presionin mbi qeverinë për të rishikuar qëndrimin në lidhje me cështjen bërthamore me partnerët e Bullgarisë në BE. “Koha për bisedime po përfundon,” ka cituar ajo Stanishev.

Gazeta ka thënë se socialistët dëshirojnë një referendum për cështjen e reaktorëve dhe se partia e tij do të vazhdojë të mbajë në funksion reaktorët në kundërshtim me marrëveshjen me BE nëse fiton zgjedhjet e ardhëshme.

“E majta do të përdorë të gjithë mjetet e mundëshme për të mos mbyllur reaktorët,” ka thënë më 17 mars për agjensinë e lajmeve Meadiapol, Rumen Ovcharov, zëvendës kryetar i BSP.

Presidenti Purvanov ka ushtruar gjithashtu presion mbi qeverinë për të ndryshuar marrëveshjen me BE. Në një konferencë ndërkombëtare bërthamore në një qytet bregdetar të Bullgarisë më 2 qershor, ai është ankuar se Sofia ka “vepruar me nxitim” në lidhje me marrëveshjen për heqjen nga puna të reaktorëve.

Presidenti ka thënë se përfundimi i Kapitulit për Energjinë në bisedimet e pranimit me BE ka qenë një gabim taktik i Bullgarisë në rrugën e saj për anëtarësim në BE.

Komiteti Civil për Mbrojtjen e Stacionit Bërthamor të Kozloduy ndërkohë ka mbledhur disa qindra mijëra firma në favor të një referendumi dhe ka bërë thirrje për organizimin e protestave kundër mbylljes së reaktorëve.

Atanas Semov, këshilltari ligjor i komitetit, thotë se grupi kërkon ndryshimin e kapitullit të energjisë në bisedimet për anëtarësim në BE dhe një votim popullor për të ardhmen e centralit bërthamor.

Lobi bërthamor ka ngritur publikisht pikpyetje mbi mendimin e BE-së në lidhje me sigurinë e centralit dhe ka paraqitur hipotezën e tij të kundërt.

Lobi e lidh Komitetin Civil për Mbrojtjen e Kozloduy me një sërë organizatash profesionale dhe shkencore, si Shoqata Atomike e Bullgarisë, Forumi Bërthamor Bullgar dhe Forumi Bullgar për Inxhinierinë.

Suksesi i fushatës së tyre ka tronditur mbështetësit e mbylljes së reaktorit. “Fushata e tyre publicitare ka shndërruar një katastrofë kombëtare në një thesar kombëtar,” ka thënë Aleksandur Bozhkov, një ish ministër i industrisë i cili tani është bashkëkryetar i Qendrës për Zhvillim Ekonomik, një organizatë jo qeveritare me drejtim të djathtë.

“Cështja e Kozloduy paraqet qartë frikën e shumë njerëzve në lidhje me BE të cilën e njohin pak,” ka thënë Svetozar Kovachev, një analist me Fondacionin Civil Euro-Atlantik.

Kovachev ka thënë se megjithëse grupet pro bërthamore “nuk e thonë haptazi”, fushata e tyre “ka një drejtim të dukshëm anti evropian”.

Ognyan Minchev i Institutit për Analiza Rajonale dhe Ndërkombëtare, një tjetër organizatë jo qeveritare me drejtim të djathtë, ka thënë se fushata e BSP përmban një element të madh bllofi. “BSP dhe lobi pro bërthamor nuk do të guxojnë të kundërshtojnë BE për një kohë të gjatë,” ka thënë ai.

Minchev ka thënë se edhe ata të cilët punojnë në industrinë e energjisë bërthamore do të kuptojnë se është në interesin e tyre që reaktorët të nxirren nga puna, sepse kjo punë e gjatë e cila do të kushtojë shumë do t’ju sigurojë atyre punë. Planet për të ndërtuar një central të ri bërthamor në Belene do të kënaqin interesat e tyre profesionale, ka shtuar Minchev.

Megjithëse mbyllja është një vendim jo popullor, opinioni publik mund të jetë më tepër konfuz se sa mendojnë disa, sepse ndërsa sipas anketimeve 64 përqind kundërshtojnë mbylljen e centralit bërthamor “me cdo kusht”, të njëjtat anketime thonë se 88 përqind e njerëzve mbështesin anëtarësimin në BE.

Sipas agjensisë së anketimeve të opinionit publik, Alpha, centrali në Kozloduy shihet më tepër si një simbol i sovranitetit kombëtar, se sa si një vlerë ekonomike.

Agjensia ka thënë se sipas anketimeve të saj 66 përqind e atyre të cilët mbështesin ekzistencën e centralit mendojnë se ky do të ndikojë në mbajtjen në fuqi të cmimit të ulët të energjisë elektrike dhe 53 përqind mendojnë se reaktorët bërthamorë ndikojnë që Bullgaria të ketë një pozicion të fortë në tregun ndërkombëtar të energjisë. Rreth 41 përqind kundërshtojnë faktin që ekspertë të huaj të marrin vendime që kanë të bëjnë me interesat kombëtare të vendit.

Këto mendime reflektojnë edhe informacionin e dhënë nga ata të cilët mbështesin vazhdimin e veprimtarisë së reaktorëve. Kundërshtarët vënë në diskutim vlerën ekonomike të centralit. Ata thonë se gjatë gjithë viteve 1990 centrali ka punuar me më pak se 60 përqind të kapacitetit të saj, dhe se ekzistenca e një monopoli shtetëror në shpërndarjen e energjisë elektrike bën që prodhuesit e tjerë të gjenerojnë më pak energji, me qëllim që ti japin punë centralit të Kozloduy.

Krasen Stanchev, nga Instituti i Ekonomisë së Tregut, thotë se Kozloduy i ka shërbyer më tepër interesave ekonomike të Rusisë sesa atyre të Bullgarisë.

Ai thotë, se centrali është ndërtuar “sepse Bashkimi Sovjetik donte të përdorte Bullgarinë si ndërmjetës për lëndën e tij të parë për në tregjet perëndimore. Nafta, qymyri, celiku dhe zinku duhet të përpunoheshin në Bullgari, dhe për këtë qëllim nevojitej shumë energji elektrike”.

Përfaqësues të BE vazhdojnë të paralajmërojnë Bullgarinë se ajo duhet të përmbushë marrëveshjen për mbylljen e reaktorëve nëse dëshiron të anëtarësohet në vitin 2007.

Në një vizitë në Bullgari më 7 qershor, komisioneri i BE për zgjerimin Guenther Verheugen ka thënë se “E vetmja pasojë për Bullgarinë nëse ajo vendos të rihapë kapitullin e energjisë do të jetë vonesa në pranim në BE”.

Albena Shkodrova është një gazetare e pavarur në Sofje.

Support our journalists