MOSMARRËVESHJA PËR SHKOLLAT RINDEZ TENSIONIN NË MOLDAVI

Mosmarrëveshja ndërmjet Moldavisë dhe rajonit të Transdniestrit i cili kërkon të shkëputet, duket se po hyn në një fazë të re më kritike.

MOSMARRËVESHJA PËR SHKOLLAT RINDEZ TENSIONIN NË MOLDAVI

Mosmarrëveshja ndërmjet Moldavisë dhe rajonit të Transdniestrit i cili kërkon të shkëputet, duket se po hyn në një fazë të re më kritike.

Ndërsa anija lundron në lumin Dniestër, dëgjohet vetëm kënga e zogjve të ujit. Lumi i rrëmbyer gjarpëron përmes kodrave dhe pemëve të larta, të cilat shoqërojnë këtë peisazh piktoresk dhe të largët.


Fshatrat e Molovatas në brigjet e lumit, në enklavën separatiste të Trnasdniestrit, një rajon ku flitet kryesisht gjuha ruse në lindje të Moldavisë, duken aq të izoluara nga civilizimi urban sa duhet të kenë qenë edhe një shekull më parë.


Megjithë bukurinë e natyrës, toka këtu nuk jep shumë prodhim. Fshatarët vendas të cilët jetojnë në shtëpi të vogla sigurojnë me vështirësi jetesën.


“Unë siguroj aq para sa për të blerë ushqime për dy fëmijët e mi të vegjël për ti çuar në shkollë,” thotë një grua, kockat e dala të së cilës tregojnë se ajo është e ushqyer keq. “Burri dhe djali më i madh punojnë në Rusi dhe herë pas here na dërgojnë para sa për të mbajtur frymën”.


“Gjatë pushimeve të verës, i dërgoj fëmijët në kampet verore për fëmijët në Molovata, vetëm për të kursyer para,” shton ajo.


Megjithatë, gruaja nuk ankohet shumë. Pjesa më e madhe e njerëzve në rajonin e Transdniestrit – ashtu si në të gjithë Moldavinë – kanë të njëjtin fat. Të ardhurat mesatare për frymë në vendin më të varfër të evropës, janë më pak se 30 dollarë amerikan dhe papunësia është tepër e madhe.


Por më e keqja mund të jetë ende përpara. Në fillim të muajit, autoritetet pro ruse në Transdniestër kanë ndërprerë furnizimin me energji elektrike dhe ujë qyteteve të Moldavisë dhe fshatrave në bregun e majtë të Dniestrit. Edhe kampi veror i Molovata, megjithëse gjendet në rajonin e Transdniestrit, ka humbur furnizimin me energji elektrike.


Incidenti ka pasur një vendim të mëparëshëm të autoriteteve në Tiraspol, kryeqyteti i republikës që kërkon të shkëputet, për të mbyllur gjashtë shkolla të cilat jepnin mësim në gjuhën moldave, duke thënë se ato nuk ishin regjistruar në ministrinë e arsimit të rajonit të Transdniestrit.


Moldavishtja është pothuajse identike me rumanishten. I vetmi ndryshim është se gjatë disa dekadave të sundimit sovjetik në Moldavi, njerëzit janë detyruar të përdorin alfabetin cirilik rus, në vend të atij latin.


Tani, Moldavia ka rivendosur alfabetin latin, por ai cirilik ka mbetur i rrënjosur tek rusisht folësit në Transdniestër, përvëç në disa shkolla rebele, të cilat ndodhen kryesisht në zonat etnike moldave, ku prindërit dëshirojnë që fëmijët e tyre të vazhdojnë studimet në Moldavi, apo Rumani.


Sulmet ndaj shkollave kanë shkaktuar zemërim në Moldavi, duke zemëruar edhe qeverinë e drejtuar nga komunistët, e cila është zakonisht e kujdesëshme për të mos mërzitur Moskën.


Duke folur javën e kaluar, presidenti Vladimir Voronin ka thënë se separatistët kanë “të gjitha karakteristikat e një grupi kriminal fashist”.


Organizata për Sigurim dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, e cila zakonisht mban një qëndrim diplomatic, është shprehur me një gjuhë pothuajse po aq të fortë. Zëdhënësi i saj në Moldavi i ka akuzuar autoritetet në Transdniestër për shkelje të të drejtave të njeriut. Këshilli i Evropës dhe Amnesty International gjithashtu kanë dënuar këtë hap.


Të dyja qeveritë kanë ndërmarrë disa masa hakmarrëse ndaj njëra tjetrës. Moldavia është tërhequr nga bisedimet për një zgjidhje të qëndrueshme politike, dhe ka vendosur sanksione ekonomike, ndërsa Transdniestri ka bllokuar një linjë hekurudhore, duke ndaluar disa trena të lëvizin për në Moldavi.


Pas disa ditë tensionesh, një marrëveshje për zhbllokimin e kësaj situate është arritur ndërmjet kryeministrit të Moldavisë, Vasile Tarlev, dhe drejtuesit të Transdniestrit, Igor Smirnov, falë një ndërmjetësimi telefonik nga presidenti i Ukrainës, Leonid Kuchma.


Javën e kaluar, pas disa ditë përplasje me qeverinë e Moldavisë, Tiraspoli ka njoftuar arritjen e një marrëveshjeje dhe ka regjistruar një shkollë në gjuhën moldave për një vit, duke paralajmëruar kështu fundin e këtij konflikti dhe lehtësimin e frikës për rikthimin e ngjarjeve të vitit 1992, kur dhuna ndërmjet dy palëve ka marrë 300 jetë njerëzish.


Pasi Transdniestri u shkëput nga Moldavia në vitin 1990, Moldavia ka nënshkruar një marrëveshje paqeje me rebelët në Transdniestër në fund të vitit 1992, me ndërmjetësimin e Ukrainës, OSBE-së dhe Rusisë – e cila është edhe mbrojtësja e vetëshpallur e popullsisë rusisht folëse të rajonit dhe forca e vërtetë pas aspiratave separatiste të drejtuesve të tij.


Rreth 1,500 trupa ruse dhe mijëra ton pajisje ushtarake mbeten të dislokuara në rajon – si një kujtesë për Moldavinë që Transdniestrit nuk i mungojnë miqtë e fuqishëm.


Një zgjidhje përfundimtare e kësaj mosmarrëveshjeje nuk është gjetur ende. Qëndrimi i evropës është i ndryshueshëm. Ndërsa është e shqetësuar nga varfëria dhe korrupsioni në Moldavi, ajo ka gjithashtu frikë se Transdniestri mund të bëhet një burim paqëndrueshmërie në rajon.


Ekziston shqetësimi se kufinjtë e pacaktuar ndërmjet Moldavisë dhe rajonit që synon shkëputjen në lindjen e saj po shërbejnë si një magnet për trafikantë dhe kontrabandistë.


“Kufinjtë e pasigurtë ndërmjet republikës së vetëshpallur dhe Moldavisë janë një derë drejt evropës për trafikantët e qenieve njerëzore, drogave dhe armëve,” thotë për IWPR, Nicu Popescu, një analist politik nga Moldavia.


“Kontrabanda, pastrimi i parave dhe krimi i organizuar të cilat kanë gjetur një strehë të sigurtë në Transdniestër janë një problem rajonal, i cili prek Moldavinë, Rumaninë, Ukrainën dhe shumë shpejt të gjithë Bashkimin Evropian”.


Kritikat ndaj rajonit të Transdniestrit si një strehë e sigurtë për veprimtarinë kriminale, ndoshta janë të pritëshme nga një burim moldav. Por edhe organizmat ndërkombëtare janë alarmuar gjithashtu nga aktivitetet e paligjëshme që zhvillohen në këtë rajon.


Në një raport të kohëve të fundit, Grupi Ndërkombëtar i Krizave, GNK, thotë se ai mendon se në Transdniestër veprojnë pesë ose gjashtë fabrika armësh, të cilat prodhojnë armë të vogla, mortaja dhe rraketahedhës të cilat shiten në vende ku ka konflikte të armatosura.


“Moldavia dhe Ukraina duhet të zhvillojnë programe anti korrupsion për doganat, rojet e kufirit dhe shërbimin e taksave, me qëllim që të luftojnë trafikun, nga dhe nëpërmjet Transdnestrit,” thuhet në raportin e GNK.


Për shumë njerëz në Moldavi, konflikti më i fundit me Transdniestrin është një kujtesë se paqja e qëndrueshme, si edhe një progres i mundëshëm drejt prosperitetit të stilit perëndimor, mbetet një synim i largët.


Por ndërsa Moldavia nuk mund të shpresojë të zgjidhë konfliktin e saj me Transdniestrin e vetme, dhe ndërsa Rusia mbështet rebelët, shpresat e saj janë të lidhura me një përfshirje gjithnjë e më të madhe të perëndimit në këtë krizë.


Nëse kjo përfshirje do të realizohet, ndërsa Moldavia mbetet nën drejtimin e qeverisë së tanishme komuniste, përgjithësisht pro ruse, kjo është diçka tjetër.


Megjithatë, moldavët shpresojnë që të ndodhë kështu. “Roli i BE dhe SHBA në zgjidhjen e mosmarrëveshjes për Transdniestrin duhet të jetë që ti tregojnë Rusisë se mbështetja e saj për regjimet totalitare nuk mund të vazhdojë pa ndikuar mbi klimën e përgjithëshme të marrëdhënieve ndërmjet Moskës dhe demokracive perëndimore,” ka thënë Nicu Popescu.


“Duhet të thuhet qartë se bashkëpunimi i Rusisë me NATO-n, BE-në dhe SHBA në fushën e sigurisë nuk mund të shkojë përpara nëse Rusia vepron kundër parime të shpallura të partneritetit strategjik të Rusisë me perëndimin. Transdniestri do të ishte një provë e mirë për këtë”.


Marian Chiriac është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR.


Frontline Updates
Support local journalists