Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

MLLADIQ ËSHTË PAGUAR NGA BEOGRADI EDHE DISA VJET PAS NGRITJES SË AKUZAVE NDAJ TIJ

Të dhënat për shefin e ushtrisë së serbëve të Bosnjes do të intensifikojnë presionin për bashkëpunim me prokurorët e Hagës.
By Hugh Griffiths

Dosjet e ish gjeneralit të serbëve të Bosnjes, Ratko Mlladiq, të publikuara në shtyp, kanë treguar se ai ka vazhduar të paguhet nga ushtria serbe dhe ajo e serbëve të Bosnjes edhe disa vjet pasi është akuzuar për krime lufte nga gjykata e Hagës.


Dokumentat, e botuara në të përditëshmen e Sarajevës Dnevni Avaz më 30 nëntor, tregojnë se Mlladiq ka marrë një pension zyrtar nga Beogradi deri në vitin 2001 dhe është paguar nga ushtria e serbëve të Bosnjes deri në vitin 2002. Hetimet e kryera nga IWPR, dhe reagimet nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë, tregojnë se dokumentat janë të vërteta.


Fakti që Mlladiq ka pasur marrëdhënie me Beogradin dhe qeverinë e serbëve të Bosnjes nuk përbën ndonjë surprizë.


Por përveç se ka krijuar një gjendje të sikletëshme për Serbinë, ku sipas disa njerëzve të brendëshëm të gjykatës Mlladiq edhe fshihet, këto fakte mund të kenë pasoja veçanërisht të rënda për qeverinë e serbëve të Bosnjes, e cila është nën presion të madh kohët e fundit për mosarrestimin e asnjë të akuzuari për krime lufte.


Mlladiq, i cili ka drejtuar forcat etnike serbe gjatë luftës në Bosnjes, është akuzuar nga prokurorët e gjykatës së Hagës në vitin 1995. Ai është akuzuar se ka qenë ndër urdhëruesit e masakrës së rreth 8,000 muslimanëve të Bosnjes në zonën përreth Srebrenicës në korrik të atij viti.


Marrëdhënia e gjeneralit me qeverinë e Beogradit të asaj kohe është gjithashtu një çështje e rëndësishme në gjyqin ndaj ish presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq, i cili është akuzuar për planifikimin e krimeve të kryera nga forcat e serbëve etnik në Bosnje.


Dokumentat e botuara kanë pasur efektin e tyre të parë në gjykatën e Hagës më 2 dhjetor, kur prokurori Geoffrey Nice pyeti një dëshmitar të mbrojtjes në çështjen ndaj Millosheviq rreth kësaj çështjeje. Ai e ka pyetur ish ministrin e brendëshëm jugosllav Vukasin Jokanoviq nëse ai ka pasur dijeni që Mlladiq ka qenë në librin e pagave të Beogradit deri në vitin 2001.


Kryeprokurorja Carla Del Ponte ka njoftuar në prill se pas një beteje të gjatë, ajo ka arritur të sigurojë një kopje të asaj që ajo e ka quajtur “dosjen zyrtare” të Mlladiq nga qeveria serbe. Por dokumentat e dhëna asaj kanë pasur informacion vetëm deri në vitin 1992 – vitin kur Beogradi ka ndërprerë zyrtarisht marrëdhëniet e tij me forcat e serbëve të Bosnjes.


Dokumentat e botuara janë prova e parë e fortë që Mlladiq ka vazhduar të mbesë një punonjës me rrogë i ushtrisë jugosllave edhe për shumë kohë pas ndarjes zyrtare. Dokumentat tregojnë se ai është hequr nga lista e pensionistëve të ushtrisë nëntë vjet më pas, në vitin 2001, me kërkesën e ish presidentit jugosllav të atëhershëm, Vojisllav Koshtunica.


Këto dokumenta janë edhe më të dëmshme për drejtuesit e Republika Srpska, RS, të cilët sipas dokumentave nuk e kanë hequr zyrtarisht Mlladiq nga lista e pensionistëve të ushtrisë deri në dhënien e një urdhëri në vitin 2002 nga ish presidenti i RS, Mirko Saroviq.


Një deklaratë nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë, OHR, e lëshuar në përgjigje të botimit të dokumentave, i ka quajtur ato si origjinale dhe ka dënuar veprimet e autoriteteve të serbëve të Bosnjes.


“Fakti që edhe deri dy vjet më parë, ushtria e RS ka pasur një marrëdhënie punëdhënësçpunëmarrës me zotin Mlladiq përbën një skandal,”ka thënë përfaqësuesi i lartë Paddy Ashdoën.


Ai ka shtuar se ky informacion është një shenjë se si qeveria e serbëve të Bosnjes dhe ushtria nuk kanë zbatuar detyrimet e vendosura ndaj tyre nga marrëveshja e paqes së Dejtonit e vitit 1995 e cila i dha fund luftës, dhe detyrimet ndaj gjykatës së Hagës.


Për shumë kohë është menduar se Mlladiq dhe ushtria e tij ka pasur lidhje të ngushta me Beogradin për shumë vite pasi rregjimi i Millosheviqit ka njoftuar zyrtarisht se ka ndërprerë të gjitha marrëdhëniet me serbët e Bosnjes.


“Nuk përbën ndonjë surprizë që Ratko Mlladiq ka pasur një pension nga ushtria jugosllave; të gjithë në Beograd e kanë ditur këtë,” thotë një redaktor i njohur në Beograd i cili ka kontakte të rëndësishme në qeveri. “Ushtria e serbëve të Bosnjes dhe ushtria jugosllave kanë pasur praktikisht të njëjtin thesar”.


Tanja Topiq, një analiste me Fondacionin gjerman Friedrich Ebert në degën në Banja Luka, ka thënë se provat e reja për lidhjet e gjata të Mlladiq me qeverinë e serbëve të Bosnjes nuk përbëjnë ndonjë surprizë: “Ne të gjithë e kemi ditur që ka disa njerëz dhe institucione në RS të cilët kanë ndihmuar kriminelët e luftës”.


Emir Suljagiq, një gazetar investigativ me revistën Dani me qendër në Sarajevë, ka thënë se “Është një fakt i njohur prej kohësh që qeveria e serbëve të Bosnjes dhe zyrtarë të ushtrisë kanë pasur urdhër të mbështesin Mlladiq”.


Zyrtarët ndërkombëtarë kanë thënë për IWPR se ata mendojnë se Mlladiq ka vazhduar të mbështetet nga qeveria edhe pas datave të përmendura në dokumentat e botuara, por ata nuk kanë mundësi ta provojnë këtë fakt me dokumenta.


Megjithëse pak njerëz janë habitur nga fakti që Mlladiq ka ruajtur lidhjet me autoritetet e serbëve të Bosnjes, provat e reja janë bërë publike në një moment tepër të rëndësishëm për udhëheqjen e serbëve të Bosnjes.


Ashdoën e ka bërë të qartë disa herë kohët e fundit se RS duhet të arrestojë Mlladiq në të ardhmen e afërt si edhe të akuzuarin tjetër, Radovan Karaxhiq, ish presidentin e serbëve të Bosnjes, ose do të duhet të përballen me pasojat.


“Ndërkombëtarët po përgatiten të ndërmarrin një hap ndaj autoriteteve të RS, dhe ata e kanë lënë të kuptohet këtë gjë gjatë muajit të fundit,” ka thënë Suljagiq për IWPR, duke përmendur si prova jo vetëm një fjalim që Ashdoën ka mbajtur përpara asamblesë së serbëve të Bosnjes, por edhe deklarimet e Del Pontes në një fjalim të kohëve të fundit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe një letër të hapur të Ashdoën për serbët e Bosnjes.


“Ky është një mesazh i qartë,” shton Suljagiq, “ndëshkimi është shumë pranë”.


Dokumentat e botuara do ta bëjnë gjendjen e drejtuesve të RS edhe më të vështirë. James Lyon, drejtor i projektit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Serbi, ka thënë për IWPR se OHR do të përdorë këtë ngjarje për të justifikuar çdo masë që do të vendosë të marrë ndaj RS.


“Ky duket të jetë një lajm i keq për autoritetet,” ka thënë Topiq nga fondacioni Friedrich Ebert.


Zeljko Kopanja, drejtor i së përditëshmes Nezavisne Novine në Banja Luka, ka thënë se këto informacione mund të sjellin një ndryshim taktikash nga ata të cilët ushtrojnë presion mbi qeverinë e RS.


“Botimi i dosjeve të Mlladiq me siguri do të përfundojë me pakësimin e pushtetit të disa institucioneve të RS, si ministria e brendëshme dhe ministria e mbrojtjes,” ka thënë ai. “Këtë herë do të ndëshkohen institucionet, dhe jo individët si më parë”.


Shumë analistë mendojnë se një takim i NATO-s i planifikuar për më 9 dhjetor do të shërbejë si afati i fundit për vendosjen e bashkëpunimit. Pas këtij afati, ata thonë se, Banja Luka mund të ndëshkohet përsëri si pas takimit të fundit të NATO-s në korrik, kur 59 politikanë dhe drejtues të policisë u detyruan të jepnin dorëheqjen dhe nuk janë lejuar të marrin detyra të ngjashme në të ardhmen.


Si përfaqësues i lartë, Ashdoën ka pushtet tepër të madh në Bosnje. Një ndër këto pushtete është edhe mundësia për të shkarkuar çdo zyrtar publik nga posti i tij nëse sheh se ai po pengon zbatimin e marrëveshjes së Dejtonit, përfshirë bashkëpunimin me gjykatën e Hagës.


Dështimi i qeverisë së RS për të arrestuar qoftë edhe një të akuzuar të vetëm për krime lufte në bazë të detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshja e Dejtonit është në kontrast të dukshëm me Federatën, e cila ka dorëzuar të gjithë të dyshuarit për krime lufte në Hagë.


Hugh Griffiths është një bashkëpunëtor i IWPR në Beograd. Michael Farquhar dhe Merdijana Sadoviq kanë bashkëpunuar për këtë artikull nga Haga.