MINISTRI KROAT PAGUAN PËR TË MOS LEJUAR BURGOSJEN E NJË GAZETARI

Vendimi i diskutueshëm i ministrit të drejtësisë për të mos lejuar burgosjen e një gazetari ka vendosur në qendër të vëmendjes çështjen e ligjeve të fyerjes nëpërmjet mediave.

MINISTRI KROAT PAGUAN PËR TË MOS LEJUAR BURGOSJEN E NJË GAZETARI

Vendimi i diskutueshëm i ministrit të drejtësisë për të mos lejuar burgosjen e një gazetari ka vendosur në qendër të vëmendjes çështjen e ligjeve të fyerjes nëpërmjet mediave.

“Në këtë vend gazetarët nuk do të shkojnë në burg sepse mund të kenë fyer dikë me shkrimet e tyre,” ka thënë javën e kaluar ministrja e drejtësisë Vesna Skare Ozbolt, duke njoftuar se kundër dëshirës së tij, ish redaktori i një gazete të përdyjavëshme tani të falimentuar, Novi Brodski List, i ka shpëtuar një dënimi me dy muaj burg.


Më pas është mësuar se ministrja, kryetare e Partisë së Qendrës Demokratike, një partnere në koalicionin e qendrës së djathtë të Kroacisë, kishte paguar personalisht gjobën prej 12,600 kuna (1,800 euro) ndaj gazetarit Miroslav Juriq.


Megjithatë, ky veprim i pazakontë nuk i ka siguruar gazetarët se ata nuk mund të kërcënohen në të ardhmen.


Këto presione janë theksuar kur Juriq ka qenë gazetari i parë që prej pavarësisë në vitin 1991 i cili ka vendosur të mos paguajë gjobën por të vuajë dënimin me burg, të dhënë pasi ka fyer një gjykatës dhe një prokuror lokal.


Juriq ka protestuar ndaj vendimit të gjykatës të dhënë më 17 qershor, 2003, me anë të të cilit ai është gjendur fajtor për shpifje kur më 5 korrik, 2000, gazeta e tij ka ribotuar një artikull nga gazeta kombëtare e përjavëshme, Imperijal, i cili akuzonte dy zyrtarët për korrupsion.


Kjo mosmarrëveshje ligjore ndodh në një kohë kur Kroacia po përballet me presione gjithnjë më të mëdha për të ndryshuar ligjet e saj për median në përputhje me normat evropiane.


“Drita e gjelbër” që i është dhënë Zagrebit për të nisur bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian ka shtuar presionin ndaj Kroacisë që ajo ta bëjë çështjen e fyerjes në media një çështje civile, ku nuk parashikohet asnjë dënim me burgim.


Megjithatë, për momentin, Kroacia është një ndër vendet e pakta kryesisht ballkanike ku fyerja në media vazhdon të jetë një kundërvajtje penale dhe mund të dënohet me burgim.


Kushdo i cili mendon se reputacioni i tij është shkelur nga një artikull apo informacion tjetër publik mund të ngrejë një padi penale, si edhe një padi civile.


Duke treguar mospajtimin e saj me këtë, Skare Ozbolt ka thënë ligji i ri i cili do të hyjë në fuqi në tetor, do ta dekriminalizojë këtë shkelje.


Por ekspertët ligjorë janë pjesërisht të kënaqur me ndryshimet e planifikuara. Vesna Alaburiq, një eksperte e ligjit të mediave, ka thënë për IWPR se ndryshimet ishin “pozitive por të paplota”.


Nga ana pozitive pesha e provave do të jetë nga ana e prokurorisë, ndërsa tani i akuzuari është i detyruar të provojë pafajësinë e tij, ka thënë ajo.


Do të jetë gjithashtu e nevojëshme të tregohet që gazetari në fjalë ka dashur të dëmtojë reputacionin e dikujt, ndërsa në ligjin e mëparëshëm nuk përfshihej aspekti i vetëdashjes. Redaktorët nuk do të jenë më automatikisht përgjegjës për shkrimet fyese të punonjësve të tyre.


Nga ana negative, pavarësisht rekomandimeve ndërkombëtare që fyerja duhet të hiqet krejtësisht nga kodi i procedurës penale, projekt ligji i propozuar përmban ende disa mbeturina nga sistemi i kaluar.


Alaburiq thotë se megjithëse ndryshimet do të “paksojnë numrin e procedurave ligjore ndaj gazetarëve dhe do të bëjnë më të vështirë dënimin e tyre,” mundësia e dënimit me burgim është ende e pranishme, për fyerje ose në rast se i pandehuri nuk pranon të paguajë një gjobë.


Mospagimi i një gjobe civile, nga ana tjetër, do të çonte në masa të tjera si sekuestrimi i pasurisë, dhe jo dënim me burgim.


Megjithëse ndryshimet e propozuara do të ofrojnë një sistem më liberal në gjykimin e rasteve të fyerjes nga mediat në Kroaci në krahasim me shumë vende të BE-së, kultura ligjore në të cilën këto vende veprojnë nuk është e njëjtë, sipas Alaburiq.


“Ndërsa nenet e kodit penal për fyerjen apo shpifjen përdoren shumë rrallë në praktikë në vendet e BE-së, në Kroaci ndodh e kundërta,” ka thënë ajo.


Oliver Cujoviq, sekretar i përgjithëshëm i Organizatës së Mediave të Evropës Jug Lindore, SEEMO, ka thënë për IWPR se në gjykatat në Kroaci ka ende shumë procese për fyerje nga mediat.


“Megjithëse situata është shumë më e mirë se gjatë drejtimit të ish presidentit Franjo Tugjman, shkalla e dënimeve për fyerje nga mediat është ende e lartë,” ka thënë Vujoviq.


Ai fajëson “kulturën politike” në vend për faktin që sistemi i drejtësisë është “shumë aktiv” në përdorimin e neneve të kodit penal.


Zrinjka Perusko, një eksperte e mediave në Institutin për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Zagreb, ka thënë se tani mediat gjenden më tepër nën presion nga sektori privat se sa nga politikanët.


“Më parë, shumica e padive ngriheshin nga njerëz me pushtet politik si një mënyrë për të bërë presion ndaj gazetarëve,” ka thënë Perusko. “Tani, shumica e këtyre padive janë njerëz të zakonshëm, dhe kanë të bëjnë me interesa biznesi”.


Gjatë tre vjetëve të fundit, të paktën pesë gazetarë janë dënuar me burgim për fyerje. Tihomil Jovanoviq, Ljubica Letiniq, Damir Piliq, Ivo Pukaniq dhe Boris Raseta, pasi kanë paguar gjobat nuk janë dënuar me burgim.


Vujanoviq ka thënë se në shumë raste të tjera gjykatat kanë dhënë fillimisht vendime për dënime me burgim në shkallë të parë, por vendimet janë ndryshuar nga gjykatat e apelit. “Natyra e zgjatur e këtyre proceseve përbën gjithashtu një formë presioni mbi mediat,” ka thënë ai.


Një raport i botuar nga IREX, një organizëm për zhvillimin e mediave me qendër në SHBA, në vitin 2003, theksonte se media në Kroaci përballet me akuza të shumta për fyerje.


“Akuzat për fyerje janë ende një nga problemet më të mëdha ligjore me të cilat përballet media: mbi 800 raste ndaj gazetarëve kroatë janë ende në pritje të gjykimit nëpër gjykata,” thuhet në raport.


Shumë janë çështje të vjetra, që nga koha e Tugjman në vitet nëntëdhjetë. Disa janë veçanërisht të dyshimta; njëra ka të bëjë me të përjavëshmen satirike me qendër në Split, Feral Tribune, e akuzuar se ka shkaktuar “dëm moral” dhe ka botuar “opinione dhe pikpamje kozmopolitane”. Rasti, ka të bëjë me dy artikuj nga viti 1993 dhe 1995, e ka çuar gazetën në prag të mbylljes pasi llogaritë bankare të saj janë ngrirë në mars të vitit 2002. Ajo është gjobitur 200,000 kuna, afërsisht 28,500 euro.


Dragutin Luciq, kryetar i shoqatës së gazetarëve të Kroacisë, HND, ka thënë për IPËR se skenari Juriq mund të përsëritet përsëri, dhe një gazetar mund të përfundojë në burg nëse nuk paguan gjobën e tij.


Një kërcënim i tillë qëndron tani mbi redaktorin e Slobodna Dalmacija Ilija Marsiq, i cili nuk ka pranuar të paguajë një gjobë të caktuar pasi ka fyer një zyrtar nga rajoni i Split-Dalmacisë. Si në rastin ndaj Juriq, ai nuk po pranon të paguajë një gjobë me vlerën e 20 ditë pune me qëllim për të vuajtur dënimin me burg.


Më 12 korrik, një javë përpara çështjes së Juriq, gazetari Ljubica Letiniq me qendër në Split është gjendur fajtor se ka fyer një biznesmen nga Spliti në një raport për programin politik Latinica, dhe është dënuar me dy muaj burgim.


Luciq ka thënë se sistemi gjyqsor kroat donte të mbante dënimet me burgim si një opsion rezervë për krimet ndaj dinjitetit dhe reputacionit.


“Nenet pak më liberale të propozuara për kodin penal nuk do të ndryshojnë shumë gjëra në praktikat juridike,” ka thënë ai.


Peter Semneby, drejtues i misionit të OSBE-së në Kroaci, ka thënë për IPËR se “masa e pazakontë” e ndërmarrë nga Ozbolt për të mos lejuar burgimin e Juriq thekson “nevojën për të siguruar që gazetarët nuk duhet të përballen me akuza kriminale për ato që shkruajnë”.


Semneby ka konfirmuar se OSBE i ka kërkuar qeverisë të heqë fyerjen dhe shpifjen nga kodi penal, ose të mos përdorë më dënimin me burgim për këto krime.


Zëdhënëse i OSBE-së Alessandro Fracassetti, ndërkohë, ka shprehur shqetësim se mundësia e dënimit me burgim në rastin e Juriq dhe Letiniq “mund të ketë një ndikim të madh mbi lirinë e mediave”.


Kjo duket diçka e vështirë në klimën e tanishme të mediave, ku redaktorët dhe gazetarët janë shumë të ndjeshëm ndaj presioneve nga politikanët dhe ankohen menjëherë.


Përpjekjet nga kryeministri Ivo Sanader për të diktuar se çfarë pyetjesh do ti bëheshin atij në një program televiziv janë transmetuar publikisht dhe kanë shkaktuar një gjendje të sikletëshme për të. Po ashtu, ka pasur një zhurmë të madhe në media kur ministri i shëndetësisë Andrija Hebrang është përpjekur të detyrojë një gazetar të mohojë një raport të dhënë më parë.


Në përgjithësi, liria e mediave në Kroaci është tani më e madhe se në vendet e tjera të ballkanit dhe Azisë evropiane, sipas raporteve të IREX për vitin 2003.


Luciq ka thënë për IWPR se media është tani më e aftë për të përballuar presionet se më parë. Ai ka karakterizuar shumë ndërhyrhje politike si veprime të jashtëzakonëshme nga “njerëz të pakontrolluar”, dhe jo një përpjekje të planifikuar për të kontrolluar informacionin.


“Kërcënimet më të mëdha sot vijnë nga biznesi dhe aspekti i pronësisë së sektorit të mediave,” ka shtuar ai, duke përshkruar gjendjen e sotme në media si “parajsë” krahasuar me vitet 1990.


Një raport i kohëve të fundit i Komitetit Kroat të Helsinkit ka theksuar gjithashtu se mungesa e profesionalizmit në media është bërë një problem më i madh se sa presioni politik ndaj gazetarëve.


Raporti i IREX pranon se një prej arësyeve që fyerja mbetet “një çështje serioze” në median kroate është “për shkak të standardeve të ulta etnike dhe shkeljeve të hapura të së drejtës për mbrojtjen e jetës private nga ana e mediave”.


Raporti ka theksuar se “një numër i madh i njoftimeve janë ose pjesërisht të bazuara në fakte ose fabrikime të plota dhe gazetarët nuk verifikojnë gjithnjë informacionin që kanë në dispozicion apo burimet e tyre”.


Ankesat për median në Këshillin e Komitetit të Helsinkit për Median janë shtuar me 50 përqind në vitin 2003 krahasuar me 2002, veçanërisht në lidhje me përdorimin e gjuhës së urrejtjes, mungesës së tolerancës, dizinformimit dhe mungesës së profesionalizmit. Shumë ankesa kanë të bëjnë me trajtimin e pakicave etnike dhe homoseksualëve.


Disa analistë thonë se dëshira e Juriq dhe Marsiq për të konvertuar gjobat në dënime me burgim nuk përbën një shqetësim të vërtetë për lirinë e shtypit, sepse asnjë prej tyre nuk është dënuar fillimisht me burgim, por po përdorin nenet e kodit penal për të tërhequr vëmendje ndaj vendimeve të gjykatës të cilat ata kundërshtojnë.


Në Kroaci, edhe një gjobë prej 1,000 kuna për parkim ta gabuar mund të shndërrohet në disa ditë burgim. Kjo gjë është bërë kaq e zakonëshme saqë burgjet e kanë pasur të vështirë të pranojnë të gjithë të dënuarit, dhe ligji tani po ndryshon për ta përjashtuar këtë mundëi.


Këto zhvillime më të fundit ligjore kanë theksuar nevojën për vazhdimin e reformave në fushën e drejtësisë. Ndërkohë, ndërsa po shtohen rastet e ngjashme me atë të Juriq, ministrja e drejtësisë mund të detyrohet përsëri të përdorë paratë e saj për ti kursyer Kroacisë turpin e burgosjes së një gazetari.


Anna McTaggart është oficere e zhvillimit të IWPR për Ballkanin.


Frontline Updates
Support local journalists