Millosheviqi Rekruton Ushtrinë

Sllobodan Millosheviq po kërkon mbështetjen e ushtrisë për të shtypur kundërshtarët politikë.

Millosheviqi Rekruton Ushtrinë

Sllobodan Millosheviq po kërkon mbështetjen e ushtrisë për të shtypur kundërshtarët politikë.

Gjykata ushtarake në Nish ka krijuar një precedent të rrezikshëm duke dënuar gazetarin e pavarur Miroslav Filipoviq me shtatë vjet burgim.


Vendimi tregon se regjimi ka ndryshuar taktikën në dhunën e tij ndaj medias së pavarur nga vendosja e gjobave në burgimin e gazetarëve.


Arsyeja që Filipoviq është kaq i rrezikshëm për regjimin është se ai është i pari gazetar në Serbi që ka guxuar të shkruajë haptazi rreth sjelljes së ushtrisë jugoslllave në Kosovë gjatë ndërhyrjes së NATO-s vitin e kaluar.


Regjimi dëshiron të fshehë veprimet e ushtrisë, sepse nëse ato do të ekspozohen ndonjëherë, do të jenë zyrtarët shtetërorë dhe zyrtarët e lartë ushtarakë të cilët do të konsiderohen përgjegjës. Këta njerëz të rëndësishëm kanë frikë nga Filipoviq - dhe dënimi i tij përbën edhe hakmarrjen e tyre.


Ndërhyrja e NATO-s i dha fund sovranitetit të Serbisë ndaj Kosovës duke dëmtuar rëndë infrastrukturën e vendit dhe duke varfëruar edhe më shumë popullsinë. Por ndoshta pasoja e saj më e keqe ka qenë vendosja e një gjendjeje të jashtëzakonshme të pashpallur në Serbi.


Ky regjim ka ndërprerë të drejtat njerëzore dhe ato kushtetuese. Kundërshtarët politikë persekutohen; media e pavarur detyrohet të mbyllet dhe gazetarët dënohen ashpër.


Në Serbinë e sotme cilido që ecën në rrugë me një shenjë të "Otpor" ose arrestohet ose rrihet.


Ndoshta shembulli më i keq i kohëve të fundit i tejkalimit të regjimit ka qenë gjatë një takimi futbolli të vlefshëm për Kupën e Kampioneve të Europës ndërmjet Yllit të Kuq të Beogradit dhe ekipit gjeorgjian Torpedo. Tifozët vendas janë rrahur nga njësitë speciale të policisë së Millosheviqit pasi kanë kënduar një sllogan tepër popullor kohët e fundit "Shpëto Serbinë dhe vrit veten Sllobodan".


Gjyqi i Miroslav Filipoviqit është një provë e qartë se Serbia tanimë ndodhet në një gjendje të jashtëzakonshme. Duke patur frikë se mos humbasë pushtetin, Millosheviqi ka vendosur besimin e tij tek gjeneralët - të cilët tani ndërhyjnë gjithnjë e më tepër në çështjet civile. Duket se tani po shkojmë drejt një tipi të ri diktature, diçka të ngjashme me juntat ushtarake të Amerikës Latine.


Gjeneralët shfaqen rregullisht në takimet e Partisë Socialiste të Serbisë, SPS, e të së Majtës së Bashkuar Jugosllave, JUL, dhe shpesh shihen edhe në funksione publike. Udhëheqja ushtarake lëshon deklarata publike politike, në të cilat ajo kërcënon "tradhëtarët" si presidentin malazez Milo Gjukanoviq, apo cilindo tjetër që guxon të kritikojë Sllobodan Millosheviqin.


Me dënimin e Filipoviqit kërcënimet e ushtrisë janë materializuar.


Media e huaj ka sinjalizuar që prej disa kohësh se ushtria po fsheh ish-komandantin e forcave serbe të Bosnjes Ratko Mlladiq, si edhe disa persona të tjerë të akuzuar nga Gjykata e Hagës. Marrëdhëniet gjithnjë e më të ngushta ndërmjet komandës së lartë federale dhe Millosheviqit bazohen në nevojën e tyre të përbashkët për të mbrojtur njëri tjetrin nga gjykata e krimeve të luftës.


Miroslav Filipoviq është një njeri i guximshëm dhe një gazetar i mirë. Ai tashmë është shndërruar në një simbol të rezistencës ndaj diktaturës dhe luftës për lirinë e të shprehurit. Ai tani respektohet shumë edhe nga ata që besojnë tek propaganda e regjimit e tipit të Gëbelsit, e cila e akuzoi atë për spiunazh.


Dënuesit e Filipoviqit, prokurori ushtarak kapiten Aleksander Kalicanin dhe gjykatësi kolonel Radenko Miladinoviq, janë shndëruar - duke i shërbyer një diktatori vetëm për dymijë dinarë në muaj dhe një numër privilegjesh të tjera.


Gjobat e shumta të vendosura ndaj botuesve dhe transmetuesve kanë shënuar vullnetin e mediave të pavarura për të mos marrë parasysh Ligjin famëkeq të Informimit Publik. Dënimi i Filipoviqit tregon se autoritetet nuk janë të përgatitur të lejojnë akoma pikpamjet e kundërta me ta.


Pas dënimit të Filipoviqit, kolonel Miladinoviq ka theksuar pikpamjet e regjimit duke u shprehur se: "Filipoviq ka botuar gjëra që kishin botuar edhe të tjerë më parë. Por ne na duhet ta fillojmë diku dhe pas Filipoviqit do të vijë rradha e të tjerëve."


Goran Vesiq, deputet i Partisë Demokratike në Asamblenë e Beogradit, jeton në ekzil në Malin e Zi. Ai është dënuar me dy vjetë burgim në Serbi, sepse nuk ka pranuar të rreshtohet në rradhët e ushtrisë.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists