Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Millosheviqi Largohet

Opozita Demokratike e Serbisëka fituar pothuajse 65 përqind të votave në zgjedhjet parlamentare shumë të rëndësishme për vendin.
By Heather Milner

Rezultatet më të fundit të zgjedhjeve parlamentare në Serbi tregojnë se Opozita Demokratike e Serbisë, DOS, ka fituar 64.5 përqind të votave kur janë numëruar 92 përqind e votave. Koalicioni pret të sigurojë 176 vende nga 250 vendet e parlamentit.


Partia Socialiste e Serbisë, SPS, e drejtuar nga ish presidenti Sllobodan millosheviq, ka fituar vetëm 13.5 përqind. Partia pritet të marrë 37 vende në parlamentin e ri nga 110 që kishte përpara zgjedhejve të 23 Dhjetorit. Partitë e tjera ultra-nacionaliste, përfshirë atë Radikale të Vojisllav Shesheljit, pritet të marrin gjithashtu 37 vende.


Kryeministri i ardhëshëm Zoran Gjingjiq ka thënë se ai shpreson të krijonte qeverinë deri më 10 Janar.


Por ajo qeveri do të përballet me probleme të shumta dhe të ndryshme - në ekonomi, infrastrukturë, politikën e brendëshme dhe marrëdhëniet me jashtë.


Vetë koalicioni është i përbërë nga 18 parti të ndryshme dhe është i përçarë nga shumë rivalitete personale, përfshirë këtu edhe atë ndërmjet Gjingjiqit dhe Presidentit Jugosllav Vojisllav koshtunica. DOS përfshin në vetvete ish socialistë dhe përkrahës të tregut të lirë, pro Perëndimorë dhe nacionalistë. Të gjithë drejtuesit kryesorë të koalicionit janë kryetarë të partive të tyre.


Në Serbinë jugore një shpërthim i kohëve i dhunës ndërmjet separatistëve Shqiptarë dhe policisë Serbe ka komplikuar edhe më tej marrëdhëniet me Shqiptarët e Kosovës dhe administratën ndërkombëtare në provincë.


Më 25 Dhjetor ushtria Jugosllave ka paraqitur një projekt rezolutë në parlament duke kërkuar Kombeve të Bashkuara të përcaktojnë një datë për tërheqjen e separatistëve Shqiptarë nga Serbia e jugut. Projekt rezoluta thotë se nëse nuk ndërmerret një hap i tillë, Jugosllavia “do të zgjidhë vetë problemin, duke respektuar të gjitha masat e lejuara nga komuniteti ndërkombëtar në luftën ndaj terrorizmit, gjë e cila është e drejta dhe detyrimi i saj ligjor dhe legjitim.”


Po atë ditë, Ministri Serb i Energjisë Srboljub Antiq ka njoftuar një rritje me tre herë të ndërprerjeve të energjisë elektrike për të parandaluar shkëputjen e vendit nga rrjeti i vendeve fqinje të cilat nuk tolerojnë më përdorimin e paautorizuar të energjisë nga Serbia.


“Ne nuk duhet të harrojmë se e gjithë ekonomia jonë është në gjendje të rënduar dhe se qeveria Serbe duhet të bëjë shumë menjëherë për të nisur rimëkëmbjen e saj,” ka thënë Gjingjiq në kamerat e një televizioni lokal.


Një nga detyrat e para të qeverisë do të jetë largimi i njerëzve të afërt të Millosheviqit nga postet e rëndësishme të cilat i mbajnë ende në shërbimet sekrete Serbe. Synimi kryesor është shefi i policisë sekrete Rade Markoviq.


:Unë mendoj se ai tani ka filluar të përgatisë gjërat e tij dhe po përgatitet të largohet nga zyra. Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër,” ka thënë Gjingjiq për gazetën e përditëshme Blic.


Ministri i ardhëshëm i drejtësisë Vladan Batiq ka thënë: “Arrestimet e të gjithë atyre që kanë lyer duart me gjak gjatë periudhës së kaluar janë të pashmangëshme, dhe askush nuk do të falet, dhe nuk do të ketë asnjë marrëveshje me figurat e fuqishme financiare.”


Batiq ka shtuar se kushtetuta duhet të ndryshohet me qëllim që të përmbushë standartet e Bashkimit Europian. “Do të jetë një detyrë shumë e vështirë për të saktësuar ndarjen e legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit,” ka thënë ai.


Nebojsha Coviq, i cili ka mundësi të marrë postin e zëvendës kryeministrit në qeverinë e re Serbe, ka bërë thirrje që Millosheviq dhe zyrtarë të tjerë të lartë të arrestohen përpara vitit të ri “kështu që të mos hyjmë në shekullin e ri si të mallkuar.”


Coviq ka akuzuar ish presidentin e gruan e tij Mirjana Markoviq se “kanë përfituar në kurriz të popullit duke I thithur gjakun si vampirë”.


Zëvendës presidenti i SPS-së, Ivica Daçiç ka pranuar se anëtarë të lartë të qeverisë së Millosheviqit do të hetohen padyshim nën administratën e DOS-it.


“Ne e dimë se do të pasojë një periudhë persekutimi e figurave tona më të rëndësishme,” ka thënë Daçiç. “Kjo është një alibi e nevojëshme për DOS-in meqënëse nuk do të jetë në gjendje të bëjë gjërat aq shpejt sa presin njerëzit." ”


Megjithatë, Daçiç ka thënë se SPS-ja është përgjithësisht e kënaqur me rezultatin e saj në zgjedhje. “Është një arritje e madhe që kemi mbijetuar në skenën politike pas zgjedhejve të Shjtatorit dhe ngjarjeve të 5 Tetorit dhe të gjithë përpjekjeve për shkatërrimin e partisë sonë,” ka thënë Daçiç.


“Gjëja më e rëndësishme është se SPS-ja ka mbijetuar në skenën politike Serbe si partia më e madhe e opozitës…Ne mendojmë se partia jonë ka një të ardhme sepse kjo ka qenë periudha më e vështirë për mbijetesën e saj. Unë nuk mendoj se partia jonë do të marrë ndonjëherë më pak vota se kaq,” ka thënë Daçiç.


Partia e Mirjana Markoviqit, e Majta e Bashkuar Jugosllave, JUL, ka pësuar një humbje edhe më të thellë. JUL - ish partnere e koalicionit të SPS-së - ka fituar vetëm 0.37 përqind të votave, duke qenë shumë më poshtë se kufiri i pesë përqindëve të nevojëshme për të hyrë në parlament.


Zëdhënësja e JUL, Dragana Kuzmanoviq ka thënë: “Zgjedhjet e sotme në Serbi do të shkruhen me gërma të zeza në historinë e saj.”


Ish ministri Jugosllav i Informacionit dhe drejtues i JUL, Goran Matiq, është ankuar për njëanshmëri të mediave dhe një atmosferë politike linçimi në prag të ditës së zgjedhjeve.


“Ne shpresojmë se Serbia nuk do të shohë më kurrë zgjedhje kaq jo demokratike dhe këtë intolerancë sa në këto zgjedhje,” ka thënë Matiq për Radio B-92. “Ne do të luftojmë për mbijetesë në skenën politike dhe do të veprojmë si parti politike e së majtës.”


Një rezultat i papritur ka qenë suksesi i Partisë ultra-nacionaliste të Bashkimit Serb, SSJ, të krijuar nga bosi mafioz i vrarë dhe ish drejtues i paraushtarakëve Zheljko “Arkan” Razhnatoviq. SSJ ka fituar më shumë se 5 përqind të votave dhe pritet të ketë 14 vende në parlament.


“Fakti që një parti e tillë përfaqësohet në parlament është një provë më tepër që tregon se me sa kujdes duhet vepruar për të shëruar shoqërinë dhe për të shmangur demagogjinë radikale,” ka thënë Gjingjiq.


Kryetari i SSJ-së Borislav Peleviq ka thënë se partia e tij kishte pritur një rezultat edhe më të mirë.


“Unë nuk e di se çfarë po ndodh dhe nuk dua të akuzoj ndonjë njeri për vjedhje, por ne prisnim të merrnim më shumë vota,” ka thënë Peleviq, ish komandant i Gardës së Vullnetarëve Serb të Arkanit.


Organizata për Sigurim dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE, i ka quajtur zgjedhjet si një “përmirësim i dukshëm në krahasim me ato të kaluarat.”


Shefi i misionit të OSBE-së në Beograd Adrian Severin ka thënë se zgjedhjet “shënojnë fundin e një periudhe të trishtueshme dhe të vështirë në historinë Serbe dhe një hap të rëndësishëm përpara në tranzicionin drejt demokracisë.”


“Zgjedhjet janë mbajtur kryesisht sipas standarteve të pranuara ndërkombëtare për zgjedhjet demokratike,” ka thënë Severin.


Severin, megjithatë, ka paralajmëruar se mbetet ende shumë për të bërë.


“Hedhja poshtë e Millosheviqit nuk mjafton për të rregulluar marrëdhëniet me botën. Forcat e nacionalizmit ekstrem janë ende të gjalla dhe nuk duhet harruar apo nënvleftësuar rreziku që ato përfaqësojnë.


Disa udhëheqës botëror kanë mirëpritur fitoren e DOS-it por u kanë kujtuar drejtuesve të rinj të Serbisë se çështja e ekstradimit të Millosheviqit në Hagë nuk do të harrohet.


Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Amerikan Filip Reeker, duke uruar DOS-in dhe popullin Serb ka thënë: “Opozita demokratike është tani në një pozicion të fortë për të kryer reformat e nevojëshme për të integruar krejtësisht Serbinë në gjirin e komunitetit ndërkombëtar.”


Këshilltari Gjerman për politikën e jashtëme Mikael Shtain ka qenë më i drejtpërdrejtë. Ai e ka përshkruar fitoren e DOS-it si një “dhuratë Krishtlindjesh për demokracinë në Europë,” por ka shtuar se “Unë besoj se Serbët do të kuptojnë që ata duhet të punojnë së bashku me gjykatën ndërkombëtare për krimet e luftës në Hagë…Ne jemi dakort me Demokratët në Serbi se do të duhet një farë kohe për të arritur në këtë pikë. Fillimisht duhet të konsolidohet demokracia, por gjithsesi kjo çështje do të vazhdojë të diskutohet dhe nuk ka asnjë mënyrë për t’iu shmangur kësaj.”


Hether Millner është Asistent Redaktore e IWRP-së në Londër.