Mbyllet Parajsa E Kontrabandistëve

Mali i Zi ka njoftuar për një qëndrim të ashpër ndaj korrupsionit, por si mund të arrihet kjo kur janë të gjithë të implikuar?

Mbyllet Parajsa E Kontrabandistëve

Mali i Zi ka njoftuar për një qëndrim të ashpër ndaj korrupsionit, por si mund të arrihet kjo kur janë të gjithë të implikuar?

Masat e planifikuara nga qeveria Malazeze për të rregulluar reputacionin e vendit si "Kolumbia e Ballkanit" kanë filluar me ritme të ngadalta.


I planifikuar si përgjigje ndaj pakësimit të fondeve qeveritare në qendër, si rezultat i evazionit fiskal, dhe presionit nga qeveritë Perëndimore, suksesi i këtij operacioni, të nisur në muajin Gusht, varet nga vendosmëria e podgoricës për të shrrënjosur korrupsionin brenda rradhëve të saj dhe të nxjerrë para drejtësisë "bosët" e fuqishëm të tregtisë së paligjëshme.


Prioriteti i parë i qeverisë është të luftojë importet e paligjëshme. Tregtarëve u është ofruar një amnisti nëse rregjistrojnë dhe paguajnë detyrimet për mallra të importuara ilegalisht deri më tani. Policia financiare ka filluar të kërkojë për ata që nuk i janë përgjigjur ende kësaj thirrjeje. Faza përfundimtare, e cila pritet të fillojë në Shtator, pritet të rezultojë në hetimet dhe dënimin e organizatorëve të importeve ilegale dhe të personave të tjerë të implikuar në këtë tregti.


Por shumë nga figurat kryesore të ekonomisë së zezë në Malin e Zi mund të jenë të paprekshëm. Gjatë këtyre viteve, lidhje të ngushta dhe ato të biznesit janë vendosur me anëtarë të lartë të qeverisë, policisë, doganave dhe departamentit të të ardhurave. Lufta ndaj ekonomisë së paligjëshme po shndërrohet në një lutë të profilit të lartë ndaj korrupsionit të qeverisë dhe keqpërdorimit të pushtetit.


Disa skandale korrupsioni ku janë përfshirë politikanët më të rëndësishëm në Malin e Zi dhe drejtuesit ekonomik kanë tronditur vendin gjatë muajve të fundit.


Akuzat më serioze janë ngritur ndaj presidentit Malazez Milo Gjukanoviq. Gazeta e përjavëshme Kroate Nacional e ka akuzuar atë për përfshirje në kontrabandën e cigareve dhe në disa vrasje të lidhura me të. Lidhjet e Gjukanoviqit me mafian e cigareve kanë qenë temë e një debati parlamentar që ka zgjatur disa ditë. Një komision special është krijuar tani për të hetuar të ashtuquajturën "çështje të cigareve në Ballkan".


Rade Bojoviq, një analist nga Qendra për Demokraci në Podgoricë, ka mirëpritur këtë hap të qeverisë në luftën ndaj ekonomisë së zezë. Por ai është skeptik për përmasën e kësaj lufte.


"Vështirë të imagjinohet që qeveria do të spastrojë rradhët e saj nga personat e implikuar në korrupsion," thotë Bojeviq, duke shtuar se qeveria do të ndëshkohet në kutinë e votimit nga zgjedhësit nëse ajo dështon në zgjidhjen e problemit të ekonomisë së paligjëshme.


Ekspertët thonë se 40-60 përqind e aktivitetit ekonomik në Malin e Zi është e lidhur me ekonominë e zezë. Rreth 50,000 njerëz marrin fitime nga kjo tregti. Por përllogaritjet jo zyrtare nga ekonomistë të pavarur tregojnë se rreth 70,000 deri 100,000 Malazez, një e gjashta e popullsisë, nxjerrin jetesën në sajë të ekonomisë së zezë.


Sipas të dhënave zyrtare, rreth 100,000 njerëz punojnë në punë jo të ligjshme. Shifra zyrtare për papunësinë është 37 përqind; por llogaritjet jo zyrtare tregojnë për pothuajse dyfishin.


Mali i Zi është bërë një vend i sigurtë për tregtinë e paligjëshme në fillim të viteve 1990 kur sanksionet ndërkombëtare u vendosën ndaj Republiksë Federative të Jugosllavisë. Gjatë viteve të izolimit ndërkombëtar, cilido që arrinte të fuste mallra kontrabandë pa u pikasur nga vëzhguesit ndërkombëtarë përshëndetej si një hero.


Përpjekjet e para për të legalizuar ekonominë e zezë kanë vënë në pah problemet e shumta me të cilat përballet qeveria. Disa shitës me pakicë i janë përgjigjur thirrjes së qeverisë për të regjistruar mallrat e paligjëshme, kryesisht cigare dhe ushqime të importuara, deri në 10 Gusht. Mallrat janë vlerësuar në rreth 20 milion Marka Gjermane.


Të gjitha mallrat e regjistruara janë ligjëruar pa ndonjë pasojë për pronarët e tyre. Por kur zyrtarët e tatimeve filluan të hetonin më thellë çështjen, doli se ka edhe shumë mallra të tjera të parregjistruara që qarkullojnë në treg dhe për të cilat nuk është paguar taksa doganore.


Ndërkohë ka pasur edhe një mungesë të mallrave të importit në treg, veçanërisht cigareve. Cmimet janë rritur papritmas. Konsumatorët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me qeverinë, e cila nuk ka arritur të vendosë një metodë për importimin e rregullt të mallrave.


Shitësit e tregut të Podgoricës, të cilët kanë shitur mallra të paligjshëm prej vitesh, janë mbledhur përpara zyrave të qeverisë për të kërkuar që tregtia e tyre të legalizohej. Atyre u janë bashkuar edhe tregtarë nga qytetet e afërta.


Këta tregtarë e quajnë përgjegjëse qeverinë për faktin se ka lejuar hyrjen e mallrave ilegale në vend. Ata që sheshin me pakicë janë hallka e fundit e tregut të zi dhe nxjerrin më pak fitime. Fitimet e mëdha shkojnë në xhepat e atyre që organizojnë futjen e mallrave në vend me kamionë, anije apo edhe avionë.


Argumenta të tilla janë dhënë edhe nga shitësit e vegjë të ligjshëm dhe ata të shërbimeve disa muaj më parë kur qeveria futi në përdorim kasat regjistruese me qëllim që të përmirësohej vjelja e taksave. Tregtarët e pakicës dhe pronarët e restoranteve u ankuan se policia tatimore nuk ndjek kurrë "peshqit e mëdhenj".


Përfaqësuesit e qeverisë Malazeze i kanë thënë IËPR-së se shifrat jozyrtare tregojnë se sasia e mallrave të magazinuara në pronësi të organizatave të tregtisë ilegale është disa milion Marka. Vetëm sasia e cigareve të paligjëshme mendohet të jetë mbi 15 milion Marka Gjermane.


Predrag Markoviq, drejtor i drejtorisë së tatimeve dhe të ardhurave, thotë "se askush nuk do të shpëtojë nga kontrolli i qeverisë". Por mbetet për tu parë nëse ky kontroll do të shtrihet edhe në konfiskimin e cigareve dhe në ndalimin e anijeve që e sjellin këtë mall në vend.


Natyrisht, kundërshtarët e Gjukanoviqit kanë fituar mjaft kapital politik nga çështja e kontrabandës së cigareve. Por edhe figurat e opozitës nuk janë shmangur nga akuzat për korrupsion.


Dragan Soc, president i Partisë Popullore, është akuzuar se ka abuzuar me pushtetin ndërsa ka shërbyer si ministër i drejtësisë në vitet 1998 deri në Janar të vitit 2001. Ai thuhet se ka përvetësuar disa milionë Marka gjermane të caktuara për reformimin e sistemit juridik në Malin e Zi.


Ndërkohë prokurori i lartë në Podgoricë po mbledh prova për akuzat që Soc i ka dhënë një kontratë për ndërtimin e rrjetit kompjuterik me vlerë 1.8 milion Marka firmës Koding në kryeqytet. Kundërshtarët e Soc thonë se departamenti i elektronikës në Universitetin e Podgoricës është paguar 100,000 Marka Gjermane për të njëjtën punë.


Njoftimet e medias bëjnë fjalë se drejtuesi i Partisë Popullore ka blerë një makinë të vjedhur, një tjetër import i paligjshëm, për 15,000 Marka. Soc nuk i ka kundështuar këto akuza.


Ndërkohë, qeveria gjendet në vështirësi për shkak të akuzave për korrupsion në gjirin e kompanisë malazeze të telekomunikacionit, Telekom. Një anëtar i bordit drejtues të kompanisë ka bërë deklaratën e jashtëzakonëshme: "Mua nuk më kujtohet ndonjë rast kur fondet të jenë shpenzuar në mënyrë të ligjëshme". Telekomi ka pasur kontrata prej rreth 50 milion marka vetëm gjatë vitit të kaluar. Drejtori i Telekom në qendër të skandalit, Jusuf Fetahoviq, është një anëtar i Partisë Demokratike të Socialistëve të Malit të Zi.


Skandalet e shumta kanë hedhur një hije të madhe dyshimi në mendjet e elitës qeverisëse në Mal të Zi, e cila po mundohet të ruajë pozitat e saj. Një burim i IËPR-së thotë se Gjukanoviq ka vendosur të merret me "peshqit e mëdhenj" këtë vjeshtë. Por lidhjet e tyre të vjetra me policinë dhe establishmentin politik mund ta bëjnë një hap të tillë shumë të rrezikshëm. Aleatët e vjetër të Gjukanoviqit mund ti kthejnë shpinën atij.


Qarqe të mirëinformuara në Podgoricë thonë se situata duhet të bëhet më e qartë në Shtator kur partia Demokratike e Socialistëve do të fillojë "të vendosë rregull në shtëpinë e saj". Ka shumë zëra që disa njerëz të rëndësishëm të biznesit, të cilët janë edhe anëtarë të partisë, mund të përfundojnë së shpejti pas hekurave.


Zoran Raduloviq është një gazetar me të përjavëshmen e Podgoricës Monitor.


Support our journalists