Marrëveshja e Paqes për Preshevën

Luftëtarët Shqiptarë pranojnë ti japin fund luftës së tyre në jug të Serbisë.

Marrëveshja e Paqes për Preshevën

Luftëtarët Shqiptarë pranojnë ti japin fund luftës së tyre në jug të Serbisë.

IWPR

Institute for War & Peace Reporting
Wednesday, 23 May, 2001

Forcat Serbe do të fillojnë të Enjten dislokimin e tyre në ish qendrën e rezistencës së luftëtarëve Shqiptarë pranë kufirit me Kosovën, duke i dhënë fund kështu një konflikti të ashpër që ka zgjatur për një vit në jug të Serbisë.


Dislokimi i vendosur nga NATO pason vendimin e papritur të drejtuesve të Ushtrisë Clirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, UCPMB- e cila e ka marrë emrin nga tre qytetet kryesore të rajonit të banuara kryesisht nga Shqiptarë- të cilët në mënyrë të papritur kanë vendosur të Hënën të dorëzojnë armët.


Komandanti i luftëtarëve Shefket Musliu ka nënshkruar një deklaratë të NATO-s duke premtuar " të demilitarizojë, dhe çmobilizojë" forcat e tij në zonën e Preshevës, e cila njihet ndryshe edhe si zona e sigurisë, brenda datës 31 Maj.


Sipas burimeve te IWPR-së, edhe dy nga komandantët më militantë të luftëtarëve, Muhamet Xhemajli dhe Mustafë Shaqiri kanë pranuar gjithashtu demilitarizimin.


Njoftime të tjera thonë se Xhemajli nuk e kishte pranuar marrëveshjen dhe ishte arrestuar nga trupat e KFOR-it ndërsa përpiqej të kalonte kufirin për në Kosovë. Por një gjë e tillë nuk ishte e vërtetë sepse Xhemajli i ka dhënë një intervistë një gazetari shqiptar në Kosovë, pikërisht sot ditën e mëerkurë.


Disa mijëra trupa Jugosllave dhe te policisë Serbe do të hyjnë në Sektorin B, pjesa e fundit e zonës së kontrolluar ende nga UCPMB-ja. NATO ka lejuar hyrjen e këtyre trupave pavarësisht kërcënimeve për shpërthimin e ri të dhunës. Zona e sigurisë është krijuar si pjesë e marrëveshjes së paqes për Kosovën në vitin 1999. Ajo ka krijuar një zonë të vendosur ndërmjet trupave paqeruajtëse dhe trupave Jugosllave pas 78 ditë bombardimesh të NATO-s.


Luftëtarët shqiptarë janë vendosur aty me shpejtësi duke deklaruar se ata po mbronin popullsinë Shqiptare vendase. Duket se komuntiteti ndërkombëtar ka arritur të bindë drejtuesit e luftëtarëve Shqiptarë se autoritetet e reja demokratike në Beograd do të garantojnë të drejtat e komunitetit të tyre.


Por me afrimin e së Enjtes ende shumë njerëz dyshojnë nëse do të mundet të shmanget konflikti.


Tensioni ndjehet qartë në rrugët e boshatisura të fshatit Dobrasin në kufi me Kosovën. Banorët dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për t'u konsultuar me njëri tjetrin nëse të qëndrojnë apo të largohen nga fshati. Ata thonë se nuk u besojnë forcave Serbe dhe se trupat e ushtrisë Jugosllave i kanë keqtrajtuar ata gjatë tërheqjes së tyre nga Kosova në bazë të marrëveshjes së Kumanovës i cila i dha fund luftës në Kosovë.


"Askush nuk di cfarë të bëjë- fshatarët nuk u besojnë forcave Serbe se ato drejtohen nga të njëjtët komandantë të cilët kanë luftuar në Kosovë," thotë Selami Shefkiu, kryetari i këshillit të fshatit Dobrasin.


Rreth 20 mijë Shqiptarë nga Presheva janë larguar deri tani për në Kosovë për shkak të luftimeve ndërmjet policisë Serbe dhe UCPMB-së. Rreth 4 mijë të tjerë, ndoshta të frikësuar nga rikthimi i trupave Jugosllave kanë shkuar në Kosovë gjatë javës së kaluar.


"Unë kam punuar gjithë jetën për të ndërtuar një shtëpi dhe për të pasur një jetë normale, por kisha frikë dhe vendosa të largohesha," thotë Shaqiri nga Dobrasin, i cili ka shkuar në Kosovë së bashku me gjithë familjen e tij prej gjashtë anëtarësh. "Nuk është e lehtë të lësh pas çdo gjë dhe të jetosh si refugjat".


Me qëllim për të ulur tensionin dhe për të bindur luftëtarët Shqiptarë të pushojnë luftën e tyre, komandanti i forcave paqeruajtëse të drejtuar nga NATO në Kosovë, Gjeneral Torsten Skiaker, i ka premtuar UCPMB-së më 16 Maj se në rast se ata kalojnë në Kosovë dhe dorëzojnë armët nuk do të arrestohen. Deri më tani, mbi treqind luftëtarë e kanë bërë një gjë të tillë.


Misioni i KFOR-it ka shpërndarë gjithashtu edhe disa fletëpalosje në pikat kufitare me një fotografi të një luftëtari të dërrmuar. Sllogani i kësaj fletëpalosjeje është "A nuk jeni lodhur nga kjo?".


Kordinatori Serb, Nebojsha Coviq, ndërkohë, ka konfirmuar se do të ketë një amnisti të përgjithëshme për anëtarët e UCPMB-së të cilët kanë luftuar kundër forcave Serbe gjatë vitit të kaluar.


Disa figura kryesore të luftëtarëve kanë vazhduar të bëjnë deklarata të ashpra, por duket se grupet e luftëtarëve po pakësohen dhe së shpëjti ata mund të mbeten vetëm një grusht njerëzish të vendosur.


Ata më të vendosurit vështirë se mund të jenë në gjendje të bëjnë një rezistencë të madhe ndaj trupave Jugosllave të stërvitura mirë, por zyrtarët ndërkombëtarë kanë paralajmëruar ushtrinë Jugosllave të mos shfrytëzojë avantazhin e numrit të tyre më të madh.


"Rikthimi i zonës së sigurimit nuk është një çek i bardhë për Beogradin," ka thënë kryetari i komitetit ushtarak të NATO-s, Admirali Guido Venturoni, për gazetarët të Premten e kaluar. "Ka disa kushte, të cilat janë plotësuar ose do të plotësohen këto ditë".


Një zyrtar tjetër i lartë i aleancës ka paralajmëruar luftëtarët Shqiptarë të shmangin dhunën: "Ata që nuk pranojnë të dorëzojnë armët mund të presin ato që u ka ndodhur dy ditë më parë në fshatin Rahovicë".


Rahovica është një fshat jashtë zonës së sigurisë dhe vetëm disa kilometra larg Preshevës, një nga qytetet më të mëdha në këtë zonë. Luftëtarët dhe forcat Serbe janë përleshur në atë fshat më 13 Maj për katër ditë me rradhë. UCPMB ka pasur humbje të rënda, duke humbur 17 njerëz.


Komandanti i forcave Serbe që po vendosen në Sektorin B do të përdorë njësi nga brigada speciale e 72 dhe brigada e 63 e parashutistëve, si edhe disa njësi elite të policisë ushtarake, për të përballuar rezistencën e Shqiptarëve.


"Disa komandantë të UCPMB-së kanë thënë se nëse ne hyjmë në atë zonë, do të ketë një luftë të përgjithëshme dhe gjakderdhje," ka thënë ai. "Unë nuk mendoj se do të jetë kështu. Ne do të neutralizojmë të gjitha grupet të cilat rrezikojnë jetën e trupave tona. Disa dhjetra luftëtarë janë dorëzuar, ndërsa shumë të tjerë kanë kaluar kufirin për në Kosovë".


Politikanët Serbë shpresojnë se luftëtarët Shqiptarët do të kuptojnë situatën dhe nuk do të përpiqen të bëjnë rezistencë. Bojan Dimitrijeviq, një anëtar i rëndësishëm i Partisë Demokratike në pushtet, ka thënë se ai beson se vetëm rreth 100 anëtrë të UCPMB-së do të luftojnë deri në fund.


Ndërkohë, diplomatë Perëndimorë kanë deklaruar qartë se ata nuk do të jenë pengje të kërcënimeve të militantëve Shqiptarë - dhe po u bëjnë thirrje atyre të bashkëpunojnë.


"Unë nuk mund të shoh se si Shqiptarët mund të përfitojnë nga rifillimi i dhunës - nëse UCPMB-ja vendos vazhdojë luftën e saj do të jetë një katastrofë për Shqiptarët," thotë Kris Dell, drejtuesi i zyrës Amerikane në Prishtinë.


NATO shpreson që dislokimi i trupave Serbe do të shkojë pa probleme, por ajo po përgatitet për më të keqen.


Një memo e brendëshme e KFOR-it, e cila është qarkulluar në zyrat e organizatave ndërkombëtare në Kosovë që prej një muaji, nënvizon shqetësimin që ekziston për Sektorin B. Sipas këtij dokumenti rreth 30,000 Shqiptarë mund të zhvendosen pas marrjes nën kontroll të zonës nga Serbët.


Megjithëse janë të shqetësuar për fatin e banorëve civilë të luginës së Preshevës, drejtuesit Shqiptarë në Kosovë kanë mbështetur marrëveshjen për demilitarizimin e rajonit.


Ibrahim Rugova, drejtuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, ka thënë se ai nuk pret ndonjë përplasje të dhunëshme ndërmjet forcave Serbe dhe militantëve Shqiptarë.


Hashim Thaqi, president i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, ka thënë se ai mbështet dhe "do të vazhdojë të mbështesë një zgjidhje politike për krizën", duke shtuar se ai shpreson se Shqiptarët në luginën e Preshevës "do të kenë të drejta të plota".


Sipas drejtuesit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, Ramush Haradinaj "marrëveshja ndërmjet palëve në konflikt është një sukses dhe duhet të mbështetet".


Njerëzit në Kosovë, veçanërisht banorët e qyteteve pranë kufirit, po bëjnë përgatitje për të pritur një fluks refugjatësh. Tendat po përgatiten në një operacion të përbashkët ndërmjet Korpusit të Mbrojtjes së Kosovës dhe KFOR-it.


Diplomatët Perëndimorë janë optimistë por të kujdesëshëm për dislokimin e forcave Serbe, duke besuar se autoritetet e reja të Beogradit do të bëjnë të pamundurën për të parandaluar një gjakderdhje të mëtejshme. Por Shqiptarët e thjeshtë nuk janë kaq të sigurtë. Për ta, trupat Jugosllave dhe policia Serbe të cilat po marrin nën kontroll Sektorin B janë të njëjtat forca që kanë kryer krime lufte në Kosovë.


Ky raport është përgatitur nga gazetarët e Koha Ditore, Garentina Kraja nnë Prishtinë, Gjilan dhe Viti; Augustin Palokaj në Bruksel; Metali Krasniqi në luginën e Preshevës; dhe bashkëpunëtori i IWPR-së Daniel Sunter në Beograd.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists