MAQEDONIA PËRBALLË NJË KRIZE TË RE PAS DORËHEQJES SË KRYEMINISTRIT

Dorëheqja e papritur e kryeministrit mund të çojë në ripozicionimin e politikës maqedonase.

MAQEDONIA PËRBALLË NJË KRIZE TË RE PAS DORËHEQJES SË KRYEMINISTRIT

Dorëheqja e papritur e kryeministrit mund të çojë në ripozicionimin e politikës maqedonase.

Monday, 21 February, 2005

Maqedonia poërgatitet të përballojë sërish një gjendje të trazuar politike këtë javë pasi parlamenti ka konfirmuar dorëheqjen e kryeministrit Hari Kostov, e cila sipas kushtetutës, do të thotë dorëheqje e të gjithë qeverisë.


Kostov ka dhënë dorëheqjen më 15 nëntor, pasi ka akuzuar partnerët e tij shqiptarë në qeveri të Partisë Demokratike për Integrim, PDI, se po bllokojnë reformat ekonomike, si edhe për korrupsion dhe nepotizëm.


Analistët thonë se dorëheqja rrëzikon të zhysë vendin në një trazirë politike, ndërsa partitë në pushtet në administratën e kaluar po diskutojnë krijimin e një kabineti të ri qeveritar.


Ndërkohë, qeveria e dorëhequr do të vazhdojë të kryejë detyrimet kryesore nën drejtimin e zëvendës kryeministrave.


Partia Social Demokrate, SDSM, partia më e madhe në qeveri, do të afrojë kongresin e saj javën e ardhëshme, me qëllim që të zgjedhë një kryetar të ri i cili ka shumë mundësi që të jetë edhe kryeministri i ardhëshëm.


SDSM ka qenë nën drejtimin e përkohëshëm që në muajin prill, kur Branko Crvenkovski ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë dhe kryeministrit për tu bërë president i Maqedonisë.


Dorëheqja e Kostov ka pasuar fushatën për një referendum i cili synonte anullimin e ligjeve të decentralizimit të cilat i garantojnë pakicës shqiptare një pushtet më të madh në qeverisjet lokale.


Qeveritë perëndimore kanë vlerësuar shtetin ballkanik pasi pjesa më e madhe e votuesve nuk i përfillën thirrjet e opozitës së drejtuar nga nacionalistët dhe nuk kanë marrë pjesë në referendum, duke sjellë edhe dështimin e tij.


Kostov, duke shpjeguar dorëheqjen e tij, ka akuzuar BDI se ka vendosur interesat e partisë mbi ato të qeverisë dhe ka përdorur shantazhin.


“Ata kanë promovuar partinë dhe synimet e tyre kombëtare, përfshirë nepotizëm dhe veprime të korruptuara,” ka thënë ai.


“Unë nuk jam i përgatitur të pranojë punën inefektive të qeverisë, përfshirë vendosjen e kushteve – dhe bllokimin – e procesit të reformave në politikë dhe fushën ekonomike”.


Ish drejtor i bankës më të madhe në Maqedoni, Komercijalna Banka, ai ka hyrë në politikë në vitin 2002, kur SDSM morri pushtetin, duke marrë postin e ministrit të brendëshëm.


Kostov nuk ishte fare anëtar i SDSM, por kishte lidhje të ngushta me Crvenkovskin, dhe kjo shpjegon se përse partia e pranoi atë si kryetar të qeverisë së re pas largimit të Crvenkovskit.


Shumë e kanë interpretuar caktimin e Kostov si një shenjë që reformat e pritura ekonomike të cilat ishin bllokuar gjatë dekadës së mëparëshme më në fund do të zbatoheshin.


Por në vend që të përqëndrohej në gjendjen e rëndë ekonomike, Kostov është përfshirë në marrëveshje ndërmjet SDSM dhe BDI në lidhje me problemet e dala nga marrëveshja e paqes së Ohrit, si decentralizimi dhe rritja e përfaqësimit të shqiptarëve në administratën publike.


Kostov ka dështuar edhe në përpjekjet e tij për të shkarkuar disa ministra, pasi është përballur me kundërshtimin e ashpër të partive të tjera.


“Kostov nuk ka pasur hapësirën e nevojëshme për të lëvizur,” ka thënë Georgi Barbarovski, redaktor i së përditëshmes Vreme, për IWPR.


“Ai nuk ka pasur mbështetjen e plotë të SDSM. Nëse ata do ta kishin mbështetur plotësisht në përpjekjet e tij ai do të kishte qenë në gjendje të zgjidhje problemet”.


BDI ka thënë se dorëheqja e Kostov do të vonojë reformat. Partia ka hedhur poshtë akuzat e ish kryeministrit por ka thënë se nuk do të lejojë që ato të dëmtojnë lidhjet e saj me partnerët e koalicionit.


“Ne nuk mendojmë se kjo dorëheqje do të ndikojë mbi marrëdhëniet tona me SDSM,” ka thënë për IWPR, Ermira Mehmeti, zëdhënëse e BDI.


Burime të SDSM kanë thënë për IWPR se partia ndoshta do të mbajë javën e ardhëshme një kongres për të zgjedhur drejtuesin e ri të saj i cili do të jetë ndoshta edhe kryeministri i ri.


Kandidatët më të mundëshëm për drejtimin e partisë janë Radmila Sekerinska, tani zëvendës kryeministre, e ngarkuar me integrimin evropian, dhe Vlado Buçkovski, ministër i mbrojtjes. Të dy janë nënkryetarë të SDSM-së.


Partia nuk ka caktuar nëse kryetari i ri i partisë do të jetë njëkohësisht edhe kryeministër, apo nëse ky post dhe ai i kryetarit të partisë do të jenë të ndarë.


“Zgjedhja e kryetarit të ri të SDSM-së do të jetë e mirë për vendin dhe për koalicionin,” ka thënë për IWPR, Rafiz Aliti, zëvendës kryetar i BDI. “Unë mendoj se kryetari i ri do të jetë edhe kryeministri”.


Por ndërsa BDI vazhdon të ruajë linjën se “punët vazhdojnë si gjithnjë” me SDSM, shumë njerëz mendojnë se dorëheqja e Kostov do të detyrojë SDSM të rishikojë marrëdhëniet e saj me partnerin e saj shqiptar.


Michael Sahlin, përfaqësuesi special i BE-së në Maqedoni, ka thënë për IWPR se dorëheqja ishte “një mundësi për SDSM për të rihapur një diskutim me partnerët e saj në koalicion për të krijuar një platformë të re bashkëpunimi dhe ndarje të përgjegjësive”.


Marrëveshja e Ohrit, ka shtuar Sahlin, nuk është i vetmi shqetësim, “Si rezultat i kësaj dorëheqje, unë do të dëshiroja të shihja një përmbushje më të shpejtë nga qeveria të një sërë prioritetesh, për ti dhënë energji procesit të reformës”.


Një burim i qeverisë së SDSM ka pranuar se dorëheqja kërkonte një “fillim të ri”. I njëjti burim ka shtuar se “Ne duhet ti themi gjërat hapur me BDI”.


Analistët thonë se kritikat publike dhe të hapura të Kostov ndaj BDI-së kanë shënuar një ndryshim në praktikën e zakonëshme të një qeverie e cila zakonisht përpiqet ti fshehë mosmarrëveshjet në gjirin e saj.


“BDI ka bërë çfarë ka dashur pasi SDSM e ka lejuar,” ka thënë Georgi Barbarovski për IWPR. “Tani e tutje, unë mendoj se BDI do të vazhdojë të njëjtën politikë, por ndoshta në një mënyrë më të moderuar dhe më pak arrogante”.


Analisti Branko Trickovski pranon se dorëheqja e Kostov mund të jetë një zgjidhje e pjesëshme për disa prej vështirësive të qeverisë së kaluar. Ai thotë se ajo mund të sjellë një zgjidhje të problemit të drejtimit të SDSM dhe të hapë rrugën që kryeministri i ri të ketë mbështetjen e plotë të partisë më të madhe në vend.


“Kryeministri i ri do të ketë kushte më të mira për të punuar,” thotë Trickovski për IWPR. “Ai do të punojë në një atmosferë të re koalicioni, ku dorëheqja e Kostov ka larguar pak a shumë atë frymë tensioni”


Boris Georgievski është një gazetar i së përditëshmes Utrinski vesnik. Ana Petruseva është drejtuese e projektit të IWPR në Maqedoni.


Macedonia
Frontline Updates
Support local journalists