Mali i Zi në Buzë të Greminës

E zemëruar nga ndryshimet e bëra kushtetutës jugosllave javën e kaluar, qeveria malazeze ka filluar të përgatisë terrenin për një referendum për pavarësi.

Mali i Zi në Buzë të Greminës

E zemëruar nga ndryshimet e bëra kushtetutës jugosllave javën e kaluar, qeveria malazeze ka filluar të përgatisë terrenin për një referendum për pavarësi.

Ndryshimet kushtetuese të miratuara nga parlamenti jugosllav në Beograd javën e kaluar e kanë vënë Malin e Zi në një fazë të re të krizës politike - e cila ka shumë mundësi të përfundojë në dhunë.


Kushtetuta e rishikuar e ka shndërruar Republikën Federative të Jugosllavisë, RFJ, në një absurditet. Kjo nuk i ka lënë asnjë zgjidhje tjetër qeverisë së Malit të Zi përveç se të bojkotojë zgjedhjet që pritet të mbahen në tetor.


Presidenti malazez Millo Gjukanoviq ka filluar të përgatisë terrenin për një referendum për pavarësi.


Më 11 korrik presidenti malazez ka takuar hologët e tij nga Republika Çeke, Kroacia dhe Sllovenia për të kërkuar mbështetjen e këtyre vendeve dhe garanci për sigurimin nga perëndimi. "Mali i Zi nuk ka qenë kurrë më parë kaq pranë realizimit të pavarësisë së tij," ka thënë Gjukanoviq.


Komuniteti ndërkombëtar e ka kundërshtuar prej kohësh këtë hap duke e ditur se kjo do të provokonte ndërhyrjen ushtarake të Millosheviqit në republikën e vogël.


"Nëse Mali i Zi do të detyrohet të mbrojë pavarësinë e tij, ai nuk duhet të mbetet i vetëm. Duke mbështetur Malin e Zi komuniteti ndërkombëtar do të mbrojë nderin e tij dhe politikat e tij në Ballkan," ka thënë Gjukanoviq.


Më 7 korrik zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit ka theksuar kundërshtimin e Uashingtonit për pavarësinë e Malit të Zi.


"Ne i kemi kërkuar presidentit Gjukanoviq dhe qeverisë së tij të shmangin çdo lëvizje të nxituar të njëanshme drejt pavarësisë, e cila mund të shkaktojë përgjigjen e Beogradit dhe mund të çojë në një konflikt," ka thënë zëdhënësi.


Sekretarja amerikane e Shtetit Medlin Ollbrait i ka telefonuar Gjukanoviqit më 13 korrik, ka thënë një zëdhënës amerikan, për t'i ofruar presidentit edhe 16.5 milion dollarë ndihmë për demokratizimin dhe reformën ekonomike në republikë.


"Arsyeja kryesore e telefonatës ishte shprehja e mbështetjes së saj për demokracinë në Mal të Zi dhe vlerësimi i politikave të moderuara që ka ndjekur Gjukanoviq," ka thënë zëdhënësi.


Në një ndryshim të thellë me politikën e Uashingtonit, Brukselit dhe Moskës, kolegët e Gjukanoviqit në takimin e 11 korrikut nuk ngulën këmbë në ruajtjen e "integritetit territorial të RFJ-së". Presidentët slloven dhe kroat, Milan Kuçan dhe Stipe Mesiq, mbështetën haptazi të drejtën e Malit të Zi për vetëvendosje. Mesiq i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për të ndërhyrë nëse vullneti i popullit malazez nuk pranohet.


Presidenti çek Vaclav Havel është shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë në mbështetje të një referendumi. "Ai që kërcënon të quajë si provokim një referendum është ai që provokon."


Këshilltari politik i Gjukanoviqit thotë se është tepër e rëndësishme të përgatitet terreni për një referendum përpara se të shpallet zyrtarisht data e zgjedhjeve federale.


Përveç kundërshtimeve ndërkombëtare, ky referendum ka kundërshtime edhe brenda në Mal të Zi. Edhe Partia Demokratike e Socialistëve e Gjukanoviqit, PDS, është e përçarë në këtë çështje, pikërisht për shkak të kundërshtimeve ndërkombëtare dhe mundësisë së ndërhyrjes ushtarake jugosllave.


Një burim i rëndësishëm në qeverinë malazeze ka thënë për IWPR-në se Beogradi ka përgatitur tashmë logjistikën për zgjedhjet federale në bazat e Ushtrisë Jugosllave, UJ, në të gjithë Malin e Zi dhe në këshillat lokale të kontrolluara nga Partia Socialiste e Malit të Zi pro Millosheviqit.


Kushtetuta e re mundëson Millosheviqin të organizojë zgjedhjet federale pavarësisht nga kundërshtimet e qeverisë malazeze. Presidenti jugosllav ka përkrahjen e pushtetit lokal në veri të Malit të Zi ku SNP kontrollon këshillat dhe në jug në Herceg Novi ku partia ka fituar kohët e fundit në zgjedhje të pjesshme lokale.


Më 14 korrik Gjukanoviq ka vazhduar përpjekjet e tij për të fituar mbështetje brenda vendit gjatë një takimi me drejtuesit e opozitës serbe në pikën turistike luksoze të Shën Stefanit.


Milan Protiq, drejtuesi i Aleancës për Ndryshim, dhe Vuk Obradoviq i Social Demokratëve kanë promovuar tashmë Gjukanoviqin si "kandidatin më të mirë" për të rivalizuar Millosheviqin në zgjedhjet e ardhshme për president në Jugosllavi.


Miodrag Vukotiq, këshilltar i Gjukanoviqit, thotë se takimi në Shën Stefan kishte si qëllim që partitë serbe të opozitës të shprehnin pozicionin e tyre ndaj sovranitetit të Malit të Zi - diçka që ata e kanë kundërshtuar në të kaluarën.


Partitë malazeze do të kërkonin një bojkotim të zgjedhjeve federale nga përfaqësuesit e opozitës serbe, ka thënë Vukoviq.


Ky hap do të bënte më të pranueshme pozicionin e qeverisë së Podgoricës në Mal të Zi dhe mund të influenconte opinionin e komunitetit ndërkombëtar, i cili akoma ushqen iluzione se Millosheviq mund të mundet në zgjedhje direkte.


Por Miodrag Iliçkoviq, zëvendës-president i Partisë Social Demokrate të Malit të Zi, PSD, - një nga partnerët e koalicionit të Gjukanoviqit - mendon se takimi me opozitën serbe ishte i kotë.


"Opozita në Beograd është e përçarë, e dobët dhe nuk ka asnjë fuqi," ka thënë Iliçkoviq. "RFJ është shkatërruar nga këto ndryshime kushtetuese. Shteti është rrënuar dhe ajo çfarë mbetet është një mekanizëm represiv që mund të kthehet kundër Malit të Zi në çdo moment. Por pjesa më e madhe e opozitës serbe do të merrte pjesë në zgjedhje edhe me këto kushte. Pra, çfarë mbetet për të biseduar më?"


Iliçkoviq ka të drejtë në një pikë. Marrëveshjet me opozitën serbe nuk do të ndalonin një sulm të Ushtrisë Jugosllave nëse ajo do të urdhërohej nga Beogradi të ndërhynte kundër "udhëheqjes separatiste malazeze."


Netët e 7 dhe 8 korrikut kur parlamenti malazez debatonte përgjigjen e tij ndaj ndryshimeve kushtetuese, trupat jugosllave të vendosura në republikë janë vënë në gatishmëri të plotë ushtarake. Çdo hap për t'u shkëputur nga Jugosllavia do të përballej me forcë.


Vuk Boshkoviq, ndihmës i ministrit të policisë të Malit të Zi, tha se gjeneralët e UJ-së "kishin urdhëra për të vepruar." Boshkoviq mendon se një konflikt me policinë malazeze do të kishte qenë i pashmangshëm.


Kryeministri jugosllav dhe drejtuesi i opozitës pro-Millosheviq në Mal të Zi Momir Bullatoviq ka hedhur poshtë thëniet se UJ-ja po përgatit një ndërhyrje ushtarake në republikë. Ai ka akuzuar udhëheqjen malazeze se po mbjell "mosmarrëveshje, ndarje dhe konflikt".


"Pasojat e saj mund të jenë shkatërrimtare për paqen e brendshme, rendin dhe stabilitetin në Mal të Zi," ka thenë Bulatoviq. "Historitë që po përhapin në të gjithë botën se Ushtria Jugosllave do të sulmojë Malin e Zi janë të pavërteta."


Burime nga armata e dytë jugosllave kanë thënë për revistën e përjavshme malazeze Monitor se ka plane për të dislokuar tanke në rrugët e Podgoricës dhe për të bllokuar parlamentin dhe ndërtesën e qeverisë së Malit të Zi.


Të njëjtat burime thonë se gjeneral Milorad Obradoviq, komandanti i armatës së dytë, kishte marrë urdhëra speciale për policinë ushtarake dhe flotën detare nga shefi i shtabit të përgjithshëm të UJ-së Nebojsha Pavkoviq. Njësitë e armatës së parë dhe të tretë, të vendosura në Serbi, janë vënë gjithashtu në gjendje lufte për të dhënë ndihmën e duhur, si edhe trupat e batalionit të 7-të - një formacion paraushtarak policor në Mal të Zi i krijuar vitin e kaluar nga Millosheviqi.


Një zyrtar i lartë në policinë malazeze tha se qeveria kishte dijeni për planet ushtarake jugosllave dhe "nuk kishte rënë pre e këtyre provokimeve" duke votuar për një referednum.


Sigurimi i shtetit të Malit të Zi ka urdhëruar njësitë e tij speciale të vëzhgojë gjithë kazermat ushtarake të UJ-së dhe bazat e saj në republikë, ka thënë zyrtari. Komandantët e lartë të UJ-së në Mal të Zi janë vendosur nën vëzhgimin e policisë, ka thënë ai.


Për momentin lufta është shmangur dhe mund të shtyhet deri sa të mbahen zgjedhjet federale. Përtej kësaj periudhe gjërat duken vërtet të errëta.


Milka Tadiq-Mijoviq është redaktore e revistës Monitor në Podgoricë.


Frontline Updates
Support local journalists