MALI I ZI: ITALIA KERKON ARRESTIMIN E TRE PERSONAVE TE RENDESISHEM

Interpoli ka lëshuar urdhër arreste për tre figura të njohura, por ekstradimi i tyre në Itali apo ndjekja penale në Malin e Zi duket dicka tepër e vështirë.

MALI I ZI: ITALIA KERKON ARRESTIMIN E TRE PERSONAVE TE RENDESISHEM

Interpoli ka lëshuar urdhër arreste për tre figura të njohura, por ekstradimi i tyre në Itali apo ndjekja penale në Malin e Zi duket dicka tepër e vështirë.

IWPR ka mësuar se policia italiane ka lëshuar urdhëra arresti ndërkombëtar për tre malazez të akuzuar si figura të rëndësishme në trafikun ndërkombëtar të cigareve. Por pak njerëz mendojnë se ata do të dalin ndonjëherë para drejtësisë.


Një burim nga zyra e Interpol të Italisë në Romë ka konfirmuar për IWPR më 26 nëntor se urdhërat e arrestit janë lëshuar për Veselin Baroviq, Dushanka Jekniq dhe Branko Vujoseviq. Burimi ka thënë se akuzat përfshijnë pastrimin e parave dhe kontrabandën e cigareve.


Vujoseviq është ish drejtor i fabrikës së cigareve në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, dhe Baroviq është një tregtar i njohur në qytet. Jekniq është ish përfaqësuesja tregtare e Malit të Zi në përfaqësinë në Milano.


Policia malazeze ka konfirmuar se ata i kanë marrë këto urdhër arresti – por vetëm dy ndaj Vujoseviq dhe Baroviq. Një burim nga zyra e Interpol në Beograd – e cila mbulon përvec Serbisë edhe Malin e Zi – ka thënë se urdhër arresti i tretë, ndaj Jekniq do ti dorëzohet shumë shpejt policisë malazeze.


Urdhër arrestet e Interpol mendohet se janë lëshuar në kuadër të hetimeve nga prokurorë të anti mafias italiane, Giovanni Russo në Napoli dhe Giuseppe Scelsi në Bari, për shkak të rolit që mendohet të kenë pasur zyrtarë të lartë malazez në kontrabandën e cigareve e cila ka qenë tepër e zhvilluar në vitet nëntëdhjetë.


Analistët në ballkan mendojnë se këto urdhëra arresti kanë lidhje me një kërkesë zyrtare për arrest të lëshuar nga gjykatësi hetues në Napoli, e cila është bërë publike më 30 qershor. Në atë dokument përmendeshin 11 italianë dhe katër malazez, përfshirë Baroviq, Jekniq, Vujoseviq dhe kryeministrin e tanishëm të vendit, Millo Gjukanoviq.


Në atë kërkesë thuhej se 15 personat e përmendur ishin përgjegjës “për krijimin, drejtimin dhe organizimin e një rrjeti për kontrabandën e cigareve të huaja, nëpërmjet dhe nga Mali i Zi”.


Gjykatësja hetuese, Anna Di Mauro, ka vendosur të mos lëshojë urdhër arresti për ndalimin e Gjukanoviq për shkak se ai mund të kërkonte imunitet për shkak të pozicionit të tij politik.


Kur është bërë publik lajmi për dokumentin e Napolit, Gjukanoviq ka kundërshtuar me forcë zërat për një përfshirje të tij në këtë kontrabandë. Baroviq dhe Jekniq gjithashtu kanë kundërshtuar me forcë të gjitha akuzat ndaj tyre. Me sa ka dijeni IWPR, Vujoseviq nuk ka komentuar në atë kohë.


Pasi ka mësuar për lëshimin e urdhërave të arrestit, IWPR është përpjekur vazhdimisht të kontaktojë me Baroviq, Vujoseviq dhe Jekniq, por ata nuk u janë përgjigjur thirrjeve tona, dhe telefonat e tyre ishin të fikur. Vujoseviq nuk ka pranuar më parë të komentojë për mediat lokale në lidhje me kërkesën e Interpol.


Policia dhe ekspertët ligjorë në Serbi dhe Malin e Zi pranojnë se ka shumë pak mundësi që të akuzuarit të përballen me drejtësinë italiane apo atë malazeze, për arësye ligjore dhe politike.


Një burim i IWPR nga zyra qendrore e Interpol në Beograd ka kofirmuar më 26 nëntor se Interpol u ka dhënë Serbisë dhe Malit të Zi “njoftime urgjente”, të cilat përdoren në raste kur kërkohet ekstradimi i personave.


Megjithatë, kushtetuta e Serbisë dhe Malit të Zi nuk lejon ekstradimin e qytetarëve të tyre në shtete të huaja, me përjashtimin e vetëm të gjykatës për krime lufte në Hagë.


Burimi i Interpol nga Beogradi ka thënë se hapi i rradhës duhej të ndërmerrej nga policia malazeze e cila duhet të konfirmojë nënshtetësinë e personave të kërkuar në “njoftimet urgjente”. Nga informacionet që zotëron IWPR, rezulton se Baroviq, Vujoseviq dhe Jekniq janë nënshtetas të Serbisë dhe Malit të Zi.


Nëse ekstradimi në Itali nuk është i mundur, atëherë e vetmja mënyrë e zbatimit të procedurave ligjore është nëse policia malazeze dhe autoritetet gjyqësore marrin hollësi në lidhje me akuzat e ngritura nga kolegët e tyre italianë, dhe më pas vendosin nëse ekzistojnë provat e mjaftueshme për të ngritur cështje penale në vend.


Mihailo Pejoviq, shef i departamentit të kriminologjisë në policinë e Malit të Zi, ka thënë për IWPR se për momentin policia “nuk ka asnjë detyrim për të marrë në pyetje apo ndaluar dy personat e akuzuzuar [Baroviq dhe Vujoseviq]. Vetëm nëse marrim prova të cilat të provojnë që ata kanë kryer një krim atëherë mund ti arrestojmë, nësë këto prova janë të vlefshme”.


Ai ka thënë se policia tani po priste të informohej nëse ndaj dy të akuzuarve janë ngritur padi penale në Itali, dhe nëse po, atëherë mbi cfarë baze ligjore është bërë kjo. Ai ka lënë të kuptohet se Mali i Zi nuk do të kërkojë në mënyrë aktive këtë informacion nga italianët, por do të presë nëse ata e paraqesin një informacion të tillë.


“Nëse akuzat mund të gjykohen në bazë të legjislacionit lokal, ne do të ngremë akuza ndaj tyre,” ka thënë ai.


Svetozar Joviceviq, zëvendës kryetar i Grupit për Ndryshime, një organizatë e njohur jo qeveritare në Malin e Zi, nuk ka dyshim se prokurorët italianë do të japin informacione të rëndësishme rreth Baroviq dhe Vujoseviq, megjithëse ai ka paralajmëruar se këto procedura mund të zgjasin shumë.


Por edhe nëse autoritetet malazez sigurojnë këto materiale, Joviceviq mendon se vështirë që “gjykatat lokale të mund të përballojnë me sukses një rast të tillë”.


Baroviq dhe Vujoseviq shihen si figura shumë të njohura në Malin e Zi, dhe së bashku me Jekniq njihen si bashkëpunëtorë të ngushtë të Gjukanoviq.


Analistët në ballkan thonë se sistemi i drejtësisë në Malin e Zi ka një të kaluar jo shumë të mirë për sa i përket gjykimit të rasteve të rëndësishme dhe të diskutueshme të cilat kanë edhe lidhje me politikën.


Dhe në fakt, ka disa prova që e vërtetojnë këtë thënie. Rasti më i fundit kur një grua moldave ka akuzuar një zyrtar të lartë malazez për përfshirje në trafikun e qenieve njerëzore dhe abuzime të tjera në maj të këtij viti, kur – pavarësisht dëshmive të shumta të dhëna nga gruaja dhe raporteve të hollësishme mjeksore – paditë kriminale janë arkivuar, zyrtarisht për shkak të mungesës së provave. Komuniteti ndërkombëtar – përfshirë ekspertë ligjor nga Këshilli i Europës, dhe Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri në Europë, OSBE – kanë kritikuar policinë dhe sistemin e drejtësisë për mënyrën se si kanë ndjekur këtë rast. Gjykatësja hetuese, Ana Vukoviq, ka thënë se ajo është ngacmuar nga shërbimet sekrete për shkak të këtij rasti.


Megjithëse qeveria ka thënë se mund të ketë një prësëritje të procesit gjyqësor, përshtypja e përgjithëshme është se ky process gjyqëesor i është nënshtruar presioneve politike, dhe politika ka hedhur një hije të madhe dyshimi mbi drejtësinë si një institucion i pavarur.


Një burim i IWPR i afërt me policinë malazeze, i cili ka kërkuar të mos përmendet me emër, ka thënë se prokurorët italianë kanë dy rrugë – ose t’ju japin prokurorëve lokalë provat dhe të shohin nëse ata janë të gatshëm të ngrenë padi, ose të presin dhe të shpresojnë që të dyshuarit të udhëtojnë jashtë vendit, në mënyrë që të mund të arrestohen në ndonjë shtet tjetër. Burimi i Interpol në Beograd ka konfirmuar se kjo e fundit është një mundësi, duke thënë se “nëse ata vënë edhe vetëm një këmbë jashtë Malit të Zi – edhe sikur të shkojnë në Kroaci apo Bosnje – do të arrestohen menjëherë”.


Sido që të përfundojë, ky rast – i krijuar mesa duket nga prokurorë italianë të vendosur për ti shkuar deri në fund hetimeve të tyre për kontrabandën – vështirë se mund të qetësohet, dhe do të mbetet për shumë kohë një shqetësim i cili do të dëmtojë edhe më tepër reputacionin e shtetit të Malit të Zi.


“Ky rast do të ndikojë edhe më tepër në imazhin e keq të Malit të Zi,” ka thënë Joviceviq.


Ai thotë se Mali i Zi nuk ka ndëshkuar shumë krime të cilat janë të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo me autoritetet – dhe kjo përbën “një shqetëesim të madh”.


Dragana Nikoliq-Solomon është Drejtore e IWPR për Serbinë dhe Malin e Zi, Boris Darmanoviq është Drejtues i Projektit të IWPR në Podgoricë, dhe Hugh Griffiths është koordinator i IWPR për artikujt investigativ.


Frontline Updates
Support local journalists