Malazezët në Pritje
Malazezët po përgatiten të presin rezultatin e zgjedhjeve të cilat mund të përcaktojnë fatin e tyre.
Malazezët në Pritje
Malazezët po përgatiten të presin rezultatin e zgjedhjeve të cilat mund të përcaktojnë fatin e tyre.
"Çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve të së dielës?" Kjo është pyetja që shqetëson këdo në Mal të Zi. Që prej tre vjetësh konflikti ndërmjet presidentit malazez Milo Gjukanoviq dhe kolegut të tij jugosllav ka kërcënuar për shpërthimin e një konflikti në republikën e vogël. Tani njerëzit kanë frikë se konflikti mund të shpërthejë.
Gjukanoviq ka bojkotuar zgjedhjet e 24 shtatorit në shenjë proteste ndaj ndryshimeve kushtetuese të bëra nga rivali i tij në Beograd. Ndërsa Milosheviq duket se do të fitojë më pak vota se kandidati i opozitës Vojislav Kostunica, ka zëra se udhëheqësi jugosllav do të përdorë truket e vjetra për të forcuar pozitën e tij.
"Ka shumë arsye për të patur frikë," thotë një zyrtar i lartë i policisë malazeze. "Millosheviq mund të përdorë recetën e tij të vjetër - kurdo që pozitat e tij rrezikohen në Serbi, ai fillon një luftë diku tjetër. Tani i ka mbetur vetëm një fushë beteje e mundshme - Mali i Zi.
"Ushtarë të ushtrisë jugosllave janë dislokuar nga disa kazerma dhe janë vënë në gjendje lufte. Është përgatitur edhe një listë me emrat e atyre njerëzve që duhet të arrestohen apo likuidohen sapo të fillojë konflikti," thotë burimi nga policia.
Reveista e përjavshme e Podgoricës Monitor ka cituar një oficer të lartë të Armatës së 2-të të ushtrisë jugosllave të vendosur në Mal të Zi të ketë thënë se "janë përgatitur plane për të marrë nën kontroll ndërtesat qeveritare më të rëndësishme, si zyrat e postës, telekomunikacioni, stacionet e radios dhe TV në Podgoricë."
Oficeri ka thënë se forcat e Millosheviqit do të marrin nën kontroll republikën shumë shpejt në një "luftë rrufe" duke bërë të pavlefshme çdo përgjigje efektive të forcave pro-Gjukanoviq.
"Më pak se një muaj më parë një grup operativ i emëruar nga shtabi i përgjithshëm i ushtrisë jugosllave ka përgatitur plane të hollësishme për marrjen në kontroll të ndërtesave të rëndësishme në Beograd në rast të një fitoreje të opozitës," ka shtuar oficeri.
Në të gjithë Malin e Zi është shtuar prania e ushtrisë jugosllave gjatë kohëve të fundit. Helikopterë dhe avionë ushtarakë MIG kalojnë shpesh mbi qiellin e Podgoricës. Makina të ushtrisë me ushtarë lëvizin vazhdimisht përgjatë rrugëve të qytetit dhe rrugëve kryesore kombëtare. Ushtria ka ngritur baza në Urën Cemovsko në qendër të kryeqytetit dhe në luginën Zeta pranë aeroportit.
"Shtabi i Armatës së 2-të, përveç se ka mbushur rradhët e njësive me rezervistë, ka lëshuar një urdhër duke ndaluar të gjitha lejet dhe mungesat e oficerëve të vendosur në Malin e Zi," ka thënë një zyrtar i lartë në ministrinë e brendshme malazeze.
Ndërkohë Gjukanoviq mund të mbështetet në një numër të madh oficerësh të policisë malazeze. Megjithëse të pajisur vetëm me armë të lehta, kjo forcë numëron rreth 20,000 vetë. Ministria e brendshme ka ngritur "shtabe të krizës" në çdo qytet.
"Ne po vëzhgojmë nga afër situatën dhe ata nuk mund të na gjejnë të papërgatitur," thotë zyrtari i ministrisë së brendshme.
Malazezët i shohin zgjedhjet e 24 shtatorit si një çështje të brendshme të Serbisë, por shqetësohen për pasojat që mund të kenë ato në Mal të Zi.
Disa analistë kanë një pikëpamje pozitive. Njëri prej tyre argumenton se Mali i Zi është shqetësimi anësor i Millosheviqit dhe se problemi i vërtetë i presidentit jugosllav është brenda në Serbi. Nëse Millosheviq humbet zgjedhjet, analisti mendon se ai do të jetë shumë i zënë me parandalimin e një rebelimi të brendshëm për të menduar për Malin e Zi.
Vetëm nëse presidenti jugosllav forcon pozitat e tij pas zgjedhjeve, ai do të mund të ketë dorë të lirë për t'u marrë me Gjukanoviqin e pabindur.
Ndoshta një pjesë e shtimit të forcave të ushtrisë jugosllave në republikë mund të shpjegohet edhe me vizitën e Millosheviqit në kuadrin e fushatës elektorale në qytetin verior të Beranes më 20 shtator, vizita e tij e parë në republikë që prej tre vjetësh. Trupa të pajisura mirë nga batalioni i 7-të i ushtrisë jugosllave dhe policia federale u dërguan nga Beogradi për të siguruar vizitën e tij, duke rrethuar aeroportin, rrugët dhe qendrën e qytetit të Beranes.
Policia e ministrisë së brendshme të Malit të Zi ka ndjekur me vëmendje trupat e ushtrisë jugosllave dhe rreth 15,000-20,000 njerëz që mbërritën në qendër të qytetit për të përshëndetur Millosheviqin.
Aleksandar Gjurisiq, përfaqësues i Partisë Demokratike të Socialistëve në pushtet, e ka cilësuar mitingun si një manovër ushtarake: "Millosheviq është një kolonizator, i cili i mbështetur nga ushtria erdhi në këtë vend për ta pushtuar."
Një luftë e ashpër ka shpërthyer edhe ndërmjet televizioneve të ndryshme në Mal të Zi. Dy stacione televizive pro-Millosheviqit, TV Yu Info dhe Populli TV, kanë filluar të transmetojnë këtë vit pa marrë leje nga autoritetet malazeze.
Transmetuesit e të dy stacioneve janë vendosur në kazermat e ushtrisë jugosllave dhe transmetojnë programe të përgatitura në Beograd. Politika editoriale është e ngjashme me atë të televizionit dhe radios shtetërore serbe. TV Yu Info, Populli TV dhe e përditshmja pro-Millosheviqit Dan i kanë bërë një mbulim të gjerë fushatës zgjedhore të Partisë Socialiste Popullore, SNP, aleates së presidentit jugosllav në Mal të Zi.
E përditshmja e kontrolluar nga Beogradi Veçernje Novosti deklaron se 100,000 njerëz kanë marrë pjesë në mitingun e Beranes dhe ka botuar edhe një foto të marrë nga mitingu, e cila është manipuluar për të treguar se ka patur një pjesëmarrje të gjerë. Të njëjtat fytyra mund të shihen qartë të përsëritura nëpër turmë.
Media e kontrolluar nga qeveria malazeze ka mbështetur linjën e Gjukanoviqit - duke anashkaluar zgjedhjet federale të 24 shtatorit dhe duke u bërë thirrje njerëzve të mos votojnë.
Përkrahës të presidentit jugosllav po përgatiten për 24 shtator dhe planifikojnë të hapin qendrat e votimit në kazermat ushtarake dhe në shtëpitë e aktivistëve të SNP-së.
Nga 440,000 persona me të drejtë vote në Malin e Zi, anketimet tregojnë se vetëm 20 përqind mendojnë të shkojnë për të votuar. Por këto shifra nuk janë tepër të sigurta. Për më tepër, natyra e improvizuar e zgjedhjeve në Mal të Zi lë shumë mundësi për manipulime.
Përkrahësit e Millosheviqit mendojnë se vota e tyre është votë për mbijetesën e Jugosllavisë. Për sa i përket përkrahësve të Gjukanoviqit, ata thjesht presin.
"Unë vetëm lutem që opozita serbe dhe njerëzit do të bëjnë diçka pas zgjedhjeve për të larguar vëmendjen e Millosheviqit," thotë një përkrahës i Gjukanoviqit. "Përndryshe ai do të vijë këtu me ushtri."
Milka Tadiq-Mijoviq është redaktore e revistës së përjavshme të pavarur Monitor në Podgoricë.