Malazezët Kthejnë Sytë nga Bushi

Autoritetet e Podgoricës shpresojnë se qeveria Amerikane nuk do të përpiqet të bindë Malin e Zi të heqë dorë nga pavarësia.

Malazezët Kthejnë Sytë nga Bushi

Autoritetet e Podgoricës shpresojnë se qeveria Amerikane nuk do të përpiqet të bindë Malin e Zi të heqë dorë nga pavarësia.

Podgorica, ashtu si edhe kryeqytetet e tjera në botë, po vëzhgon me kujdes Uashingtonin ndërsa presidenti i ri i shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush përgatitet të marrë në dorë Shtëpinë e Bardhë.


Tani që Mali i Zi po shkon drejt pavarësisë pozicioni I administratës së re Amerikane është shumë i rëndësishëm, për arësyen e thjeshtë se Uashingtoni ka qenë aleati kryesor i Malit të Zi gjatë rezistencës së tij tre vjeçare ndaj rregjimit të presidentit të larguar Jugosllav Sllobodan Millosheviç.


Në kundërshtim me sa mendohej, largimi i Millosheviçit nga posti nuk i zgjidhi menjëherë problemet që ekzistojnë në marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Serbisë në kuadrin e Republikës Federale të Jugosllavisë, RFJ.


Që prej vitit 1997, kur qeveria e re reformiste e Malit të Zi u kthey kundër Millosheviçit, përkrahja e publikut për pavarësinë është rritur nga 25 në 57 përqind.


Pjesa më e madhe e elitës politike Malazeze është veçanërisht e shqetësuar nga problemet strukturore. Serbia është 17 herë më e madhe se Mali i Zi. Një pabarazi kaq e madhe e bën praktikisht të pamundur arritjen e një modeli kushtetues i cili të sigurojë një status të barabartë për Malin e Zi në kuadër të një federate me Serbinë.


Përveç kësaj ekziston edhe frika e një rilindjeje të nacionalizmit Serb dhe tendencave historike të Beogradit për dominimin e Malit të Zi. Këto shqetësime ekzistojnë pavarësisht humbjes që ka pësuar gjatë dekadës së fundit nacionalizmi agresiv Serb dhe mundësisë tepër të vogël që ai të dalë në skenë me të njëjtën formë të dhunëshme si në periudhën e Millosheviçit.


Idea e pavarësisë ka marrë një nxitje të rëndësishme edhe nga pushimi i kërcënimeve indirekte për sigurinë e republikës, të cilat kanë qenë gjithnjë prezente gjatë sundimit të Millosheviçit në Beograd.


Është diçka jo realiste të presësh që federata ndërmjet Malit të Zi dhe Serbisë të mbijetojë. Po duket gjithnjë e më e afërt mundësia që ose nëpërmjet bisedimeve me Beogradin ose me anë të një referendumi Mali i Zi do të bëhet një shtet i pavarur.


Qeveria Amerikane, megjithëseka qenë përkrahësja më e fortë e Malit të Zi në përplasjen e tij me Millosheviçin, asnjëherë nuk ka mbështetur idenë e pavarësisë.


Gjatë dy vjetëve të fundit Mali i Zi ka marrë 55 milion dollarë ndihmë financiare në vit - shuma më e madhe për frymë popullsie e ndihmës së dhënë nga Uashingtoni për një vend të huaj, me përjashtim të Izraelit. Qëllimi i kësaj ndihme ka qenë të ndihmojë në ruajtjen e stabilitetit të qeverisë së Presidentit Milo Gjukanoviç dhe të rrisë standartin e jetës në republikën e vogël.


Por ndihma Amerikane është dhënë edhe në forma të tjera. Ekspertët Amerikanë kanë kontribuar ndjeshëm në reformat e ndërmarra në disa fusha të rëndësishme ekonomike dhe politike. Dhe megjithëse Uashingtoni asnjëherë nuk ka dëshiruar të japë garanci direkte për sigurinë e Malit të Zi në rast të një sulmi nga Millosheviçi, qeveria Amerikane ka bashkëpunuar me Podgoricën edhe në çështjet e sigurisë.


Megjtihatë, pavarësisht nga kjo ndihmë e madhe, Amerikanët kanë shmangur paternalizmin, diçka të cilën është munguar ta shmangë edhe qeveria e Podgoricës. Të paktën në dy raste të rëndësishme qeveria e Gjukanoviçit ka vepruar kundër dëshirës së shprehur haptazi nga Uashingtoni.


Në Nëntor 1999, Podgorica hoqi dinarin Jugosllav si monedhë zyrtare, duke e zëvendësuar atë me markën Gjermane. Më pas, vitin e kaluar Gjukanoviç bëri thirrje për bojkotimin e zgjedhejve federale Jugosllave të 24 Shtatorit në shenjë proteste ndaj ndryshimeve të paligjëshme të kushtetutës të bëra nga Millosheviç në Korrik.


Megjithatë, SHBA ka vazhduar të mbështesë Gjukanoviçin, duke i pranuar arësyet e dhëna nga qeveria Malazeze si të qenësishme.


Pas largimit të Millosheviçit, rëndësia e republikës në rajon është ulur ndjeshëm dhe disa prioritete të politikës Amerikane në rajon janë në kundërshtim me përpjekjet e Malit të Zi për të fituar pavarësinë.


Kundërshtimi kryesor i Uashingtonit për pavarësinë - kërcënimi për shpërthimin e një lufte - nuk ekziston më që pas rrëzimit të rregjimit të Millosheviçit. Por ekziston një pengesë tjetër - statusi i ardhëshëm i Kosovës. Duke pasur parasysh natyrën komplekse të rajonit, e ardhmja e Kosovës është e lidhur direkt me çështjen e pavarësisë së Malit të Zi.


Sipas kushteve të rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara, Kosova përmendet vetëm si pjesë e RFJ-së. Nëse Mali i Zi siguron pavarësinë nga federata, atëherë RFJ, do të pushojë së ekzistuari.


Meqënëse asnjë nga qeveritë e rëndësishme Perëndimore, përfshirë edhe SHBA, nuk kanë një zgjidhje të qartë për Kosovën, politika e tyre e tanishme është të parandalojnë shpërbërjen e RFJ-së, më fjalë të tjera të sigurojnë që Mali i Zi të mos shkëputet nga federata.


Megjtihatë, të përballur me një vendim të popullit të Malit të Zi të marrë në një referendum demokratik, edhe nëse ky vendim është për pavarësi, SHBA, dhe aleatët e tjerë Perëndimorë të Malit të Zi, do të pranojnë këtë rezultat. Në fund të fundit, nuk ekziston mundësia që Uashingtoni të përdorë forcën për të parandaluar një hap të tillë.


Edhe presioni ekonomik është një gjë e pamundur. Nëse një hap i tillë do të ishte një zgjidhje, ai do të ishte përdorur prej kohësh.


Pavarësia e Malit të Zi nuk do të shkaktonte probleme serioze në rajon apo për fqinjët e saj. Republika është tepër e vogël për të përbërë një rrezik real për vendet fqinje. Mali i Zi nuk është në gjendje të ndërmarrë ndonjë politikë agresive ose ndonjë plan për ekspansion.


Republika nuk ka diasporë e cila të ushqejë tendenca separatiste me vendet fqinje, dhe nuk ekziston ndonjë problem i hapur për sa i përket çështjes së kufinjve. Në Malin e Zi nuk ekzistojnë as vështirësi për sa i përket pakicave kombëtare - më e madhja prej të cilave është ajo Shqiptare - sepse ata janë pak a shumë të integruar në sistemin politik të republikës.


Megjithëse vetë popullsia është e ndarë për sa i përket çështjes së pavarësisë, duket se mundësia për një konflikt të brendëshëm është tepër e vogël. Padyshim fushata politike përpara një referendumi të mundëshëm do të jetë e ashpër, por tani që kërcënimi ushtarak i Millosheviçit nuk ekziston më, nuk është realiste të pritet ndonjë reagim i dhunshëm nëse Malazezët votojnë për pavarësi.


Qeveria e re në Beograd sigurisht që nuk do të provokonte asnjë ndërhyrje ushtarake. Në fakt, megjithëse pa shumë dëshirë, ajo do të detyrohej të pranonte vendimin legjitim të popullit Malazez. Pa një mbështetje nga Beogradi, kundërshtarët e brendëshëm të pavarësisë nuk do të kenë as dëshirën dhe as mjetet për t'u përpjekur të ndalojnë vendimin e shumicës.


Mali i Zi as nuk ka shkaktuar as nuk ka kontrinbuar në përkeqësimin e problemeve në Kosovë. Republika nuk është gjithashtu e aftë të japë një kontribut vital në zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës.


Problemi i Kosovës do të zgjidhet ose duke pranuar dëshirën e shumicës Shqiptare për të krijuar një shtet të tyrin, ose duke zgjatur protektoratin e OKB-së dhe duke shtyrë për vite me rradhë marrjen e një vendimi përfundimtar.


Nëse Demokratët do të kishin fituar në zgjedhjet presidenciale në SHBA ata herët ose vonë do ti kishin pranuar këto argumenta.


Por, është diçka realiste dhe e pritëshme, që edhe qeveria Republikane do ti pranojë ato. Qeveria e Bushit nuk ka arësye të heqë dorë nga aleatët e saj në rajon. Podgorica prej tre vjetësh ka treguar vazhdimisht se është pro-Amerikane. Qeveria e re në Beograd, dhe veçanërisht presidenti Jugosllav Vojisllav Koshtunica, përkundrazi shpesh kanë treguar në një mënyrë shumë të papërgjegjëshme shenja të ndjenjave anti-Amerikane në politikën e tyre të jashtëme.


Pra, bashkësia ndërkombëtare, vështirë se mund të kundërshtojë dëshirën e shumicës së popullsisë në Malin e Zi.


Qeveria Amerikane do të ngulë këmbë fillimisht që Mali i Zi dhe Serbia të gjejnë një zgjidhje të përbashkët. Nëse kjo gjë duket e pamundur, ata do të kërkojnë që referendumi të jetë transparent dhe demokratik.


Ndoshta më tepër se çdo gjë tjetër, uashingtoni do të vazhdojë ndihmën ekonomike për Malin e Zi me kusht që të arrihet një progres I dukshëm dhe I vërtetë në reformimin e ekonomisë dhe sistemit politik të republikës.


Srxhan Darmanoviç është drejtor i Cede Qendrës për Demokraci në Podgorica.


Africa, Balkans
Frontline Updates
Support local journalists